E Hënë, 20 Maj 2019
Blue Red Green
  • Buletin Informativ i Lëvizjes Europiane në Shqipëri
Joomla!: Position Home - E Hënë, 09 Prill 2012 07:19
Joomla!: Using Joomla! - E Shtunë, 01 Janar 2011 00:00
Joomla!: Upgraders - E Shtunë, 01 Janar 2011 00:00
Joomla!: The Joomla! Project - E Shtunë, 01 Janar 2011 00:00
Joomla!: The Joomla! Community - E Shtunë, 01 Janar 2011 00:00
Joomla!: Sample Sites - E Shtunë, 01 Janar 2011 00:00
Joomla!: Professionals - E Shtunë, 01 Janar 2011 00:00
Joomla!: Parameters - E Shtunë, 01 Janar 2011 00:00
Joomla!: Joomla! - E Shtunë, 01 Janar 2011 00:00
Joomla!: Getting Started - E Shtunë, 01 Janar 2011 00:00
Joomla!: Getting Help - E Shtunë, 01 Janar 2011 00:00
Joomla!: Beginners - E Shtunë, 01 Janar 2011 00:00

Orbanizmi, sfidë politikëbërjes europiane

orban profileNdërkohë që Angela Merkel fiton nga revista Times, Njeriu i Vitit për 2015, një konkurrent i fortë i saj ishte padyshim Viktor Orban, kryeministri ‘jo-liberal’ i Hungarisë. Si ana tjetër e medaljes së politikës europiane të shekullit të 21 e cila po përballet me krizat jo vetëm ekonomike dhe politike, por edhe morale dhe sociale, Viktor Orban përfaqëson një figurë të kundërt me Merkel përsa i përket ideve dhe qëndrimeve, por jo për sa i përket fuqisë, ndikimit në politikën europiane dhe popullaritetit që gëzon në vendin e tij, si dhe jashtë kufijve të Hungarisë.

Viktor Orban si shumë figura të tjera me ndikim në politikë dhe ideologji nuk ka se si të mos bëhet pjesë e ‘–izmave’ të krijuara për liderët politikë. Ky është një fakt më tepër për ta bërë Orbanin një personazh me rëndësi në arenën politike europiane. ‘Orbanizmi’ është një normë e re e politikëbërjes, e mendimit politik dhe vlerësimit të Europës sot. Orban shumë shpejt po kthehet në model për vende të tjera dhe udhëheqës të partive politike jo vetëm të kahut të djathtë të cilit ai dhe partia e tij i përket, por edhe atij të majtë. Podemos në Spanjë, Torit në Britani të Madhe, Partia e le Pen në Francë janë disa nga ndjekësit e ‘Orbanizmit’. Sipas analistëve të Politico, modeli i Orban është thjesht një tjetër ‘–izëm’ që ngjason si me ‘Putinizmin’, ashtu dhe me ‘Erdoganizmin’, karakterizuar nga nota autoritare, me tipare jo-liberale, por që përsëri mbetet brenda kufijve të normave dhe parimeve europiane aq sa kjo e fundit nuk merr dot masa për ta sanksionuar.

Madje në intervista të ndryshme kryeministri i Hungarisë, nuk e ka problem të shprehet që ‘lidershipi i tij i fortë’ është më i preferuar nga populli hungarez në krahasim me liberalizmin demokratik. Sipas tij ka sisteme që nuk janë as Perëndim, as liberale dhe aq më pak demokraci, por përsëri ato janë të suksesshme. Dhe shembuj të tillë sipas Orban ka mjaft, duke filluar nga Rusia dhe Turqia në kontinentin europian dhe duke vazhduar në Azi, me Kinën dhe Singaporin. Ai duket se është gati të heqë dorë nga pikëpamjet liberale për të drejtuar vendin e tij, pasi për Orban metodat liberale nuk janë e vetmja zgjidhje për zhvillim.

Viktor Orban young 1989I lindur më 31 maj 1963, në fshatin e vogël hungarez Alcsútdoboz, por që në moshën 14 vjeçare do të shpërngulej me familjen e tij në qytetin e vogël Székesfehérvár, ku përfundoi studimet për gjuhësi, i specializuar në anglisht. Në vitin 1983, gjatë studimeve në Universitetin e Budapestit Eötvös Loránd në Fakultetin Juridik, ai do të ishte mjaft aktiv në themelimin e organizatave të ndryshme si dhe të një reviste të shkencave shoqërore ku ishte edhe redaktor. Këto aktivitete arritën kulmin në 1988 ku Orban mori pjesë si bashkë-themelues i Aleancës së Demokratëve të Rinj (Fidesz), Partia që udhëheq Hungarinë sot. Pas kësaj ai do vazhdonte me aktivizimin politik, ku shumë shpejt ra në sy në të gjithë botën perëndimore për angazhimin e tij për një Hungari të pavarur dhe demokratike, dhe si mbështetës i anëtarësimit të Hungarisë në aleancën Euro-Atlantike. Ndryshimi nga një djalë i guximshëm, pro-perëndimor dhe demokratik në një udhëheqës autoritar dhe konservator, i cili kërkon të largohet nga vlerat perëndimore në kërkim të parimeve të tjera ndryshe nga liberalizmi mund t’i bëjnë përshtypje kujtdo por jo atij. Vetë Viktor Orban dhe jeta e tij në një qytet të vogël dhe shumë të mbyllur, me një familje ku figura e babait dominonte dhe dhuna shihej si zgjidhja më e mirë, nuk ishte çudi që Orban të nxirrte herët a vonë tiparet e tij autoritariste. Nga djali rebel me pantallona jeans dhe flokë të gjata, i cilësuar si luftues i lirisë ai sot e pranon si normalitet këtë ndryshim të tij. “Jam 25 vjet më i vjetër. Tani kam 5 fëmijë. Do të ishte e papërgjegjshme nëse unë nuk do të kisha ndryshuar mendimet dhe sjelljet e mia”.

Orban ka qenë deputet që nga zgjedhjet e para të lira pas ndryshimit të regjimit në vitin 1990. Në maj të vitit 1993, ai u zgjodh kryetari i Fidesz. Nën udhëheqjen e tij, partia ndryshoi profilin e saj nga një lëvizje radikale e të rinjve në një parti të moderuar të qendrës së djathtë. Ai u zgjodh nënkryetar i Internacionales Liberale në kongresin e saj të vitit 1992, në Mainz, Gjermani, atëherë anëtar i Komitetit Ekzekutiv. Pas fitores në votimet e vitit 1998, Viktor Orban u bë kryeministri i koalicionit të qendrës së djathtë së Hungarisë. Qeveria ndërmori një sërë projektesh për përmirësimin e standardit jetësor të familjeve, duke rritur ekonominë me programe mbështetëse për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme, si dhe një sistem krediti për studentët e universitetit. Gjatë mandatit të tij ura Mária-Valéria, e cila lidh Hungarinë me Sllovakinë fqinje, që ishte bombarduar në Luftën e Dytë Botërore, u rindërtua nga rrënojat e saj dhe Teatri i ri Kombëtar u ndërtua gjithashtu. Për shkak të një politike ekonomike të suksesshme, rritja e të ardhurave së bashku me një normë të ulët inflacioni solli uljen e deficitit buxhetor dhe të borxhit publik, dhe në mars të vitit 1999 Hungaria ishte gati për tu bërë anëtare e NATO-s si dhe deri në vitin 2002 për t'u bashkuar me Eurozonën.

Rikthimi në pushtet në 2010 pas 8 vitesh në opozitë, ishte ndryshe jo vetëm për Viktor Orban por edhe për kontekstin europian. Bashkimi Europian ishte prekur nga kriza ekonomike e 2008 dhe tensionet e ashpra luftarake dhe politike në Siri dhe Lindjen e Mesme do të sillnin valën e refugjatëve. Ndryshimi i këtij konteksti gjeopolitik ndikoi në strategjinë e Orban dhe modelit që do t’i përshfaqte ai botës. Sulmi terrorist kundër revistës satirike në Francë, Charlie Hebdo do të ishte momenti kur Orban goditii me thirrjet e tij kundër refugjatëve, se duheshin ndaluar emigrantët jo të krishterë të vinin në Europë, pasi myslimanët sjellin terrorizmin dhe kërcënojnë Europën. Ishte e pamenduar që udhëheqësi i një vendi anëtar të Bashkimit Europian, që është parë gjithmonë si një bashkësi vlerash, parimesh për paqe, barazi dhe solidaritet të dilte me këto deklarata. Por Viktor Orban ishte i bindur në ato që thoshte dhe i gatshëm ta vazhdonte luftën e tij shpeshherë të cilësuar ‘ksenofobe’, për të tjerë ‘nacionaliste’ dhe ‘radikale’. Madje ai doli dhe vetë kundër liberalizmit: “Është fundi i epokës liberale” - do të deklaronte Orban, -“Dhe është momenti që mendimi kombëtar i krishterë të rifitojë fuqinë e humbur, jo vetëm në Hungari, por në të gjithë Europën”. Këto deklarata u shoqëruan me politika dhe veprime nga Kryeministri i Hungarisë, që në pak kohë do të kishte ndjekës edhe vende të tjera të ish-bllokut komunist si Republika Çeke, Sllovakia dhe Rumania. Ato do të shpreheshin kundër vendosjes së kuotave dhe pranimit të azilkërkuesve myslimanë dhe Hungaria madje do të fillonte ndërtimin e një muri të vërtetë, në zemër të Europës së Bashkuar.

Muri me tel elektrik i ngritur në kufirin e Hungarisë me Serbinë e më vonë me Kroacinë, ndau debatin në Europë mes atyre që diskutojnë se si t’i akomodojnë valën e refugjatëve dhe atyre që shohin se çfarë zgjidhjesh mund të përdoren për t’i ndalur ata. Ndërkohë që Merkel se bashku me Gjermaninë i uroi atyre mirëseardhjen duke hapur kufijtë në mënyrë të njëanshme në shtator të 2015, për Orban ky veprim ishte thjesht një ‘Imperializëm Moral’. Për të ndalimi i emigrantëve do të thotë mbrojtje e kufijve, dhe mbrojtja e kufijve është një përgjegjësi kombëtare. “Unë nuk besoj në një zgjidhje europiane”, - u shpreh ai në një konferencë në qershor të 2015. Këto ishin fjalët e një personi që 25 vite më parë kishte luftuar për rrëzimin e Murit të Berlinit, simbolit të ndarjes së Europës në dy pole të kundërta në një kohë që vendet e ish-Bllokut Sovjetik, përfshirë dhe Hungarinë po luftonin aq fort për arritjen e ëndrrës europiane.

wall in hungaryNdërtimi i Murit për të ndaluar rrjedhën e refugjatëve, u shoqërua me veprime të tjera brenda vetë vendit hungarez, reklama të mëdha me shprehje nacionaliste dhe deri diku raciste u shfaqen ne rrugët e vendit: “Nëse vjen në Hungari, ti duhet të respektosh kulturën tonë” apo të tjera si: “Populli vendosi, ne duhet të mbrojmë vendin tonë”.

Lufta kundër emigrantëve, shfaqi një tjetër karakteristikë të Viktor Orban, atë të liderit të krishterë që shpëton Europën, fatin, vlerat, dhe kulturën e saj. Krishterimi është një tipar jo karakteristik për Orbanin e ri, por duket që gjatë rritjes dhe pjekjes në moshë dhe politikë ai filloi të zhvillonte dhe ushqente pikëpamjet dhe besimin e krishterë. Si shumë nga bashkatdhetarët e tij, në një Hungari komuniste Orban u arsimua si një ateist. Por me ardhjen në politikë ai e ka përdorur më së miri të kaluarën e krishterë të Hungarisë për të nxitur mbështetjen për qeverinë e tij dhe për të krijuar një ndjenjë uniteti në mesin e mbështetësve të tij. Një sistem i ri i financimit ka lejuar shkollat në pronësi të kishës të shtohen që nga viti 2011. Hungaria gjithmonë e ka vlerësuar veten si bastion i fundit i krishterimit në Europë përgjatë historisë, dhe me Orban duket se në këtë krizë të shekullit të 21 ata përsëri kanë detyrën për të mbrojtur krishterimin dhe vlerat perëndimore në një kohë që vetë Perëndimi është larguar dhe i ka harruar ato. Për më tepër, që nga viti 2012, kushtetuta e vendit ka njohur zyrtarisht ‘rolin e krishterimit në ruajtjen kombëtare’. Formulimi i Kushtetutës nuk lë asnjë dyshim se myslimanët dhe njerëzit me besime të tjera fetare mund të tolerohen, por jo domosdoshmërisht janë të mirëpritur në Hungari.

Për sa i përket ligjeve, ai është kontroversal në shumë prej tyre. Jo vetëm ligji i nxjerrë për vendosjen e gjendjes së emergjencës, mobilizimi i rezervave ushtarake dhe trajtimit të kalimit të kufirit në mënyrë të paligjshme si një krim që do dënohet deri në disa vjet burgim. Gjatë periudhës së tij në pushtet shumë ligje konservative kanë qenë kundër parimeve të demokracisë dhe lirisë. Kjo ka çuar që Orban të marrë epitete të tjera si ‘Viktator’ (bashkim i emrit të tij Viktor me Diktator), ku pas kalimit të ligjit elektoral që përgjysmoi numrin e deputetëve në dhjetor 2011, mijëra protestues e thërrisnin atë ‘Viktator’. Vetë përshëndetja e Presidentit të Komisionit Juncker ‘Përshëndetje Diktator’, nuk e turbulloi aspak Orbanin, i cili duke buzëqeshur tregoi që dhe ai kishte një epitet për Kryekomisionerin europian, që ishte: “Duka i Madh”. Vetëm në 2013 Gjykata Kushtetuese do të pezullonte ligjin elektoral, me arsyen që kufizonte të drejtën e votuesve. Rrezikimi i demokracisë dhe informacion shqetësues vjen dhe nga raporti i fundit i Transparency International mbi Indeksin e Perceptimit të Korrupsionit. Sipas ekspertëve në këtë raport Hungaria përmendet si një nga vendet që është ulur në pikë dhe ku niveli i korrupsionit është rritur ndër vite. Hungaria së bashku me vende të tjera europiane si Spanja apo Turqia vlerësohen si vende ku lufta kundër korrupsionit është përkeqësuar, ndërkohë që hapësira e shoqërisë civile dhe demokracisë fillon dhe ngushtohet. Problem kyç vlerësohet sidomos liria e medias.

Dhe në fakt ligji më problematik në Hungari është ai i medias, ku shumë shpejt do të ndiqej edhe nga homologu i tij në Poloni, Jaroslaw Kaczynski i cili që në 2011 e ka quajtur Modelin Budapest si një frymëzim për Partinë e tij Ligj dhe Drejtësi. Ngritja e Këshillit të Medias, një organizëm i ri që ka shumë pushtet në duar duke përfshirë dhe kompetencën për të dhenë licenca ose për të vendosur gjoba subjekteve mediatike, i vendos këto të fundit në një presion të madh. Vetë media publike, TV shtetëror dhe rrjeti radiofonik u centralizua duke u vendosur në një kontroll të fortë të qeverisë. Ky ligj solli shumë pakënaqësi dhe protesta jo vetëm nga populli hungarez dhe përfaqësues të medias në Hungari, por edhe nga përfaqësues të Bashkimit Europian. Por ndryshe nga rasti i Polonisë që BE vazhdoi me masat për mbrojtjen e shtetit ligjor, Hungaria nuk e ka ndjerë presionin e BE-së dhe sanksionet e saj. Arsyet mendohen të jenë disa duke përfshirë faktin që Partia qeverisëse Fidesz është pjesë e një grupi mjaft të rëndësishëm në Parlamentin Europian, Partia Popullore Europiane, dhe shumë veprime ‘të parregullta’ mbulohen dhe mbrohen nga ky grup. Arsye tjetër sipas analistëve lidhet dhe me faktin që Hungaria për BE-në mbetet një vend i vogël dhe pa shumë peshë politike.

Një problem tjetër lidhet me shkurtimin e financimeve ndaj medias, nga njëra anë qeveria e Orban po financon agjenci të ndryshme shtetërore duke injoruar median. Nga ana tjetër rregulli i 2014 për të vendosur një takse progresive mbi reklamimin në media ishte një goditje e rëndë. Sipas llogaritjeve vlera e kësaj takse shkon sa gjysma e fitimit nga shitja e reklamave. Për më tepër vendosja e ligjeve të tjera të forta si dënimi me burg për gazetarët në raste denoncimesh të paverifikuara apo shpifjesh dhe ndryshimi i lirisë së informacionit e ka bërë të vështirë punën e gazetarit në Hungari. Liria e medias dhe media kritike në Hungari mungon, kjo u vu re edhe në zgjedhjet e 2014 ku tre nga pesë kanalet kryesore të televizionit hungarez mbajtën një qëndrim të hapur favorizues ndaj partisë Fidesz dhe Viktor Orban, shkruhet në raportin e OSBE-së në Hungari. Kjo nuk do të thotë që gazetarët arrestohen apo kërcënohen nëse shkruajnë artikuj kundër qeverisë. Por metoda që përdoret është stigmatizimi negativ duke u cilësuar si jo kombëtarë, tradhtarë të vendit që janë kundër zhvillimit të tij. Të gjithë kanë të drejtë të shkruajnë çfarë të duan dhe janë të lirë të mendojnë si të duan për Orban dhe punën e qeverisë së tij, por problemi është që pasojat që vijnë më pas nuk janë gjithmonë pozitive, pasi presioni politik dhe ekonomik kundër medias mbetet mjaft i madh. Nuk mungojnë raste ku gazetarë që publikojnë njoftime apo raporte mbi situata korruptive që prekin kryeministrin dhe qeverinë e tij, ata më pas pushohen apo largohen nga vendi i punës. Në fund të ditës një media mund te jetë shumë kritike, por rëndësi ka sa ka mundësi zëri kritik dhe mendimi ndryshe të dëgjohet nga populli dhe njerëzit. Për mediat anti-qeveri në Hungari ky zë nuk arrihet dot më shumë se nga 10 % e të gjithë opinionit publik. Shumica vazhdon të përballet vetëm me median pro qeveritare, duke u ndikuar shumë nga lajmet që japin një pasqyrim pozitiv te ngjarjeve politikave dhe veprimeve të qeverisë në Hungari.

Ndërkohë që liberalizmi dhe Perëndimi e kanë zhgënjyer Viktor Orban, ai sheh si zgjidhje dhe mbrojtje tëputin winking orban krishterimit aleancat me lindjen e Europës dhe kryesisht me Rusinë, edhe pse marrëdhëniet Hungari-Rusi nuk kanë qenë gjithmonë lineare dhe të thjeshta për tu përcaktuar. Ndërsa Orban kritikonte sanksionet që BE i imponoi Rusisë gjatë krizës në Ukrainë, në dhjetorin e 2014 ai pësoi një goditje të rëndë kur Rusia anuloi planet e saj për tubacionin e gazit së Rrjedhjes së Jugut, një projekt i mbështetur nga Orban edhe pse në kundërshtim të BE-së. Në një kohë që e gjithë pjesa tjetër e Perëndimit kërkonte ta shmangte Vladimir Putin, Kryeministri hungarez nuk ngurroi ta ftonte atë për një vizitë në Hungari në shkurtin e 2015. Orban gjithashtu ka ndjekur shembullin e zotit Putin në konsolidimin e fuqisë brenda vendit të tij. “Çështja është shumë e qartë,-“ u shpreh ai në një intervistë, - “pa rusët është e pamundur për të menaxhuar drejtë të ardhmen e hungarezëve. Pra, ne duhet të kemi një marrëdhënie të mirë dhe të ekuilibruar me rusët. Unë kam një vizion më të gjerë sepse unë mendoj se ne kemi nevojë për një zonë të tregtisë së lirë nga Lisbona në Vladivostok, që do të thotë se Bashkimi Europian ka një strategji ku rusët kanë një vend të caktuar në të.” 

Viktor Orban, politikani që po formëson një mendim konservator politik dhe jo liberal në Europë, e ka një pikë të dobët dhe ai është futbolli. Meqënëse në rininë e tij ai ka qenë një futbollist profesionist, interesimin ndaj futbollit e ka shprehur në mënyra të ndryshme, duke filluar me financimet e mëdha ndaj futbollit dhe akademisë kombëtare në Hungari deri tek ndërtimi prej 20 milion $ i një stadiumi me 4 mijë vende, në fshatin e tij të lindjes që ka 2 mijë banorë. Por edhe në raste të rëndësishme dhe të rënda krize, si në situatën kaotike të krijuar në Stacionin e trenit në Budapest, ku mijëra refugjatë po marshonin në këmbë drejt Austrisë, për Orban kishte më shumë rëndësi të ishte i pranishëm në ndeshjen e futbollit Hungari-Rumani që po zhvillohej në Stadiumin e Budapestit. Lajmi i mirë për Orban është që kombëtarja e Hungarisë arriti të kualifikohej pas një mungese 30 vjeçare në Kampionatin Europian që këtë herë do të zhvillohet në Francë. Mbase afrimi i kombëtares hungareze të futbollit me Europën, mund të ndikojë pozitivisht edhe në politikën e Orban për të rivlerësuar dhe një herë vlerat dhe parimet europiane.

                                                                                                                 Stafi i EuroSpeak, prill 2016

 

  Kërko

  Axhenda

7 maj – Avokati i Popullit do të zhvillojë një leksion në Central European University lidhur me të ardhmen e Europës
8 maj – Mogherini në Tiranë, do të marr pjesë në Samitin për Procesin Brdo–Brijuni
8-10 maj – Aktiviteti Democracy Table, që organizohet nga European Movement International, do të zhvillohet me datën 8 në Berlin, me 9 në Varshavë dhe 10 në Kopenhagen. 
9 maj- Përvjetori i Deklaratës së Shcuman-it
          -Takimi i 27 lidërve në Sibu, Rumani                                                                                                  10 maj – Komisioni Europian për Çështjet Ekonomike dhe Sociale do të organizojë tavolinën e rrumbullakët me temë: Deepening democracy: Building more Europe, ku do të ketë në fokus Integrimin Europian

  FJALOR

Komiteti Europian i Sindikatave për Arsimin (ETUCE)

ETUCE përfaqëson 132 Sindikata në 51 vende/shtete europiane, përfshirë këtu dhe Shqipërinë, dhe ka në total 11 milion persona - staf arsimor në të gjithë Europën. ETUCE është partneri social i mësuesve në nivel Europian dhe mbrojtës i interesave të tyre në Komisionin Europian. E themeluar më 1977, ETUCE është e përbërë nga sindikata kombëtare të mësuesve dhe personel të të gjitha fushave dhe niveleve të arsimit duke filluar nga edukimi i përgjithshëm, arsimi profesional dhe trajnimi, si dhe arsimi i lartë apo kërkimi shkencor.

  Na ndiqni ne:

facebook gplus twitter youtube1