E Shtunë, 19 Shtator 2020
Blue Red Green
  • Buletin Informativ i Lëvizjes Europiane në Shqipëri (ISSN 2708 - 1656)
Joomla!: Position Home - E Hënë, 09 Prill 2012 07:19
Joomla!: Using Joomla! - E Shtunë, 01 Janar 2011 00:00
Joomla!: Upgraders - E Shtunë, 01 Janar 2011 00:00
Joomla!: The Joomla! Project - E Shtunë, 01 Janar 2011 00:00
Joomla!: The Joomla! Community - E Shtunë, 01 Janar 2011 00:00
Joomla!: Sample Sites - E Shtunë, 01 Janar 2011 00:00
Joomla!: Professionals - E Shtunë, 01 Janar 2011 00:00
Joomla!: Parameters - E Shtunë, 01 Janar 2011 00:00
Joomla!: Joomla! - E Shtunë, 01 Janar 2011 00:00
Joomla!: Getting Started - E Shtunë, 01 Janar 2011 00:00
Joomla!: Getting Help - E Shtunë, 01 Janar 2011 00:00
Joomla!: Beginners - E Shtunë, 01 Janar 2011 00:00

Sinjalizo dhe mbrohu! – Direktiva e re e BE-së në mbrojtje të sinjalizuesve

whistleblowerKorrupsioni është një nga pengesat kryesore të demokracisë, që dëmton mirëqenien e shtetit dhe ul besimin e qytetarëve në sistemin politik dhe qeverisjen e tij. Për t'i dhënë një zgjidhje kësaj problematike, nevojitet jo vetëm vullneti i mirë i qeverisë dhe shoqërisë civile, por gjithashtu një përkrahje nga publiku i gjerë.


Sinjalizuesit kanë një rol shumë të rëndësishëm në ekspozimin e korrupsionit dhe veprimeve të tjera që cenojnë interesin publik. Duke raportuar raste të korrupsionit që ndodhin në ambientet e tyre të punës ose kur bien në kontakt me zyrtarë të administratës publike, sinjalizuesit kanë ndihmuar të shpëtojnë miliarda euro të fondeve publike. Megjithatë ata shpesh e venë veten e tyre përballë rreziqeve të mëdha. Si pasojë e veprimeve të tyre ata mund të pushohen nga puna, të paditen, të vendosen në listë të zezë, të arrestohen, të kërcënohen ose, në raste ekstreme, të sulmohen dhe të vriten. Mbrojtja e sinjalizuesve nga të tilla hakmarrje mund të promovojë dhe të ndërgjegjësojë punonjësit ose persona të tjerë të përfshirë në ekspozimin e rasteve të korrupsionit, por dhe të rrisë nivelin e transparencës dhe të përgjegjshmërisë në qeveri dhe korporatat private. Prandaj, mbrojtja e të dhënave të sinjalizuesve është një mjet kryesor për të forcuar zbatimin efektiv të legjislacionit.
Më 7 tetor 2019, Bashkimi Europian miratoi një Direktivë për "Mbrojtjen e sinjalizuesve". Shtetet Anëtare të BE kanë kohë dy vjet, deri në tetor të 2021 për ta implementuar në legjislacionin e tyre. Kjo është një mundësi për të gjitha vendet e BE-së për të ndërtuar një kornizë ligjore në përputhje me standardet ndërkombëtare dhe praktikat më të mira. Deri më tani, vendet e BE kanë pasur nivele të ndryshme të mbrojtjes së sinjalizuesve, në disa vende, siç është Irlanda, ligjet janë relativisht të forta, por ka dhe vende të tjera, si Qipro, që nuk kanë praktikisht asnjë ligj për këtë fushë. Transparancy International ka kërkuar prej kohësh një mbrojtje gjithëpërfshirëse në nivel ndërkombëtar prej BE dhe Direktiva e sapo miratuar ofron një bazë të fortë mbështetëse për legjislacionet vendase të secilit vend anëtar. Kjo Direktivë ashtu si gjithë të tjerat, përcakton vetëm standardet minimale të mbrojtjes së sinjalizuesve, duke lejuar kështu shtetet që të përfshijnë në legjislacionin e tyre parashikime të tjera më strikte për t'u zbatuar në nivel kombëtar.

 

Aspektet Pozitive të Kësaj Direktive
Edhe pse ka akoma vend për përmirësim, Direktiva ofron standarde minimale tepër të forta për mbrojtjen e sinjalizuesve në Europë. Shtetet Anëtare duhet t'i transpozojnë këto dispozita në përputhje me frymën e direktivës, e cila ka për qëllim të sigurojë një nivel të lartë mbrojtjeje për personat që kallëzojnë rastet korruptive. Ndër aspektet më pozitive të kësaj direktive mund të përmendim që:
1. Mbulon si sektorin publik ashtu dhe atë privat.
2. Ka një shtrirje shumë të gjerë në subjektet që ajo mbron, duke mos u fokusuar vetëm te sinjalizuesit e mundshëm brenda kornizës tradicionale, siç mund të përmendim personat që janë në një marrëdhënie pune, por edhe konsultuesit, kontraktorët, vullnetarët dhe aplikuesit për punonjës (Neni 4). Gjithashtu mbron dhe personat të cilët asistojnë sinjalizuesit në mbledhjen e provave dhe kallëzimit, si personat fizikë ashtu dhe atë juridik siç mund të jenë firmat ligjore (Neni 4 pika 4).
3. Gjithashtu në mbrojtjen e sinjalizuesve, Direktiva nuk merr parasysh motivin që e ka shtyrë personin për të kallëzuar, duke mbrojtur identitetin e tyre në çdo rrethanë, me përjashtime të rastit të konfidencialitetit, kur personi njoftohet paraprakisht kur identiteti i tij duhet të zbulohet për rrethana të nevojshme ligjore (Neni 16). Mbrojta që siguron Direktiva i drejtohet dhe personave që kanë bërë kallëzim anonim, por më pas ju është dashur të identifikohen dhe të raportojnë të dhënat e tyre personale ( Neni 6 pika 3).
4. Ndalon çdo lloj hakmarrje që mund t'i drejtohet sinjalizuesve pas kallëzimit dhe parashikon një listë jo-shteruese të shembujve se çfarë mund të konsiderohet si hakmarrje (Neni 19).
5. Në nenin 21 pika 6 parashikohen dhe lehtësime për të përballuar dhe ruajtur statusin e tyre profesional dhe financiar, derisa të përfundojnë procedurat ligjore. Gjithashtu në rast nevoje sinjalizuesit duhet të kenë mundësi për të kërkuar asistencë ekonomike dhe ligjore, të cilat janë thelbësore për të garantuar mbrojtje efektive të tyre.
6. Gjithashtu shtetet anëtare duhet të sigurojnë këshillim të kuptueshëm, gjithëpërfshirës dhe falas për të gjithë personat, në mënyrë që të ndërgjegjësojë dhe lehtësojë procedurat e aplikimit (neni 20 pika 1).
7. Vendos detyrimin ligjor për të krijuar mekanizma të brendshëm si në sektorin publik ashtu dhe në atë privat, për tu ardhur në ndihmë sinjalizuesve (Neni 8). Gjithashtu shton detyrimin e institucioneve përgjegjëse për të informuar dhe raportuar te sinjalizuesi mbi rezultatet e kallëzimit të tij, brenda një afati të arsyeshëm që çmohet prej tyre (Neni 9 dhe 11 pika 2).
Për dy vitet në vazhdim Transparency International do të monitorojë procesin e transpozimit të Direktivës së BE në legjislacionet vendase të secilit shtet anëtar, për të siguruar se çdo person që ngre zërin kundër korrupsionit, të marrë mbrojtjen e duhur dhe mos cenohet në jetën e tij profesionale ose personale. Gjithashtu në objektivat e saj është dhe publikimi i raporteve ose rekomandimeve kundrejt shteteve anëtare, për ta bërë sa më të lehtë implementimin e kësaj Direktive.


Legjislacioni në Shqipëri
Shqipëria ndërkohë ka të përfshirë në legjislacionin e saj, Ligjin nr. 60/2016 "Për Sinjalizimin dhe Mbrojtjen e Sinjalizuesve", i cili është miratuar më 2 Qershor 2016. Ligji ka për qëllim parandalimin dhe goditjen e korrupsionit në sektorin publik e privat, mbrojtjen e individëve që sinjalizojnë veprimet apo praktikat e dyshuara të korrupsionit në vendin e tyre të punës si dhe nxitjen e sinjalizimit të akteve të tjera korruptive.
Në pamje të parë duket se Direktiva dhe Ligji nr. 60/2016 kanë të njëjtën shtrirje juridike. Të dy synojnë mbrojtjen e sinjalizuesve nga hakmarrjet e mundshme që mund të vijnë si pasojë e referimit të çështjeve korruptive brenda zyrës ose institucionit ku ai punon. Megjithatë Direktiva duke qenë e një kohe më të vonshme dhe në një nivel tjetër, jo atë kombëtar, është akoma më gjithëpërfshirëse dhe mbulon disa aspekte ekstra për të cilat ligji ynë bën diferencime. Përshembull, në nenin 6 të këtij ligji, përcaktohet se sinjalizuesit i ofrohet mbrojtja vetëm kur veprimet e kryera prej tij janë në mirëbesim, ndryshe nga Direktiva e cila nuk e vendos si kriter këtë pjese, por garanton një mbrojtje të gjithëanshme. Direktiva shkon në një nivel tjetër, duke mbrojtur jo vetëm sinjalizuesit por dhe personat të cilët asistojnë sinjalizuesit në mbledhjen e provave dhe kallëzimit, si personat fizikë ashtu dhe atë juridik siç mund të jenë firmat ligjore. Gjithashtu ligji ynë nuk ka një përkufizim se çfarë mund të konsiderohet sjellje hakmarrëse, për të cilën sinjalizuesi mund të kërkojë mbrojtje.
Në përputhje me orientimet e Direktivës për shtetet anëtare, Ligji nr.60/2016, krijon struktura dhe mekanizma bashkëpunuese mes tyre si në sektorin publik ashtu dhe në atë privat për të lehtësuar procesin e sinjalizimit. Sipas nenit 10 të këtij ligji pranë çdo autoriteti publik, i cili ka më shumë se 80 të punësuar, dhe subjekti privat, i cili ka më shumë se 100 të punësuar, caktohet një njësi përgjegjëse, e cila regjistron, heton administrativisht dhe shqyrton sinjalizimet. Mënyrat e funksionimit dhe bashkëpunimit të tyre janë plotësuar më tej me rregullore dhe udhëzime të nxjerra nga ILDKPKI, si organi shtetëror përgjegjës për monitorimin, kontrollin e zbatimit të këtij ligji si dhe ndërgjegjësimin e publikut.
Në përgjithësi ligji shqiptar është një përpjeke shumë e mirëfinalizuar për të luftuar korrupsionin dhe për të nxitur raportuesit e rasteve korruptive, duke i mbrojtur në të njëjtën kohë këta të fundit. Edhe pse pak i vonshëm në kohë, ai ka siguruar një bazë shumë të fortë ligjore për të zhvilluar dhe strategji të tjera në luftën kundër korrupsionit. Duke qenë se Shqipëria është një vend që aspiron të bëhet pjesë e Bashkimit Europian, një nga nismat që do duhet të marrë është dhe ajo e përshtatjes së legjislacioneve. Duke pasur ndërkohë një legjislacion ekzistues, transpozimi i kësaj Direktive kur të jetë e nevojshme, do të jetë mjaft më e lehtë si për legjislatorët ashtu dhe për perceptimin e publikut.


Stafi i EuroSpeak, nëntor 2019

  Kërko

  Axhenda

20 – 21 shtator – Në Itali do të zhvillohet referendumi për zvogëlimin e numrit të deputetëve që do të përfaqësojnë Italinë në Bashkimin Europian.


18 shtator –
Komisioneri për buxhetin, Hahn merr pjesë në një dialog politik për diskutimin e planit shumëvjeçar ekonomik 2021 – 2027.

- Këshilli i ministrave të ekonomisë dhe industrisë do të mblidhen për të diskutuar rimëkëmbjen ekonomike të Europës pas Covid-19.

  FJALOR

Seksion dedikuar shpjegimit të termave të BE-së. 

  Na ndiqni ne:

facebook gplus twitter youtube1