E Shtunë, 28 Nëntor 2020
Blue Red Green
  • Buletin Informativ i Lëvizjes Europiane në Shqipëri (ISSN 2708 - 1656)
Joomla!: Position Home - E Hënë, 09 Prill 2012 07:19
Joomla!: Using Joomla! - E Shtunë, 01 Janar 2011 00:00
Joomla!: Upgraders - E Shtunë, 01 Janar 2011 00:00
Joomla!: The Joomla! Project - E Shtunë, 01 Janar 2011 00:00
Joomla!: The Joomla! Community - E Shtunë, 01 Janar 2011 00:00
Joomla!: Sample Sites - E Shtunë, 01 Janar 2011 00:00
Joomla!: Professionals - E Shtunë, 01 Janar 2011 00:00
Joomla!: Parameters - E Shtunë, 01 Janar 2011 00:00
Joomla!: Joomla! - E Shtunë, 01 Janar 2011 00:00
Joomla!: Getting Started - E Shtunë, 01 Janar 2011 00:00
Joomla!: Getting Help - E Shtunë, 01 Janar 2011 00:00
Joomla!: Beginners - E Shtunë, 01 Janar 2011 00:00

Realiteti i lajmeve të rreme

fake news irsidKy artikull trajton lajmet e rreme si një ndër shqetësimet më të mëdha të epokës dixhitale. Fillimisht jepet shpjegimi se ç’janë lajmet e rreme, një historik i tyre dhe si paraqitet kjo sfidë në ditët e sotme duke e ilustruar me raste konkrete studimore. Më tej analizohet roli i mediave në këtë fenomen dhe mënyra se si ai ndikon në shumë sfera të shoqërisë.

***

Kur dëgjojmë termin “fake news”(lajm i rremë), menjëherë mendojmë për postimet në rrjete sociale që përmbajnë histori aspak bindëse e të sajuara, shpesh të shoqëruara nga tituj bombastikë e me foto ilustruese jo të përshtatshme. Këto lloj lajmesh janë aspekti më i dukshëm i fenomenit të lajmeve të rreme, por në fakt termi përmban shumë më shumë se kaq (Trend Micro, 2017)

Fjalori i Cambridge e përkufizon termin “lajm i rremë” si një histori jo të vërtetë e cila na sillet si lajm dhe shpërndahet në internet ose në media të tjera, i krijuar zakonisht për të influencuar bindjet politike ose në formë shakaje (Cambridge Dictionary).

Nga ajo që kuptojmë duket se një lajm i rremë prodhohet dhe shpërndahet kryesisht me qëllime manipuluese duke përbaltur një figurë apo duke mbivlerësuar një figurë tjetër. Përveç kësaj ka dhe një qëllim përfitues në terma ekonomikë. Duke qenë se këto lajme janë ndër më tërheqëset dhe më të klikuarat, kthehen kështu në një terren të favorshëm për shpërndarjen e reklamave që gjenerojnë fitim.

Mendohet se lajmet e rreme si koncept kanë ardhur vonë në diskursin politik dhe atë të përditshëm. Ishte Donald Trump që e përdori dhe zhvilloi këtë term në 2017 në fillim të marrjes së mandatit presidencial. Në një konferencë për shtyp ai iu përgjigj një gazetareje të “CNN” duke e quajtur atë “fake news”. Në vijim ai do ta përdorte këtë shprehje shpeshherë në statuset e tij në “Twitter” (Wendling, M. 2018).

Por duke qenë se në thelb “lajmi i rremë” është propagandë, na bën të kuptojmë se ka ekzistuar kohë më parë. Ka shumë shembuj të lajmeve të rreme përgjatë historisë. Ato luajtën një rol në forcimin e iluminizmit, kur shpjegimi i rremë i Kishës Katolike për Tërmetin e Lisbonës të vitit 1755 bëri që Volteri të flasë kundër dominimit fetar. Makineria e propagandës naziste përdori lajmet e rreme dhe propagandën për të ndërtuar fushatën antisemitike. Në vitet 1800 në SHBA, ndjenja raciste çoi në botimin e tregimeve të rreme për veset dhe krimet e supozuara të Afro-Amerikanëve. Në vitet 1890, botuesit rivalë të gazetave Joseph Pulitzer dhe William Hearst garuan mbi audiencën përmes trumbetimit dhe raportimit të thashethemeve sikur të ishin fakte, një praktikë që u bë e njohur në atë kohë si "gazetaria e verdhë". Por vlen të përmendet reagimi qytetar kundër mungesës së integritetit gazetaresk: Publiku kërkonte burime lajmesh më objektive dhe të besueshme dhe kjo solli kthesën në shekullin e XX, ku gazetaria e verdhë u bë më pak e zakonshme. Kjo do të vazhdonte deri në periudhën e zhvillimit të lajmeve në internet, ku lajmet e rreme morën hov sërish, kësaj radhe të nxitur nga përparësitë që u jepte teknologjia. Paralelisht, motivi që gazetat e viteve 1890 merreshin me gazetari të verdhë është i njëjtë me krijuesit e lajmeve të rreme sot: Lajmet e ekzagjeruara me tituj tronditës marrin vëmendje dhe shesin kopje (ose nxisin klikimet), duke promovuar shitjen e reklamave (Center for Information Technology and Society).

Studiuesit e fushës e kanë paralelizuar konceptin e lajmeve të rreme me trekëndëshin e elementëve të zjarrit (oksigjen, nxehtësi dhe lëndë djegëse). Njëlloj kanë trekëndëzuar edhe lajmet e rreme duke shpjeguar elementet që e formojnë:

  • Së pari, duhet një motiv nxitës drejt krijimit të lajmeve të rreme, të cilat janë zakonisht monetare dhe politike.
  • Së dyti, duhen mjetet dhe shërbimet për manipulimin dhe përhapjen e mesazhit në media.
  • Së treti, duhet që të ekzistojnë rrjetet sociale apo kanalet e tjera në mënyrë që këto lajme të shpërndahen. Me njerëzit që kalojnë më shumë kohë në këto platforma me qëllim për të marrë lajmet dhe informacionet më të fundit, rëndësia e tyre në përhapjen e lajmeve të rreme nuk mund të nënvlerësohet (Trend Micro 2017)

Për të kuptuar ndikimin dhe shtirjen e lajmeve të rreme sidomos gjatë kohëve të fushatave elektorale mund të përmendim rezultatet e një sondazhi të kryer në vitin 2016 në SHBA: më shumë se një e treta e të rriturve amerikanë besonin se historia Pizzagate - që lidhte fushatën e Klinton me një rrjet pedofilie - ishte ‘ndoshta’ ose ‘sigurisht’ e vërtetë. Vetëm 29% e të anketuarve ishin të sigurt se pretendimi ishte jo i vërtetë. Studimi gjithashtu evidentoi që gjatë javës së zgjedhjeve, lajmet e rreme më popullore në Facebook patën më shumë audiencë në krahasim me lajmet e vërteta popullore. Por kjo situatë nuk ndodh vetëm në Amerikë. Një studim tregoi se 64% e kampionit të protestuesve në protestat anti-qeveritare të vitit 2015 në Brazil besonin se Partia e Punëtorëve dëshironte të krijonte një regjim komunist në vend. 54% gjithashtu menduan se një bandë droge është e lidhur me partinë dhe 43% që kjo parti solli 50 000 imigrantë të paligjshëm nga Haiti për të votuar në zgjedhje. Këto histori ishin të gjitha lajme të rreme që ishin shpërndarë në mediat sociale. Apo në kontekstin e zgjedhjeve në Prill 2019 në Izrael ku 20.5% e të anketuarve në modulin online të Studimit Kombëtar të Zgjedhjeve të Izraelit ishin 'absolutisht të sigurt' ose 'mjaft të sigurt' se gruaja e kandidatit për kryeministër Benny Gantz ishte aktive në një grup politik pro-palistinez (Tsfati, 2020).

Tipike e shpërndarjes së lajmeve të pavërteta në internet është dukshmëria dhe arritja e një audience të gjerë. Ky model i të bërit lajm mbështetet shumë në popullaritetin, tiparet dhe modelet e biznesit të mediave sociale. Facebook ka mbi 2 miliardë përdorues aktivë mujorë, dhe platforma si Twitter, Instagram dhe Reddit kanë rreth 1 miliardë. Hulumtimet tregojnë se shumë prej këtyre përdoruesve përdorin mediat sociale si burimin kryesor të lajmeve. Disa kanë argumentuar që modelet e biznesit të orientuara nga reklamat e mediave sociale në thelb stimulojnë gjenerimin dhe qarkullimin e lajmeve të rreme, pasi si të dyja platformat dhe kërkuesit e lajmeve të rreme nxjerrin të ardhura të konsiderueshme nga lajmet popullore. Më tej, ndryshe nga media tradicionale, media sociale deri vonë nuk ka pasur përgjegjësi ligjore për përmbajtjen e materialeve të ndara në to. Gjithashtu ato na lejojnë të lidhemi me njerëz me mendime të përafërta duke na bërë më konservatorë në ato që preferojmë të besojmë. Dhe akoma më e diskutueshme është fakti që mediat sociale përpiqen të na servirin përmbajtje dhe informacione që ata e dinë se na pëlqejnë. Kështu na mban vazhdimisht të angazhuar dhe kjo përkthehet në më shumë të ardhura nga reklamat për ta (Academy of Management, 2019).

Pasoja e gjithë kësaj është që dizinformimi i nxitur dixhitalisht rrezikon të eklipsojë rolin e gazetarisë. Për më tepër që gazetaria e bazuar në informacionin e verifikueshëm nuk do e ketë më garancinë që ka pasur nëse nuk merren masa paraprake për të mos ta manipuluar atë. Kur gazetaria bëhet një vektor për dizinformim, kjo zvogëlon më tej besimin e publikut dhe promovon pikëpamjen se nuk ka dallim midis qëllimit të gazetarisë nga njëra anë, dhe fushatave të dizinformimit nga ana tjetër (UNESCO, 2018). Është detyrë e vetë gazetarëve të filtrojnë këto lajme. Ata duhet të ndajnë të vërtetën nga e pavërteta duke fuqizuar demokracinë në shoqëri e cila varet drejpërdrejt nga saktësia e informacionit që qarkullon në media dhe mes qytetarëve.

Po si mund të veprohet për të adresuar problematikën e lajmeve të rreme? Veprimet e ndërmarra nga platformat e mediave sociale drejtohen nga bindje kontradiktore. Nga njëra anë, ata ndoshta nuk kanë dëshirë të luftojnë lajmet e rreme, sepse kjo do të thotë të humbasin një pjesë të të ardhurave të tyre; në të njëjtën kohë ajo shton kosto të monitorimit, identifikimit dhe filtrimit të lajmeve të rreme. Nga ana tjetër, ata duhet të merren me reagimet e bëra nga publiku dhe përfaqësuesit e tyre dhe qeveritë në të gjithë botën, të cilat gjithashtu mund të përkthehen në të ardhura të humbura nga prerja e financimeve. Ekziston edhe pyetja se sa larg mund të shkojnë platformat në luftimin e lajmeve të rreme pa u akuzuar për shtypjen e fjalës së lirë (Academy of Management, 2019)

Duke qëndruar te mekanizmat kundër lajmeve të rreme, zgjedhjet europarlamentare në vitin e kaluar na japin një shembull të mirë. “Facebook”, në prag të zgjedhjeve europiane ndërmori një iniciativë për të reduktuar apo shmangur lajmet e rreme dhe dizinformimin. Sipas “Facebook”, kur një fact-checker (kontrollues i vërtetueshmërisë së fakteve dhe lajmeve) e vlerëson një lajm të shpërndarë si fals, ky lajm bie ndjeshëm në lajmet dhe postimet që shfaqen, duke e reduktuar shpërndarjen e këtij lajmi deri në 80%. Faqet që shpërndajnë vazhdimisht lajme të rreme penalizoheshin me reduktim të audiencës së shpërndarjes, duke eleminuar aftësitë e tyre reklamuese dhe financuese. Rrjeti europian i “Facebook” përfshiu 21 organizata partnere me karakter “fact-checker” që operonin në 14 gjuhë të ndryshme europiane (Euractiv, 2019)

“Lexon gazetat dhe je i keqinformuar, nuk i lexon gazetat dhe je i painformuar”. Duket si një dilemë e denjë për Hamletin e Shekspirit, por në fakt e ka thënë Mark Twain në një kohë kur interneti dhe rrjetet sociale nuk ekzistonin duke kuptuar origjinën e hershme të këtij problemi. Pavarësisht strategjive ndërhyrëse nga vetë rrjetet sociale apo qeveritë, mbetet në dorën e lexuesit për të besuar apo jo një lajm që i serviret.

Irsid Gjondedaj, shtator 2020

* Irsid Gjondedaj është diplomuar për Administrim dhe Politika Sociale pranë Fakultetit të Shkencave Sociale të Universitetit të Tiranës dhe aktualisht po ndjek studimet master për Komunikim për Ndryshim Social dhe të Sjelljes pranë të njëjtit institucion. Më parë ai ka ushtruar funksionin e praktikantit në organizatën “Civil Rights Defenders” dhe “European Movement Albania”. Irsidi është duke punuar në organizatën “Qendra për Zhvillim Komunitar”, e fokusuar në shkrimin dhe menaxhimin e projekteve sociale dhe mjedisore. Fushat e tij të interesit janë të drejtat e njeriut, shoqëria civile dhe media.

Referencat

  Kërko

  Axhenda

26 nëntor 2020 - Seancë plenare e Parlamentit Europian ku eurodeputetët pritet të kenë një mendim zyrtar mbi vendimin e Tribunalit Kushtetues Polak mbi të drejtat e abortit në vend.

********************

25 nëntor 2020  - Dita Ndërkombëtare për Eliminimin e Dhunës ndaj Grave

********************

24 nëntor 2020 - Takimi i kolegjit - Komisioni pritet të miratojë planin e veprimit të BE për barazinë gjinore dhe fuqizimin e grave në marrëdhëniet e jashtme për 2021-2025; planin e veprimit për integrimin dhe përfshirjen  dhe planin e veprimit mbi pronësinë intelektuale

********************

  FJALOR

wordoftheday

Seksion dedikuar shpjegimit të termave të BE-së.

  Na ndiqni ne:

facebook gplus twitter youtube1