E Diel, 05 Korrik 2020
Blue Red Green
  • Buletin Informativ i Lëvizjes Europiane në Shqipëri
Joomla!: Position Home - E Hënë, 09 Prill 2012 07:19
Joomla!: Using Joomla! - E Shtunë, 01 Janar 2011 00:00
Joomla!: Upgraders - E Shtunë, 01 Janar 2011 00:00
Joomla!: The Joomla! Project - E Shtunë, 01 Janar 2011 00:00
Joomla!: The Joomla! Community - E Shtunë, 01 Janar 2011 00:00
Joomla!: Sample Sites - E Shtunë, 01 Janar 2011 00:00
Joomla!: Professionals - E Shtunë, 01 Janar 2011 00:00
Joomla!: Parameters - E Shtunë, 01 Janar 2011 00:00
Joomla!: Joomla! - E Shtunë, 01 Janar 2011 00:00
Joomla!: Getting Started - E Shtunë, 01 Janar 2011 00:00
Joomla!: Getting Help - E Shtunë, 01 Janar 2011 00:00
Joomla!: Beginners - E Shtunë, 01 Janar 2011 00:00

Testamenti Biologjik në Shqipëri

biotest4Ky punim ofron një analizë juridike të testamenti biologjik në Shqipëri. Artikulli heton sistemin ligjor shqiptar, dokumentet e publikuara nga Komiteti Kombëtar i Etikës dhe Komiteti Kombëtar i Shëndetësisë, si dy organet kryesore këshilluese publike për çështje shëndetësore, si dhe juridiksionin mjekësor kombëtar dhe Kodin e Etikës dhe Deontologjisë Mjekësore. Në përfundim, ky kontribut nënvizon rëndësinë e rregullave specifike që rregullojnë autonominë e pacientit duke dhënë disa sugjerime për ligjvënësin shqiptar.

***

Në dekadat e fundit, marrëdhënia pacient-mjek është transformuar dhe në Shqipëri. Në Shqipëri, ndërsa eutanazia dhe vetëvrasja me ndihmën e mjekut konsiderohen vepra penale (Nenet 76, 79, dhe 99 Kodi Penal; KP), ligji shqiptar lejon refuzimin e trajtimit mjekësor nga një pacient i ndërgjegjshëm (Neni 6, par. 2, shkronja ç Ligji Nr. 107 Mars 2009). Diskutimi ligjor dhe bioetik në lidhje me refuzimin e trajtimit mjekësor nga një pacient i cili nuk është, në kohën e trajtimit mjekësor, në një gjendje për të shprehur dëshirat e tij është mjaft i ndërlikuar dhe lidhet drejtpërdrejt me mungesën e një ligji specifik që rregullon testamentin biologjik.

Ky punim ofron një përmbledhje të përgjithshme të testamentit biologjik në Shqipëri. Shkrimi heton gjithashtu juridiksionin mjekësor shqiptar mbi këtë çështje pa gjetur asnjë provë të praktikës gjyqësore që merret me situatat e refuzimit mjekësor, që rezulton në vdekje të pacientit.( Bara, B., & Vyshka, G. (2014)). Për më tepër, artikulli konsideron dy organet kryesore publike, Komitetin Kombëtar të Etikës dhe Komitetin Kombëtar të Shëndetësisë, të themeluar si organe këshilluese për çështje mjekësore, pa gjetur ndonjë dokument specifik që rregullon situatat e fundit të jetës ose testamentit biologjik. Vëmendje e veçantë i kushtohet Kodit të Etikës dhe Deontologjisë Mjekësore pasi ky është i vetmi dokument ligjor që përfshin disa referenca në procesin e fundit të jetës.

Një nga mënyrat që pacientët mund të shprehin deklaratën e tyre mjekësore për fundin e jetës është përmes testamentit biologjik. Nga pikëpamja ligjore shqiptare, testamentit biologjik konsiderohet si një veprim juridik i njëanshëm që prodhon efekte juridike në sferën individuale jopasurore: qëllimi i tij është që (të japi pëlqimin ose) të refuzojë trajtimin mjekësor në të ardhmen, në rast të paaftësisë së personit fizik. Duke marrë parasysh kornizën e përgjithshme ligjore, në veçanti nenet 6-11 të Kodit Civil të Republikës së Shqipërisë, testamenti biologjik mund të shkruhet vetëm nga persona me zotësi të plotë, pra që kanë arritur moshën 18 vjeç.

Megjithëse korniza ligjore shqiptare nuk përcakton rregulla specifike në lidhje me vendimet e përfundimit të jetës, Kodi i Etikës dhe Deontologjisë Mjekësore të Nëntorit 2011 duhet të ekzaminohet. Ky kod është botuar nga Urdhri i Mjekëve të Shqipërisë dhe është ligjërisht i detyrueshëm për të gjithë mjekët që ushtrojnë aktivitetin e tyre në Republikën e Shqipërisë (neni 3). Me fjalë të tjera, sanksionet disiplinore mund të zbatohen në rastet e shkeljes së tij (neni 68 Kodi i Etikës dhe Deontologjisë Mjekësore dhe nenit 1 i Rregullores së datës 08.04.2016 të Federata e Mjekëve Shqiptarë).

Neni 39 i Kodit të Etikës dhe Deontologjisë Mjekësore thotë nëse i sëmuri është pa vetëdije, pa shpresë për të jetuar, mjeku duhet të veprojë sipas gjykimit të tij për më të mirën e mundeshme. Ai duke u konsultuar me kolegët e tjerë dhe familjarët më të afërm të të sëmurit vendos për qëndrimin terapeutik që duhet mbajtur. Pra, në rastin e një pacienti pa vetëdije me një sëmundje terminale, mjeku duhet të veprojë sipas gjykimit të tij duke konsideruar interesin mjekësor-objektiv më të mirë të pacientit. Ai, në konsultim me kolegët e tjerë dhe me të afërmit e pacientëve, vendos për trajtimin terapeutik. Kështu që, testamenti biologjik nuk merret fare parasysh. Për më tepër, të gjithë ata duhet të përpiqen t'i shërbejnë interesave më të mira të pacientit, bazuar në diagnozën dhe prognozën mjekësore, sesa të ndjekin dëshirat e pacientit. Ky nen nuk mbron autonominë e pacientit dhe të drejtën e tij për vetëvendosje sepse mjekët dhe stafi mjekësor duhet të marrin parasysh dëshirat e pacientit dhe të veprojnë vetëm sipas interesave më të mira të pacientit kur dëshirat e pacientit janë të paqarta(Veshi, D. 2017). Kjo është politika e vetme që mbron autonominë e pacientëve (Veshi, D., & Neitzke, G. 2015).

Për më tepër, neni 39 i Kodit të Etikës dhe Deontologjisë Mjekësore është gjithashtu në kundërshtim me të drejtën ndërkombëtare, të cilën Shqipëria e ka ratifikuar. Konkretisht, neni 9 i Konventës për mbrojtjen e të drejtave të njeriut dhe dinjitetin e qenies njerëzore në lidhje me aplikimin e biologjisë dhe mjekësisë (e njohur si Konventa e Oviedos) thotë se dëshirat e shprehura më parë në lidhje me një ndërhyrje mjekësore nga një pacient i cili nuk është, në kohën e ndërhyrjes, në një gjendje për të shprehur dëshirat e tij ose të saj do të merren parasysh. Megjithëse sipas këtij neni, "dëshirat e shprehura më parë" nuk janë juridikisht detyruese, neni 39 i Kodit Shqiptar të Etikës Mjekësore nuk përfshin aspak rëndësinë e tyre. Si rezultat, neni 39 është gjithashtu antikushtetues pasi kushtetuta e Republikës së Shqipërisë shprehet se ligjet dhe aktet e tjera normative të Këshillit të Ministrave nuk duhet të bien ndesh jo vetëm me kushtetutën, por edhe me marrëveshjet e ratifikuara ndërkombëtare (neni 116 Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë). Që nga korriku 2011, Konventa e Oviedos ka hyrë në fuqi edhe në Shqipëri.

Nevoja për rregulla të qarta që rregullojnë vendimin e përfundimit të jetës është thelbësore për të nënvizuar dinjitetin e pacientit sepse neni 39 i Kodit të Etikës dhe Deontologjisë Mjekësore ka aplikuar një qasje paternaliste për testamentin biologjik. Duke konsideruar këtë qasje paternaliste, aktualisht, realizimi konkret i refuzimit të trajtimit mjekësor nga një pacient i cili nuk është, në kohën e trajtimit mjekësor, në një gjendje për të shprehur dëshirat e tij, do të konsiderohej si vrasje me dashje (neni 76 KP), vrasje në rrethana të tjera cilësuese (neni 79, par. 1, shkronja b) KP) ose shkaktimi i vetëvrasjes (neni 99 KP).

Për ta përmbledhur ketë analizë të shkurtër, neni 39 i Kodit të Etikës dhe Deontologjisë Mjekësore duket se nuk e konsideron autonominë e pacientit, si dhe është në kundërshtim me ligjin ndërkombëtar të ratifikuar nga Republika e Shqipërisë.

Ndërsa në vendet e Europës Perëndimore, testamenti biologjik është rregulluar nga ligjvënës kombëtar(Koka, E., & Veshi, D 2019), Shqipëria nuk ka një ligj specifik që rregullon testamenti biologjik (Veshi, D. 2020). Për më tepër, duke konsideruar qasjen paternaliste të shprehur në nenin 39 të Kodit të Etikës dhe Deontologjisë Mjekësore, realizimi konkret i refuzimit të trajtimit mjekësor nga një pacient që ka lënë një testament biologjik dhe i cili në kohën e trajtimit mjekësor nuk është në një gjendje për të shprehur dëshirat e tij ose të saj do të konsiderohej si një vepër penale (nenet 76, 79 dhe 99 KP). Ky interpretim është në kundërshtim me principin etik të autonomisë dhe të drejtën për vetëvendosje. Gjithashtu fakti që Kodi i Etikës dhe Deontologjisë Mjekësore nuk konsideron testamentin biologjik është në kundërshtim edhe me ligjin ndërkombëtar të ratifikuar nga Shqipëria.

Me fjalë të tjera, Shqipëria duhet të modifikojë Kodin e Etikës dhe Deontologjisë Mjekësore në përputhje me ligjin ndërkombëtar që ka ratifikuar, si dhe duhet të miratojë një ligj specifik ku rregullon testamentin biologjik duke mbrojtur dinjitetin e pacientit.

Denard Veshi, qershor 2020

*PhD Denard Veshi është Kryetar i Qendrës së Ekselencës së BE-së në Universitetin e New York Tirana, e cila është e vetmja e financuar nga Jean Monnet Activities në Shqipëri. Ai është i specializuar në të drejtën mjekësore, si dhe në ndikimin ekonomik të krizës së refugjatëve 2015-2016. Ai është autori i shumë publikimeve shkencore, ndërkohë që ka studiuar dhe/ose ka kryer hulumtime në vende të ndryshme si Itali, Spanjë, Holandë, Gjermani, Zvicër, Izrael, Shqipëri dhe Turqi si doktorant ose visiting fellow. Në UNYT, ai ligjëron disa kurse që lidhen drejtpërdrejt me çështje të BE-së. Studimi u mbështet nga Erasmus + Jean Monnet Activities. Ph.D. Veshi është fituesi i Modulit Erasmus + Jean Monnet në Çështjet e Shëndetit të BE-së (2019-2022) si dhe Qendra e Ekselencës e BE-së (2019-2022).

Referencat:

Bara, B., & Vyshka, G. (2014). A right to die: a comparing discourse of case laws in united states of america, european court of human rights, united kingdom and albania. JAHR, 5(1), 135-156.

Kodi i Etikës dhe i Deontologjisë Mjekësore

Kodi i Procedurës Civile

Kodi Penal i RSH

Koka, E., & Veshi, D. (2019). A New Law of 'Living Will'in Italy: A Critical Analysis. Liverpool Law Review, 40(2), 113-130;

Konventa e Oviedos

Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë

Veshi, D. (2017). Comments on the Lambert case: the rulings of the French Conseil d'État and the European Court of Human Rights. Medicine, Health Care and Philosophy, 20(2), 187-193.

Veshi, D. (2020) et al. End-of-Life Decisions in Albania: the Call for an Ethical Revision. Liverpool Law Review.

Veshi, D., & Neitzke, G. (2015). Advance directives in some western European Countries: a legal and ethical comparison between Spain, France, England, and Germany. European Journal of Health Law, 22(4), 321-345.

Veshi, D., & Neitzke, G. (2015). Living wills in Italy: ethical and comparative law approaches. European journal of health law, 22(1), 38-60.

  Kërko

  Axhenda

Axhenda e Javës

3 korrik – Komisionerja Gabriel mban një videokoneferencë për tu konsultuar me palët e interesuara dhe Rektorët e Edukimit të Bashkimit Europian për të ardhmen e arsimit.

2 korrik - Presidentja e Komisionit Ursula von der Leyen së bashku me Angela Merkel do të zhvillojnë një videokonferencë të përbashkët shtypi për të njoftuar fillimin e Presidencës gjermane të Këshillit të BE.

1 korrik – EMI (European Movement International) dhe EIB (European Investment Bank) do të mbajnë një videokonferencë të titulluar "Plani i BE për rimëkëmbjen dhe qëndrueshmërinë afatgjatë".

30 qershor - Komisionerët Borrell, Lenarčič dhe Várhelyi marrin pjesë në Konferencën IV të Brukselit mbi "Mbështetjen e së ardhmes së Sirisë dhe Rajonit".
- Dita Ndërkombëtare e Parlamentarizmit

29 qershor - Ministrat e Këshillit të Bujqësisë dhe Peshkimit do të shkëmbejnë mendimet e tyre mbi komunikimin e fundit të Komisionit për paketën "Drejt peshkimit më të qëndrueshëm në BE: gjendja aktuale dhe orientimet për vitin 2021".

  FJALOR

Seksion dedikuar shpjegimit të termave të BE-së. 

  Na ndiqni ne:

facebook gplus twitter youtube1