E Shtunë, 28 Nëntor 2020
Blue Red Green
  • Buletin Informativ i Lëvizjes Europiane në Shqipëri (ISSN 2708 - 1656)
Joomla!: Position Home - E Hënë, 09 Prill 2012 07:19
Joomla!: Using Joomla! - E Shtunë, 01 Janar 2011 00:00
Joomla!: Upgraders - E Shtunë, 01 Janar 2011 00:00
Joomla!: The Joomla! Project - E Shtunë, 01 Janar 2011 00:00
Joomla!: The Joomla! Community - E Shtunë, 01 Janar 2011 00:00
Joomla!: Sample Sites - E Shtunë, 01 Janar 2011 00:00
Joomla!: Professionals - E Shtunë, 01 Janar 2011 00:00
Joomla!: Parameters - E Shtunë, 01 Janar 2011 00:00
Joomla!: Joomla! - E Shtunë, 01 Janar 2011 00:00
Joomla!: Getting Started - E Shtunë, 01 Janar 2011 00:00
Joomla!: Getting Help - E Shtunë, 01 Janar 2011 00:00
Joomla!: Beginners - E Shtunë, 01 Janar 2011 00:00

Turizmi dhe Covid-19: sfidat dhe masat që duhen ndërmarrë

evis nastoBuzë shëtitores së Sarandës, pranë terminalit në portin e pasagjerëve ndodheshin të ankoruar zinxhir, një seri anijesh të linjës Sarandë-Korfuz, të mbetura në mol prej paralizimit të udhëtimeve nga brigjet shqiptare drejt atyre greke. Përballë saj ndodhej hoteli i Almës, një godinë modeste, me disa dhoma, të cilën ajo e menaxhonte së bashku me familjen. E kujdesshme deri në detajet për detergjentët larës të duarve, dezinfektuesit, pastrimin e ambientit, Alma mundohej kështu t'u hiqte disi merakun pushuesve që vinin nga Tirana, duke lënë pas mbi 1 900 të infektuar nga koronavirusi i ri.

***

"Biznesin e kanë menaxhuar deri përpara 2 vitesh vjehrri me vjehrrën. Kur na e lanë ne në trashëgimi, bashkë me burrin menduam që të merrnim një kredi dhe të investonim për të ndryshuar instalimet hidraulike, elektrike dhe mobilimin të cilat ishin amortizuar me kohën, por ja që s'qe shkruar. Ndodhi kjo situatë dhe na zuri krejt të papërgatitur. Por ama dyshekët, jastëkët, çarçafët janë blerë për çdo dhomë, të rinj" – siguron ajo me një buzëqeshje.


Në Sarandë, maska nuk njihej si element mbrojtës. Nën diellin përzhëlitës, me përjashtim të ndonjë pushuesi të huaj sporadik që dallohej nga gjuha sllave, apo tonaliteti i çelët i lëkurës, askush tjetër nuk merrte mundimin as ta varte në krah maskën si aksesor të të ashtuquajturit 'normalitetit i ri' për të cilin në Sarandë duket sikur kanë dëgjuar të flitet vetëm në televizor. "Unë nuk di si është e vërteta më këtë kulish virus, si e ka emrin" -tregon Hanushja, një grua që ka buzë shëtitores së Limanit një dyqan me sovenire-artizanale. "Unë di vetëm që nuk kam shitur kaq pak si këtë vit. Po vazhdoi kështu, aha do detyrohem të ul qepenin" – tund kokën e bezdisur ajo sepse nuk kishte të kthente kusur prej 300 lekësh. "Gjuha shkon ku dhemb dhëmbi" thotë populli dhe Hanushja nuk përmbahet në rrëfimin e saj, duke treguar më tej se nuk kishte përfituar nga asnjë prej pagave të luftës të akorduara nga qeveria, gjatë karantinës. "Edhe pse e ndryshova atë përshkrimin në NIPT që më thanë se nuk e kisha të saktë, më kanë vërtitur lart e poshtë nëpër zyra, me këmbë të sëmurë. Aq sa më thanë kalamajt, lërë fare se do të ndihmojmë ne, vetëm ti mos u mërzit"- tregon kjo grua tek të gjashtëdhjetat.


Rënia e numrit të turistëve për këtë vit nuk është vetëm çështje perceptimi për ata që vërenin se në xhiron e mbrëmjes në shëtitoren e ngushtë sarandiote, mungonte përplasja sup më sup nga dyndja e këmbësorëve, sikurse një vit më parë. Anketa mbi "Strukturat Akomoduese" e INSTAT (INSTAT, 21.08.2020) vërtetoi se në tremujorin e dytë numri i vizitorëve është ulur me 75.6 % në krahasim me të njëjtën periudhë të 2019-ës, teksa rajoni jugor shënon një rënie me -46.8%. Por efektet e krizës në turizëm nuk duhet të shihen vetëm tek hoteleritë, pasi hallka kryesore që garanton një sistem turistik vendas të qëndrueshëm dhe jo një turizëm rastësor sipas klikimeve në Booking Online, janë Operatorët e tureve dhe Agjencitë Turistike. Shoqata që kujdeset për interesat e këtyre subjekteve paralajmëron një falimentim të mundshëm. Në një dalje të fundit mediatike, numri dy i shoqatës ATOA, Kliton Gërxhani (NEWS, 10.08.2020) shprehet se pasiguritë që do të sjellë vjeshta e kufizojnë edhe më tej turizmin. "Nëse ne nuk kapim pranverën e 2021-it, ky sektor i ngritur në 20 vjet, vështirë se mund të ngrihet për 2 vite. Ndoshta do të duhen 10 ose 20 vjet." – vlerëson ai. Në këto kushte, Gërxhani përsërit thirrjen drejtuar qeverisë, që të ulet sa nuk është vonë me aktorët e tjerë të turizmit, për të reduktuar në sa më pak dëme të mundshme tek ky sektor, i cili sipas Organizatës Botërore të Turizmit (Monitor, 21.08.2020) kontribuon direkt dhe indirekt në 20% të Prodhimit të Brendshëm Bruto në ekonominë shqiptare.


Rënien drastike të turizmit nuk e fsheh as qeveria në parashikimet e saj kur thotë së ky sektor jetik i ekonomisë nuk do të ketë rritje në vitin 2021. Ministrja e Financave Anila Denaj (Njoftim per Shtyp , 4.08.2020) ka deklaruar se rritja ekonomike për vitin e ardhshëm do të jetë 5.9% bazuar në rritjen e konsumit nga investimet publike, por shton se turizmi do të vijojë të jetë në ngërç për shkak të kufizimit të lëvizjes së lirë dhe protokolleve të sigurisë që po zbatojnë shtetet e tjera. Deri më tani qeveria ka vënë në dispozicion vetëm Fondin e Garancisë Sovrane duke nxitur bizneset, në të gjithë sektorët e ekonomisë, përfshi dhe atë të turizmit, të aplikojnë për kredi me qëllim për të shmangur falimentin. Nga kjo Garanci, sipas përditësimit më të fundit të Ministrisë së Financave (MFE, 19.08.2020), kanë aplikuar deri më 10 gusht 275 biznese. Shtyrja e afatit të aplikimit për Garancinë e Dytë Sovrane deri në Shtator, dëshmon paqartësitë që bizneset kanë për këtë proces që ushqen tek ata frikën e shtetëzimit të aktivitetit në rast të mosshlyerjes së kredisë. Ndërkohë që bizneset që operojnë si Tur-Operatorë dhe si Agjenci Turistike kanë të tjera kërkesa për të parë pakëz dritë në fund të këtij tuneli të errët ku dalja nuk duket ende. Mes tyre ata nënvizojnë si më të domosdoshme subvencionin e pagesës së sigurimeve shoqërore për 3-6 muaj, pezullimin e pagesës së tatim-fitimit për 3 muaj, pezullime të pagesave për shërbimet ujë-elektricitet për 6 muaj, zhvlerësimin e taksës së pronës përgjatë gjithë 2020-ës si dhe krijimin e granteve për subvencionim (Faktoje.al).


Në planin e ndihmës ekonomike të prezantuar në 19 mars dhe në paketën e dytë të 13 prillit, qeveria foli për një riskedulim në gjysmën e dytë të 2020-ës së tatim-fitimit si dhe për fshirjen e kamatvonesave për energjinë vetëm për biznesin e vogël por më tej nuk është përmendur asnjë masë lehtësuese e ngjashme për subjektet që operojnë në turizëm, përpos përmendjes sporadike të termit grante për subvencion" nga znj. Anila Denaj (ATA). Ministrja e Financave ka premtuar më shumë se njëherë kombinimin e garancisë sovrane me grante, por pa dhënë detaje sesi dhe kur do të konkretizohen ato në favor të biznesit. Ndërkohë që ekonomia zhytet në një krizë të thellë prej pandemisë dhe pasigurive që gjenerohen nga paparashikueshmëria e kohëzgjatjes së kësaj situate, qeveria duket edhe më e vagullt në reagim duke i bërë tur-operatorët, agjencitë dhe strukturat akomoduese turistike, të mëdha e të vogla, të ndihen të braktisur.


"Po vazhduam kështu, vështirë se do ngremë kokë" – thotë Alma. E bindur se nuk do të ketë asnjë përkrahje nga qeveria, ajo nuk përjashton as mundësinë e rikthimit në Greqi. "Kam ardhur këtu sepse vendi i huaj, nuk bëhet kurrë i yti. Sado që unë gjuhën greke e kam ditur që e vogël, por në Greqi, sidomos nëse je shqiptar, mbetesh përherë i huaj. Nëse nuk do kem zgjidhje tjetër do të largohem." – shprehet ajo. Mbyllja e bizneseve është ajo çka asnjë shtet nuk do të donte.

Por çfarë mund të bëjnë operatorët turistikë në pritje që qeveria të jetë me e pranishme me grantet dhe ndihmën ekonomike?


Magda Antonioli Corigliano (Sole), drejtuese e programit Master për Ekonomi dhe Turizëm në Universitetin Italian Boçoni, shpjegon në një intervistë për një të përditshme italiane se "kjo situatë për shumëkënd dramatike, mund të jetë rasti që operatorët turistikë në Itali por edhe kudo në Europë të rishikojnë ofertën turistike, jo vetëm në periudhë afatshkurtër për të garantuar standardet e sigurisë në plazhe dhe lokalitetet turistike, por edhe në periudhë afatgjatë, për të shkuar përtej asaj çka njihet si "turizmi i masës""


Që përpara COVID, turizmi i masës ishte vënë në diskutim për qëndrueshmërine tij. Është tashmë evidente edhe për Sekretarin e Përgjithshëm të Organizatës Botërore të Turizmit, Zurab Pololikashvilli që modeli i turizmit të masës që ka shërbyer si referencë për vite me radhë tashmë duhet të ndryshojë, paçka se ky ndryshim nuk mund të jetë i menjëhershëm. Tashmë është një fakt për operatorët turistikë në botë, thekson sekretari i përgjithshëm në një intervistë për spanjollen "La Vanguardia" (Avanguardia, 24.07.2020) se kërkesa për pushime në natyrë, në destinacione më pak të populluara, që ofrojnë më shumë qetësi dhe intimitet është gjithnjë e më në rritje. Ndaj ekspertët sugjerojnë që sfida me të cilën po përballen operatorët turistikë gjatë kësaj periudhë të jetë dhe një ftesë për rishikim të asaj çka vërtet pushuesit do të duan në vitet që do të pasojnë, me ose pa COVID. Për një ndryshim të tillë rrënjësor nevojitet edhe një vizion më largpamës i politikave të qeverisë, por për këtë mbetet ende për t'u parë se sa do të di të reagojë në kohë qeveria shqiptare.


Evis Nasto, shtator 2020
* Evis Nasto ka një përvojë 11 vjeçare në median e shkruar dhe atë televizive. Përpos të cilën Ajo ka ushtruar për një periudhë 5 vjeçare në UTV News detyrën e kryeredaktores, si dhe ka qenë pjesë e programit "E Diell" në Top Channel. Në karrierën e saj, Evis Nasto i është kushtuar kryesisht raportimi të çështjeve sociale të lidhura ngushtësisht me të drejtat e vajzave dhe grave, kundra fenomenit të dhunës në familje dhe në mbrojtje të kategorive të margjinalizuara. Ajo ka kontribuar dhe në shumë gazeta e portale me shkrime e artikuj.

  Kërko

  Axhenda

26 nëntor 2020 - Seancë plenare e Parlamentit Europian ku eurodeputetët pritet të kenë një mendim zyrtar mbi vendimin e Tribunalit Kushtetues Polak mbi të drejtat e abortit në vend.

********************

25 nëntor 2020  - Dita Ndërkombëtare për Eliminimin e Dhunës ndaj Grave

********************

24 nëntor 2020 - Takimi i kolegjit - Komisioni pritet të miratojë planin e veprimit të BE për barazinë gjinore dhe fuqizimin e grave në marrëdhëniet e jashtme për 2021-2025; planin e veprimit për integrimin dhe përfshirjen  dhe planin e veprimit mbi pronësinë intelektuale

********************

  FJALOR

wordoftheday

Seksion dedikuar shpjegimit të termave të BE-së.

  Na ndiqni ne:

facebook gplus twitter youtube1