E Shtunë, 28 Nëntor 2020
Blue Red Green
  • Buletin Informativ i Lëvizjes Europiane në Shqipëri (ISSN 2708 - 1656)
Joomla!: Position Home - E Hënë, 09 Prill 2012 07:19
Joomla!: Using Joomla! - E Shtunë, 01 Janar 2011 00:00
Joomla!: Upgraders - E Shtunë, 01 Janar 2011 00:00
Joomla!: The Joomla! Project - E Shtunë, 01 Janar 2011 00:00
Joomla!: The Joomla! Community - E Shtunë, 01 Janar 2011 00:00
Joomla!: Sample Sites - E Shtunë, 01 Janar 2011 00:00
Joomla!: Professionals - E Shtunë, 01 Janar 2011 00:00
Joomla!: Parameters - E Shtunë, 01 Janar 2011 00:00
Joomla!: Joomla! - E Shtunë, 01 Janar 2011 00:00
Joomla!: Getting Started - E Shtunë, 01 Janar 2011 00:00
Joomla!: Getting Help - E Shtunë, 01 Janar 2011 00:00
Joomla!: Beginners - E Shtunë, 01 Janar 2011 00:00

Opinion lidhur me ndryshimet e reja Kushtetuese në Shqipëri

ardita kushtetutaMe gjithë debatin e fundit politik, ndryshimet kushtetuese u bënë, pa shumë zhurmë dhe pa shumë stërzgjatje apo grupe pune. Duket se listat e hapura ishin të gjithë pranuara nga publiku. Në këtë shkrim trajtohen disa aspekte të këtyre ndryshimeve dhe impakti i tyre në kohë, dhe procedura e ndryshimit të Kushtetutës, duke sjellë dhe eksperiencën e Italisë.

***

Me nismën e 28 deputetëve të opozitës parlamentare, të depozituar me datën 15.6.2020, në përputhje me pikën 1 të nenit 177 të Kushtetutës, me datën 30.7.2020, Kuvendi i Shqipërisë miratoi ligjin Nr. 115/2020 Për Disa Ndryshime në Ligjin Nr. 8417, Datë 21.10.1998, “Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë”, që përmbajnë ndryshimin e dy neneve (nenit 64 dhe pikën 1 të nenit 68) duke parashikuar:

Neni 64 ndryshohet si më poshtë:

“Neni 64

1. Kuvendi përbëhet nga 140 deputetë, të zgjedhur sipas një sistemi zgjedhjesh proporcional me konkurrim rajonal dhe prag kombëtar.

2. Në shpërndarjen e mandateve marrin pjesë subjektet zgjedhore që arrijnë pragun kombëtar.

3. Zgjedhësit gëzojnë të drejtën për të dhënë votë parapëlqyese për kandidatët e listave shumemërore. Kriteret dhe rregullat për zbatimin e sistemit zgjedhor, për caktimin e zonave zgjedhore, pragun kombëtar, numrin e mandateve për secilën zonë, shpërndarjen e mandateve dhe masën e shtrirjes së votimit parapëlqyes përcaktohen në ligjin për zgjedhjet. Ligji për zgjedhjet garanton që votimit parapëlqyes t’i nënshtrohen jo më pak se dy të tretat e listës shumemërore dhe të sigurojë përfaqësim gjinor.”.

Pika 1 e nenit 68 ndryshohet si më poshtë:

“1. Kandidatët për deputetë paraqiten në nivel zone zgjedhore nga partitë politike ose nga zgjedhësit. Një kandidat mund të paraqitet vetëm për një nga subjektet propozuese, sipas kësaj pike. Rregullat për regjistrimin e kandidatëve për deputetë përcaktohen në ligjin për zgjedhjet.”.

Vetë Kuvendi është kujdesur të shprehet se nisma e 28 deputetëve të opozitës parlamentare është futur në rendin e ditës pas mbarimit të zgjatjes së gjendjes së fatkeqësisë natyrore, të shpallur me vendimin e Këshillit të Ministrave Nr.18/2020 për dhënien e pëlqimit për zgjatjen e gjendjes së fatkeqësisë natyrore, të shpallur me vendimin e Këshillit të Ministrave Nr.243, datë 24.3.2020.

Qëllimi i projektligjit të propozuar nga 28 deputetët shprehet në raportin e Këshillit të Legjislacionit, Komisioni për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e njeriut,( Raport i datës 15.7.2020 i Këshillit të Legjislacionit) se është që sistemi aktual i llojit proporcional me konkurrim rajonal me lista të mbyllura të zbatohet me lista të hapura ose pjesërisht të hapura, duke u shprehur se ky sistem referon në mënyrë demokratike vullnetin e zgjedhësve. Raporti thekson se ky projektligj për ndryshimin e Kushtetutës nuk synon ndryshimin e sistemit zgjedhor, por kalon nga votimi me lista të mbyllura në votimin me lista të hapura, duke i garantuar zgjedhësve të drejtën e votës parapëlqyese për kandidatët e listave shumë emërore. Propozimi përcakton edhe pragun elektoral prej 5 %, si kusht për shpërndarjen e mandateve të partive politike sipas zonave zgjedhore. Por në ligjin 115/2020 e shohim se dhe kjo përqindje është lënë që të përcaktohet në ligjin zgjedhor.

Raporti thekson se projekti propozonte heqjen e mundësisë për koalicione parazgjedhore. Raporti paraqet dhe standardet ndërkombëtare për sistemet dhe proceset zgjedhore duke listuar: nenin 3 të Protokollit nr.1 (1952) të Konventës Europiane të të Drejtave të Njeriut, jurisprudencën e Gjykatës Europiane të të Drejtave të Njeriut: si X. k. Gjermanisë; Hirst k. Mbretërisë së Bashkuar (no.2) [GC], Mathieu-Mohin dhe Clerfayt k. Belgjikës; etj

I gjithë procesi i miratimit të këtyre ndryshimeve Kushtetuese duket se ka zgjatur nga 15.6.2020 deri më 30.7.2020, pra për një periudhë prej 1 muaj e gjysmë. Në të gjitha dëgjesat e zhvilluara nga Kuvendi gjatë kësaj periudhe konsultimi publik theksuan se ndryshimet kushtetuese duhet të shoqërohen me studime të plota, objektive dhe profesionale duke analizuar çdo sistem dhe që mund të jetë i përshtatshëm për vendin tonë, avantazhet dhe disavantazhet e secilit sistem dhe shanset që ekzistojnë që këto sisteme të jenë të suksesshme në vendin tonë. Sigurisht që të gjithë ranë dakord që në Kushtetutë duhet të përcaktohen parimet themelore të sistemit zgjedhor duke lënë që ligji zgjedhor të përcaktojë çështje si pragu elektoral apo koalicionet zgjedhore.

Edhe ne Itali janë në proces dy projekte për ndryshime Kushtetuese. Të dyja kërkojnë ti përgjigjen shqetësimit se: shumicat parlamentare zakonisht tentojnë të ndryshojnë ligjin elektoral përpara çdo raundi zgjedhjesh, me qëllim që të shmangin humbjen. Kjo kontribuon në paqëndrueshmërinë e ligjit zgjedhor dhe ka efekt domethënës në perceptimin e publikut për “rregullat e lojës”. Ekziston një raport rrethi vicioz midis stabilitetit të ligjit elektoral, pranimit të tij nga aktorët kryesorë politikë dhe konsolidimi i një kulture politike të përbashkët që duhet të tejkalojë legjislaturat dhe ndryshimet e shumicave politike (N. Lupto, 2017).

Përgjithësisht, Kushtetuta duke qenë ligji bazë dhe themelor i shtetit preferohet të mos jetë produkt i ndryshimeve të shpeshta dhe të nevojave të çastit, por propozimet për ndryshimet në Kushtetutë janë vënie në zbatim e garancisë së nismës legjislative që parashikon Kushtetuta në fuqi për ndryshimin e saj. Por Kushtetutat nuk janë të gdhendura në gur (Jason Mazzone, 2017). Kur Kushtetuta nuk funksionon apo nuk sjell produktin e dëshiruar, ajo duhet ndryshuar. Vetë Kushtetuta ka parashikuar mënyrën e bërjes së amendamenteve. Sigurisht ndryshimi i saj është një proces serioz, dhe me procedura te mirepërcaktuara. Përveç lehtësisë apo vështirësisë së një procedure ndryshimi, frika e amendimit- amendofobia- mund të pengojë ndryshimin kushtetues. Kjo do të thotë se edhe në rast se ka një konsensus të përgjithshëm se Kushtetuta nuk po i shërben mirë popullit dhe ndryshimet e këtyre dispozitave difektoze do të sillnin një të mirë publike, mendimet mund të dështojnë për shkak të ankthit se po bëjmë një ndryshim në Kushtetutë.

Por kjo nismë duhet përgëzuar sepse hap rrugën për diskutime dhe konsultime publike të gjera që mbledhin mendimet e shumë organizatave civile që japin një kontribut të shquar në jetën politike dhe shoqërore të vendit. Akademia si pjesë e kësaj shoqërie ka mundësi të paraqesë dhe ti paraprijë këtyre ndryshimeve duke studiuar në mënyrë të thellë gjithë fenomenet legjislative dhe produktet e tyre në kohë.

Zgjedhjet janë mundësia e votuesve për të zgjedhur, të mbajnë, apo të zëvendësojnë udhëheqësit e tyre politik. Procesi amendues është krejt i ndryshëm, sepse ndryshimet në Kushtetutë do të zbatohen pavarësisht se kush do të jetë në pushtet në një moment të caktuar dhe procesi amendues nuk duhet të lidhet me interesat apo fatin e çdo udhëheqësi politik apo partie. Reformistët që promovojnë një ndryshim bëjnë një përpjekje genuine për të përmirësuar politikëbërjen, por përsëri kanë paragjykimin se bëhen për përfitime politike.

Të njëjtën rezistencë patën përpjekjet për ndryshime në Kushtetutë në Itali ku ndryshimet kushtetuese u konsideruan si një provë e mbështetjes së qeverisë Renzi të asaj kohe. Por në rast se i trembemi ndryshimeve kushtetuese si mund të realizohen reformat? Edhe sistemi italian akuzohet se të paktën pas viteve 90, është konstatuar se sistemi karakterizohet nga paqëndrueshmëria dhe paaftësia për të zënë rrënjë në ethosin politiko social. (S. Cassese, 2014; G. Tarli Barbieri, 2018). Dy ndryshimet e propozuara të depozituara në 7 nëntor 2019 nga ana e deputetit Forciimi, i grupit të Lëvizjes 5 Yjet dhe projekti i depozituar në 14 Janar 2020 i titulluar Hyrje në nenin 59-bis të Kushtetutës, në fushën e aprovimit dhe efikasitetit të ligjeve për zgjedhjen e Dhomës së Deputetëve dhe Senatit të Republikës, me firmëtarin e parë deputetin Giorgetti. Dy propozimet synojnë të përcaktojnë një status procedural të veçante për ligjin elektoral. Një nga ndryshimet që propozohen është dhe reduktimi i numrit të parlamentarëve. Ndryshimet e propozuara vijnë si pasojë e kritikave që iu bënë ndryshime të fundit të ligjit të viti 21 dhjetor 2005 sepse ishte miratuar nga shumica parlamentare e asaj kohe, pa miratimin e opozitës dhe pak muaj nga zgjedhjet politike të parashikuara në pranverën e 2006. Në atë kohë kritikat ishin edhe për shkak të vështirësisë së kontrollit të kushtetutshmërisë së ligjeve elektorale zgjedhjen e Dhomës së deputetëve dhe Senatit (A. Barbera, 2006) për shkak të rënies së instrumentit të Referendumit Abrogativ, që kishte luajtur një rol të rëndësishëm në vitet ‘90.

30 vjet u deshën që të miratoheshin disa ndryshime të Kushtetutës Italiane në 2001. Komisione dy-dhomëshe, komitete qeveritare, e grupe pune u përpoqën të përcaktojnë zgjidhje të ndryshme për funksionimin e institucioneve republikane të Italisë. I vetmi rezultat pozitiv i këtyre përpjekjeve ishin vetëm ndryshimi i titullit 5 të Kushtetutës. Kanë ndodhur shumë paketa me ndryshime të vogla.( G. Cerrina Feroni, 2020). U miratua ligji kushtetues për ndryshimin e numrit të parlamentarëve në tetor 2019 që do t’i nënshtrohet referendumit me 20 shtator 2020, dhe u miratua ligji kushtetuese A.C. 2238, që synon te eliminojë referimin në “bazën rajonale” për zgjedhjen e senatit dhe në reduktimin e numrit të delegatëve rajonal që marrin pjesë në zgjedhjet e Presidentit të Republikës, dhe projektligji A.S. 1089 në fushën e referendumeve të ashtuquajtur propozues. Në pamundësinë në pamje të parë të zhdukjes së dy dhomave, këto tentativa reformatore kanë qëllim të ndërhyjnë në aspekte të vetme në organizimin kushtetuese, me pikësynim të veçantë për strukturën e parlamentit dhe procedurës legjislative. Kjo strategji është quajtur gradualiste (G. Delledonne, 2020), që synon të legjitimojë vullnetin politik, për tejkalimin e idesë radikale të paaftësisë për tu reformuar. Duket se përforcimi procedural i parashikuar nga Ligji Kushtetues A.C.2335 duket i përshtatshëm për të arritur qëllimin pa paragjykuar aftësinë e parlamentit për të miratuar ndryshime në ligjin zgjedhor. Duhen parë me rezervë zgjidhjet e dhëna nga ligji A.C. 2244 lidhur me rreziqet oportuniste që lidhen jo vetëm me dialektikën midis shumicës dhe pakicës parlamentare, por edhe midis partive që përfaqësohen në parlament dhe forcat politike të reja.

Burim i brendshëm shumë i mirë dhe i gjithanshëm i doktrinës janë vendimet e Gjykatës Kushtetuese të cilat herë pas herë kanë shqyrtuar aspekte të ndryshme të sistemit zgjedhor dhe interpretimet e shumta të Kushtetutës. Në një kohë kur Kushtetuta jonë sanksionon në nenin 2 pika 1: Sovraniteti i përket popullit dhe 2. Populli e ushtron sovranitetin nëpërmjet përfaqësuesve të tij ose drejtpërsëdrejti, në një kohë kur duket se ekziston një konsensus i përgjithshëm që listat e hapura ofrojnë një mënyrë më të mirë të përfaqësimit. Referendumi është mjeti i vetëm që u lejon zgjedhësve që të shprehen direkt për një çështje të caktuar. Ka vende që e përdorin këtë mjet gjerësisht (si Zvicra), por ne e kemi përdorur këtë mjet vetëm 3 herë në 30 vjet demokraci liberale (Referendum i 1994 që nuk miratoi Projektin e Kushtetutës; referendum për formën e qeverisjes që u bë bashkë me zgjedhjet e parakohshme të vitit 1997; dhe referendum që miratoi Kushtetutën e vitit 1998). Në përgjithësi stabiliteti i ligjit zgjedhor mund të shihet si një vlerë më vete në drejtim të krijimit të një kulture politike, si dhe në mësimin e zgjedhësit me një mënyrë votimi- sidomos në dhënien e qytetarit të mjetit për të ndërtuar mekanizma të përshtatshëm për të bërë të vlefshme përgjegjësinë politike të parlamentarëve dhe të forcave politike në përgjithësi.

Zgjedhja e sistemit zgjedhor është shumë i rëndësishëm sepse përcakton rezultatin e zgjedhjeve, por kjo duhet bërë me kujdes në mënyrë që të pasqyrojë realisht vullnetin e zgjedhësve sepse mund të shkaktojë që maksimizimi i votave në çdo njësi zgjedhore të marrë shumicën e mandateve përfaqësuese, siç ka ndodhur në zgjedhjet presidenciale në SHBA në 2016 (ku Trump fitoi shumicën e Kolegjit zgjedhor por jo shumicën e votës popullore, apo rasti i zgjedhjeve parlamentare të 2009 ku Partia Socialiste fitoi më shumë vota por më pak mandate deputetësh në rang vendi). Në momentin kur zgjidhet një sistem zgjedhor palët i kanë bërë mirë llogaritë dhe i dinë mirë defektet dhe të mirat e secilit sistem. Këtu ndërthuret politika me matematikën dhe prodhojnë një rezultat që lidhet ngushtë më jetën politike të njerëzve duke ndikuar drejtpërdrejte mbi ta.

Sistemi proporcional me konkurrim rajonal (që propozohet në ndryshimin kushtetues), nuk i përgjigjet asaj që ka sanksionuar kushtetuta që nuk njeh termin rajon. Ajo që kanë dashur të sanksionojnë nismëtarët është një përfaqësim i barabartë në bazë të numrit të votave të çdo subjekti zgjedhor në çdo zonë zgjedhore. Ajo që propozohet është një përzierje e votimit midis partisë së preferuar dhe kandidatit të preferuar. Por përzierja e sistemeve mund të sjellë probleme zgjedhore. Sistemi zgjedhor duhet të garantojë përfaqësimin dhe barazinë e votës duke gjetur një balancë dhe duke iu përgjigjur rrethanave politiko-sociale të vendit. Hapja e listave gëzon një mbështetje të gjerë në popull por duhet shoqëruar dhe me ndryshime në ligjin për partitë politike duke demokratizuar hartimin e listave dhe ofrimin e dy alternativave, që propozohet në ndryshimin e nenit 68 duke ofruar kandidatët për deputetë nga partitë politike dhe nga zgjedhësit.

Ndalimi i koalicioneve parazgjedhore synon të mënjanojë pasojën që një parti e vogël të nxjerrë deputet në qarqet me numër të madh deputetësh sesa një parti që futet e vetme në zgjedhje. Kjo shkel parimin e barazisë së votës sepse ndryshon artificialisht pesha e votës dhe në fakt shumica formohet lehtësisht dhe nuk ka nevojë për koalicion dhe siguron një stabilitet politik. Sigurimi i votës parapëlqyese për kandidatët e listave shumë emërore siguron një përfaqësim më të mirë të vullnetit të zgjedhësve, pavarësisht se caktimi i kandidatëve është përsëri në dorë të kryetarëve të partive, i jepet mundësia zgjedhësve të zgjedhin më të mirin duke mos u varur nga renditja dhe raporti me kryetarin e partisë.

Përcaktimi i një përqindje të lartë si 5 % mund të jetë një prag i lartë dhe lidhur me këtë mund ti referohemi Gjykatës Kushtetuese e cila në vendimin nr. 32, datë 21.06.2010, lidhur me nenin 68 dhe nenit 71 të ligjit nr.10019, datë 29.12.2008 “Kodi Zgjedhor i Republikës së Shqipërisë” ka vlerësuar:

“11. Gjykata thekson se pluralizmi është një tërësi rrethanash ku pushteti politik është i shpërndarë në atë mënyrë që asnjë grup interesi ose klasë e caktuar shoqërore të mos mbizotërojë mbi të tjerët. Kushti bazë për pluralizmin janë zgjedhjet e lira, shumësia e interesave, lejimi i hapësirave për organizimin e mekanizmave të presionit ndaj organeve të pushtetit dhe një shtet që është i përgjegjshëm ndaj nevojave të qytetarëve. Në çdo sistem demokratik, përfaqësuesit e popullit në qeverisje zgjidhen përmes zgjedhjeve shumë partiake, të lira, të barabarta dhe të ndershme. Pushteti i përfaqësuesve kufizohet nga kushtetuta dhe mekanizma të tjerë të balancimit dhe kontrollit të pushteteve. Problemet e përfaqësimit të drejtë janë çështje të shanseve të barabarta që zëri i gjithkujt të dëgjohet apo të jetë i përfaqësuar. Sidoqoftë, është e lejueshme që një shtet demokratik, nëse ekzistojnë arsye serioze, të vendosë në mekanizmat e procesit zgjedhor disa elemente nxitëse të integrimit shoqëror. Nga ana tjetër, një sistem zgjedhor proporcional i pakufizuar mund të rezultojë në ndarjen e votave të qytetarëve ndërmjet një numri shumë të madh partish politike dhe, për pasojë, në një kërcënim për funksionimin dhe vazhdimësinë e sistemit parlamentar, në kuptim të kapaciteteve për të arritur në një vendimmarrje brenda tij (Shih më gjerë vendimin e Gjykatës Kushtetuese Çeke CZE-2005-1-001 – referuar nga baza e të dhënave Codices të Komisionit të Venecias).

...

23. Gjykata vlerëson se zgjedhjet kanë si objektiv të mundësojnë zgjedhësit të zgjedhin përfaqësuesit e tyre, por edhe të sjellin një Kuvend me shumicë të qëndrueshme, që në vijim të mund të prodhojnë legjislacion dhe të mundësojnë një qeverisje efektive. Një sistem proporcional, tërësisht i pakufizuar përballë partive të vogla, mund të ketë potencialisht pasoja destabilizuese. (Entscheidungen des Bundesvrfassungsgerichtts) Trajtimi i pabarabartë i partive, duke dalluar ndërmjet tyre partitë brenda dhe jashtë Kuvendit, bëhet për mbrojtjen e votuesit nga shpërdorimi i votës. Gjykata vlerëson se është “një vullnet i ligjshëm i legjislatorit të kërkojë mbrojtjen e votuesit, në mënyrë që ai të mos ia japë votën një kandidati ose oferte të pashpresë. Një sistem zgjedhor që mundëson oferta zgjedhore mund të funksionojë vetëm nëse paraqitja e një oferte nuk është thjesht e drejta e gjithkujt, pa asnjë përgjegjësi të mëtejshme. Vetëm një ofertë që merret seriozisht është një ofertë me kuptim. Numri i nënshkrimeve që duhet të mblidhen sigurisht që mbetet një atribut i ligjvënësit për ta përcaktuar, por ky përcaktim duhet të jetë i drejtë. Gjykata vlerëson se ky numër nënshkruesish nuk duhet të jetë “aq i ulët sa të lejojë gjithkënd të marrë pjesë në konkurrim..., por edhe të mos jetë aq i lartë sa ta bëjë praktikisht të pamundur apo të vështirë për një parti të re pjesëmarrjen në zgjedhje”( Entscheidungen des Bundesvrfassungsgerichtts) Konkurrimi i lirë ndërmjet partive është një shfaqje e drejtpërdrejtë e natyrës pluraliste të shoqërisë demokratike dhe është pikërisht mbrojtja e pluralizmit në jetën politike që ka kuptim për vetë ekzistencën e kësaj shoqërie. Gjykata thekson se çdo kufizim i drejtpërdrejtë ose i tërthortë mbi barazinë e partive në konkurrimin zgjedhor nuk duhet të ketë një pasojë diferencuese ose të përbëjë një trajtim preferencial për disa parti, ose të ndalojë pjesëmarrjen e partive politike në konkurrimin zgjedhor (Codices).

Konkurrimi i lirë ndërmjet partive është një shfaqje e drejtpërdrejtë e natyrës pluraliste të shoqërisë demokratike dhe është pikërisht mbrojtja e pluralizmit në jetën politike që ka kuptim për vetë ekzistencën e kësaj shoqërie. Gjykata thekson se çdo kufizim i drejtpërdrejtë ose i tërthortë mbi barazinë e partive në konkurrimin zgjedhor nuk duhet të ketë një pasojë diferencuese ose të përbëjë një trajtim preferencial për disa parti, ose të ndalojë pjesëmarrjen e partive politike në konkurrimin zgjedhor.

Çdo shtesë e re ne spektrin e partive politike në Shqipëri shihet me interes nga publiku, por duket se shpejt këto lëvizje shuhen dhe nuk janë shumë të suksesshme në gjetjen e një mbështetje të gjerë në votuesit shqiptar. Duket se votuesit janë të mërzitur me çfarë ofrohet në zgjedhje dhe janë në dilemë të madhe se kujt duhet t’ia japin votës, për shkak se ndjehen të papërfaqësuar dhe të pakënaqur me zgjedhjet politike. Të gjithë mbështesin idenë se ndryshimi është i mirë, por skena politike nuk ofron shumë për të zgjedhur dhe votuesi ndjehet pa opsione apo mundësi për të zgjedhur. Zhvillimet e fundit politike do të mund të na tregojnë për tentativat e reja për krijimin e disa alternativave politike të cilat do të mund të testohen në zgjedhjet e ardhshme të cilat duket se do të zhvillohen me 18 prill 2021.

Dr. Ardita Buna, shtator 2020

* Ardita Buna, eshte Lektore e së drejtës Publike në Universitetin Mesdhetar të Shqipërisë. Ajo është Doktoruar në Universitetin “La Sapienza” të Romës. Ka botuar gjithë serinë e Kodeve të përditësuar dhe Përmbledhje legjislacioni në fusha të ndryshme të së drejtës. Ka interes të veçantë në të Drejtën Kushtetuese të krahasuar dhe në të drejtën Europiane dhe të drejtat e njeriut.

Referencat:

  • A.Barbera, Una transizione all’indietro, in Quaderni costituzionali., 2006, p. 89
  • CZE-2000-1-002 (Codices)
  • Entscheidungen des Bundesvrfassungsgerichtts. Volume 4, pp.381-384.
  • G. Cerrina Feroni, La riduzione del numero dei parlamentari: molto rumore per nulla?, in E. Rossi (a cura di), Meno parlamentari, più democrazia? Significato e conseguenze della riforma costituzionale, Pisa, Pisa University Press, 2020, 232.
  • G. Delledonne, Stabilità e condivisione delle scelte in materia elettorale Osservazioni sulle proposte di legge costituzionale A.C. 2244 e 2335, OSSERVATORIO COSTITUZIONALE Codice ISSN: 2283-7515 Fasc. 4/2020
  • Jason Mazzone, Amendmentphobia, 2017, (Professor of Laë, Lynn H. Murray faculty Scholar, dhe bashkëdrejtor i programit në teorinë Kushtetuese, në Universitetin e Ilinois, ISSN 2421-2156
  • N. Lupto, Verso un’auspicabile stabilizzazione della legislazione elettorale italiana, Alcuni spunti sulla legge n. 165 del 2017 in rapporto alla Costituzione, in federalismi.it, n. 22/2017, 38 s. (su www.federalismi.it).
  • S. Cassese, Governare gli italiani. Storia dello Sato, Bologna, il Mulino, 2014, p.67 ss; G. Tarli Barbieri, La legislazione elettorale nell’ordinamento italiano, Milano, Giuffre, 2018, p.3.

  Kërko

  Axhenda

26 nëntor 2020 - Seancë plenare e Parlamentit Europian ku eurodeputetët pritet të kenë një mendim zyrtar mbi vendimin e Tribunalit Kushtetues Polak mbi të drejtat e abortit në vend.

********************

25 nëntor 2020  - Dita Ndërkombëtare për Eliminimin e Dhunës ndaj Grave

********************

24 nëntor 2020 - Takimi i kolegjit - Komisioni pritet të miratojë planin e veprimit të BE për barazinë gjinore dhe fuqizimin e grave në marrëdhëniet e jashtme për 2021-2025; planin e veprimit për integrimin dhe përfshirjen  dhe planin e veprimit mbi pronësinë intelektuale

********************

  FJALOR

wordoftheday

Seksion dedikuar shpjegimit të termave të BE-së.

  Na ndiqni ne:

facebook gplus twitter youtube1