E Diel, 05 Korrik 2020
Blue Red Green
  • Buletin Informativ i Lëvizjes Europiane në Shqipëri
Joomla!: Position Home - E Hënë, 09 Prill 2012 07:19
Joomla!: Using Joomla! - E Shtunë, 01 Janar 2011 00:00
Joomla!: Upgraders - E Shtunë, 01 Janar 2011 00:00
Joomla!: The Joomla! Project - E Shtunë, 01 Janar 2011 00:00
Joomla!: The Joomla! Community - E Shtunë, 01 Janar 2011 00:00
Joomla!: Sample Sites - E Shtunë, 01 Janar 2011 00:00
Joomla!: Professionals - E Shtunë, 01 Janar 2011 00:00
Joomla!: Parameters - E Shtunë, 01 Janar 2011 00:00
Joomla!: Joomla! - E Shtunë, 01 Janar 2011 00:00
Joomla!: Getting Started - E Shtunë, 01 Janar 2011 00:00
Joomla!: Getting Help - E Shtunë, 01 Janar 2011 00:00
Joomla!: Beginners - E Shtunë, 01 Janar 2011 00:00

Barazia Gjinore: Progresi i Shqipërisë në kuadër të procesit të integrimit në BE

gender5Barazia gjinore është vlerë dhe e drejtë themelore në Bashkimin Europian. Synimi për përparimin e barazisë gjinore frymon në politikat dhe proceset e zgjerimit të Bashkimit Europian. Në optikën e një perspektive gjinore, në artikull do të përshkruhet dhe analizohet progresi dhe rekomandimet e prezantuara nga Komisioni Europian gjatë dy viteve të fundit, në kuadër të procesit të hapjes së negociatave me Shqipërinë. Më në detaje do të diskutohen çështje si integrimi i perspektivës gjinore dhe përmirësimi i kuadrit ligjor në kuadër të Acquis Communautaire, dhuna me bazë gjinore dhe trafikimi i qenieve njerëzore, integrimi i grave dhe vajzave në tregun e punës, hendeku gjinor në paga, etj.

***

“Barazia gjinore është një parim themelor i Bashkimit Europian… Ne mund të përmbushim potencialin tonë të plotë vetëm nëse përdorim të gjithë talentin dhe diversitetin tonë. Vënia në punë e gjysmës së popullatës, gjysmës së ideve apo gjysmës së energjisë nuk është e mjaftueshme”- fjalë e cituar nga presidentja e Komisionit Europian, von der Leyen. Falë një trashëgimie kulturore patriarkale, praktikave dhe stereotipeve të gjinizuara, jo vetëm gratë dhe vajzat kanë hasur vështirësi të panumërta në integrimin e tyre të plotë në shoqëri, por edhe zhvillimi i shoqërisë ka qenë i pjesshëm dhe më i ngadaltë, kjo si rrjedhojë e pamundësisë për të kapitalizuar të gjithë potencialin dhe diversitetin human. Barazia gjinore është vlerë dhe e drejtë themelore e Bashkimit Europian, dhe një parim themelor i Shtyllës Europiane të Drejtave Sociale (Komisioni Europian, 2020).

Fokusi dhe veprimtaria e Bashkimit Europian për promovimin e barazisë gjinore shtrihet përtej kufirit gjeografik të komunitetit. Axhenda e Bashkimit Europian për promovimin dhe përparimin e barazisë gjinore manifestohet në marrëdhëniet ndërkombëtare, politike dhe ato njerëzore. Kjo vëmendje zgjerohet më tej në politikën e fqinjësisë dhe zgjerimit, dallueshëm në procesin e negociatave, dhe procesin e stabilizim-asocimit për vendet e Ballkanit Perëndimor, si Shqipëria. Nëpërmjet programit financiar IPA (Instrumentit të Asistencës para Anëtarësimit) (Bashkimi Europian), BE ka vazhduar të mbështesë Shqipërinë në zhvillimin dhe më pas implementimin e suksesshëm të reformave ekonomike dhe politike, me një fokus të qartë në promovimin dhe avancimin e barazisë gjinore. Brenda kuadrit të programit IPA, Instituti Europian për Barazinë Gjinore (EIGE) mbështet promovimin e barazisë gjinore në Shqipëri. Në vazhdën e kësaj mbështetjeje dhe bashkëpunimit të EIGE me Ministrinë e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, dhe Institutin e Statistikave u publikua për herë të parë në Shqipëri “Indeksi i Barazisë Gjinore 2020”.

Në optikën e një perspektive gjinore, në vijim do të përshkruajmë dhe analizojmë një pjesë të progresit dhe rekomandimeve të prezantuara nga Komisioni Europian gjatë dy viteve të fundit, në kuadër të procesit të hapjes së negociatave. Shqipëria ka hedhur hapa pozitiv në procesin e miratimit të kuadrit normativ për barazinë gjinore dhe forcimin e të drejtave të njeriut, duke përafruar kuadrin legjislativ më atë të Bashkimit Europian. Sipas Komisionit Europian (2019), progresi në kuadrin ligjor është i kënaqshëm sa i takon mbrojtjes së të drejtave të njeriut, trajtimin e dhunës me bazë gjinore dhe mbrojtjen e grupeve vulnerabil (Komisioni Europian, 2019). Në raportin e Komisionit Europian, është vlerësuar ndryshimi dhe përafrimi i Ligjit Nr. 47/2018 “Për Masa ndaj Dhunës në Marrëdhëniet Familjare” me Konventën e Stambollit dhe Konventën “Për Eliminimin e të Gjitha Formave të Dhunës Kundër Grave (CEDAW)”. Ky ndryshim ka siguruar forcimin e masave mbrojtëse për viktimat dhe të mbijetuarat e dhunës. Hapa pozitiv janë shënuar me miratimin e Planit të Parë Kombëtar “Për Rezolutën e Këshillit të Sigurisë së Kombeve të Bashkuara 1325 për Gratë, Paqen dhe Sigurinë”. Përtej progresit pozitiv në përafrimin e kuadrit ligjor nën perspektivën e Acquis Communautaire, Shqipëria inkurajohet të shtyjë përpara funksionimin e plotë të mekanizmave institucionalë të barazisë gjinore në nivel qendror dhe lokal, përfshirjen e perspektivës gjinore në të gjitha strategjitë kombëtare dhe lokale, dhe rëndësisë për aplikimin e parimit të buxhetimit gjinor. Më tej, në direktivat e Komisionit Europian(2018), vihet theksi në domosdoshmërinë për të forcuar dhe siguruar përfshirjen e shoqërisë civile në identifikimin, planifikimin, implementimin dhe monitorimin e proceseve politike në fusha të veçanta si barazia gjinore, të drejtat e njeriut,etj

Trafikimi i qenieve njerëzore dhe dhuna me bazë gjinore, plagë ende të hapura…

Raporti i Komisionit Europian (2019), na risjellë në vëmendje neglizhencën dhe mungesën e ndjeshmërisë që manifestojnë institucionet e drejtësisë në Shqipëri, veçanërisht ndaj çështjeve të barazisë gjinore dhe të trafikimit të grave dhe vajzave. Shqipëria ka një histori të nisur vite më parë si një vend origjine, tranziti dhe destinacioni për trafikun e qenieve njerëzore (Ajdini, 2012). Fatkeqësisht, ky fenomen vazhdon ende të ketë një impakt në gjenerimin e të ardhurave të jashtëligjshme, dhe arrin të vërë në dukje brishtësinë e institucioneve të drejtësisë. Raporti i Komisionit Europian (2019) ka nxjerr në pah se puna e institucioneve, në evidentimin, ndjekjen dhe hetimin e rasteve të trafikimit të qenieve njerëzore është e pamjaftueshme dhe nuk zhvillohet në mënyrë të qëndrueshme dhe periodike. Komisioni ka rekomanduar një sërë hapash që duhet të ndërmarrë qeveria shqiptare në këtë kuadër si identifikimi i hershëm i rasteve të trafikimit, përmirësimi dhe zgjerimi i bashkëpunimit me fqinjët dhe aktorët ndërkombëtarë, shtimin e përpjekjeve për riintegrimin e suksesshëm të viktimave, mbrojtjen e duhur të viktimave që kanë rënë pre e trafikimit dhe forcimin e sistemit kriminal gjyqësor. Gjithashtu, ndërgjegjësimi dhe fuqizimi i të drejtave juridike dhe zhvillimi efektiv i një sistemi që siguron ndihmë ligjore falas, do të siguronte përmirësimin e aksesit të grave dhe vajzave në sistemin e drejtësisë.

Në vazhdën e shqetësimeve të shprehura nga Komisioni, evidentohet mungesa e kapaciteteve pritëse dhe financiare në strehëzat për gratë dhe vajzat e trafikuara apo viktima të dhunës. Gjithashtu, vihet re mungesa e informimit dhe ndërgjegjësimit për të drejtën dhe mënyrat për të përfituar nga aksesi në shërbimet sociale dhe strehëzat, tek gratë dhe vajzat që bëjnë pjesë në komunitetet më vulnerabël si Rom dhe Egjiptian. Në anën tjetër, në raportin e Komisionit vlerësohet puna e Nënkomisionit të Parlamentit për Barazinë Gjinore dhe Parandalimin e Dhunës ndaj Grave në përmirësimin e kuadrit legjislativ. Evidentohet si një hap tejet pozitiv hapja e Lilium, qendrës së parë në Shqipëri për trajtimin e viktimave të dhunës seksuale.

Më tej, në Ligjin Nr.10 221, “Për Mbrojtjen nga Diskriminimi” evidentohet mungesa e konceptit të “diskriminimit të shumëfishtë” dhe sugjerohet trajnimi i prokurorëve dhe gjykatësve për të forcuar zbatimin dhe implementimin e ligjit për diskriminimin.5 Është e nevojshme rishikimi dhe zgjerimi i konceptit të diskriminimit të shumëfishtë për të pasur një vlerësim holistik të diskriminimit dhe dhunës që ndeshin gratë dhe vajzat në jetën e përditshme. Për më tepër, këtij koncepti i jepet një rëndësi e veçantë në strategjinë “Për Barazinë Gjinore 2020- 2025” të Bashkimit Europian (Komisioni Europian 2020).

“Tavani i qelqtë”

Hidhemi në një tjetër çështje delikate, në atë që njihet si fenomeni i “tavanit të qelqtë”. Një detaj interesant dhe historik është se promovimi i barazisë gjinore për të parën herë u bë pjesë e axhendës Europiane në Traktatin e Romës në vitin 1957, si pjesë e Komunitetit Ekonomik Europian (KEE). Me përfshirjen e një dispozite të vetme, parimi i “pagës së barabartë për burrat dhe gratë, për punë të barabartë”, u bë pjesë e Artikullit 119 të Traktatit të Romës (Neni 119 i Traktatit të KEE-së, tani Neni 141 i Traktatit të KE-së). ( European Parliamentary Research Service 2019).

Integrimi i grave dhe i vajzave në tregun punës ka njohur progres në dhjetëvjeçarin e fundit. Me rritjen e numrit të grave të mirë-arsimuara, me përfshirjen e tyre në sektorë dhe nivele të pashkelura më parë, dallimet gjinore janë pakësuar (UNDP, 2014). Nëse i referohemi Indeksit të Barazisë Gjinore (2020), në Shqipëri pabarazitë në tregun e punës mes burrave dhe grave janë më të mëdha se në Bashkimin Europian. Shqipëria shënon një rezultat prej 67.6 % për fushën e punës, ku evidentohet një situatë më e mirë në nënfushën e pjesëmarrjes se në nënfushën e ndarjes dhe cilësisë së punës.(Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, INSTAT, EIGE, 2020).

Sërish, integrimi dhe përparimi i grave në tregun e punës mbetet i vështirë, problematik, dhe i formësuar nga standardet e dyfishta të trajtimit (UNDP, 2014). Në vitin 2018, sipas INSTAT (2019), pjesëmarrja e grave në tregun e punës arriti në 59,7%, në dallim me vitin 2013 me 50,1%. Përsëri, gratë vazhdojnë të jenë më pak të përfaqësuara në tregun e punës. Në Shqipëri, 21,4% e grave janë jashtë forcës së punës pasi përmbushin detyrat shtëpiake, në raport me meshkujt ku vetëm 1,0% e burrave mbeten jashtë forcës së punës si pasojë e aktiviteteve shtëpiake (INSTAT 2019).

Komisioni Europian vlerëson ndryshimet në Kodin e Punës dhe masat e ndërmarra për të siguruar balancën midis punës dhe jetës personale. Në anën tjetër, evidentohet mungesa e monitorimit dhe vlerësimit të impaktit që kanë sjellë këto ndërhyrje. Mbetet i pamjaftueshëm numri i çerdheve, kopshteve apo qendrave të përkujdesit për fëmijët, për ti mundësuar në mënyrë të veçantë grave përfshirjen në tregun e punës (Komisioni Europian, 2019). Sa i takon mosdiskriminimit në vendin e punës, janë miratuar amendamentet ligjore në lidhje me diskriminimin në mjedisin e punës dhe punësimin e grave, duke i kushtuar rëndësi fenomenit të ngacmimit seksual (Komisioni Europian, 2019). Shqetësues mbetet numri i lartë i grave dhe vajzave që punojnë pa mbështetjen dhe mbrojtjen e duhur sociale në sektorët informalë të punës, kryesisht në industrinë tekstile dhe të këpucëve. Gjithashtu, evidentohet një mungesë e të dhënave të detajuara mbi numrin e grave dhe vajzave që punojnë në ekonominë informale (Komisioni Europian, 2019).

Hendeku gjinor në paga evidentohet si një tjetër fushë ku Shqipëria duhet të bëjë hapa cilësorë përpara (Komisioni Europian, 2019). Referuar INSTAT (2019), gjatë vitit 2018, hendeku gjinor në paga arriti në 10,7 % nga 10,5 % që ishte një vit më parë. Në ndryshim me 16.0 % në Bashkimin Europian. Në raportin e Forumit Ekonomik Botëror (2020) mbi indeksin e hendekut gjinor të pagave, Shqipëria renditet ndër pesë vendet me performancën më të mirë në reduktimin e hendekut të përgjithshëm të pagave, dhe me një rritje të konsiderueshme të prezencës së grave në fushën politike.

Përtej progresit në statusin e grave dhe përparimit të barazisë gjinore në Shqipëri, direktivat e Komisionit Europian (2018) inkurajojnë duke vënë theksin, se Shqipëria ka ende një rrugë të gjatë dhe me sfida për të ardhmen, e duhet të bëjë përpjekjet e saj që të mund të shpalosë dhe shfrytëzojë të gjithë potencialin e grave në shoqëri, ekonomi dhe tregun e punës. Përparimi i barazisë gjinore nuk duhet të jetë vetëm një rrjedhojë e obligimeve në rrugën drejt integrimit në BE.

Bashkimi Europian do të vazhdojë të mbështesë përparimin dhe promovimin e barazisë gjinore në Shqipëri, por është shoqëria, janë akademikët, të rinjtë, shoqëria civile dhe aktorët politikë, katalizatorët kryesorë për ta mundësuar këtë ndryshim.

Renis Meta, maj 2020

*Renis Meta student i ekselencës, i diplomuar në Universitetin e Tiranës, Fakultetin e Shkencave Sociale aktualisht ndjek studimet në master shkencor në degën “Administrim i Shërbimeve Sociale”. Ka një eksperiencë të gjatë dhe të larmishme si pjesë e nismave të vullnetarizmit, forumeve rinore dhe organizatave ndërkombëtare.  

 

Referenca:

European Commission. (2020) Striving for a Union of Equality. The Gender Equality Strategy 2020-2025. Online: https://ec.europa.eu/info/sites/info/files/aid_development_cooperation_fundamental_rights/gende r_equality_strategy_factsheet_en.pdf

European Commission. (2020) Communication from the Commission to the European Parliament, The Council, The European Economic and Social Committee and The Committee of the Regions. A Union of Equality: Gender Equality Strategy 2020-2025.

Online: https://eur-lex.europa.eu/legal-content/EN/TXT/PDF/?uri=CELEX:52020DC0152&from=EN

European Commission. (2019). Albania 2019 Report. Accompanying the document Communication from the Commission to the European Parliament, the Council, the European Economic and Social Committee and the Committee of the Regions 2019 Communication on EU Enlargement Policy.

Online: https://ec.europa.eu/neighbourhood-enlargement/sites/near/files/20190529-albania-report.pdf

European Commission. (2018). Revised Indicative Strategy Paper for Albania (2014-2020

Online:https://ec.europa.eu/neighbourhood-enlargement/sites/near/files/20180817-revised-indicativestrategy-paper-2014-2020-for-albania.pdf

E. González Gago (2019) Evaluation of The Strengths and Weaknesses of the Strategic Engagement for Gender Equality.

Online: https://ec.europa.eu/info/sites/info/files/aid_development_cooperation_fundamental_rights/strate gic_engagement_2016-2019_evaluation.pdf

Council of The European Union. (2014), Council conclusions on Albania.

Online: https://www.consilium.europa.eu/media/21900/143354.pdf

Instituti i Statisktikave - INSTAT. (2019). Burrat dhe Gratë në Shqipëri.

Online:http://www.instat.gov.al/al/publikime/librat/2019/burrat-dhe-grat%C3%AB-n%C3%ABshqip%C3%ABri-2019/

World Economic Forum. (2019). Insight Report Global Gender Gap Report 2020.

Online: http://www3.weforum.org/docs/WEF_GGGR_2020.pdf

UNDP. (2014) Raport Studimor: Përkatësia gjinore dhe korrupsioni në shërbimin civil shqiptar. Faqe 7. Burimi

Online: https://www.undp.org/content/dam/albania/docs/Gender%20and%20Corruption.pdf

Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, INSTAT, EIGE. (2020). Indeksi i Barazisë Gjinore për Shqipërinë 2020.

Online: http://www.instat.gov.al/media/6657/gender_equality_index_for_the_republic_of_albania_2020_alb.pdf

Juliana Ajdini. (2011). Problemet Sociale. Faqe 174, 175.

European Union (European Commission).

Online: https://ec.europa.eu/neighbourhood-enlargement/instruments/overview_en

European Institute for Gender Equality. https://eige.europa.eu/cooperation-eu-candidate-countries-and-potential-candidates

European Commission. (2019). New Visions for Gender Equality.

Online: https://ec.europa.eu/info/sites/info/files/saage_report-new_visions_for_gender_equality-2019.pdf

Kalaja, D. (2013) Perqasje të krahasuara gjinore në hapësirën midis regjistrimeve dhe diplomimeve në Shqipëri. Universiteti i Tiranës. Burimi

Online: http://www.doktoratura.unitir.edu.al/wp-content/uploads/2013/12/Doktoratura-DanielaKalajaFakulteti-i-Shkencave-Sociale-Departamenti-Pune-Sociale.pdf

Qendra e Aleancës Gjinore për Zhvillim. (2006). Integrimi Gjinor në Politika dhe Strategji.

Online: https://www.gadc.org.al/media/files/upload/Barazia_gjinore_ne_procesin_e_integrimit_europian. pdf

UN Women Albania https://www.unwomen.org/en/get-involved/step-it-up/commitments/albania

Gazeta Panorama. http://www.panorama.com.al/hapet-qendra-e-pare-per-viktimat-e-dhunes-seksuale-manastirliumbrojtje-pa-dallim-per-viktimat-e-dhunes/

 

  Kërko

  Axhenda

Axhenda e Javës

3 korrik – Komisionerja Gabriel mban një videokoneferencë për tu konsultuar me palët e interesuara dhe Rektorët e Edukimit të Bashkimit Europian për të ardhmen e arsimit.

2 korrik - Presidentja e Komisionit Ursula von der Leyen së bashku me Angela Merkel do të zhvillojnë një videokonferencë të përbashkët shtypi për të njoftuar fillimin e Presidencës gjermane të Këshillit të BE.

1 korrik – EMI (European Movement International) dhe EIB (European Investment Bank) do të mbajnë një videokonferencë të titulluar "Plani i BE për rimëkëmbjen dhe qëndrueshmërinë afatgjatë".

30 qershor - Komisionerët Borrell, Lenarčič dhe Várhelyi marrin pjesë në Konferencën IV të Brukselit mbi "Mbështetjen e së ardhmes së Sirisë dhe Rajonit".
- Dita Ndërkombëtare e Parlamentarizmit

29 qershor - Ministrat e Këshillit të Bujqësisë dhe Peshkimit do të shkëmbejnë mendimet e tyre mbi komunikimin e fundit të Komisionit për paketën "Drejt peshkimit më të qëndrueshëm në BE: gjendja aktuale dhe orientimet për vitin 2021".

  FJALOR

Seksion dedikuar shpjegimit të termave të BE-së. 

  Na ndiqni ne:

facebook gplus twitter youtube1