E Diel, 05 Korrik 2020
Blue Red Green
  • Buletin Informativ i Lëvizjes Europiane në Shqipëri
Joomla!: Position Home - E Hënë, 09 Prill 2012 07:19
Joomla!: Using Joomla! - E Shtunë, 01 Janar 2011 00:00
Joomla!: Upgraders - E Shtunë, 01 Janar 2011 00:00
Joomla!: The Joomla! Project - E Shtunë, 01 Janar 2011 00:00
Joomla!: The Joomla! Community - E Shtunë, 01 Janar 2011 00:00
Joomla!: Sample Sites - E Shtunë, 01 Janar 2011 00:00
Joomla!: Professionals - E Shtunë, 01 Janar 2011 00:00
Joomla!: Parameters - E Shtunë, 01 Janar 2011 00:00
Joomla!: Joomla! - E Shtunë, 01 Janar 2011 00:00
Joomla!: Getting Started - E Shtunë, 01 Janar 2011 00:00
Joomla!: Getting Help - E Shtunë, 01 Janar 2011 00:00
Joomla!: Beginners - E Shtunë, 01 Janar 2011 00:00

Përballja me të kaluarën dhe integrimi i rajonit në BE

balkan 1 wbMarrëdhëniet e fqinjësisë së mirë dhe nxitja e procesit të pajtimit mes shoqërive të Ballkanit Perëndimor përbëjnë jo vetëm një nga shtyllat e procesit të integrimit të rajonit në Bashkimin Europian, por edhe të vet procesit të konsolidimit të demokracisë në këto shtete. Pajtimi në vetvete është në të njëjtën kohë një qëllim dhe një proces kompleks, shumë-dimensional dhe gradual në kohë. Për përparimin e tij të qëndrueshëm nevojitet detyrimisht një udhëheqje dhe vullnet politik i fortë nga të gjitha palët.

Pajtimi në lenten e integrimit europian

Strategjia e zgjerimit e vitit 2018 nënvizon qartë se vendet e rajonit duhet të përballen me trashëgiminë e së kaluarës, të mbushur plot urrejtje, përçarje e konflikte, dhe të investojnë drejt eliminimit të çdo lloj forme diskriminimi apo ligjërimi politik me terma nacionalistë. Në këtë frymë, Bashkimi Europian mbetet një aktor shumë i rëndësishëm për procesin e pajtimit në rajon, por përgjegjësia mbetet së pari mbi shtetet e Ballkanit Perëndimor. Aktualisht situata mund të përkufizohet përgjithësisht si një ‘gjendje e fjetur’ dhe rreziku për manipulim të opinionit publik nga liderët politikë mbetet i lartë.

Themelimi i dy organizatave rajonale – Zyra Rajonale për Bashkëpunimin Rinor dhe Fondi i Ballkanit Perëndimor – shënon një hap përpara drejt pajtimit, por ende ekziston nevoja për një pronësi rajonale më të gjerë dhe distancim të politikës nga puna e këtyre institucioneve. Është e rëndësishme që liderët politikë në rajon të kuptojnë plotësisht se nuk do të ketë përparim pa pajtim të vërtetë. Për shkak të ndërvarësisë shumë të lartë midis shteteve dhe komuniteteve përkatëse, është thelbësore që liderët politikë, sikurse dhe njerëzit e zakonshëm të mësojnë jo vetëm të jetojnë në paqe me njëri-tjetrin, por të bashkëpunojnë dhe të komunikojnë në mënyrë pozitive dhe konstruktive.

Marrëdhëniet Shqipëri-Serbi

Duke u fokusuar në veçanti tek marrëdhëniet midis këtyre dy shteteve, gjatë dekadave të fundit është vënë re mungesa e dialogut politik të nivelit të lartë dhe fërkime diplomatike rastësore. Ndonëse teknikisht këto dy vende nuk kanë ndonjë çështje të hapur dypalëshe, mosnjohja e pavarësisë së Kosovës nga Serbia përbën thembrën e Akilit. Luhatja e marrëdhënieve midis Prishtinës dhe Beogradit ka pasur një ndikim në marrëdhëniet dypalëshe mes Shqipërisë dhe Serbisë. Kjo dobësi është reflektuar ndjeshëm edhe në marrëdhëniet midis popujve përkatës të këtyre dy vendeve.

Ndër vite ka pasur një mungesë angazhimi të vërtetë qeveritar nga të dyja palët për të ndërmarrë një proces ndërtimi të besimit dhe proces normalizimi/pajtimi. Ndonëse, shqiptarët dhe serbët janë dy nga etnitë më të mëdha në rajon, sfidat kryesore që kanë nxitur perceptimet negative të ndërsjella lidhen me armiqësinë e hershme, retorikën nacionaliste të elitave politike, interpretimin e ndryshëm dhe instrumentalizimin e historisë, mungesën e njohurive dhe të ndërlidhjes së qytetarëve etj. Sidomos arsimi është influencuar dhe keqpërdorur për përjetësimin e stereotipeve midis disa brezave.

Gjithsesi, vizita e kryeministrit shqiptar në Beograd në vjeshtën e vitit 2014 shënoi një hap simbolik drejt normalizimit të marrëdhënieve. Ndonëse nevojitet ende kohë për t’u përballur me të kaluarën në disa dimensione dhe me instrumentet e nevojshme, hedhja e këtij hapi është thelbësor për nxitjen e bashkëpunimit dhe ndërveprimit në fusha të ndryshme, si shkëmbimet tregtare, turizmi, lëvizshmëria, etj. Ndonëse ky proces afrimi dypalësh është ende në nivel embrional, ai duhet të shihet nga një perspektivë më largpamëse në distancë kohore, çka siguron një mundësi për të mësuar nga dështimet e së kaluarës dhe për të marrë masat e duhura për adresimin e pengesave ekzistuese.

Sfidat drejt së ardhmes

Në rrafsh dypalësh, bashkëpunimi mes Shqipërisë dhe Serbisë – por edhe i vendeve të tjera të Ballkanit Perëndimor – nuk përballet me një numër të limituar marrëveshjesh të nënshkruara apo sektorësh politikë mbi të cilët mund të ngrihet një bashkëpunim pragmatik; problematike është mungesa e një strategjie zbatimi dhe i vullnetit politik që zgjat përtej mandatit të liderëve që kanë nënshkruar këto marrëveshje.

Për momentin gjendemi përballë një luhatjeje të përkushtimit dhe entuziazmit të shteteve ndaj angazhimeve të ndërmarra deri më tani. Lëkundjet në marrëdhëniet kontraktuale mbeten peng i zhvillimeve politike në nivel rajonal; ndaj, nevojitet kohë shtesë për të krijuar një mentalitet fleksibël dhe nxitur arsyetimin pragmatik për zgjidhjen e çështjeve të ngutshme dhe me përfitime të ndërsjella.

Për këtë arsye, Shqipëria, Serbia dhe vendet e tjera te rajonit duhet të investojnë më shumë në zhvillimin e një vizioni të përbashkët për të ardhmen. Në këtë drejtim, perspektiva e pranimit në BE parashikon një ambicie kolektive për të gjithë rajonin dhe mund të shërbejë si një shtysë për një proces pajtimi të gjerë dhe të qëndrueshëm.

Akademia e Integrimit Europian dhe Negociatave, janar 2020

  Kërko

  Axhenda

Axhenda e Javës

3 korrik – Komisionerja Gabriel mban një videokoneferencë për tu konsultuar me palët e interesuara dhe Rektorët e Edukimit të Bashkimit Europian për të ardhmen e arsimit.

2 korrik - Presidentja e Komisionit Ursula von der Leyen së bashku me Angela Merkel do të zhvillojnë një videokonferencë të përbashkët shtypi për të njoftuar fillimin e Presidencës gjermane të Këshillit të BE.

1 korrik – EMI (European Movement International) dhe EIB (European Investment Bank) do të mbajnë një videokonferencë të titulluar "Plani i BE për rimëkëmbjen dhe qëndrueshmërinë afatgjatë".

30 qershor - Komisionerët Borrell, Lenarčič dhe Várhelyi marrin pjesë në Konferencën IV të Brukselit mbi "Mbështetjen e së ardhmes së Sirisë dhe Rajonit".
- Dita Ndërkombëtare e Parlamentarizmit

29 qershor - Ministrat e Këshillit të Bujqësisë dhe Peshkimit do të shkëmbejnë mendimet e tyre mbi komunikimin e fundit të Komisionit për paketën "Drejt peshkimit më të qëndrueshëm në BE: gjendja aktuale dhe orientimet për vitin 2021".

  FJALOR

Seksion dedikuar shpjegimit të termave të BE-së. 

  Na ndiqni ne:

facebook gplus twitter youtube1