E Shtunë, 28 Nëntor 2020
Blue Red Green
  • Buletin Informativ i Lëvizjes Europiane në Shqipëri (ISSN 2708 - 1656)
Joomla!: Position Home - E Hënë, 09 Prill 2012 07:19
Joomla!: Using Joomla! - E Shtunë, 01 Janar 2011 00:00
Joomla!: Upgraders - E Shtunë, 01 Janar 2011 00:00
Joomla!: The Joomla! Project - E Shtunë, 01 Janar 2011 00:00
Joomla!: The Joomla! Community - E Shtunë, 01 Janar 2011 00:00
Joomla!: Sample Sites - E Shtunë, 01 Janar 2011 00:00
Joomla!: Professionals - E Shtunë, 01 Janar 2011 00:00
Joomla!: Parameters - E Shtunë, 01 Janar 2011 00:00
Joomla!: Joomla! - E Shtunë, 01 Janar 2011 00:00
Joomla!: Getting Started - E Shtunë, 01 Janar 2011 00:00
Joomla!: Getting Help - E Shtunë, 01 Janar 2011 00:00
Joomla!: Beginners - E Shtunë, 01 Janar 2011 00:00

Turizmi dhe Covid-19: sfidat dhe masat që duhen ndërmarrë

turizmi nikollaAskush nuk ka dyshime mbi efektet e pandemisë në sektorin e turizmit, por a do të ndryshoj përgjithmonë mënyra e të bërit turizëm? Kriza evidentoi natyrën e paqëndrueshme të sektorit, në këtë aspekt, ky mund të jetë momenti që shtetet të ridimensionojnë strategjinë e tyre ekonomike dhe të fokusohen në sektorë më të qëndrueshëm, çka nënkupton pikë së pari ndërtimin e një ekonomie më të kontrollueshme dhe më afatgjate.

***

Është ende shpejtë për të gjykuar një sjellje konsumatore apo një sjellje të turistit potencial në një të ardhme të afërt. Pasojat e krizës ekonomike janë ende të paqarta për shumë vende, siç është e paqartë mënyra e evoluimit të pandemisë. Një mbyllje e dytë është e padëshirueshme sepse shumë shtete janë goxha të dëmtuara prej situatës, por kjo nuk e përjashton mundësinë që diçka e tillë të përsëritet.

Shumë mund të kenë evidentuar tashmë një krizë të liberalizmit dhe globalizmit në mes të kësaj pandemie, po ashtu vendime të diskutueshme u morën në lidhje me respektimin e të drejtave themelore të njeriut sa i përket vendosjes së masave detyruese të karantinimit ( Freedom House, 2020).Ajo që vihet re është se, në mos shtetet po mendojnë për një ridimensionim të politikave të tyre, apo në mos sistemi po fillon të pësojë ndryshime, bota po bëhet më e ndërgjegjshme ndaj disa problematikave të cilat mund të kenë qenë disi të fjetura për një kohë të gjatë. Askush nuk e priti mirë lajmin se ndërkohë që bota po varfërohej, më të pasurit po pasuroheshin si asnjëherë më parë (Forbes, 2020). Në të njëjtën kohë, studiuesit politikë rendën ti vendosin një emër nacionalizmit potencial që po shfaqej në horizont. Në një moment ku të pasurit u pasuruan dhe shtetet i kthyen sytë nga dera e tyre, shumë filluan të shohin një krizë të sistemit në nivel global.

Rasti i Shqipërisë

Turizmi është një sektor relativisht i ri për Shqipërinë, por jo pak i rëndësishëm. Llogaritet që kontributi i drejtpërdrejtë i turizmit në ekonomi në vitin 2019 të ketë qenë sa 10.3% e PBB, ndërkohë që kontributi total vlerësohet sa 21.2% e PBB ( Albania 2020 Annual Research) Këshilli Botëror i Udhëtimit dhe Turizmit(WTTC) e rendit Shqipërinë së bashku me Greqinë, Kroacinë, Malin e Zi dhe Gjeorgjinë, mes vendeve të para në Europë për sa i përket peshës që zë turizmi në ekonomi (21.2% e totalit të kontributit). Vetëm vitin e kaluar përllogaritet që rreth 4 milion turistë të kenë vizituar Shqipërinë, kryesisht përgjatë sezonit veror.

Referuar shifrave të fundit të publikuara nga INSTAT, në krahasim me një vit më parë, vetëm në muajin qershor pati një rënie prej 66,3% të hyrjeve në Shqipëri, ndërkohë që rënia për shtetasit e huaj shkoi në shifrat e 71.5% (INSTAT, 2020). Vlen për tu theksuar këtu pamundësia e shumë emigrantëve shqiptarë për të vizituar vendin e tyre këtë sezon. Zakonisht emigrantët zgjedhin periudhën e pushimeve verore jo vetëm për të pushuar, por edhe për tu kthyer pranë familjeve të tyre.

Kostoja financiare në rastin e Shqipërisë do të llogaritet gjithashtu duke parë edhe nga vendet fqinje. Ekonomia greke, e cila parashikohet të ketë recesionin më të thellë nga vendet e Bashkimit Europian, me rreth 9.7% (Komisioni Europian, 2020), po pëson dëme të mëdha në sektorin e turizmit, i cili përbën 25% të PBB. Si pasojë e numrit të madh të emigrantëve shqiptarë në Greqi, kriza në sektorit e turizmit do të ketë padyshim efekte negative edhe në ekonominë shqiptare, kryesisht në rënien e remitancave. Kjo nënkupton humbje të mëdha për një ekonomi të dobët si Shqipëria e cila përveç barrës së pandemisë ka edhe pasojat e shkaktuara nga tërmeti.

Moment reflektimi apo një normalitet i ri?

Tani është koha që shtetet të fillojnë të bëjnë parashikimet e tyre në lidhje me vazhdimësinë e situatës. Skenarët janë të shumtë dhe të pasigurt. Një element i rëndësishëm për tu theksuar është se pandemia dhe kriza ekonomike e shkaktuar prej saj mund të transformojnë sjelljen e turistëve. Askush nuk pret që situata të vazhdojë për një kohë të gjatë dhe parashikimet më optimiste flasin për një fillim të rimëkëmbjes në vitin 2021. Pavarësisht kohëzgjatjes, situata do të kthehet në normalitet, por nëse pandemia zgjat për shumë kohë, ka gjasa që një koncept i ri mbi “normalen” të lind.

Kthimi në normalitet mund të ndikohet prej disa faktorëve. Së pari, nëse situata e pandemisë do të vazhdojë për një kohë të gjatë njerëzit mund të ndryshojnë sjelljet e tyre dhe të ndërtojnë një set të ri vlerash. Historia ka treguar se është në natyrën e krizave në përgjithësi të prodhojnë realitete të reja ekonomike, politike apo sociale. Pandemia mund të shkaktojë një ristrukturim të ekonomisë, të ul rëndësinë e shumë profesioneve, të shkaktojë ndryshime në stilin e jetesës, apo të sjellë ndryshime demografike. Një ristrukturim i mundshëm ekonomik do të pasohet nga një ristrukturim shoqëror dhe efektet psiko-sociale të këtij ristrukturimi do të ndihen për një kohë të gjatë.

Cila mund të ishte një strategji e mirëpranuar?

Nga se është vënë re deri më tani, shtetet e kanë menaxhuar pandeminë në mënyra të ndryshme. Sa i përket aspektit ekonomik, sektori mund të mbështetet kryesisht duke përdorur politika të huadhënies ose të aplikojnë lehtësira në taksim. Për një menaxhim sa më efektiv Banka Botërore, në publikimin e saj të fundit, ka sugjeruar një strategji me tre nivele: 1. Një reagim të menjëhershëm për ta mbajtur sektorin aktiv; 2. Reagim afatmesëm për tu përgatitur për periudhën e pas-krizës dhe; 3. Një reagim afatgjatë për tu kthyer në normalitet (Banka Botërore, 2020).

Sa i përket menaxhimit efektiv të pandemisë nga operatorët turistikë dhe sipërmarrjet që operojnë në sektorin e transportit dhe shërbimeve, katër pika sugjerohen nga Banka Botërore:

  • Rritje e fokusit në standardet e shëndetit dhe higjienës;
  • Të kuptuarit e mënyrës së ndryshimit të kërkesës (përfshirë këtu rolin e turizmit të brendshëm dhe atë rajonal);
  • Interpretimi i modeleve të ndryshimit të biznesit për shkak të konsolidimit dhe ristrukturimit të sipërmarrjeve;
  • Përdorimi i inovacionit dhe teknologjisë; dhe
  • Orientim i investimeve publike në ato sektor të turizmit që kanë nevojë më emergjente.

Përveç një strategjie për menaxhimin efektiv të sektorit në periudhën gjatë pandemisë dhe pas saj, duhet që në të njëjtën kohë, shtetet duke konsideruar karakteristikat e tyre ekonomike, të mendojnë për të forcuar sektorë të tjerë të ekonomisë që mund të ofrojnë një alternativë më të qëndrueshme. Kjo nuk nënkupton në parim mënjanimin nga turizmi, por pavarësimin e ekonomisë sa më shumë nga burime të paqëndrueshme.

Në rastin e Shqipërisë, një zgjidhje mund të jetë zëvendësimi i peshës së turizmit në ekonomi duke i kushtuar më tepër rëndësi sektorëve prodhues, specifikisht industrisë dhe bujqësisë. Problemi qëndron në pengesat e mëdha të shkaktuara prej mungesës së një shteti të konsoliduar ligjor apo nivelit të lartë të korrupsionit. Klima e biznesit në vend nuk është aspak e favorshme, madje ajo është përkeqësuar me kalimin e viteve. Referuar indeksit të Klimës së Biznesit, në nivel ndërkombëtar Shqipëria u rendit në vendin e 82, 15 pozicione më poshtë se në vitin 2018 ( Trading Economics, 2020). Duke pasur parasysh këtë situatë, vendi nuk i ka kapacitetet për të paraqitur një strategji e cila do të mund të bëjë zëvendësimin efektiv të sektorit me opsione të tjera më të qëndrueshme.

Dilema qëndron se ku do të punësohen ata të cilët do të përfundojnë të papunë nga sektori i turizmit, pra në cilin sektor të ekonomisë do të orientohen? (Duhet të kujtojmë këtu se turizmi zë 22.2% të totalit të punësimit, referuar shifrave të publikuara nga WTTC.)Për vende të vogla si Shqipëria, pamundësia për të gjetur një vend pune, ka bërë që opsioni më popullor të vijojë të jetë emigracioni. Nëse diçka e tillë do të ndodhë, pra nëse njerëzit do ta gjejnë shpëtimin te emigracioni, kriza e shkaktuar prej turizmit do të kthehet në një krizë humanitare dhe shumë njerëz do të detyrohen të braktisin vendin e tyre. Pa një shtet të konsoliduar ligjor, më tepër se një aktor, Shqipëria mund të kthehet shumë shpejt në një spektator.

Menaxhimi i situatës mund të ndodhë jo vetëm në nivel kombëtar, por edhe në nivel ndërkombëtar. Në lidhje me menaxhimin efektiv në nivel ndërkombëtar, veçanërisht në rastin e Bashkimit Europian, kjo do të duket në vendosmërinë e shteteve për të ndërmarrë politika të përbashkëta. Deri më tani Bashkimi Europian ka treguar se është i vendosur për një reagim të unifikuar dhe se krizën po e sheh në prizmin e një përgjegjësie kolektive (Reuters, 2020). Gjithsesi, situata nuk ishte plotësisht e njëjtë me OBSH, nga e cila SHBA shpalli largimin e saj dhe kjo nuk është hera e parë që shtetet përplasen në ambientet e organizatave ndërkombëtare. Në këtë kuptim, situata mbetet sërish në dorë të shteteve për të bashkëpunuar dhe për të pasur më tepër besim te organizatat ndërkombëtare dhe te vlerat e përbashkëta.

Përfundime

Ndërkohë që situata është në zhvillim e sipër, është vështirë për të parashikuar ecurinë e sektorit. Shumë shtete rendin të bëjnë parashikimet e tyre në lidhje me faturën financiare të krizës, e cila mund të ketë efekte afatgjate në ekonomi. Ajo që duket në horizont është një normale e re për sa i përket sektorit të turizmit dhe shtetet duhet të rendin për të kuptuar natyrën e këtij realiteti. Ata duhet të jenë vigjilentë në menaxhimin efektiv të situatës dhe në të njëjtën kohë duhet të fillojnë të mendojnë për një strategji afatgjate e cila do të synojë përmirësimin e qëndrueshmërisë së sektorit, apo për ta orientuar ekonominë drejt sektorëve të tjerë më të qëndrueshëm.

Nikolla Pulla, tetor 2020

* Nikolla ka përfunduar studimet në Bachelor për Shkenca Politike dhe Master në Marrëdhënie Ndërkombëtare në Universitetin e Tiranës. Aktualisht ai punon si Ekspert Komunikimi dhe Menaxher Projektesh pranë AULEDA – Agjencia e Zhvillimit Ekonomik Lokal, Vlorë. Përgjatë dy viteve të fundit ka punuar po ashtu për tre organizata të tjera joqeveritare si: MJAFT!, CELIM dhe Engim.

Referenca:

https://freedomhouse.org/article/pandemics-global-challenge-democracy-should-be-met-global-response ;

https://foreignpolicy.com/2020/07/13/the-pandemic-could-be-the-crisis-liberalism-needed/

https://www.forbes.com/sites/jackkelly/2020/07/22/the-rich-are-getting-richer-during-the-pandemic/#658394125c7e

ALBANIA 2020 ANNUAL RESEARCH: KEY HIGHLIGHTS, (file:///C:/Users/User/Downloads/Albania2020_.pdf);

http://www.instat.gov.al/media/7314/levizjashtetasve_qershor_2020.pdf

https://ec.europa.eu/info/sites/info/files/economy-finance/ip132_en.pdf

REBUILDING TOURISM COMPETITIVENESS - Tourism response, recovery and resilience to the COVID-19 crisis, World Bank Group, faqe 29.

https://bit.ly/3iO35ja

https://www.reuters.com/article/us-eu-summit/eu-reaches-historic-deal-on-pandemic-recovery-after-fractious-summit-idUSKCN24M0DF

  Kërko

  Axhenda

26 nëntor 2020 - Seancë plenare e Parlamentit Europian ku eurodeputetët pritet të kenë një mendim zyrtar mbi vendimin e Tribunalit Kushtetues Polak mbi të drejtat e abortit në vend.

********************

25 nëntor 2020  - Dita Ndërkombëtare për Eliminimin e Dhunës ndaj Grave

********************

24 nëntor 2020 - Takimi i kolegjit - Komisioni pritet të miratojë planin e veprimit të BE për barazinë gjinore dhe fuqizimin e grave në marrëdhëniet e jashtme për 2021-2025; planin e veprimit për integrimin dhe përfshirjen  dhe planin e veprimit mbi pronësinë intelektuale

********************

  FJALOR

wordoftheday

Seksion dedikuar shpjegimit të termave të BE-së.

  Na ndiqni ne:

facebook gplus twitter youtube1