E Premte, 19 Korrik 2019
Blue Red Green
  • Buletin Informativ i Lëvizjes Europiane në Shqipëri
Joomla!: Position Home - E Hënë, 09 Prill 2012 07:19
Joomla!: Using Joomla! - E Shtunë, 01 Janar 2011 00:00
Joomla!: Upgraders - E Shtunë, 01 Janar 2011 00:00
Joomla!: The Joomla! Project - E Shtunë, 01 Janar 2011 00:00
Joomla!: The Joomla! Community - E Shtunë, 01 Janar 2011 00:00
Joomla!: Sample Sites - E Shtunë, 01 Janar 2011 00:00
Joomla!: Professionals - E Shtunë, 01 Janar 2011 00:00
Joomla!: Parameters - E Shtunë, 01 Janar 2011 00:00
Joomla!: Joomla! - E Shtunë, 01 Janar 2011 00:00
Joomla!: Getting Started - E Shtunë, 01 Janar 2011 00:00
Joomla!: Getting Help - E Shtunë, 01 Janar 2011 00:00
Joomla!: Beginners - E Shtunë, 01 Janar 2011 00:00

Guy Verhofstadt: Negociatori i Brexit dhe Eurodeputeti që beson te Shtetet e Bashkuara të Europës

63d213d5372067a1a54e83931a14ad27Tashmë duket se Brexit është një fakt i kryer dhe një vendim i pakthyeshëm, ndaj dhe Bashkimi Europian është angazhuar me këtë çështje me vëmendjen e duhur, duke zgjedhur tashmë dhe krye-negociatorët për institucionet e BE-së. Për Parlamentin Europian, i përzgjedhuri është Eurodeputeti belg, Guy Verhofstadt. Një figurë jo pak e njohur ajo e Verhofstadt sa i përket rolit të tij në BE, vjen këtë herë në rubrikën “Profil”, në sajë të përzgjedhjes që i është bërë për të qenë pjesë e bisedimeve me Britaninë e Madhe për daljen e saj përfundimtare nga Bashkimi Europian. Por kush është politikani belg i BE-së, Guy Verhofstadt?


Guy Verhofstadt, është lideri karizmatik i grupit ALDE (Aleanca e Liberalëve dhe Demokratëve për Europën) në Parlamentin Europian. I diplomuar për Drejtësi në Universitetin Shtetëror të Ghentit dhe me një karrierë të gjatë politike, politikani belg është shumë popullor dhe i njohur në të gjitha hapësirat e BE-së, në veçanti për fjalimet e tij të apasionuara në favor të krijimit të një federate të vërtetë europiane. Madje për të mbështetur dhe analizuar më mirë këtë ide ai ka publikuar edhe një libër në 2006 të titulluar “Shtetet e Bashkuara të Europës”

Verhofstadt ka qenë Kryeministër i Belgjikës për gati dhjetë vite: duke filluar nga viti 1999, në moshën 46 vjeçare. Para se të emërohej si i tillë, ai ka shërbyer si kryetar i partisë së tij politike për disa vite (Partia për Liri dhe Përparim dhe pastaj në atë tëLiberalëve dhe Demokratëve të Hapur Flamandë). Karriera e tij politike numëron një sërë postesh të mbajtura si në organet e qeverisjes lokale, duke qenë kështu Anëtar i Këshillit Bashkiak të qytetit të Ghentit për më shumë se 33 vite, nga viti 1976 deri më vitin 2009, ashtu dhe në qeverisjen qendrore duke mbajtur postin e Zëvendës Kryeministrit, dhe më vonë atë të Ministrit për Buxhetin.
Sa i përket posteve të tij në institucionet e BE-së, Verhofstadt ka qenë President i Këshillit të Bashkimit Europian, më pas Anëtar i Parlamentit Europian si dhe Kryetar i grupit ALDE për periudhën 2009-2014. Përvoja e tij e gjatë si lider i një partie politike shpjegon qartë se pse ai ka qenë në krye të grupit liberal në Parlamentin Europian. Gjatë qeverisjes së tij në Belgjikë, ai solli një frymë të re në politikën e vendit duke e bërë atë vendin e dytë në botë për pranimin e martesave të homoseksualëve dhe legalizimin e eutanazisë.
Fusha ekonomike gjithashtu pësoi ndryshime të mëdha, gjatë qeverisjes së tij, pasi uli në mënyrë drastike taksat mbi të ardhurat dhe taksat për sipërmarrësit. Rritja ekonomike në Belgjikë u rrit përtej asaj që pritej me një rënie të borxhit publik belg nga 114% të PBB-së në 84%.

Pasi u largua nga detyra e kryeministrit, Verhofstadt u zgjodh kreu i grupit të Liberalëve dhe Demokratëve në Parlamentin Europian. Për pesë vitet e fundit, ai ka qenë një kampion i pandalur i reformës brenda BE-së,duke vënë shpesh herëtheksin në marrjen e shpejtë të vendimeve dhe më shumë përqendrim në detyrat thelbësore të BE-së.

I nominuar edhe si President i i Komisionit Europian, Verhofstadt është shprehur :"Programi politik që kam përshkruar si kandidat për Kryesinë e Komisionit përmban të gjithë përbërësit kryesorë për një axhendë të re politike që do të vendosë Europën në rrugën drejt rritjes. Ne nuk kemi nevojë për një super BE, por ne kemi nevojë për një Europë që punon dhe që fokusohet më tepër në ato pika që mund të kenë vlerë të vërtetë.”

Reformimi i BE-së si zgjidhje për sfidat

Verhofstadt është shprehur për reformimin e thellë e të menjëhershëm të BE-së në mënyrë që ajo të mund të përqendrohet në çështjet e mëdha dhe t’i japë votuesve një drejtim për të ecur përpara. Ai gjithashtu beson se liritë civile nuk mund të merren si të mirëqena dhe se ne duhet të luftojmë për to. Ai ka qenë ministri i dytë në mbarë botën që prezantoi martesën e homoseksualëve dhe paralajmëroi që në 2009 se terrorizmi nuk duhej të ishte një justifikim për të cenuar të drejtat themelore. Sa i përket reformimit të institucioneve, Verhofstadt beson se ato duhen reformuar tërësisht duke i bërë më efektive, gjë e cila mund të ndodhë vetëm me anë të një Europe të reformuar dhe më efikase për të rimarrë sovranitetin në botën e globalizuar në të cilën jetojmë.

221477659Anëtari i Parlamentit Europian shprehet se konservatorët besojnë se institucionet e BE-së janë ato që janë dhe duhet të menaxhohen ashtu siç janë, pa reforma ambicioze. Kjo letargji ushqen një pakënaqësi të madhe ndaj institucioneve të BE-së edhe më tej. Socialistët bëjnë të njëjtin gabim duke mos dashur të reformojnë institucionet e BE-së, por duke zgjeruar burokracinë. Ata preferojnë të shtojnë shtresa të tjera të qeverisë, në vend që të bëjnë ato ekzistueset më efektive.

Mesazhi i Verhofstadt ndaj liderëve europianë ka pasur gjithmonë në fokus reformimin e pashmangshëm të BE-së. Kjo gjë vihet re dhe në qëndrimet e tij ndaj sfidave të ndryshme të Unionit. Në një seri artikujsh për luftën në Siri dhe sulmet terroriste në Europë, të botuar në të famshmen “The Guardian”, Verhofstadt paraqet kritikat e tij ndaj BE-së dhe dështimit të saj për të menaxhuar krizën në Siri. “Marrëveshja bërthamore e Iranit ka treguar se çfarë mund të arrijë Bashkimi Europian, kur vepron me një zë dhe angazhohet në kompetenca të tjera globale”- shprehet politikani belg. Por sipas tij, është e pabesueshme se si Bashkimi Europian, si një rajon fqinj, dhe si me më shumë gjasa për t'u prekur negativisht nga një konflikt i tillë i shkallëzuar, nuk ka arritur të akordojë një qëndrim të përbashkët mbi krizën siriane. Kjo nënkupton fillimin e një përpjekjeje për të gjetur një zgjidhje që mund të sjellë fundin e konfliktit katër-vjeçar në Siri. Po në këtë kuadër, anëtari i Parlamentit Europian ka shprehur jo pak herë dhe shqetësimin e tij sa i përket efektshmërisë së shërbimeve të sigurisë në BE, duke pasur parasysh sulmet e shumta terroriste në disa kryeqytete europiane. Ai sugjeron se shërbimet e sigurisë të BE-së duhet të bashkëpunojnë më shumë, pas mungesës së një agjencie europiane të aftë tëshkëmbimit të inteligjencës.

Çështja Brexit dhe Verhofstadt si negociator për Parlamentin Europian

I caktuar më 8 shtator 2016 si negociatori kryesor i Parlamentit Europian, në bisedimet mes Bashkimit Europian dhe Britanisë së Madhe, për daljen e kësaj të fundit nga Unioni, Verhofstadt është shprehur se duke humbur argumentet ekonomike për të dalë nga Bashkimin Europian, fushata gjithnjë e më e dëshpëruar e Britanisë u duk si një mit apokaliptik mbi pasojat e një votimi për të qëndruar. Ai do të bashkërendoje këtë detyrë, ndërkohë që bisedimet priten të fillojnë në 2017, me përfaqësuesin e Këshillit Europian, Didier Seeuws, dhe ekspertin e financave, Michel Barnier si përfaqësues i Komisionit.

Guy Verhofstadt do të duhet të raportojë mbi progresin e bisedimeve dhe negociatave në Parlament, te kolegët e tij, si dhe do të jetë aktori kryesor që do të formësojë pozicionin e Parlamentit në këtë çështje. Gjithsesi është e rëndësishme të vlerësohet se roli i Parlamentit Europian, nuk ka gjasa të jetë më i madh se sa pushteti dhe roli që pritet të ketë Këshilli dhe Komisioni, që do të mbajnë edhe peshën kryesore gjatë bisedimeve të Brexit.

Kjo vjen për shkak se deputetët edhe pse do të japin vendimin e tyre duke refuzuar apo pranuar marrëveshjen, ata nuk kanë të drejtë ta amendojnë atë, shkruan Politico. Kulmi i negociatave do të jetë pa dyshim te diskutimet mes qeverive kombëtare, pasi ato do të jenë më të interesuarat për të shqyrtuar me kujdes të gjithë procesin, duke dhënë kështu edhe vendimet thelbësore dhe rol qendror të Këshillit dhe Komisionit.

Qëndrimi i Verhofstadt para Referendumit të Brexit

Verhofstadt njihet si një federalist i thekur, me dëshirën për një Europë Federale dhe mbështetës i fuqishëm i katër lirive themelore të tregut, që sipas tij përbëjnë shtyllën e të gjithë BE-së. Ndërkohë që Cameron hodhi idenë për një referendum për daljen e Britanisë së Madhe nga BE, politikani belg u caktua si negociator për këtë çështje. Gjithsesi gjatë periudhës që Brexit ishte thjesht një ide në letër, ai nuk ka hezituar të japë mendimet dhe komentet e tij kundër këtij referendumi.

Duke kritikuar këtë vendim nga ana e kryeministrit të atëhershëm britanik Cameron, ai shprehet në 2013 se Brexit është diçka e paarsyeshme për një vend që eksporton 53% të produkteve në kontinentin europian. Gjithashtu sipas tij është edhe më e paarsyeshme që as miku më i mirë i Britanisë, Shtetet e Bashkuara të Amerikës nuk e kupton këtë gjë. Nga ana tjetër ai njihet si një kundërshtuesi fortë i Nigel Farage, liderit të Partisë nacionaliste në Britani, UKIP duke deklaruar se të vetmit fitues nga Brexit do të jenë Farage dhe presidenti rus, Vladimir Putin.

Në një artikull të tij botuar në “The Guardian” ai arsyeton pse Britania e Madhe duhet t’i thotë jo daljes së BE-së në referendum dhe se dalja e Britanisë nga BE do të kënaqte vetëm Vladimir Putin dhe Rusinë. Sipas tij asnjë nga argumentet për daljen nga Eurozona të dhëna nga UKIP dhe euroskeptikë të tjerë nuk qëndrojnë, duke e cilësuar fushatën pro daljes si një fushatë që kërkon dëshpërimisht arsye. Edhe pse ata përdorin ekonominë në recension të BE-së dhe krizën financiare si një nga arsyet pse Britania duhet të dalë, Verhofstadt arsyeton se kjo nuk mund të jetë arsye e mbështetur mirë, ku vë re se në 7 vendet më të zhvilluara të botës, bëjnë pjesë shtetet anëtare si Gjermania apo Italia. Argumenti tjetër i sjellë nga UKIP dhe të tjerë pro daljes, ka qenë edhe frika se BE do të zgjerohet drejt Turqisë. Por për Verhorfstatd nuk është e vështirë të kuptohet që ky proces do një kohë të gjatë që të bëhet realitet.

Nga ana tjetër ai shprehet se Rusisë do t’i leverdisë kjo dalje, pasi BE do të dobësohet dhe do të rrezikojë madje shformimin. Dalja e Mbretërisë së Bashkuar nga BE, do ta dobësojë këtë të fundit nga aspekti gjeopolitik dhe ushtarak. Gjithashtu do të ndikojë që parti të tjera nacionaliste dhe anti-BE të rrisin forcën dhe besimin se mund të kërkojnë të njëjtën referendum dhe në shtetet e tyre përkatësesanksionet ndaj Rusisë mund të zbehen pasi Britania është një nga avokatët më të fortë për t’i mbajtur dhe vazhduar këto sanksione. Dhe mund të dështojë strategjia europiane për një energji të pavarur nga Rusia. Sipas tij liderë si Farage dhe Le Pen duan dhe mbështesin Rusinë, dhe gjeja e fundit që BE duhet të bëjë është që të harxhojë kohë të vlefshme me takime me Cameron për çështjen Brexit, ku tema më të rëndësishme janë në fokus për t’u zgjidhur si kriza e refugjatëve, kërcënimet e sigurisë apo ekspansioni rus.

Ndërkohë që argumentimi i tij ndaj Rusisë dhe Farage mund të jetë i saktë, ai duket se gaboi kur besoi se populli britanik nuk do të jetë aq ‘i marrë’ sa të votojë pro daljes së Brexit duke hequr dorë nga anëtarësimi në BE, duke u shprehur se: ”qytetarët britanikë e dinë mjaft mirë që Mbretëria e Bashkuar pa BE-në është si një xhuxh në arenën ndërkombëtare.”

Përsëri Brexit ndodhi…

23bbef0d0cfaad7ceeba3aca1af5c288Si një kundërshtar i flaktë i shkëputjes së Britanisë nga BE-ja, Verhofstadt beson se këto bisedime do të jenë të vështira për Britaninë. Ndërkohë ai kundërshton idenë që ajo të vazhdojë të ketë akses në tregun e vetëm të BE-së, edhe pse nuk është e gatshme të respektojë katër liritë themelore të tij.

Gjithashtu duket se çështja është bërë edhe pak personale, pasi Verhofstadt nuk ka hezituar të kritikojë ashpër dy figura të rëndësishme britanike të fushatës Brexit: Sekretarin e Punëve të Jashtme, Johnson dhe atë të Tregtisë së Jashtme, Fox. Në një status të postuar në një nga rrjetet sociale Guy Verhsofstadt shprehet ndër të tjera:

Johnson tani premton se do të mbështesë anëtarësimin e Turqisë në BE, edhe pse një nga pikat kryesore të fushatës Brexit ishte pikërisht fakti që BE rrezikon të zgjerohet nga Turqia dhe lindja. Nga ana tjetër Fox, ministri i tregtisë dhe sekretari për Tregtinë e Jashtme premton që BE dhe Britania e Madhe do të nënshkruajnë një marrëveshje ‘ambicioze’ edhe pse një nga arsyet për t’u shkëputur ishte pikërisht tregu dhe detyrimet financiare të vendosura nga BE.

Ndërkohë që marrëdhënia mes një federalistit si Verhofstadt dhe nacionalistëve dhe euroskeptikëve si UKIP s’ka qenë asnjëherë e ngrohtë, duket se Brexit e ka ngrirë, pasi Verhofstatd nuk ka ngurruar t’i quajë Liderët e UKIP, ‘tradhtarë që e lanë anijen të mbytej’.

Nuk mund të pranojmë që Britania të vazhdojë të qëndrojë në tregun unik, kur nga ana tjetër nuk respekton liritë themelore sidomos atë të lëvizjes së lirë të njerëzve. Vendosja e rregullave të forta kundër imigracionit nga ana e ishullit britanik, kundërshton plotësisht parimet dhe liritë ku tregu i lirë dhe BE janë themeluar. Gjatë një fjalimi në Strasburg, më 4 tetor 2016 negociatori për Parlamentin, deklaroi që Mbretëria e Bashkuar do të pranohej të qëndrojë në tregun e përbashkët pa tarifa shtesë, vetëm nëse respekton lëvizjen e lirë të njerëzve. Sipas tij nuk mund të bëhen dallime mes këtyre katër lirive, pasi asnjëra nuk është më pak e rëndësishme se tjera. Ato përbejnë një paketë të plotë që themelojnë Unionin. “Nëse i ndan”-u shpreh ai-“atëherë ti po shkatërron vetë Unionin dhe tregun e tij të brendshëm”.

Si përfundim, sipas Euractiv, Verhofstadt është i shqetësuar dhe kërkon që bisedimet për Brexit të përfundojnë para 2019, vit kur priten dhe zgjedhjet e Parlamentit Europian. “Do të jetë shumë e çuditshme nëse Britania e Madhe do të organizonte zgjedhjet elektorale europiane në 2019. Për ne është e rëndësishme të fillojmë një cikël krejt të ri legjislativ”.

Brexit duhet te jetë një mësim për Europën

Shkëputja e Mbretërisë së Bashkuar nga BE, është një shtysë për eurodeputetin të shprehë pakënaqësitë dhe shqetësimin lidhur me vetë BE-në. Brexit ndodhi sipas tij, pasi BE po dështon dhe problematikat e saj janë të shumta. “Qytetarët nuk votuan kundër Europës, ata votuan kundër kësaj Europe”- deklaron ai në një nga debatet në Parlamentin Europian, fill pas Referendumit bën të ditur OpenEurope. “Po ecim drejt një shkatërrimi, drejt rrezikut për 27 referendume të tjera për t’i dhënë fund Bashkimit Europian. Ka ardhur koha të mos jemi më naivë. Një reformë në Union është e nevojshme. Unioni duhet të ndryshojë ose do të vdesë”. Ky reagim shfaq si dëshirën e tij për një Europë të bashkuar, për atë që ai e quan ‘më shumë Europë’ dhe zhgënjimin e tij për Brexit. “Vota pro Brexit është një tërmet politik. Kur do ta kuptojnë qeveritë e BE-së se kjo Europë nuk mund të mbrohet më? Një projekt i ri duhet të prezantohet te qytetarët” – është shprehur ai në korrik të 2016.

Problemi tjetër është që Europa apo BE nuk ka një plan dhe një vizion për sa i përket bisedimeve me Britaninë e Madhe dhe cila është marrëdhënia që do të krijohet në të ardhmen pas shkëputjes përfundimtare. E vetmja gjë e sigurt sipas tij është se “Duhet të jetë Britania ajo që duhet të vijë pikë së pari me një propozim për shkëputjen e së dyti, për marrëdhënien e re me BE-në , dhe vetëm atëherë do të fillojë procesi i negociatave”. Sipas Verhofstadt nuk i takon BE-së të fillojë t’i tregojë Mbretërisë së Bashkuar se çfarë duhet të bëjë.

Pakënaqësi ndaj emërimit të tij

Ndërkohë që Guy Verhofstadt nuk ka hezituar të shprehë opinionet dhe emocionet e tij në lidhje me Brexit, ku ndër të tjera ka kritikuar ashpër aktorët e tij kryesorë, duket se ka bërë edhe disa ‘armiq’, ndërsa për disa të tjerë përzgjedhja e tij si negociator i Parlamentit Europian është një lajm i mirë.
Më optimistët nga emërimi i federalistit, janë përfaqësuesit e Skocisë. Tanimë Skocia shpreson në një mundësi për të qëndruar në BE, dhe përzgjedhja e Verhofstadt i rrit këto shpresa sepse ai njihet si një mbrojtës i idesë se Skocia ka të drejtë të qëndrojë në BE, pasi populli skocez votoi pro qëndrimit me 62%.

Por aktorë të tjerë si Nigel Farage, figura kryesore e fushatës anti-Brexit dhe euroskepticizmit e ka cilësuar përzgjedhjen e Verhofstad si “luftë e hapur që BE po i bën Britanisë së Madhe, duke emëruar një fanatik të tillë si negociator. “Nëse ka një nacionalist ai është Verhofstadt, pasi ai ëndërron për flamuj, himne dhe ushtri. Verhofstaftd është një nacionalist i BE-së.” – ka deklaruar Nigel Farage, sipas Telegraph. Farage ka kundërshtuar dhe teorinë e eurodeputetit sa i përket katër lirive të tregut, duke e cilësuar ‘si dogmë’ që mund të dëmtojë më shumë vendet e BE-së sesa vetë Mbretërinë e Bashkuar. Farage e ka vlerësuar zgjedhjen nga Parlamenti Europian një gabim që duhet ta rikuperojë duke gjetur dikë që nuk e urren Britaninë e Madhe për të udhëhequr këto bisedime.

Europa që Verhofstadt dëshiron

Në një intervistë për CafeBabel, i pyetur për çështje të ndryshme me rëndësi që prekin Europën në shumë dimensione, Verhofstadt përgjigjet sinqerisht për tema si rinia, e ardhmja e BE-së dhe roli i tij në politikat europiane.

14502926 10154998642070016 3814077153503581903 nBE është si një klasë me 28 nxënës të cilët duhet të punojnë të gjithë së bashku për të krijuar një union që i mbështet dhe i forcon të gjithë ata. Puna ime në këtë klasë do të ishte të propozoja masa dhe sisteme për të përmirësuar dhe zhvilluar më tej Unionin”,- i përgjigjet ai pyetjes se si do ja shpjegonte fëmijëve se çfarë është BE-ja. Është thelbësore, sipas tij dëshira dhe vullneti për të gjetur zgjidhje, në emër të Europës dhe të merren përgjegjësi për krizat që po ndodhin brenda dhe jashtë saj. Nga ana tjetër ai i jep një rëndësi të madhe rinisë europiane duke kërkuar që të jetë ajo motori për të bashkuar Europën. Duhet të jemi bashkë për të luftuar sfidat dhe për të arritur zhvillimin dhe projektin për më shumë Europë.
                                                                                                                 Stafi i EuroSpeak, shtator 2016

  Kërko

  Axhenda

24-28 qershor – Mbledhja e Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës që shënon dhe 70 vjetorin e organizatës, do të zgjedhë Sekretarin e ri të Përgjithshëm 
25 qershor – GRECO-Organi Anti-korrupsion i Këshillit të Europës publikon raportin e vitit 2018 ku janë mbikqyrur 48 shtete
25 qershor – Presidenti Juncker takon në Bruksel Zuzana Čaputován, Presidenten e re sllovake
27 qershor – Konferenca “Rikthimin në punë i të papunëve prej një kohe të gjatë” paraqet rezultatet e vlerësimit të fundit të 'Rekomandimit për papunësinë afatgjatë'
27-28 qershor - Forumi i 8-të vjetor i Strategjisë së BE-së për Rajonin e Danubit (EUSDR) 
28 qershor-  Dëgjesë publike mbi rolin e mediave në komunikimin e të drejtave të personave me aftësi të kufizuar

  FJALOR

Komiteti Europian i Sindikatave për Arsimin (ETUCE)

ETUCE përfaqëson 132 Sindikata në 51 vende/shtete europiane, përfshirë këtu dhe Shqipërinë, dhe ka në total 11 milion persona - staf arsimor në të gjithë Europën. ETUCE është partneri social i mësuesve në nivel Europian dhe mbrojtës i interesave të tyre në Komisionin Europian. E themeluar më 1977, ETUCE është e përbërë nga sindikata kombëtare të mësuesve dhe personel të të gjitha fushave dhe niveleve të arsimit duke filluar nga edukimi i përgjithshëm, arsimi profesional dhe trajnimi, si dhe arsimi i lartë apo kërkimi shkencor.

  Na ndiqni ne:

facebook gplus twitter youtube1