E Mërkurë, 12 Gusht 2020
Blue Red Green
  • Buletin Informativ i Lëvizjes Europiane në Shqipëri
Joomla!: Position Home - E Hënë, 09 Prill 2012 07:19
Joomla!: Using Joomla! - E Shtunë, 01 Janar 2011 00:00
Joomla!: Upgraders - E Shtunë, 01 Janar 2011 00:00
Joomla!: The Joomla! Project - E Shtunë, 01 Janar 2011 00:00
Joomla!: The Joomla! Community - E Shtunë, 01 Janar 2011 00:00
Joomla!: Sample Sites - E Shtunë, 01 Janar 2011 00:00
Joomla!: Professionals - E Shtunë, 01 Janar 2011 00:00
Joomla!: Parameters - E Shtunë, 01 Janar 2011 00:00
Joomla!: Joomla! - E Shtunë, 01 Janar 2011 00:00
Joomla!: Getting Started - E Shtunë, 01 Janar 2011 00:00
Joomla!: Getting Help - E Shtunë, 01 Janar 2011 00:00
Joomla!: Beginners - E Shtunë, 01 Janar 2011 00:00

Integrimi europian në kuadër të çështjeve të brendshme dhe sigurisë

wodPak ditë më parë, qeveria shqiptare prezantoi zyrtarisht ekipin negociator që do të përfaqësojë dhe udhëheqë negociatat e anëtarësimit në Bashkimin Europian. Këtë javë Komisioni  publikoi kornizën negociuese për Shqipërinë që do të miratohet më pas nga Këshilli i BE-së. Përtej këtyre zhvillimeve pozitive, integrimi europian mbetet ende i lidhur ngushtë me rezultatet që duhen arritur në një sërë fushash dhe veçanërisht në luftën ndaj krimit të organizuar, korrupsionit dhe narkotikëve.

Kultivimi dhe trafikimi i kanabisit mbetet ende shqetësim që duhet adresuar nëpërmjet një qasjeje gjithëpërfshirëse dhe shumëdimensionale, çka shkon përtej alternativës së legalizimit të tij.

***

Në mars 2020, në mes të pandemisë, Shqipërisë iu njoh e drejta për të çelur negociatat për anëtarësim me BE-në. Ky moment pritej prej vitit 2014, kur vendit iu njoh statusi i vendit kandidat. Procesi i afrimit të Shqipërisë me BE-në përgjatë tri dekadave të fundit është karakterizuar nga një diskurs dhe vizion politik i përbashkët mes forcave politike në parlament. Ndonëse në terma ligjore përafrimi ka ndjekur një trend pozitiv, problematikë ka mbetur niveli i zbatimit të legjislacionit dhe reformave, të cilat më pas përkthehen në forcim efektiv të demokracisë dhe shtetit të së drejtës.

Përpara çeljes së negociatave reale, Shqipëria duhet të plotësojë edhe 15 kushte, një pjesë e rëndësishme e të cilave lidhet me reformën në drejtësi dhe luftën ndaj krimit të organizuar dhe korrupsionit. Ndonëse qeveritë shqiptare janë mësuar tashmë me prezantimin e kushteve të reja nga BE-ja përgjatë çdo faze të rrugëtimit drejt anëtarësimit, ajo çka vihet re është se disa prej këtyre kushteve ndjekin një trend ri-përsëritës nga njëra hallkë e procesit në tjetrin. Njëra anë e medaljes shtyn të mendosh se ri-përsëritja e këtyre kushteve, si për shembull lufta ndaj krimit të organizuar, përbën një problematikë serioze të cilën autoritetet shqiptare nuk kanë arritur ta adresojnë saktësisht ndër vite. Nga ana tjetër, BE-ja me kalimin e kohës rrit stekën e pritshmërive për arritjet në këto fusha, duke krijuar kështu një rreth vicioz prej të cilit është e vështirë të dalësh.

Prioriteti kyç numër 4: Lufta ndaj kanabisit

Në kuadër të integrimit europian, lufta ndaj kanabisit është pjesë e prioritetit kyç numër 4 për Shqipërinë dhe prej disa vitesh kjo sfidë monitorohet nga partnerët ndërkombëtarë. Të shumtë janë raportet që përmendin se Shqipëria prej vitesh ka qenë një prej kultivuesve më të mëdhenj të kanabisit në Europë.(European Monitoring Center for Drugs and Drug Addiction, 2019). Përballë kërkesës për kanabis nga tregjet europiane, institucioneve të dobëta shtetërore, një sistemi të brishtë të shtetit të së drejtës dhe një korrupsioni galopant, ndër vite prodhimi dhe shitja e kanabisit ka ndjekur një trend zhvillimi eksponencial. Në 2010, në Opinionin e publikuar nga Komisioni mbi perspektivën e anëtarësimit të Shqipërisë nënvizohej së kultivimi i kanabisit përbënte një problematikë serioze dhe zonat e thella të vendit favorizonin këtë ‘biznes’(Komisioni Europian, 2010). Qeverisë shqiptare i sugjerohej miratimi dhe mbështetja e programeve specifike për një zëvendësim të kultivimit të kanabisit me kultura të tjera bujqësore,(Komisioni Europian, 2010) si një mundësi për të zhvendosur forcën punëtore nga ky segment ilegal. Ndonëse koncepti nuk elaborohej në detaje, dokumenti vinte në pah rolin dhe rëndësinë që kishte kultivimi i kanabisit për komunitetet e përfshira në të.

Në 2013, Komisioni e vlerësoi kultivimin e narkotikëve, mes të cilëve kanabisin, si një ‘rrezik serioz’ për Shqipërinë dhe ky togfjalësh u përmend së paku dy herë në raportin e atij viti (Komisioni Europian, 2013). Tashmë vëmendja e komunitetit ndërkombëtar dhe presioni përkatës mbi autoritetet kombëtare ishte rritur fuqimisht, duke qenë se ky fenomen ilegal vazhdonte të rritej ndjeshëm. Një vit më vonë, përpos ndërhyrjes së organeve ligjzbatuese në Lazarat, Komisioni për herë të parë foli qartë duke deklaruar se organizatat kriminale kishin avancuar duke u infiltruar në sistemin politik, ligjor dhe ekonomik të vendit (Komisioni Europian, 2014) Shtrirja e tentakulave të krimit në segmente të tjera përbënte një sinjal të dobësimit të mëtejshëm të institucioneve dhe shtetit të së drejtës, si dhe ishte rrezik real për procesin e integrimit të vendit. I njëjti raport evidentonte se autoritetet përballeshin me mungesën e një qasjeje strategjike gjithpërfshirëse për luftën ndaj krimit në vend(Komisioni Europian, 2013). Madje, tashmë edhe fëmijë të mitur angazhoheshin drejtpërdrejt në plantacionet e kultivimit të kanabisit (Komisioni Europian, 2013, 2015). Ndër vite kultivuesit kishin sofistikuar teknikat e tyre duke u zgjeruar në të gjithë territorin, veçanërisht në zonat e thella malore, si dhe në përdorimin e serrave për kultivim.(Komisioni Europian, 2016).

Përballë presionit ndërkombëtar dhe situatës së rënduar, autoritetet ligjzbatuese në bashkëpunim me homologët italianë, me mbështetje financiare të BE-së, nisën fushatat për monitorim nga ajri të plantacioneve dhe më pas shkatërrimin e tyre fizik. Viti 2016 shënoi kthesën e parë dhe më të rëndësishme të luftës së autoriteteve shtetërore ndaj krimit të organizuar në fushën e narkotikëve. Monitorimi nga ajri i Guardia di Finanza italiane atë vit tregoi se në vend ishin në funksion 2 086 plantacione me kanabis(Reuters, 2018), dhe autoritetet arritën të asgjësonin 753 468 rrënjë, një shifër kjo rekord përgjatë tri dekadave të fundit (Komisioni Europian, 2020).

Nga njëra anë, progresi i vitit 2016 tregoi se niveli i krimit të organizuar kishte penetruar me shpejtësi të madhe ndër vite, duke zaptuar pothuajse të gjithë territorin, duke angazhuar një përqindje të forcës punëtore, për të mos lënë mënjanë as efektet përkatëse në ekonominë e vendit. Përsa i përket kësaj të fundit, përfitimet e kanabisit investoheshin në Shqipëri në fushën e ndërtimit dhe të turizmit.(Komisioni Europian, 2020). Nga ana tjetër, këto rezultate treguan se në prezencë të një presioni të jashtëm dhe vullneti politik për të rivendosur ligjin, autoritetet shtetërore patën mundësi të fitojnë disa beteja në luftën ndaj krimit. E panjohura në këtë ekuacion mbeti tek sistemi (i kalbur) i drejtësisë, i cili nuk arriti të hetonte dhe dënonte me vendime të formës së prerë një numër të konsiderueshëm individësh të përfshirë në këtë aktivitet kriminal. Drejtësia e ndikuar nga krimi, me veprimet dhe mosveprimet e saj, ndikonte në forcimin e mëtejshëm të grupeve kriminale dhe degradimin e forcës së ligjit.

Pas vitit 2016, trendi i kultivimit të kanabisit pësoi rënie, i shoqëruar edhe nga një rritje e konsiderueshme e kapjes dhe asgjësimit të stoqeve në dispozicion nga autoritetet (Komisioni Europian, 2018). Në 2019 Komisioni deklaroi në raportin vjetor të progresit se “[n]ë dy sezonet e kaluara, mbikëqyrja ajrore ka vërtetuar se pothuajse asnjë kultivim i kanabisit nuk ka ndodhur në Shqipëri”(Komisioni Europian, 2019). Këto rezultate u pritën me brohoritje nga pala shqiptare, e cila jo rrallë deklaroi se tashmë beteja me kanabisin ishte fituar. Përdorimi i kësaj retorike politike nuk mund të shihet me nota pozitive për aq kohë sa krimi i organizuar nuk është fenomen statik. Organizatat kriminale përballë realitetit të ri operuan me ndryshimin e modus operandi në funksion të mbrojtjes së interesave personale. Kjo u konfirmua pikërisht në fund të 2019 kur operacionet monitoruese të homologëve italianë vunë në dukje një shtim të plantacioneve të kultivimit të kanabisit dhe narkotikëve në përgjithësi në Shqipëri, çka ishte mundësuar falë rishikimit të formave të veprimit të grupeve kriminale.(Komisioni Europian, 2020). Aktualisht grupet kriminale veprojnë nëpërmjet plantacioneve të vogla dhe të fragmentuara të kanabisit, shpesh të fshehura nga një bimësi e dendur ose në zona kryesisht malore (ibid). Nga ana tjetër, grupe kriminale po investojnë gjithmonë e më shumë në trafikimin e drogërave të forta, me prejardhje nga Azia, ku Shqipëria përdoret si rrugë tranziti për të mbërritur më pas në tregjet e BE-së.

Pikërisht pozicioni gjeografik i Shqipërisë i mundëson grupeve kriminale eksportimin e kanabisit apo narkotikëve në përgjithësi drejt vendeve të BE-së. Nga njëra anë, deti Adriatik shërben si portë drejt tregut italian dhe vet BE konfirmon se autoritetet italiane vijojnë të sekuestrojnë skafe me kanabis të nisur nga Shqipëria (ibid), përfundim ky i mbështetur edhe nga gjetjet e raportit vjetor të tregut të drogës në BE (European Monitoring Center for Drugs and Drug Addiction). Autoritetet greke gjithashtu konfirmojnë se skafe të vegjël operojnë rregullisht nga Shqipëria drejt detit Egje me qëllim eksportimin e kanabisit shqiptar drejt Turqisë (ibid). Nga ana tjetër, kufiri me Malin e Zi shërben si urë për eksportin e kanabisit nëpërmjet rrugëve tokësore.

Nga pikëpamja ekonomike, goditja e dhënë ‘biznesit të kanabisit’ në 2016 ndikoi në zvogëlimin e numrit të bandave të përfshira, ulje të sasisë në qarkullim në vitet që pasuan, si dhe rritje të çmimit, pra tregu arriti të kthehej në ekuilibër (Mejdini & Amerhauser, 2019). Por, çka ajo goditje nuk arriti të realizonte ishte ndryshimi i dimensionit social, mendësisë dhe perceptimeve të komuniteteve të përfshira në rritjen e kanabisit. Mosndryshimi i kushteve strukturore dhe zhgënjimi nga klasa politike e dekadave të fundit bëri që lufta ndaj kanabisit të mos ndikonte në ndryshimin e perceptimeve të të rinjve shqiptarë, të cilët “të zhgënjyer nga perspektivat e dobëta ekonomike dhe të irrituar nga debatet mbi anëtarësimin në BE, nuk e perceptojnë kultivimin e kulturave të kanabisit për atë që është -një aktivitet kriminal serioz. Përkundër, atë e shohin si një mjet për të jetuar në një klimë ekonomike ku ekzistojnë pak mundësi të tjera”(ibid).

Nga pandemia tek legalizimi i kanabisit

Shpallja e pandemisë në fillim të muajit mars çoi në një zhvendosje të përkohshme të prioriteteve të institucioneve shtetërore. Forcat e policisë u angazhuan drejtpërdrejtë në mbikëqyrjen e zbatimit të masave të marra për parandalimin e koronavirusit. Nga njëra anë, ndalimi i qarkullimit ndikoi në uljen e trafikut të lëndës narkotike, por jo në mbjelljen e saj. Masat e lockdown gjatë muajve mars-prill nuk prekën përditshmërisë e sektorit bujqësor, dhe kjo periudhë përkon gjithashtu drejtpërdrejt me stinën e mbjelljes së kanabisit. Nga ana tjetër, pezullimi i një sërë aktivitetesh çoi një rritje të kërkesës dhe respektivisht të çmimit të lëndës narkotike në tregjet e vendeve europiane. Së fundmi, Qendra Europiane për Monitorimin e Drogave deklaroi se kultivimi i kanabisit në Shqipëri pritet që të pësojë një rritje gjatë këtij vitit pikërisht për arsyet e sipërpërmendura (A2CNN, 2020).

Shtimi i kultivimit të kanabisit u konfirmua edhe më herët nga Prokurori i Përgjithshëm, i cili pranoi publikisht se ky fenomen ka njohur rritje gjatë 2019. Ajo çka përbën risi në këtë drejtim është narrativa e re e ndërmarrë nga kryeministri së fundmi, i cili deklaroi në aktivitetin e organizuar për ‘Ditën e Europës’ se “kultivimi ilegal është tërësisht nën kontroll” dhe brenda këtij sesioni parlamentar qeveria synon të miratojnë projektligjin për legalizimin e kanabisit për arsye mjekësore (Ferhati & Zhabina, 2020). Një reagim i menjëhershëm erdhi nga ana e përfaqësisë së BE-së në Tiranë, duke mohuar ndonjë lidhje apo mbështetje të mundshme të Unionit në këtë drejtim.

Ndonëse testimi i kësaj narrative të re ndaj legalizimit të kanabisit është ende në fillimet e saj dhe pak transparencë ka pasur mbi projektligjin, nuk kanë munguar artikulimet kundër tij. Përballë një fenomeni të tillë problematik, i cili ka dominuar me prezencën e tij në Shqipëri përgjatë këtij tranzicioni të tejzgjatur, paqartësitë kryesore lidhen me integritetin dhe kapacitetet e vendit në këtë drejtim. Ndërsa analizat e kostove dhe përfitimeve të legalizimit ende mungojnë në debatin publik, miratimi i kësaj nisme pritet që të ndikojë në reputacionin e vendit jashtë kufijve kombëtar.

Përfundime

Ndërsa deri dje elita politike ka kontestuar fuqishëm ata që përkufizonin Shqipërinë si ‘Kolumbia e Europës’, nesër ky imazh rrezikon të konfirmohet në mënyrë të zhdrejtë nëpërmjet legalizimit të kanabisit. Plotësimi i prioritetit kyç numër 4, nëpërmjet legalizimit të pjesshëm të tij nuk përbën sukses, por përkundër pranim të falimentimit të institucioneve karshi kësaj lufte.

Përpos strategjive kombëtare për çrrënjosjen e lëndës narkotike, autoritetet shtetërore vijojnë ende të mos e adresojnë në mënyrën e duhur këtë fenomen ilegal. Kultivimi i kanabisit për rreth çerek shekulli ka lënë shenja të dukshme në shoqëri dhe sidomos përsa i përket edukimit të brezit të ri. Ndërsa fokusi i raporteve të publikuara nga BE ka qenë pikërisht tek indikatorët e matshëm, si numri i rrënjëve të djegura apo plantacioneve të shkatërruara, thënë ndryshe adresimi i simptomave të kultivimit të kanabisit – pak vëmendje i është dhënë ndërgjegjësimit dhe ngritjes së mekanizmave për ri-integrimin e kategorive të prekura në aktivitete ekonomike/bujqësore të ligjshme dhe të qëndrueshme. Në veçanti, ofrimi i këtyre alternativave për punëtorët dhe të rinjtë të punësuar në kultivimin e narkotikëve do shërbente për krijimin e një narrative të re mbi këtë fenomen ilegal serioz. Ajo çka nevojitet është zbatimi i qasjeve shumëdimensionale dhe gjithëpërfshirëse që shkon përtej miratimit të masave ndëshkuese me burg.

Gentiola Madhi, korrik 2020

*Gentiola Madhi punon si hulumtuese politikash në fushën e integrimit europian të Ballkanit Perëndimor. Prej vitit 2018, ajo kontribuon rregullisht me analiza rreth zhvillimeve politike, sociale dhe kulturore në Shqipëri pranë Osservatorio Balcani e Caucaso – Transeuropa. Gentiola është anëtare e Akademisë së Integrimit Europian dhe Negociatave.

Referenca:

A2CNN, Raporti i Europol për kanabisin, pritet rritje e kultivimit, policia e angazhuar për Covid-19, 01.06.2020,https://a2news.com/2020/06/01/raporti-i-europol-per-kanabisin-pritet-rritje-e-kultivimit-policia-e-angazhuar-per-covid-19/

Benet Koleka, Albania sacks police chief, vows boost fight against cannabis trade, Reuters, 08.01.2018, https://www.reuters.com/article/us-albania-police/albania-sacks-police-chief-vows-boost-fight-against-cannabis-trade-idUSKBN1EX21N

Benet Koleka, Albania, once haven of illicit cannabis, set to legalise crop for medical use, Reuters, 12.05.2020, https://www.reuters.com/article/us-albania-cannabis-medical/albania-once-haven-of-illicit-cannabis-set-to-legalise-crop-for-medical-use-idUSKBN22O2XR

Eni Ferhati & Xhevahir Zhabina, Ç’po ndodh me kanabisin? Emisioni ‘Unpublished’ zbulon shkresën shqetësuese të Ardi Veliut, Euronews Albania, 03.06.2020, https://euronews.al/al/unpublished/2020/06/03/unpublished-c-po-ndodh-me-kanabisin-zbulohet-shkresa-shqetesuese-e-ardi-veliut

European Commission, Albania 2013 Progress Report, COM(2013) 700 final, SWD(2013) 414 final, Bruksel, 16.10.2013,https://ec.europa.eu/neighbourhood-enlargement/sites/near/files/pdf/key_documents/2013/package/al_rapport_2013.pdf

European Commission, Albania 2014 Progress Report, https://ec.europa.eu/neighbourhood-enlargement/sites/near/files/pdf/key_documents/2014/20141008-albania-progress-report_en.pdf

European Commission, Albania 2015 Report, SWD(2015) 213 final, Bruksel, 10.11.2015, https://ec.europa.eu/neighbourhood-enlargement/sites/near/files/pdf/key_documents/2015/20151110_report_albania.pdf

European Commission, Albania 2016 Report, COM(2016) 715 final, SWD(2016) 364 final, Bruksel, 9.11.2016,https://ec.europa.eu/neighbourhood-enlargement/sites/near/files/pdf/key_documents/2016/20161109_report_albania.pdf

European Commission, Albania 2018 Report, SWD(2018) 151 final, Strasburg, 17.04.2018, https://ec.europa.eu/neighbourhood-enlargement/sites/near/files/20180417-albania-report.pdf

European Commission, Albania 2019 Report, SWD(2019) 215 final, Bruksel, 29.05.2019, https://ec.europa.eu/neighbourhood-enlargement/sites/near/files/20190529-albania-report.pdf

European Commission, Albania 2020 Update on the Republic of Albania, SWD(2020) 46 final, https://ec.europa.eu/neighbourhood-enlargement/sites/near/files/update-on-the-republic-of-albania.pdf

European Commission, Analytical Report, COM(2010) 680, SEC(2010) 1335, Bruksel, 09.11.2010, https://ec.europa.eu/neighbourhood-enlargement/sites/near/files/pdf/key_documents/2010/package/al_rapport_2010_en.pdf

European Monitoring Center for Drugs and Drug Addiction, EUROPOL, EU Drugs Market Report 2019”, Publications Office of the European Union, Luxembourg, f.90, https://www.emcdda.europa.eu/system/files/publications/12078/20192630_TD0319332ENN_PDF.pdf

Fatjona Mejdini & Kristina Amerhauser, Growing like weeds? Rethinking Albania’s culture of cannabis cultivation, Global Initiative Against Transnational Organized Crime, Policy Brief, Dhjetor 2019, f.4, https://globalinitiative.net/wp-content/uploads/2019/12/AlbaniaCannabis.14.12.web_.pdf

  Kërko

  Axhenda

17-18 korrik -Takim special i Këshillit Europian, ku udhëheqësit e BE-së do të mblidhen fizikisht në Bruksel për të diskutuar planin e rimëkëmbjes si përgjigje ndaj Covid-19 dhe buxhetin afatgjatë të BE.

17 korrik- Ministrat Europianë të Punësimit dhe Çështjeve Sociale do të diskutojnë mundësinë që ofron tregu i punës dhe politikat sociale për një rikuperim të qëndrueshëm nga pasojat sociale dhe ekonomike të shkaktuara nga pandemia COVID-19.

  FJALOR

Seksion dedikuar shpjegimit të termave të BE-së. 

  Na ndiqni ne:

facebook gplus twitter youtube1