E Premte, 19 Korrik 2019
Blue Red Green
  • Buletin Informativ i Lëvizjes Europiane në Shqipëri
Joomla!: Position Home - E Hënë, 09 Prill 2012 07:19
Joomla!: Using Joomla! - E Shtunë, 01 Janar 2011 00:00
Joomla!: Upgraders - E Shtunë, 01 Janar 2011 00:00
Joomla!: The Joomla! Project - E Shtunë, 01 Janar 2011 00:00
Joomla!: The Joomla! Community - E Shtunë, 01 Janar 2011 00:00
Joomla!: Sample Sites - E Shtunë, 01 Janar 2011 00:00
Joomla!: Professionals - E Shtunë, 01 Janar 2011 00:00
Joomla!: Parameters - E Shtunë, 01 Janar 2011 00:00
Joomla!: Joomla! - E Shtunë, 01 Janar 2011 00:00
Joomla!: Getting Started - E Shtunë, 01 Janar 2011 00:00
Joomla!: Getting Help - E Shtunë, 01 Janar 2011 00:00
Joomla!: Beginners - E Shtunë, 01 Janar 2011 00:00

Antonio Tajani - Një italian si përfaqësues i popullit europian

h 53250507-714x477Dorëheqja e Martin Schulz si President i Parlamentit Europian i hapi rrugën zgjedhjeve të reja për këtë post. Më 17 janar pas katër raundeve, ku garuan 6 kandidatë, Presidenti i ri i Parlamentit Europian u zgjodh kandidati i Partisë Popullore Europiane (EPP) Antonio Tajani. Sipas rezultateve të publikuara nga vetë faqja zyrtare e Parlamentit, vetëm 633 nga 713 vota ishin të vlefshme në raundin final, që do të thotë se 80 Eurodeputetë nuk kanë votuar për asnjë nga kandidatët në garë. Megjithatë, Tajani ia ka dalë të fitojë këto zgjedhje falë 351 votave, në ‘betejën’ me Gianni Pitellën, kandidat i S&D, i cili arriti të grumbullojë 282 vota.


Këto zgjedhje ishin deri diku të paqarta se cili mund të zgjidhej president, por duket se fitorja e sigurt Tajanit i erdhi, vetëm pas negociatave që partia e tij EPP-së bëri me atë të ALDE-s ditën e votimit. Kandidati Guy Verhofstadt i ALDE u tërhoq nga gara, duke i hapur rrugën formimit të një koalicioni me grupin e qendrës së djathtë. Këtë lëvizje të beftë Verhofstadt e komentoi si një mënyrë për t’u siguruar që Parlamenti nuk do të përfundonte në duart e partive të vogla anti-europiane. Duke iu drejtuar Kuvendit për herë të parë si President, Tajani ka falenderuar eurodeputetët për votimin duke u shprehur: "Unë do të jem president i të gjithëve, duke respektuar të gjitha grupet.” Presidenti i ri ka pohuar se ai nuk do të ketë një axhendë politike apo partiake, pasi programi i tij do të pasqyrojë Parlamentin. Ai gjithashtu ka përsëritur dhe mbështetur prioritetet e Komisionit.

Pavarësisht fitores, duket se Parlamenti këtë herë ishte i përçarë dhe i fragmentarizuar. Kjo duket dhe nga qëndrimet dhe vlerësimet që vetë Eurodeputetët kanë bërë për Presidentin e ri. Ka nga ata që e mbështesin atë, duke e cilësuar si një anëtar besnik të parlamentit dhe partisë së tij, i cili mban marrëdhënie të mira me çdo deputet pavarësisht krahut politik. Philippe Juvin, një anëtar francez i EPP ka shtuar se: "Tajani është një ‘veteran’ në politikën europiane. Ai i përket brezit të vjetër dhe ka një farë mentaliteti të ‘prapambetur’ duke u kujdesur më shumë për marrëdhëniet personale me eurodeputetët." Një tjetër kritikë, vjen nga Philippe Lamberts: "Ai nuk do të ketë pompozitetin e Schulz,"- është shprehur deputeti belg i Partisë së Gjelbër, -"Sidoqoftë besoj se ai do të jetë një shërbëtor besnik i koalicionit më te madh politik. Presidenti i Komisionit Jean-Claude Juncker nuk do të ketë shumë shqetësime me Tajanin".

Nga ana tjetër ka dhe nga ata që e cilësojnë atë si një person pa vizion, pa perspektivë dhe pa njohuri. Pra, një figurë që shumë e cilësojnë si e kundërta e ish-presidentit Schulz. “I nderuar z. Tajani, çfarë vlerash ke në mendje? Të njëjtat vlera si z. Berlusconi dhe z. Orban? Vlerat e ndarjes, të marrëveshjeve të dyshimta dhe jo solidaritetit, mungesës së transparencës dhe qasjes së përbashkët europiane?"- është shprehur Tania Fajon, deputetja sllovene e Aleancës Progresive të Socialistëve dhe Demokratëve në një njoftim për shtyp gjatë kohës që po zhvillohej fushata për President. Ajo është shprehur: "Ky nuk është drejtimi në të cilin Europa duhet të orientohet. Gjëja e fundit që ka nevojë institucioni më demokratik i BE-së është modeli i dështuar i një qeverie si ajo e Berlusconit."

"Ne jemi duke zgjedhur një njeri i cili ka këshilluar Berlusconin, vjen nga një vend ku ka një rritje të ndjenjave anti-gjermane dhe u zgjodh nga shumica e [Eurodeputetëve] Mesdhetarë në këtë Kuvend ", ka thënë Sylvie Goulard, një eurodeputet francez nga grupi liberal ALDE, -"Edhe pse ai ka aftësi të qarta sociale, shqetësimi im i madh është se ai nuk do të ndihmojë në ndërtimin e urave, veçanërisht në mes të veriut dhe jugut të Europës."

Kjo është hera e dytë në historinë e Parlamentit Europian që është dashur një ditë e tërë për të zgjedhur një president. Situata nëpër korridoret e PE-së si dhe grupet e ndryshme politike e kanë komplikuar procesin duke e bërë kështu rezultatin të paparashikueshëm deri në minutën e fundit.

Kush është lideri i ri në krye të Parlamentit Europian?

Antonio Tajani lindi më 4 gusht 1953 në Romë, në kryeqytetin e Italisë, ku edhe vazhdoi studimet për drejtësi në Universitetin e La Sapienza. Pavarësisht kësaj, në moshën 21 vjeçare për gati dy vite ai ka shërbyer si oficer në Forcat Ajrore të Italisë, ndërsa pas përfundimit të një kursi për mbrojtjen ajrore ai ushtroi dhe detyrën e Shefit të Zyrës Operacionale për monitorimin e trafikut ajror civil dhe ushtarak për Italinë dhe Europën. Një aktivitet goxha emocionues, apo jo? Përtej një eksperience kaq të veçantë në një moshë vërtet të re, ai ka pasur dhe një karrierë të pasur në gazetari, duke filluar si redaktor në të përjavshmen Il Settimanale dhe më pas si prezantues i lajmeve në Rai Radio 1. Por nuk mbaron me kaq; Tajani, gjithashtu ka shërbyer si korrespondent special në vende jo shumë të sigurta dhe të rrezikshme si në Liban, Bashkimin Sovjetik dhe Somali gjatë periudhës 1983-1987. Për shërbimet në këtë fushë, ai është shpërblyer në vitin 2011 me Çmimin Ndërkombëtar të Gazetarisë “Argil: European Man”. Presidenti i ri i PE-së është edhe një poliglot pasi gjuhët që ai zotëron veç asaj Italiane janë, Anglishtja, Spanjishtja dhe Frëngjishtja.

Antonio dhe “La Politica”

tajani berlusconiEdhe pse sot ai është president i PE-së, si një institucion me themel demokracinë dhe lirinë, në rini duket se prirjet e tij politike dhe ideologjike kanë qenë diametralisht të ndryshme. Është interesant fakti që në moshë të re ai u bë pjesë e Frontit Monarkist Rinor, një organizatë studentore e Partisë Monarkiste të Italisë. Më pas në vitin 1994, ai ka qenë një ndër themeluesit e partisë së djathtë Forza Italia, ku shërbeu dhe si koordinator rajonal në zonën e Lazios, për 11 vite, nga 1994 deri në 2005. Ajo çka e ka bërë atë shumë të njohur ka qenë edhe bashkëpunimi i tij me kryeministrin Berlusconi në qeverinë e tij të parë ku shërbeu si zëdhënësi i tij për rreth një vit. Tajani vazhdoi edhe më tej me karrierën e tij politike në vendin e tij. Pas humbjes në garën për deputet në zonën e Alaltrit, në vitin 2001 ai garoi për postin e kryebashkiakut të Romës, garë në të cilën humbi sërish. Kjo shënon dhe fundin e jetës politike të tij në Itali.

Pavarësisht kësaj, ambicia e tij nuk u ndal me kaq, pasi Tajani tashmë kishte filluar të synonte për një karrierë përtej kufijve italianë. Karrierën e tij në Parlamentin Europian, ai e filloi në vitin 1994 me një mbështetje prej më shume se 120 mijë votash. Gjatë kësaj periudhe, ka qenë dhe Kryetar i delegacionit të partisë Forza Italia në Parlamentin Europian nga 1999 deri në 2008. Tajani ka mbajtur postin e zëvendës kryetarit të EPP-së që nga viti 2002. Gjithashtu, ai është përfaqësuar në disa komitete si ai i Marrëdhënieve me Jashtë, Transportit dhe Turizmit, Peshkimit apo dhe në atë të Sigurisë dhe Mbrojtjes. Në vitin 2014 mori dhe postin e zëvendës Presidentit të Parlamentit Europian.

Periudha më e lavdishme duket të ketë qenë ajo si Komisioner i BE-së për Industrinë gjatë viteve 2010-2014 dhe kjo për shkak të disa qëndrimeve të mbajtura prej tij në lidhje me disa çështje të rëndësishme për BE-në. I pyetur më parë mbi rënien e besimit të qytetarëve europianë tek institucionet e BE-së, Antonio Tajani është shprehur se kjo pakënaqësi është shkaktuar nga kriza ekonomike në të cilën Europa është parë si një forcë politike që kërkon sakrifica. “Ne duhet të ndryshojmë këtë trend dhe gjithashtu të marrim veprime ndaj rezultateve të zgjedhjeve në disa vende europiane, ku Euroskepticizmi dhe një mosbesim ndaj euros, kanë triumfuar deri më tani. Ndaj, politika duhet të ndryshohet në mënyrë që ajo të jetë më e përqendruar në rritjen dhe zhvillimin e ekonomisë reale.”- ka përfunduar ai në intervistën e tij për Vox Europe.

Teksa shfleton të shkuarën e Tajanit si një i ri që aderon në Partinë Monarkiste dhe si deputet prej shumë vitesh i partisë së Berlusconit Forza Italia, të bien në sy disa qëndrime të tij mjaft liberale dhe pro demokratike edhe për vetë institucionet e BE-së. Siç ishte rasti i riemërimit të Barrosos në 2009 si President i Komisionit Europian, kur Tajani ndër të tjera është shprehur se ka qenë në favor të parimit se Presidenti i Komisionit Europian duhet të zgjidhet nga qytetarët e Europës, duke kërkuar më shumë demokraci në menaxhimin e institucioneve europiane. Ndërsa sa i takon rritjes së skepticizmit dhe izolimit të disa prej vendeve anëtare, Tajani ka mbajtur dhe disa qëndrime në lidhje me të ardhmen e BE-së. “Duhet të vazhdojmë të ecim përpara. Ne duhet të vendosim pikëpamjet tona për Shtetet e Bashkuara të Europës. Nëse ne nuk e bëjmë një gjë të tillë, atëherë do të mbetemi të mbërthyer nga rryma. Ky tranzicion do të marrë kohë. Këto janë kohë të vështira për Europën, po 20 vite më parë kush e mendonte se ne do të kishim një monedhë të përbashkët?”

Tashmë në krye të një prej institucioneve më të rëndësishme, vetë ai do të duhet të jetë më i përqendruar në sfidat e njëpasnjëshme të Unionit. Jo dhe aq e lehtë të jesh President i Parlamentit Europian në kohë të vështira si këto...

Po tani, çfarë e pret Antonio Tajanin në drejtimin e PE-së?

MEP-Antonio-Tajani-300x225Antonio Tajani, e merr detyrën e tij në një kohë aspak të lehtë për BE-në, pasi ajo po përballet vazhdimisht me sfida të ndryshme. Në fakt Parlamenti është i vetmi organ i zgjedhur drejtpërdrejt në mesin e listës që përfaqëson Bashkimin Europian, por ai shpesh lufton për të fituar rëndësinë që meriton. Kjo gjë vihet re edhe në rastin kur i sapozgjedhuri President i PE-së, Tajani u harrua menjëherë pasi gjithë vëmendja kaloi tek fjalimi i kryeministres britanike për të shumëpërfolurën çështjen Brexit dhe planin e ishullit britanik për të lënë bllokun.

Ai ka kërkuar të distancohet nga qasja e marrë nga paraardhësi i tij, Martin Schulz, i cili njoftoi në nëntor se do të kthehet në politikën gjermane. “Parlamenti kishte nevojë për një president, jo një kryeministër," - tha Tajani të martën para votimit. "Kur unë të qëndroj në frontin e Këshillit, nuk do të jenë idetë e mia që do të paraqiten, por do të jenë idetë e shumicës në Parlament."- shtoi ai. Tajani gjithashtu është shprehur se ka ndërmend të ketë një ekip të vogël të kabinetit dhe premtoi se do të jetë një shembull në aspektin e barazisë gjinore. Më në fund më shumë mundësi përfaqësimi edhe për gratë!

Çështja më me rëndësi për momentin lidhet me sfidat e daljes së Britanisë, dhe Parlamenti ka të drejtën e vetos mbi çdo marrëveshje që Londra arrin me pjesën tjetër të bllokut. Tajani është zotuar se do të mbajë një qëndrim të drejtë: "Do të duhet të jemi shumë të ekuilibruar në lidhje me këtë situatë. Ne do të duhet të mbrojmë të drejtat e Europës, por unë mendoj se në të ardhmen Britania e Madhe do të jetë një partner i rëndësishëm i joni." - është shprehur ai.

Gjatë detyrës së tij si president, atij do t’i duhet të balancojë kërkesat mes ligjvënësve të qendrës së djathtë për hapje më të madhe dhe tregti të lirë, me kërkesat nga fraksionet e qendrës së majtë për më shumë drejtësi sociale. Nga ana tjetër, prioritet mbetet dhe miratimi i Marrëveshjes Gjithëpërfshirëse Ekonomike dhe Tregtare midis Bashkimit Europian dhe Kanadasë, e njohur ndryshe si CETA. Gjithashtu, Presidenti i ri do të duhet të mbikëqyrë kalimin e legjislacionit shumë të diskutueshëm në kuadër të krizës së refugjatëve, që mund të detyrojë shtetet anëtare të Bashkimit Europian të ndajnë barrën e azilkërkuesve në pritje, të cilët ndodhen në kushte ekstreme.

Shumë sfida, shumë përballje dhe shumë marrëveshje që presin për një zgjidhje! Ndaj dhe ne i urojmë shumë suksese Presidentit të ri në krye të një institucioni me kaq rëndësi, sidomos në një kohë të atillë, pasi dhe vetë zgjedhjet në Parlamentin Europian kanë qenë padyshim shumë polarizuese në çdo drejtim. Numri i votuesve deputetë që marrin pjesë në zgjedhjet që mbahen çdo pesë vjet ka rënë në mënyrë të vazhdueshme që nga viti 1979, ku tashmë rreth 40% e deputetëve të interesuar përbëhet nga një numër kryengritësish nga partitë fragmentarizuese me pikëpamje të mëdha anti-europiane dhe euroskeptike. E sikur të mos mjaftonte kjo, gara për këtë post duket të ketë qenë vërtetë e fortë, siç dhe e vumë re gjatë gjithë procesit që rezultoi disi më i komplikuar nga çfarë pritej: votimi që kaloi në disa faza mbase ishte një tregues se dhe vetë deputetët nuk janë fort të sigurt për zgjedhjet që duhet të bëjnë e jo më të flasim dhe për pakënaqësitë që mund të kenë pasur ndaj kandidatëve kryesorë.

Fitorja e Tajanit erdhi në fakt edhe në sajë të mbështetjes nga partitë konservatore në pushtet, në vende si Britania dhe Polonia, të cilat janë së fundmi disa nga vendet më kritike ndaj BE-së. Për të fituar mbështetjen e tyre, Tajani lëshoi një deklaratë duke thënë se problemet e BE-së nuk mund të zgjidhen me "Europa gjithnjë e më shumë"... Megjithatë një gjë është e sigurt: Mandati i tij në krye të Parlamentit Europian do të jetë i mbushur me polemika, sfida nga më të ndryshmet, në një botë me dinamizëm të vërtetë.
                                                                                                               Stafi i EuroSpeak, janar 2017

  Kërko

  Axhenda

24-28 qershor – Mbledhja e Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës që shënon dhe 70 vjetorin e organizatës, do të zgjedhë Sekretarin e ri të Përgjithshëm 
25 qershor – GRECO-Organi Anti-korrupsion i Këshillit të Europës publikon raportin e vitit 2018 ku janë mbikqyrur 48 shtete
25 qershor – Presidenti Juncker takon në Bruksel Zuzana Čaputován, Presidenten e re sllovake
27 qershor – Konferenca “Rikthimin në punë i të papunëve prej një kohe të gjatë” paraqet rezultatet e vlerësimit të fundit të 'Rekomandimit për papunësinë afatgjatë'
27-28 qershor - Forumi i 8-të vjetor i Strategjisë së BE-së për Rajonin e Danubit (EUSDR) 
28 qershor-  Dëgjesë publike mbi rolin e mediave në komunikimin e të drejtave të personave me aftësi të kufizuar

  FJALOR

Komiteti Europian i Sindikatave për Arsimin (ETUCE)

ETUCE përfaqëson 132 Sindikata në 51 vende/shtete europiane, përfshirë këtu dhe Shqipërinë, dhe ka në total 11 milion persona - staf arsimor në të gjithë Europën. ETUCE është partneri social i mësuesve në nivel Europian dhe mbrojtës i interesave të tyre në Komisionin Europian. E themeluar më 1977, ETUCE është e përbërë nga sindikata kombëtare të mësuesve dhe personel të të gjitha fushave dhe niveleve të arsimit duke filluar nga edukimi i përgjithshëm, arsimi profesional dhe trajnimi, si dhe arsimi i lartë apo kërkimi shkencor.

  Na ndiqni ne:

facebook gplus twitter youtube1