E Premte, 24 Maj 2019
Blue Red Green
  • Buletin Informativ i Lëvizjes Europiane në Shqipëri
Joomla!: Position Home - E Hënë, 09 Prill 2012 07:19
Joomla!: Using Joomla! - E Shtunë, 01 Janar 2011 00:00
Joomla!: Upgraders - E Shtunë, 01 Janar 2011 00:00
Joomla!: The Joomla! Project - E Shtunë, 01 Janar 2011 00:00
Joomla!: The Joomla! Community - E Shtunë, 01 Janar 2011 00:00
Joomla!: Sample Sites - E Shtunë, 01 Janar 2011 00:00
Joomla!: Professionals - E Shtunë, 01 Janar 2011 00:00
Joomla!: Parameters - E Shtunë, 01 Janar 2011 00:00
Joomla!: Joomla! - E Shtunë, 01 Janar 2011 00:00
Joomla!: Getting Started - E Shtunë, 01 Janar 2011 00:00
Joomla!: Getting Help - E Shtunë, 01 Janar 2011 00:00
Joomla!: Beginners - E Shtunë, 01 Janar 2011 00:00

Ese Dita e Europës 2014- Rrugëtimi drejt BE-së, çfarë jep dhe merr Shqipëria?!

alb-photo-61.    Hyrje
Shqipëria dhe shqiptarët janë pjesë e pandashme e  mozaikut të vendeve dhe popujve të kontinentit europian. Qenësia dhe përkatësia e gjithanshme e shqiptarëve dhe modeli i shkëlqyer i suksesit të demokracive të vendeve të Europës Perëndimore, kanë frymëzuar aspiratën mbarë popullore që Shqipëria të mos jetë thjeshtë një pjesë e natyrshme e kuadrit gjeografik, gjenetik, historik dhe tradicional  të kontinentit europian, por të bëhet hallkë integrale e bashkësisë aktuale dhe të identitetit të ri europian, të përthithë dhe të përçojë vlerat më të mira si dhe të kontribuojë për ruajtjen, respektimin e mëtejshëm të tyre. Që prej rënies së sistemit komunist, shtysa kryesore për vendosjen e lidhjeve me Europën e Bashkuar, erdhi vertikalisht nga poshtë – lartë, deri tek maja e piramidës shtetërore, me një përcaktim të qartë të kursit që do të ndiqej me konsekuencë nga të gjitha qeveritë shqiptare deri në aderimin e plotë të Shqipërisë në Bashkimin Europian.

Procesi i integrimit europian është një sfidë që duhet të përfshijë të gjithë shoqërinë shqiptare, e cila duhet të europianizohet brenda saj dhe të mos ndalet me reformat e ndërmarra. Shqiptarët mbeten një komb entuziast sa i takon anëtarësimit të plotë të Shqipërisë në Bashkimin Europian, të cilën e perceptojnë si një akt të kryer. Sipas të gjitha sondazheve të kryera  në njëzet vitet e fundit rezulton se 87 për qind e shqiptarëve mendojnë se është e domosdoshme që Shqipëria duhet të jetë pjesë e BE-së, pavarësisht faktit se Bashkimi Europian nuk po kalon ditët e saj më të mira.

2.    Perspektiva europiane e Shqipërisë

Shqipëria, që me njohjen si një vend kandidat potencial në samitin e Zagrebit në 24 nëntor të vitit 2000, ka bërë një rrugëtim të gjatë drejt integrimit në Bashkimin Europian. Mbyllja e negociatave dhe nënshkrimi i Marrëveshjes të Stabilizim Asociimit (MSA), të nisura në 31 janar 2003, midis Republikës së Shqipërisë nga njëra anë dhe Komunitetit Europian dhe Shteteve Anëtare të Bashkimit Europian nga ana tjetër në Qershor 2006, shënon fillimin e një epoke të re për zhvillimin e politikave institucionale, ligjore, ekonomike dhe sociale të Shqipërisë, me qëllim harmonizimin e tyre me standardet europiane. Nënshkrimi i MSA-së përveç detyrimeve në planin politik, ligjor, ekonomik dhe institucional për Shqipërinë do të shoqërohet edhe me një kuadër të ri të marrëdhënieve BE-Shqipëri, duke shënuar stadin më të avancuar të kësaj marrëdhënieje.
Progreset e konsiderueshme të bëra nga të gjithë faktorët e shoqërisë shqiptare, sollën si rrjedhojë mbylljen e marrëveshjes së procesit të liberalizimit të regjimit të vizave, e cila hyri në fuqi në 1 prill 2009. Në lidhje me këtë, në 15 dhjetor 2010, hyri në fuqi kalimi pa nevojën e vizës së qytetarëve shqiptarë në zonën Shengen.
Në 28 prill 2009 vendi i vogël i Ballkanit Perëndimor aplikoi për anëtarësimin në familjen e madhe të Europës së Bashkuar dhe në 5 dhjetor 2013 Parlamenti Europian miratoi një rezolutë, në të cilën i bënte thirrje shteteve anëtare që krahas pranimit të aplikimit të vendit tonë, formalisht ta pranonin Shqipërinë si një vend kandidat dhe si rrjedhojë t’i jepnin statusin. Megjithatë disa shtete si Danimarka dhe Holanda, shfaqën kundërshtitë e tyre ndaj dhënies së statusit të vendit kandidat, deri sa Shqipëria të tregojë se është e aftë të çojë më tej progreset e saj të fundit. Si rrjedhojë Këshilli i Bashkimit Europian, në mbledhjen e tij, vendosi shtyrjen e vendimit përsa i përket statusit kandidat  deri në qershor të vitit 2014.

3.    Përfitimet e Shqipërisë në rast se do të integrohet në Bashkimin Europian
Meqenëse Shqipëria mbetet akoma jashtë Bashkimit Europian, shqiptarët shohin vetëm të mirat dhe shkëlqimin e një bashkimi të mundshëm me BE-në.
Integrimi Europian do të garantojë stabilitetin dhe prosperitetin, të cilat do të mbështeten në asistencën financiare përmes fondeve strukturore, të cilat do të ofrojnë një dritare të re në fushën e biznesit për investimet e huaja në Shqipëri (heqja e kufizimeve në lidhje me lëvizjen e kapitaleve si dhe lëvizja e lire  kapitaleve në lidhje me investimet direkte liberalizimi i ofrimit të shërbimeve, vendosja e shoqërive tregtare në vendet respektive të palëve kontraktuese dhe ofrimi i shërbimeve). Anëtarësimi i plotë në Standartet Europiane do të sjellë përmirësime të mëdha jo vetëm në fushat e mbrojtjes të së drejtave të njeriut, luftës ndaj korrupsionit dhe administrimin e financave publike por gjithashtu edhe në fusha të tjera si mbrojtja sociale, siguria ushqimore dhe mjedisore, të cilat do të ndikojnë në përmirësimin e jetës së qytetarëve. Bashkimi Europian është partneri kryesor tregtar i Shqipërisë, ku 80% të eksporteve në Shqipëri shkojnë në BE dhe 65% të importeve të saj vijnë nga BE. Një integrim i plotë në BE do të thotë që produktet shqiptare do të kenë akses në tregjet e mëdha, pasi janë hequr të gjitha detyrimet doganore, kufizimet sasiore dhe masat me efekt të njëjtë me këto kufizime, duke stimuluar në këtë mënyrë inovacionin, sipërmarrjen dhe diversifikimin në ekonominë shqiptare. Integrimi Europian do t’iu ofrojë qytetarëve shqiptarë mundësi të reja udhëtimi, studimi dhe punësimi në BE.

4.    Përfitimet që do të ketë BE-ja në rast se Shqipëria i bashkohet Familjes së Madhe Europiane
Pavarësisht se Shqipëria është një vend i vogël dhe i varfër mund të ofrojë një sërë përfitimesh për BE-në të tilla si në fushën e turizmit, pasi vendi gëzon një pozitë të favorshme gjeografike, në fushën kulturore, ku Shqipëria ka një pasuri të larmishme të trashëgimisë kulturore, ku disa prej tyre janë të mbrojtura nga UNESCO. Gjithashtu Shqipëria, duke qenë se është një vend me moshë mesatare të re, ofron mundësi punësimi për kompanitë apo investitorët e huaj. Anëtarësimi i plotë i Shqipërisë në NATO në 2 prill 2009, e ka bërë Shqipërinë një nga partnerët më të besueshëm të Europës Perëndimore në rajonin e trazuar dhe të ndarë të Ballkanit. Pra siç shihet ky vend i vogël ballkanik është kthyer në një faktor pozitiv, në fushën e sigurisë dhe të bashkëpunimit bilateral apo multilateral në fushën ushtarake, jo vetëm në Ballkan por edhe në arenën ndërkombëtare. Por Shqipëria ka një cilësi të veçantë për t’u krenuar në botë, e cila është toleranca dhe harmonia midis komuniteteve fetare në vendin tonë, ku shumica e popullsisë janë myslimanë.
Turizmi zë një vend tepër të rëndësishëm në të ardhurat vjetore të ekonomisë shqiptare. Në vitin 2012 Shqipërinë e vizituan afërsisht 4.2 milionë turistë, nga 500.000 në vitin 2005, kryesisht nga vendet fqinje dhe të Bashkimit Europian. Në vitin 2011 Shqipëria u rendit si një ndër destinacionet kryesore turistike në botë për t’u vizituar nga prestigjozia “Lonely Planet”. Industria e turizmit përqendrohet kryesisht përgjatë bregdetit Adriatik dhe Jon, ku vlen të përmenden plazhet në të ashtuquajturën Riviera Shqiptare.  Natyra i ka falur Shqipërisë një faunë dhe florë të larmishme ku çdo vit e vizitojnë turistë të huaj kryesisht nga Europa Lindore, si nga Polonia dhe Republika Ceke.
Ekonomia shqiptare është kryesisht një ekonomi bujqësore, si një ndër burimet kryesore të punësimit dhe të të ardhurave vjetore(rreth 20% të GDP-së), kryesisht prej financimeve të investitorëve të huaj, duke qenë se pjesa më e madhe e popullsisë është e vendosur në zonat rurale. Pra fusha e bujqësisë është një tjetër sektor që zë një vend mjaft të rëndësishëm në ekonominë shqiptare. Një bujqësi e zhvilluar do të thotë një Shqipëri konkurruese në Europë me anë të produkteve të saj, të cilat janë në përmbushje të plotë të të gjithë standardeve europiane, përsa i përket sigurisë si të produktit ashtu edhe të konsumatorit.
Shqipëria është një nga vendet më të vjetra në Europë, ku shqipja është një nga gjuhët më të veçanta dhe më të vjetra të familjes indo – europiane. Gjithashtu Shqipëria ka një numër të madh pasurish kulturore dhe monumentesh të kulturës të epokave të ndryshme të tilla si amfiteatrë, mozaikë, kisha, kështjella dhe kala, qytete të vjetra, disa prej të cilave të shpallura monumente kulture të trashëgimisë botërore dhe të mbrojtura nga UNESCO.
Që nga nënshkrimi i marrëveshjes të Tregtisë dhe të Bashkëpunimit ndërmjet Shqipërisë dhe Bashkimit Europian në vitin 1992 dhe deri në vitet e fundit, Shqipëria është kthyer në një faktor pozitiv stabilizues në rajonin e trazuar të Ballkanit dhe ka treguar se mund të jetë një aleat tepër i rëndësishëm për partnerët ndërkombëtarë. Gjithashtu Shqipëria ofron një siguri juridike dhe fiskale për çdo investitor të huaj që ka dëshirë dhe shpreh interesin për të. Përafrimi i legjislacionit shqiptar ma standardet europiane e ka lehtësuar mjaft procedurën burokratike të politikës fiskale dhe financiare.
Pavarësisht rezultateve të censusit të fundit të kryer në Shqipëri, ku 58.79% e popullsisë i përkisnin besimit mysliman, duke e bërë komunitetin më të madh fetar në vendin tone, Shqipëria nuk është përfshirë kurrë nga konflikte me sfond fetar. Arsyeja mund të gjendet në frazën e famshme të Rilindasit Vaso Pasha se “Feja e Shqiptarit është Shqiptaria”. Pra Shqiptaria nuk është gjë tjetër veçse një lloj feje e re patriotike ku përcaktohet identiteti kombëtar i shqiptarëve. Një arsye tjetër lidhet me faktin se kur Shqipëria u pushtua nga Perandoria Osmane, ku edhe pse se pjesa më e madhe e shqiptarëve u konvertuan në fenë e re të pushtuesit, atë myslimane, ata nuk e harruan kurrë faktin se të parët e tyre i përkisnin fesë së krishterë dhe me kalimin e kohës kjo u kthye në një fare respekti. Këtë e përforcon më tepër fakti se midis shqiptarëve është mëse normale martesa ndërmjet feve të ndryshme. Gjatë Luftës së Dytë Botërore, Shqipëria ishte i vetmi në të cilën hebrenjtë nuk u persekutuan por madje u strehuan, pasi shqiptarët e kishin si traditë ta respektonin mikun. Ky fakt që përbën një gjest human, është vlerësuar mjaft nga aktorët ndërkombëtare dhe madje është bërë edhe një film i titulluar “BESA”, në bazë të traditës zakonore shqiptare. Pas emigrimit në masë të popullsisë hebreje pas rënies së regjimit komunist, vetëm 200 shqiptarë me origjinë hebreje kanë qëndruar në Shqipëri.
Në kohën kur Europa u mbërthye nga kriza financiare më e madhe që nga krijimi i saj, Shqipëria ishte një ndër të paktat vende, të cilat nuk u prekën aspak apo patën efekt më të kufizuar. Tregu shqiptar gjatë dy dekadave të fundit, ka pësuar një sërë ndryshimesh që janë reflektuar në jetën e përditshme të qytetarëve shqiptarë. Përpara krizës financiare botërore, Shqipëria ishte një ndër ekonomitë me rritje të shpejtë në Europë, me një rritje vjetore prej 6% dhe me një ulje të shpejtë të varfërisë. Megjithatë pas vitit 2008, kjo rritje pësoi një rënie dhe u shfaqën inbalanca makroekonomike si në sektorët publikë ashtu edhe në sektorët e jashtëm. Kjo u pasqyrua edhe në treguesit e varfërisë dhe të papunësisë gjatë periudhës 2008 – 2012, ku varfëria u rrit në vitin 2012 me 14.3% dhe papunësia u rrit në vitin 2013 me 16.9%, nga e cila papunësia tek të rinjtë arrinte shifrën prej 26.9%. Gjatë krizës financiare që përfshiu eurozonën, pati një rikuperim prej 3% në vitin 2011, e cila nuk ndryshoi edhe në vitet 2012 dhe 2013, edhe pse në trejumorin e tretë të vitit 2013 pati një rënie prej 2.3%. Përsa i përket 2014 parashikohet që ekonomia do të jetë e qëndrueshme.

5.    Konkluzioni
Nëse do të mbahej një referendum lidhur me integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian, rezultatet do të tregonin se afërsisht 90% e shqiptarëve do të votonin në favor të një bashkimi të mundshëm me vendet e tjera të bllokut europian. Arsyeja e këtij eurofilizmi lidhet me faktin se shqiptarët e shohin integrimin si zgjidhjen e shumë çështjeve të brendshme në vendin e tyre. Natyrisht është e qartë se Bashkimi Europian ka pësuar ndryshime dhe vazhdon të ndryshojë, që nga koha kur Shqipëria bëri aplikimin për t’u bërë një nga shtetet anëtare të saj. Proçesi i integrimit nuk u zbeh edhe në kohën kur Europa vuante nga kriza më e rëndë financiare që nga krijimi i saj. Politikat e hartuara nga institucionet e BE-së, dhanë rezultat pozitiv dhe Europa arriti ta kapërcente krizën.
Gjatë vizitës së tij të fundit në Tiranë në 6 mars, në kuadër të Dialogut të Nivelit të Lartë për Prioritetet Kyçe, (takimi tjetër do të zhvillohet në qershor), Komisioneri për Zgjerimin i Bashkimit Europian ndër të tjera u shpreh hapur se “Kam qenë dhe mbetem i mendimit se e ardhmja e Shqipërisë është brenda Bashkimit Europian dhe se Shqipëria i ka të gjitha kapacitetet për të përmbushur kriteret e integrimit. Procesi i integrimit duhet kuptuar si një proces që ndryshon hap pas hapi, ku progresi i arritur në çdo hap do të mundësojë afrimin gjithnjë e më tepër me kriteret dhe standardet e kërkuara prej BE-së. Gjatë këtij procesi, Shqipëria duhet të ndërmarrë reformat e kërkuara, si lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, reforma në sistemin gjyqësor, reforma në administratën publike, të drejtat e njeriut të Romëve dhe diskriminimi kundrejt kumunitetit LGBT, që do të bëjnë të mundur pjesëmarrjen e saj në proçesin integrues, reforma të cilat do të rrisin besimin në ekonominë shqiptare dhe sistemin politik të saj, siç e ka treguar fakti që shumë shtete kanë përfituar prej integrimit europian. Shqipëria i ka përmbushur me sukses disa prej reformave të kërkuara por mbeten ende të tjera për t’u përmbushur akoma”.
Integrimi në Bashkimin Europian duhet të jetë një projekt i vërtetë kombëtar dhe jo një ekskluzivitet i vetëm të një individi apo të një grupimi të caktuar individësh. Duke u nisur nga fakti se procesi i integrimit nuk është një proces i zakonshëm negocimi diplomatik, duhet të ketë një konsensus gjithëpërfshirës rreth këtij projekti kombëtar. Pra ky projekt ka nevojë jo vetëm për përfshirjen e qeverisë por edhe të faktorëve të tjerë si institucionet shtetërore, të partnerëve sociale dhe të shoqërisë.

 
       Punoi : Ardi Meci                                         

Eseja Fituese e Konkursit në Kuadër të Ditës së Europës 2014

  Kërko

  Axhenda

20 maj – Konferenca “Mbështetja e Punësimit të të Rinjve” e foksusuar në zbatimin e Garancisë Rinore në rajonin e detit Baltik.
21 maj – Presidenca Rumune organizon konferencën “Eksperienca e Rumanisë dhe e Shteteve të tjera Anëtare në adoptimin e ‘Acquis-communautaire’ në fushën e prokurimit publik”
21 maj – Presidenti Junker do të mbajë fjalimin hapës në Kongresin e 14 të Konfederatës Europiane të Sindikatave ku do të zgjidhet Presidenti i ri i Konfederatës dhe do të adoptohen dokumentat kryesore strategjike
23 maj – Takimi i Komitetit Këshillues të Zonës Ekonomike Europiane ku anëtarët do të diskutojnë zhvillimet e fundit në Zonën Ekonomike në kuadër të 25 vjetorit
26 maj – Zgjedhjet për Parlamentin Europian

  FJALOR

Komiteti Europian i Sindikatave për Arsimin (ETUCE)

ETUCE përfaqëson 132 Sindikata në 51 vende/shtete europiane, përfshirë këtu dhe Shqipërinë, dhe ka në total 11 milion persona - staf arsimor në të gjithë Europën. ETUCE është partneri social i mësuesve në nivel Europian dhe mbrojtës i interesave të tyre në Komisionin Europian. E themeluar më 1977, ETUCE është e përbërë nga sindikata kombëtare të mësuesve dhe personel të të gjitha fushave dhe niveleve të arsimit duke filluar nga edukimi i përgjithshëm, arsimi profesional dhe trajnimi, si dhe arsimi i lartë apo kërkimi shkencor.

  Na ndiqni ne:

facebook gplus twitter youtube1