E Premte, 19 Korrik 2019
Blue Red Green
  • Buletin Informativ i Lëvizjes Europiane në Shqipëri
Joomla!: Position Home - E Hënë, 09 Prill 2012 07:19
Joomla!: Using Joomla! - E Shtunë, 01 Janar 2011 00:00
Joomla!: Upgraders - E Shtunë, 01 Janar 2011 00:00
Joomla!: The Joomla! Project - E Shtunë, 01 Janar 2011 00:00
Joomla!: The Joomla! Community - E Shtunë, 01 Janar 2011 00:00
Joomla!: Sample Sites - E Shtunë, 01 Janar 2011 00:00
Joomla!: Professionals - E Shtunë, 01 Janar 2011 00:00
Joomla!: Parameters - E Shtunë, 01 Janar 2011 00:00
Joomla!: Joomla! - E Shtunë, 01 Janar 2011 00:00
Joomla!: Getting Started - E Shtunë, 01 Janar 2011 00:00
Joomla!: Getting Help - E Shtunë, 01 Janar 2011 00:00
Joomla!: Beginners - E Shtunë, 01 Janar 2011 00:00

Kodi i Ri i Punës në Francë – A do të jetë një reformë ekonomike e suksesshme?

kodi i punes macronPresidenti i Francës, Emmanuel Macron gjatë fushatës për zgjedhjet presidenciale në Francë premtoi për ndryshime të rëndësishme strukturore që do të ndërmerreshin gjatë udhëheqjes së tij, në mënyrë që vendit ti rikthehej lavdia e dikurshme. Duket se dhe pas zgjedhjeve premtimet e Macron po bëhen realitet, duke ndërmarrë reforma të ndryshme në të gjitha fushat që prekin qytetarët francezë dhe jo vetëm. 

Ai nga ana tjetër, nuk po kërkon vetëm mbështetjen e qytetarëve të tij por edhe vëmendjen dhe sportin e udhëheqësve të vendeve europiane. Për këtë ai ka ndërmarrë vizita në vende të ndryshme të Europës Qendrore dhe Lindore për të takuar udhëheqësit e këtyre vendeve dhe për të diskutuar për pasojat që do të sjellin reformat e ndërmarra nga kabineti i tij. Franca ka shfaqur një shpresë të re për ndryshim pas disa dekadave gjatë të cilave përjetoi rritje ekonomike të ngadaltë, papunësi të lartë si dhe rënie industriale, duke bllokuar të gjitha përpjekjet për reforma. Vendimet e marra dhe politika e ndjekur deri më tani për krijimin e një Kodi të ri Pune do të na tregojnë nëse synimi për të zhvilluar ekonominë franceze do të plotësohet. Pas 30 vjet përpjekjesh të shumta për ta bërë më fleksibël tregun e punës në Francë dhe për të ndihmuar të papunët duket se këto reforma përbëjnë gurin e fundit drejt suksesit. Rreth 22% e të rinjve nën 25 vjeç janë të papunë në Francë, dyfishin e vlerës në Mbretërinë e Bashkuar dhe tri herë më shumë se Gjermania.

Reforma ekonomike franceze sukses apo dështim?!

Reforma ekonomike franceze lidhet me dy nga shtyllat më të rëndësishme siç janë ndryshimet në Kodin e Punës dhe një rishikim i funksionimit të vetë shtetit francez. Reforma që do të bëjnë një ristrukturim të plotë dhe kompleks të dy prej çështjeve më të diskutuara, keqinterpretuara dhe analizuara.

Si reformë të saj të parë të madhe për të rritur ekonominë e Francës qeveria franceze ka njoftuar udhëzimet për një Kod Pune të ri duke i dhënë më shumë fleksibilitet kompanive që të përshtaten në treg. Ndërsa reforma e dytë e madhe e kërkuar nga kabineti i Presidentit Emmanuel Macron lidhet me një rishikim të shtetit francez, reformë e cila do të vijojë njëkohësisht me reformën e parë.

Reforma ekonomike e ndërmarrë nga Macron lidhet me ndryshime rrënjësore në tregun e punës duke përcaktuar dhe vetë të ardhmen e eurozonës. Kjo reformë ka qenë prej kohësh në axhendën e Francës dhe ka si objektiv kyç uljen e papunësisë. Ndër vite janë bërë përpjekje për të ndryshuar Kodin e Punës, por ka qenë e pamundur për shkak të presionit dhe protestave të sindikatave. Reforma synon të rrisë fleksibilitetin në tregun e punës, duke qenë se përbën dhe problematikën kryesore. Ndryshimet e propozuara mund të lehtësojnë kompanitë të heqin punonjësit nga puna, apo të ndihmoj kompanitë financiarisht kur shifrat për dëmet që vijnë nga pushimet nga puna janë shumë të larta. Kështu kompanitë franceze do ta kenë më të lehtë të përshtaten me ndryshimet në tregun e punës, duke nxitur ekonominë franceze. Franca ka ligje të rënda mbi punën dhe kontratat e përkohshme përbëjnë dhe fushat më të ashpra në sistemin e Francës.

Çështja e punëtorëve që vijnë nga jashtë Francës përbën një nga pikat më të rëndësishme mbi të cilën mbështetet nisma për krijimin e Kodit të ri të Punës.

Macron gjatë turneut të tij në Europën Lindore shpjegoi se mungesa e rregullimit dhe uniformitetit në këtë fushë mund të shkaktojë pengesa të mëdha politike në Europë, gjë që më së miri e ilustron dhe Brexit. Për momentin, Gjermania, Austria dhe Holanda duket se mbështesin Francën në propozimin e saj për reformimin e tregut të punës. Me anë të këtyre ndryshimeve punonjësve që vijnë nga jashtë u sigurohet marrja e një ekuivalenti me pagën minimale në vendin ku kanë punuar më parë, nëse ekziston një prag i tillë, në rast se ndeshen me papunësinë.

Ndryshimet në kodin e punës kanë tre qëllime kryesore: 1) Punonjësit nuk do të kenë më punë apo kontrata që kanë një afat të pacaktuar "për gjithë jetën", por periudhat e papunësisë kanë më shumë gjasa të jenë të përkohshme duke nxitur dhe ndryshimet e vendit të punës dhe rikualifikimeve. 2) Punëdhënësit do të negociojnë drejtpërdrejt me punëtorët e tyre mbi çështje të caktuara të punës, në vend që të ndjekin marrëveshjet e industrisë. Kjo do të lejojë që një fabrikë që merret me një lloj të caktuar pune në një rajon, të ketë një marrëveshje të ndryshme me punëtorët e saj nga një kompani e ngjashme. 3) Sidomos ndërmarrjeve të vogla u jepet më shumë liri për të negociuar drejtpërdrejt me punëtorët ose përfaqësuesit e tyre, pa ndërmjetësimin e sindikatave.

Reforma e Kodit të Punës së shpejti do të shoqërohet me reformat e Sistemeve të Sigurimit të Papunësisë dhe trajnimit për vendet e punës. Për të parën, qeveria do të marrë përsipër që sindikatat të ofrojnë përfitime për papunësinë për të gjitha kategoritë e punëtorëve, duke përfshirë të vetëpunësuarit dhe ata që vullnetarisht lënë punën e tyre aktuale për të kërkuar një të re. Megjithatë, kostoja e reformimit të sigurimit të papunësisë vlerësohet në 3-5 miliard $ (3,6 deri në 6 miliard $), gjë që mund të duket e vështirë të bëhet pjesë e planeve për buxhetin e 2018, të cilat parashikojnë reduktime të shpenzimeve prej 20 miliard $.
Tregu francez i punës momentalisht vuan nga një hendek i madh midis punëtorëve të kualifikuar që kanë kontrata afatgjata pune dhe punonjësve me kualifikim të ulët të cilët ndodhen vazhdimisht midis papunësisë dhe punësimit me afatshkurtër. Reforma e qeverisë synon në mos ta mbyllë këtë hapësirë, të paktën ta lehtësojë duke lejuar që tregu të funksionojë në mënyrën më të mirë të mundshme.

Macron humb popullaritetin

Franca e re që dëshiron Macron duhet të reformojë pika kyçe siç është ajo e tregut të punës, gjë që ka sjellë pakënaqësi dhe protesta të shumta në të gjithë vendin. Popullariteti i Macron ka rënë në një nivel përqindjeje të ulët dhe pse kabineti i tij thekson që për hir të politikave me efekte afatgjata kjo gjë është e nënkuptueshme pasi cenohen interesat e një pjese të konsiderueshme të qytetarëve. Për kabinetin Macron, më me rëndësi është zbatimi i reformave, sesa popullaritetit që fundja do të rritet përsëri sapo të shihen efektet e para pozitive të masave të ndërmarr. Edhe pse e përditshmja Kapital në një publikim të sajin shkruan se me anë të këtyre reformave Macron në realitet po e rrit popullaritetin e tij. Gjithsesi kjo mbetet për tu parë. Macron është zotuar të ulë normën e papunësisë në vend në 7% deri në vitin 2022. Edhe pse kjo shifër është më e lartë se në shumicën e vendeve të BE, ajo mbetet ambicioze për Francën. Shkalla e papunësisë në vend nuk ka qenë nën 7% për afro 40 vjet dhe FMN beson se mund të arrijë në 8.3% në pesë vitet e ardhshme.

Reformat e ndërmarra kanë padyshim një efekt shumë të madh mbi sindikatat, pasi do të përbëjnë dhe kornizën ligjore mbi të cilat këto të fundit do të veprojnë. Sindikatat synojnë të vendosin kufizime mbi ndërmarrjet dhe kundërshtojnë mbi faktin se këto reforma dhe vetë Macron mbështesin më shumë punëdhënësit. Sindikatat theksojnë se me anë të këtyre reformave ndërmarrjet e mëdha nuk kanë detyrimin ti deklarojnë të ardhurat dhe fitimet që kanë jashtë vendit duke deklaruar vetëm humbjet në Francë. Automatikisht këto humbje shkaktojnë pushimin e njerëzve nga puna pa u dhënë mundësi atyre të kërkojnë të drejtat e tyre për kompensim. Krejt ndryshe paraqitet situata nga analiza e ekspertëve të ndryshëm të ekonomisë që mbështesin dhe janë optimistë për reformat e ndërmarra nga presidenti francez. Sipas tyre është e padrejtë ndarja në një sistem të dyfishtë ku të moshuarit kanë vende të përhershme pune dhe të rinjtë të punojnë me kohëzgjatje të reduktuar.

Ku qëndron Europa Qendrore dhe Lindore në planet e Macron?

Pjesë e këtyre reformave janë dhe takimet që Presidenti francez do të mbajë me 12 krerët e vendeve europiane. Në këto vizita diplomatike synohet të nxiten interesat franceze për mbrojtjen e punëtorëve, politikat e mbrojtjes dhe migracioni. Plani i Emmanuel Macron për të vizituar shtetet e tjera anëtare gjatë presidencës së tij, ka filluar me një vizitë në Gjermani, më pas u zgjodh Austria, Rumania dhe Bullgaria pas 10 vjetësh nga vizita e fundit në këtë vend. Më 28 gusht Macron kryesoi Samitin e Parisit Europë-Afrikë i cili u përqendrua në trajtimin e çështjeve të migracionit ku vetë Franca bëri publik planin e saj për të ngritur qendrat e regjistrimit të migrantëve në vendet afrikane të origjinës. Synimi për gjetjen e zgjidhjeve mbi migracionin e paligjshëm u lidh me procesin që do të lejojë migrantët të migrojnë ligjërisht në Europë nëse janë në listën e përshtatshmërisë të hartuar nga Agjencia e Refugjatëve të Kombeve të Bashkuara duke pasur të drejtën që dhe të punojnë në vendet ku migrojnë. Presidenti Macron i bashkëngjiti këtij samiti dhe efektet që do të sjellë Kodi i ri i Punës për këta migrantë. Ashtu siç dhe l'Opinion, e përditshmja Franceze thekson: ekonomia franceze ka nevojë për punëtorë të huaj dhe për këtë arsye Kodi i Punës është i lidhur domosdoshmërisht me refugjatët. Macron po takohet gjithashtu me krerët e shtetit të Luksemburgut, Belgjikës dhe Greqisë duke vazhduar pastaj dhe me shtetet e tjera.

Kjo axhendë e zënë do t'i mundësojë atij të shpalosë interesat franceze në katër fushat prioritare që ai identifikoi që kur mori detyrën: punëtorët e huaj, një politikë të përbashkët europiane të mbrojtjes, marrëdhëniet tregtare dhe migracioni. Reforma e kodit të punës është testi i parë i madh i përpjekjes së presidentit francez për të riformuluar ekonominë e dytë më të madhe të eurozonës.

Reformat e ndërmarra nga Macron padyshim kanë filluar të shfaqin efektet e para. Jo më kot ka qenë dhe mbetet në vëmendje të aktorëve ndërkombëtarë. Franca ka nevojë të rimëkëmbet, ndoshta nuk ishte e nevojshme një kod i ri, por gjithsesi presim të shikojmë efektet që realisht kjo reformë do të sjellë në ekonominë Europiane. A do të mundet kjo reformë të rrisë fleksibilitetin në tregun e punës duke ndihmuar ekonominë e Francës të ringrihet? Mundësitë janë, na mbetet vetëm të presim rezultatet.

                                                                                                                    Stafi i Eurospeak, shtator 2017

  Kërko

  Axhenda

24-28 qershor – Mbledhja e Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës që shënon dhe 70 vjetorin e organizatës, do të zgjedhë Sekretarin e ri të Përgjithshëm 
25 qershor – GRECO-Organi Anti-korrupsion i Këshillit të Europës publikon raportin e vitit 2018 ku janë mbikqyrur 48 shtete
25 qershor – Presidenti Juncker takon në Bruksel Zuzana Čaputován, Presidenten e re sllovake
27 qershor – Konferenca “Rikthimin në punë i të papunëve prej një kohe të gjatë” paraqet rezultatet e vlerësimit të fundit të 'Rekomandimit për papunësinë afatgjatë'
27-28 qershor - Forumi i 8-të vjetor i Strategjisë së BE-së për Rajonin e Danubit (EUSDR) 
28 qershor-  Dëgjesë publike mbi rolin e mediave në komunikimin e të drejtave të personave me aftësi të kufizuar

  FJALOR

Komiteti Europian i Sindikatave për Arsimin (ETUCE)

ETUCE përfaqëson 132 Sindikata në 51 vende/shtete europiane, përfshirë këtu dhe Shqipërinë, dhe ka në total 11 milion persona - staf arsimor në të gjithë Europën. ETUCE është partneri social i mësuesve në nivel Europian dhe mbrojtës i interesave të tyre në Komisionin Europian. E themeluar më 1977, ETUCE është e përbërë nga sindikata kombëtare të mësuesve dhe personel të të gjitha fushave dhe niveleve të arsimit duke filluar nga edukimi i përgjithshëm, arsimi profesional dhe trajnimi, si dhe arsimi i lartë apo kërkimi shkencor.

  Na ndiqni ne:

facebook gplus twitter youtube1