E Shtunë, 23 Mars 2019
Blue Red Green
  • Buletin Informativ i Lëvizjes Europiane në Shqipëri
Joomla!: Position Home - E Hënë, 09 Prill 2012 07:19
Joomla!: Using Joomla! - E Shtunë, 01 Janar 2011 00:00
Joomla!: Upgraders - E Shtunë, 01 Janar 2011 00:00
Joomla!: The Joomla! Project - E Shtunë, 01 Janar 2011 00:00
Joomla!: The Joomla! Community - E Shtunë, 01 Janar 2011 00:00
Joomla!: Sample Sites - E Shtunë, 01 Janar 2011 00:00
Joomla!: Professionals - E Shtunë, 01 Janar 2011 00:00
Joomla!: Parameters - E Shtunë, 01 Janar 2011 00:00
Joomla!: Joomla! - E Shtunë, 01 Janar 2011 00:00
Joomla!: Getting Started - E Shtunë, 01 Janar 2011 00:00
Joomla!: Getting Help - E Shtunë, 01 Janar 2011 00:00
Joomla!: Beginners - E Shtunë, 01 Janar 2011 00:00

Dhjetë propozime për të kapërcyer krizat e shumta të BE-së

GettyImages-657612386-714x476Uffe Ostergard, një përkrahës i fuqishëm i bashkëpunimit europian gjatë 50 viteve të fundit shprehet se është i trishtuar kur vëren se ëndrra për një Europë të bashkuar është shkatërruar nga krizat e shumta gjatë viteve të fundit. Analiza e shkruar nga ai së bashku me deputetin e Parlamentit Europian, Jens-Peter Bonde është përmbledhur në një libër të titulluar 'Çfarë tjetër, BE?' që përfundon me "10 Propozime" për të demokratizuar BE-në.

Sipas kësaj analize sfidat me të cilat përballet sot Europa janë të shumëllojshme dhe shumë dimensionale: duke filluar me krizën financiare si rënia e Prodhimit Kombëtar Bruto të BE-së, si dhe vështirësitë që po has bashkimi monetar, të cilit i mungon një mbështetje politike për të qeverisur ekonomitë e përfshira. Kriza e refugjatëve, është një tjetër sfidë për të cilën Europa akoma nuk ka ofruar një zgjidhje efektive. Kjo krizë sipas analistit nuk ishte e vështirë të parashikohej dhe pasojat e saj nuk duhet të kishin ardhur si një befasi. Problemi i BE-së ishte fakti që ajo hoqi të gjitha kufijtë e brendshëm, pa krijuar kufij të fortë të përbashkët dhe vendet e BE apo Shengenit, u befasuan kur refugjatët filluan të lëvizin drejt tyre.

Nuk duhet harruar dhe Brexit, i cili mund të ishte shmangur nëse do të ishin trajtuar problemet themelore të BE-së duke u dhënë europianëve një Europë efikase dhe demokratike përpara se popujt britanikë të votonin për tu shkëputur nga eurozona.

Këto janë 10 propozimet për të demokratizuar BE-në:

1. Të mbyllen të gjitha parajsat fiskale dhe të reformohet bashkimi monetar i BE-së
* Të ndalohen të gjitha transaksionet tatimore përmes parajsave fiskale nëse nuk ofrojnë informacion të plotë.
* Të hartohen rregulla të përbashkëta për tatimin e të gjitha kompanive që eksportojnë ose kanë filiale në vendet e tjera. Është e padrejtë që bizneset e mëdha të mund të shmangin pagesën e taksave, ndërkohë që kompanitë më të vogla dhe qytetarët e thjeshtë paguajnë faturën për ata që në fakt janë më të aftë për të paguar.
* Të hartohet një taksim i përbashkët për transaksionet financiare dhe fitimet e kompanive për të zëvendësuar kontributet e shteteve anëtare dhe qytetarëve në BE.
* Të likuidohet monedha euro ose të lejohet që bashkimi monetar të qeveriset në mënyrë demokratike, me theks në rritjen dhe punësimin sesa në kontrollin e inflacionit dhe me gatishmërinë e nevojshme për të treguar solidaritet midis vendeve dhe zonave më të pasura me vendet që mbeten prapa.

2. Të mundësohet një zhvillim i qëndrueshëm në mbrojtje të mjedisit
* Të përdoret buxheti i BE-së, Bankës Europiane të Investimeve dhe Bankës Qendrore Europiane për të kontribuar në mbrojtjen e klimës, në rritjen e gjelbër dhe në krijimin e vendeve të punës në shtetet anëtare. Kjo ka më shumë kuptim sesa vazhdimi i mbështetjeve ekzistuese masive për ata që zotërojnë tokën bujqësore.
* Të miratohet një shkallë kontribuimi për bashkëfinancimin e vendeve të rritjes së gjelbër në bazë të kapacitetit të tyre financiar, në mënyrë që vendet më të pasura, për shembull, të marrin 10% të granteve, ndërsa më të pak të zhvilluara të mund të marrin 50%.

3. Të krijohet një fond i përbashkët për refugjatët
* Të krijohet një plan modern 'Marshall' për vendet e Lindjes së Mesme dhe Afrikës, për të krijuar perspektiva realiste të punësimit lokal.
* Të hapen tregjet europiane pa tarifa doganore, në mënyrë që vendet e varfra të mund të eksportojnë mallra në Europë në vend të njerëzve.
* Rruga drejt Europës duhet të kalojë nëpër ambasadat, aeroportet, të mos jetë me anë të anijeve të mbushura me mbingarkesë, me një numër të madh të tyre të mbytur në det.
* Europa duhet të jetë e hapur për viza të rregullta, që të mund të mbyllet industria e emigracionit të paligjshëm që vjedh dhe shfrytëzon emigrantët.
* Buxheti i BE duhet të financojë koston e refugjatëve dhe të lejojë komunitetet, organizatat dhe kompanitë në të gjithë BE të konkurrojnë në ofrimin e zgjidhjeve për problemin e migracionit.

4. Të zbatohet kontrolli efikas i kufirit dhe e drejta e mirëqenies
* Kufijtë e jashtëm e të përbashkët duhet të monitorohen në mënyrë efektive me ndihmën e subvencioneve buxhetore të BE-së. Nuk është e drejtë ti lihet fatura dhe të gjitha problemet vendeve më të prekura nga kriza e refugjatëve, si Italia apo Greqia.
* Anijet me emigrantë në to duhet të kthehen nga vendi ku kanë ardhur. Kjo nuk është e bukur, por është e nevojshme. Atëherë do të ishte e mjaftueshme që të ketë kontrolle kufitare të lehta dhe miqësore në kufijtë e brendshëm të Bashkimit, të cilat do t'u jepnin siguri më të madhe qytetarëve, për shembull nëpërmjet skanimit automatik të targave të makinave.
* Shtetet anëtare vetë duhet të kenë të drejtën për të kufizuar imigracionin duke vendosur rregulla për pagat minimale dhe shpërndarjen e përfitimeve të mirëqenies në familje.
* Rregullat për lëvizjen e lirë të njerëzve duhet të ndryshohen, në mënyrë që qytetarët në vende të ndryshme t'i pranojnë ato me dëshirë.
* BE-ja gjithashtu duhet të veprojë më efektivisht kundër krimit ndërkufitar, në mënyrë që njerëzit të ndihen më të sigurt dhe më të mbrojtur.

5. Të demokratizohet BE
* Të gjitha takimet e BE duhet të jenë të hapura për qytetarët dhe çdo dokument i prodhuar nga institucionet duhet të jetë në dispozicion të publikut nëse një ligj ose vendim i veçantë nuk lejon përjashtime.
* Avokati i Popullit i BE-së, Gjykata e Auditorëve dhe Komiteti i Kontrollit të buxhetit të Parlamentit Europian duhet të kenë të drejtën të kontrollojnë të gjitha shpenzimet.
* Të gjitha ligjet duhet të miratohen nga Parlamenti Europian dhe Këshilli i Ministrave së bashku dhe duhet të jenë të hapura për ndryshime të mëtejshme në nismën e Komisionit, Këshillit të Ministrave, Parlamentit Europian ose parlamenteve kombëtare.
* Aktet e deleguara duhet gjithashtu të jenë të hapura për ndryshimin e shumicës në organet e zgjedhura. Nuk mund të kemi më ligje dhe rregullore që nuk mund të ndryshohen nga votuesit dhe përfaqësuesit e tyre të zgjedhur.
* Gjykata Europiane e Drejtësisë duhet të shmangë aktivizmin gjyqësor dhe të ndalojë hartimin e ligjeve nëpërmjet aktgjykimeve të saj. Ligjet duhet të miratohen gjithmonë nga përfaqësuesit e zgjedhur që janë subjekt i kontrollit të votuesve. Nuk mund të kemi gjykime të gjera që përcaktojnë rregulla që kurrë nuk mund të ndryshohen nga Parlamenti Europian, Këshilli i Ministrave apo parlamentet kombëtare.

6. Qytetarët e BE të jenë në gjendje të zgjedhim udhëheqësit e tyre
* Komisionerët nacionalë duhet të zgjidhen drejtpërdrejt në të njëjtën kohë me zgjedhjet në Parlamentin Europian.
* Do të ishte shkatërruese për besimin e qytetarëve nëse plani për një Komision me më pak komisionerë të bëhet realitet në vitin 2019. Vendet më të vogla duhet të ndihen të përfaqësuar në qeverinë e BE duke pasur Komisionerin e tyre.
* Një Komision që nuk ka pjesëmarrje nga çdo shtet anëtar do ti mungojë legjitimiteti nëse miraton 70% të të gjitha ligjeve dhe ka të drejtë ekskluzive për të propozuar të gjithë të tjerët.
* Presidenti i Komisionit duhet të zgjidhet nga Parlamenti Europian, kryetarët dhe kryeministrat në Këshillin Europian së bashku, për sa kohë që nuk ka asnjë popull europian të gatshëm për të mbështetur zgjedhjet e drejtpërdrejta të një presidenti të BE, si në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

7. Të fillojë reforma në parlamentet kombëtare
* Parlamentet kombëtare duhet të miratojnë programin legjislativ vjetor të BE-së dhe të bëhen më të afta në zbatimin e parimit të subsidiaritetit. Brukseli nuk duhet të vendosë. Drejtimi i dëshiruar duhet të jetë gjithnjë poshtë-lart dhe jo lart-poshtë.
* Miratimi i ligjeve nuk duhet të jetë kryesisht çështje e ministrave, zyrtarëve, ekspertëve dhe lobuesve. Përfaqësuesit e zgjedhur të parlamenteve kombëtare duhet të vendosin dhe të kontrollojnë kontributin e vendeve të tyre në procesin e vendimmarrjes së BE. Parlamentet kombëtare dhe votuesit duhet të kenë bashkë-ndikim dhe bashkë-përgjegjësi.
* Të gjitha propozimet për legjislacionin e BE mund të kenë një lexim të parë në komitetin sektorial kombëtar, një lexim të dytë në komisionet e çështjeve europiane dhe një lexim të tretë me miratimin e pozitës së secilit vend në parlamentet kombëtare. Kështu votuesit europianë mund të shohin se kë do të ‘dënojnë ose shpërblejnë’ në ditën e ardhshme të votimit.

8. Të kufizohet burokracia e BE-së
* Ligjet dhe miratimi i projektbuxhetit duhet të bëhen pjesë e legjislacioneve të brendshme, të rinovohen brenda një datë të caktuar, përndryshe anulohen automatikisht.
* Rregullat për procedurat e prokurimit publik duhet të ndryshohen në mënyrë që të krijojnë më pak problematika dhe më shumë konkurrencë. Kompanitë e vogla dhe të mesme duhet të kenë shanse më të mira për të fituar tendera.
* Të gjitha ligjet duhet të jenë të arritshme nga qytetarët. Duhet të jetë e mundur që qytetarët të lexojnë dhe kuptojnë legjislacionin në çfarëdo fushe që atyre u intereson.
* Mijëra ligje të BE-së, rregulla dhe rregullore duhet të përmblidhen në një akt legjislativ, me shtojcat e përshtatshme. Sugjerimet për ndryshime në ligje duhet të bëhen të dukshme. Sot edhe ekspertët shpesh kanë vështirësi në zbulimin e situatës aktuale ligjore në lidhje me disa ligje të BE.
* Njohja e marrëdhënieve me BE është një specialitet për 30,000 apo më shumë avokatë dhe lobuesi të paguar në Bruksel që tregon edhe një herë burokracinë e legjislacionit europian. Ligjet europiane dhe krijimi i tyre në parim duhet tu përkasë të gjithë qytetarëve europianë, të jenë sa më të qartë e të thjeshtë.

9. Të mundësohet liri më e madhe për vendet anëtare
* Komisioni dhe Gjykata Europiane e Drejtësisë duhet të jenë në gjendje të ndërhyjnë në vendimet e shteteve anëtare vetëm në rastet kur ka efekte të qarta në zona ndërkufitare.
* Kjo mund të realizohet me anë të një "Akti të Lirisë" europiane që do të kufizonte ndikimin e 144,000 ligjeve, rregullave, standardeve dhe gjykimeve të Bashkimit Europian në mënyrë që ato të zbatohen vetëm në lidhje me çështjet ndërkufitare.
* Harmonizimi duhet të ndodhë në mënyrë që bizneset dhe qytetarët të përfitojnë nga të pasurit e një standardi të vetëm sesa 28 rregulla të ndryshme.
* Rregullat e përbashkëta minimale duhet t'u lejojnë vendeve të miratojnë mbrojtje shtesë, si për shembull në lidhje me klimën, mjedisin, shëndetin dhe sigurinë e konsumatorit.

10. Paqe dhe tregti e lirë
* BE duhet të kontribuojë në ruajtjen e paqes dhe zhvillimit ndërkombëtar duke forcuar dhe mbështetur OKB-në si dhe duke respektuar 17 Objektivat e Zhvillimit të Qëndrueshëm.
* BE duhet të mbrojë dhe respektojë të drejtat e njeriut, brenda dhe jashtë Bashkimit Europian.
* Shtetet anëtare duhet të vazhdojnë të vendosin nëse ata do të marrin pjesë në mbrojtjen e përbashkët të BE dhe NATO.
* BE duhet të heqë kufizimet doganore dhe sasiore mbi importimin e mallrave sa më shumë që të jetë e mundur dhe të hyjë në marrëveshje të tregtisë së lirë me çdo vend dhe zonë të mundshme.
* Marrëveshjet tregtare duhet të marrin në konsideratë shkallën e zhvillimit të vendeve të ndryshme dhe të respektojnë klimën, mjedisin, shëndetin, sigurinë dhe politikën publike të shteteve pjesëmarrëse dhe BE.
* Ndërmjetësimi dhe kompensimi financiar duhet të përdoren sa herë që është e mundur, dhe jo tu lihet autoriteteve vendimmarrëse dhe gjyqësore.

                                                                                                                                 Euobserver, janar 2018

  Kërko

  Axhenda

19 mars- BE-ja mban takimin me Këshillin për Stabilizim dhe Asocim të Maqedonisë së Veriut duke u fokusuar në marrëdhëniet bilaterale mes tyre. 
            - Këshilli për Çështjet e Përgjithshme diskuton për kornizën financiare për vitet 2021-2027 si dhe miratimin e një qëndrimi në rregulloren që përcakton instrumentin për ndihmën e para-anëtarësimit (IPA III). 
20 mars- Këshilltari i Lartë Michel Barnier dhe Kryenegociatori i BE-së për Brexit, De Rynck do të ndajnë pikëpamjet e tyre mbi statusin aktual Brexit si dhe pyetjet, shqetësimet që priten në të ardhmen.
            - Komiteti Europian Ekonomik dhe Social zhvillon seancën plenare me fokus "Dëgjimi i qytetarëve të Europës për një të ardhme të qëndrueshme si dhe "E ardhmja e BE-së: Përfitimet ndaj qytetarëve dhe respektimi i vlerave europiane".
22 mars -Organizohet konferenca e Varshavës “Vlerësimi i rolit të OJQ-ve në Këshillin e Europës”

  FJALOR

Komiteti Europian i Sindikatave për Arsimin (ETUCE)

ETUCE përfaqëson 132 Sindikata në 51 vende/shtete europiane, përfshirë këtu dhe Shqipërinë, dhe ka në total 11 milion persona - staf arsimor në të gjithë Europën. ETUCE është partneri social i mësuesve në nivel Europian dhe mbrojtës i interesave të tyre në Komisionin Europian. E themeluar më 1977, ETUCE është e përbërë nga sindikata kombëtare të mësuesve dhe personel të të gjitha fushave dhe niveleve të arsimit duke filluar nga edukimi i përgjithshëm, arsimi profesional dhe trajnimi, si dhe arsimi i lartë apo kërkimi shkencor.

  Na ndiqni ne:

facebook gplus twitter youtube1