E Shtunë, 28 Nëntor 2020
Blue Red Green
  • Buletin Informativ i Lëvizjes Europiane në Shqipëri (ISSN 2708 - 1656)
Joomla!: Position Home - E Hënë, 09 Prill 2012 07:19
Joomla!: Using Joomla! - E Shtunë, 01 Janar 2011 00:00
Joomla!: Upgraders - E Shtunë, 01 Janar 2011 00:00
Joomla!: The Joomla! Project - E Shtunë, 01 Janar 2011 00:00
Joomla!: The Joomla! Community - E Shtunë, 01 Janar 2011 00:00
Joomla!: Sample Sites - E Shtunë, 01 Janar 2011 00:00
Joomla!: Professionals - E Shtunë, 01 Janar 2011 00:00
Joomla!: Parameters - E Shtunë, 01 Janar 2011 00:00
Joomla!: Joomla! - E Shtunë, 01 Janar 2011 00:00
Joomla!: Getting Started - E Shtunë, 01 Janar 2011 00:00
Joomla!: Getting Help - E Shtunë, 01 Janar 2011 00:00
Joomla!: Beginners - E Shtunë, 01 Janar 2011 00:00

Covid-19, pas shifrave të dhimbshme, mijëra jetë të ndryshuara

eco eldaPasi u mbyll faza e parë e luftës ndaj Covid-19, ajo e mbijetesës shëndetësore, një tjetër ka nisur po aq ashpër. Në mos më tepër. Ajo e mbijetesës nga uria. Sepse Covid-19 nuk quhet më kot ndërkombtarisht "virusi i urisë". Izolimi thuajse i plotë në të gjithë globin, i paparë as gjatë 2 luftërave botërore, goditi sidomos më të varfrit. Dhe ata janë me miliarda: 42% e popullsisë së botës jeton me më pak se 5.5 dollarë në ditë, kufiri standard i varfërisë, sipas Bankës Botërore. Mes tyre, projeksionet janë më fatale sidomos për të varfrit ekstremë, ata që jetojnë me më pak 1.9 dollarë në ditë. "Nëse qeveritë nuk marrin masat e duhura, 6 000 - 12 000 njerëz do të vdesin në ditë, brenda këtij viti, si pasojë e urisë shkaktuar nga Covid-2019. Më shumë madje se piku i vdekjeve të shkaktuara në ditë nga virusi (10 mijë persona në prill 2020)". (Oxfam, faqja zyrtare, 9 korrik 2020). Deklarata e saj thjesht u jep dorën e fundit parashikimeve dhe deklaratave te Kombeve të Bashkuara dhe Bankës Botërore.

***

Ballkani Perëndimor dhe, mes 6 vendeve te tij, Shqipëria, kanë tashmë pjesën e vet. Raporti i Bankës Botërore (maj 2020) parashikon varfërimin ekstrem të 400 000 banorëve të tjerë të kësaj pjese të Europës nëse qeveritë nuk ndërhyjnë me masa konkrete. Është një shifër shumë e lartë që dëshmon se sa e lehtë dhe masive është rrëshqitja në varfëri ekstreme për grupe të tëra të popullsisë që ia kishin dalë, në një farë mënyre, të krijonin një ekuilibër të qëndrueshëm pas 2013. Në rastin e Shqipërisë madje rrezikohet kthimi i varfërisë në nivelet e vitit 2012.

Më të rrezikuarit në Shqipëri? Të papunët. Ata që punojnë në të zezë. Të vetëpunësuarit. Mes tyre, të rinjtë dhe gratë. Dhe gjithnjë fëmijët. Edhe para krizës, ata ishin ndër më të varfrit. Shkalla e varfërisë, sipas tipit të familjes, është 15,2 % në familjet pa fëmijë dhe pothuajse dyfishi në ato më fëmijë. Saktësisht 27,0 % sipas anketës së buxhetit të familjes për vitin 2018.(INSTAT, 2019). Por tani, për shkak të Covid-19, fëmijët rrezikojnë seriozisht të ardhmen. Në lojë është shëndeti i tyre.

"Qytetarët e mirëushqyer të vendeve të pasura mund të mbeten disa muaj pa ushqime të freskëta apo të importuara. Por në vendet në zhvillim e sipër, një fëmijë i kequshqyer do të mbetet me aftësi të kufizuara për gjithë jetën",- tha drejtori i përgjithshëm i FAO, Dongyu Qu. (UN, faqja zyrtare, 2020).

Prindërit e këtyre fëmijëve shqiptarë kanë humbur tashmë shumë për shkak të pandemisë. 60-70 mijë të papunët e rinj (të pranuar zyrtarisht) që u shtuan gjatë izolimit kombëtar, vijnë pikërisht prej këtyre familjeve. Vëllezërit e motrat e po këtyre fëmijëve janë edhe të rinjtë shqiptarë që deklaruan në gusht se « 49% e atyre vetë ose një pjesëtar i familjes ka humbur punën gjatë karantinës ose pas karantinës, për mungesë të masave të marra nga qeveria shqiptare për të menaxhuar gjendjen në vend », sipas anketës "Rinia shqiptare 2020" të publikuar nga Rrjeti Kombëtar për të rinjtë shqiptarë. (Shekulli, gusht 2020)

Ndërkaq, shumë shqiptarë punojnë në të zezë, pra pa kontrata të rregullta. Ata ishin ndër të parët që i humbën vendet e punës dhe nuk patën mundësi të përfitojnë nga ndihmat ekonomike që u dhanë nga qeveria (BB, maj 2020). Nuk figuronin në asnjë listë...përveç ndoshta asaj të papunësisë. Por shuma prej 5 154 lekësh në muaj që marrin si ndihmë ekonomike 59 540 familje, nuk ka nevojë për komente: Ajo është disa herë më e ulët madje edhe se kufiri i rrezikut për të qenë i varfër. Në Shqipëri ky kufi është vlerësuar të jetë 337 558 lekë për një familje me dy të rritur dhe me dy fëmijë dhe 160 742 lekë për familjet me një person! (INSTAT, 2018).

Por ka edhe më. Një arsye tjetër për shkak të së cilës klasat e mesme, të varfrit apo relativisht të varfrit në Shqipëri kanë rrezik të rrëshqasin drejt varfërisë ekstreme, është ulja e remitancave, pra parave të dërguara nga emigrantët. Edhe pse jo sa disa vite më parë, ato vazhdojnë të jenë shumë të rëndësishme për Shqipërinë. Globalisht, për shkak të Covid-19, remitancat janë ulur me 20% (Oxfam, 2020). Dhe kjo është një nga arsyet pse priten miliona të vdekur nga varfëria në vende si Afganistani apo Jemeni, ku aktualisht është lënë prapa viti i pestë i ndoshta krizës më të fortë humanitare që ka njohur bota pas Luftës së Dytë Botërore. 90% e të ardhurave në Jemen sigurohen nga remitancat.

Në Shqipëri nuk rrezikohen vdekje nga uria. Por gjithsesi rrezikohet me të vërtetë uria sepse ulja e remitancave është e lidhur drejtpërdrejt me shportën e konsumit të shqiptarëve. Ata harxhojnë plot 44% të të ardhurave të tyre vetëm për ushqime dhe pije joalkoolike. Çdo luhatje e të ardhurave nënkupton fjalë për fjalë më pak sasi dhe cilësi në ushqim për qindra mijëra familje. Covid-19 shtoi edhe dy arsye të tjera në favor të një pabarazie të re shoqërore në Shqipëri: Atë të mbylljes së shumë bizneseve të vogla, jetike për ekonominë e vendit si dhe mbylljen e zinxhirit të prodhimit e të shpërndarjes së ushqimit në vend.

E megjithatë, mosmbyllja e tyre ishte një porosi e shenjtë! Mbështetur në argumente, ajo u dha nga Organizatës së Kombeve të Bashkuara, Banka Botërore dhe të gjitha organizatat ndërkombëtare që në mars. "Qeveritë, edhe ndërsa prioritizojnë qëllimet e shëndetit publik, duhet të bëjnë çdo gjë që kanë në dorë për të mbajtur të hapura lokalisht rrugët e tregtisë dhe të furnizimit",-deklaroi drejtori i përgjithshëm i FAO. (UN, faqja zyrtare, 2020). Mbajtja e këtyre rrugëve ishte plotësisht e mundur. Megjithëse shumë qeveri të paafta e përdorën pa fund dhe vazhdojnë ta përdorin këtë mit, lufta ndaj virusit nuk përjashtonte mbajtjen hapur të kanaleve të prodhimit dhe furnizimit me ushqime në vend. E vështirësonte, patjetër. Por po aq e kthente në të domosdoshme.

Qeveria shqiptare, për fat të keq, bën pjesë aty. Dhe, për ta argumentuar, mjafton të analizohet mënyra sesi ajo u soll me fermerët dhe blegtorët e vendit. Pothuajse 34% e banorëve të Shqipërisë janë të punësuar në bujqësi, shumica të vetëpunësuar (BB, maj 2020). Është sektori më i madh i punësimit në vend, ai që zbut shifrat zyrtare të papunësisë. Dhe njëkohësisht ai ku e gjen veten pjesa dërrmuesve e më të varfërve në vend. Të gjitha studimet e kryera nga INSTAT deri tani tregojnë se niveli i varfërisë është më i larti pikërisht në fshat. Bëhet fjalë më së shumti për fshatarë që kanë shumë pak tokë për frymë, 2-3 dynymë në rastin më të mirë. Dhe këto të shpërndara në parcela të vogla, shpesh shumë larg njëra-tjetrës.

Kjo shifër punësimi në bujqësi dhe blegtori është një nga më të lartat në Europë dhe më e larta mes 6 vendeve të Ballkanit Perëndimor. Bosnjë-Hercegovina ndodhet në vend të dytë. Por sërish shumë larg, me 17% të popullsisë së punësuar në bujqësi. Më pas Kosova, me 11%. Nuk ka nevojë të kesh shumë mend për të pritur nga qeveria një ndërhyrje e gjerë, e hollësishme për ta mbajtur në jetë sektorin ndoshta më jetik për Shqipërinë në karantinë. Nuk bëhet fjalë thjesht për një argument financiar; këtij të fundit, më se të drejtë, i shtohej edhe argumenti i prodhimit dhe i furnizimit të drejtpërdrejtë të ushqimit, në kushtet e një bote të tërë të mbyllur e me kanale transporti të bëra tërësisht lëmsh. Në këto kushte të jashtëzakonshme, prodhimi lokal i ushqimit, si mënyra më e sigurt, dhe lëvizja e tij e shpejtë drejt popullsisë vendase, është e një rëndësie jetike.

Por çfarë ndodhi? Në asnjë nga 7 pikat e famshme të publikuara nga qeveria shqiptare në mars 2020, nuk u fol për fshatin. Ndërkaq, izolimi i popullsisë rastisi në një çast mëse të keq; në një pjesë të vendit, marsi nënkupton shërbime të rregullta e të shpeshta ndaj bimëve. Në një pjesë tjetër, kishte filluar vjelja e prodhimeve të para. Të cilat duhet të qarkullonin, të shiteshin. Po si? Dhe ku? Fermerët u bënë objekt kufizimesh, ndalimesh dhe lejesh të rrepta lëvizjeje si të gjithë. Blegtorët dhe veterinerët po ashtu. Nuk u propozua asnjë masë e veçantë për sektorin më të gjerë të punësimit në Shqipëri. Nuk u mendua asnjë Task Force për ta!

Të mësuar me lënien e përhershme pas dore, të lebetitur nga Coronavirusi, edhe pse filloi hedhjen masive të prodhimeve, fermerit shqiptar ndoshta as që i shkoi në mendje që mund të kërkonte me zë ndonjë ndërhyrje të paktën të pjesshme nga qeveria. Dhe javët e para të izolimit të popullsisë kaluan në heshtje thuajse të plotë. Megjithëse në fshat, ku banon thuajse gjysma e Shqipërisë, po luhej një dramë e madhe. Do të duhej të kalonte edhe pak kohë që ta shihnim këtë dramë të dukej së jashtmi, në media: pamë hedhje masive prodhimesh, dëshpërim (Top Channel, prill 2020). Në mes të marsit, tashmë të bindur se nuk do të kishte asnjë lehtësim karantine për ta, Këshilli i Agrobiznesit Shqiptar, botoi një deklaratë shtypi ku kërkohej lëvizje pa orar. "I kërkojmë qeverisë që bujqit, blegtorët, mjekët zooteknikë, drejtuesit e mekanikës bujqësore, disa punonjës të qendrave të shitjes, përpunuesit dhe transportuesit e ushqimeve, të blegtorisë e bletarisë, të konsiderohen e të trajtohen nga organet e ruajtjes së rendit me statusin e miratuar deri tani për punonjësit që shërbejnë në hallkat e zinxhirit ushqimor për furnizimin e popullit me ushqime", - propozoi këshilli, mes të tjerash. Deklaratë së cilës mediat i dhanë një farë hapësire. Por jo peshën e duhur, të nevojshme për sektorin e parë të punësimit ne vend dhe kryesorin e prodhimit ushqimor.

Pastaj, media u shkoi ekspertëve dhe zërat u shtuan; argumentet dhe zgjidhjet ishin aty dhe ishin kaq të thjeshta. Por injorimi i tyre, edhe më i madh. Të gjitha këtyre propozimeve, ministri i Bujqësisë, Bledar Çuçi, iu përgjigj në mënyrë të vagët " në asnjë urdhër të nxjerrë nga institucionet e linjës, nuk ka pengesë për fermerët, blegtorët dhe veterinerët që të vijojnë punën...veterineri duhet të planifikojë t'i bëjë punët brenda orareve që parashikon fasha orare e lëvizjes ». (ATA,2020)

Me pak fjalë, "nuk do të keni status të veçantë, por as nuk do të pengoheni". Një lojë fjalësh kjo krejtësisht e panevojshme për bujqit dhe blegtorët shqiptarë. Një lojë fjalësh për të cilën, pati ekspertë që guxuan të kërkonin qartësim. "Ministria e Bujqësisë duhet të dilte qartë me disa urdhra ku të orientonte fermerët për mënyrën se si mund ata të lëviznin në drejtim të tokave apo serave dhe tregjeve, apo pikave të grumbullimit. Duhet të ngrinte një task-forcë ku të lejonte lëvizjen e kamionëve të eksportit të fruta-perimeve dhe një numër jeshil ku fermerët të merrnin zgjidhje për problemin e lëvizjes. Taskforca duhet të koordinonte punën midis Policisë, Bashkisë, Doganave dhe fermerëve për t'i orientuar si të sillen këto kohë për shitjen e produktit apo orientimin mbi çmimet e bursës", tha për median Ervin Resuli, një ekspert i bujqësisë.

Asgjë nga këto propozime nuk mori jetë në Shqipëri. Madje, injorimi u rëndua edhe më tej. Ai u bë financiar. Ky sektor nuk ka përfituar asnjë paketë ndihmëse nga qeveria. Si të gjitha krizat e tjera, fshatarët dhe fermerët shqiptarë e përballuan vetë edhe atë të Covid-19...

Në njëfarë mënyrë, krizat e mëdha janë një mundësi për menaxherët dhe liderët. Është një mundësi ku kapacitetet e tyre sfidohen, sigurisht. Por edhe ku jepen më shumë hapësira ushtrimi dhe mundësi për faljen e gabimeve. Profesionalisht, është një test që të jepet ndoshta vetëm një herë në jetë. Dhe shumë drejtues botërorë e kryen. Ndaj vendet që ato drejtojnë janë atje ku janë sot; me shtetas të trembur, sigurisht. Por që kanë ende besim te qeveritë e tyre. Me disa javë të çorientuar në fillim të pandemisë, por thuajse tërësisht të mirëkuptuara. Me analiza dhe pranim gabimesh. Pa ironira dhe as patetizma. Thjesht me këshilla të qarta, praktike, dhe të përsëritura pa fund, me durim. Me kanale prodhimi e furnizimi për mallra e shërbime jetike jo thjesht të mbajtura hapur gjatë gjithë pandemisë, por tashmë të ndryshuara, të përshtatura, të përmirësuara, për shumë vite të ardhshme. Sepse, a nuk është përvoja mësuesja më e mirë? Qoftë ajo edhe e hidhur?

Elda Spaho Bleta, shtator 2020

* Elda Spaho Bleta është një eksperte e pavarur komunikimesh dhe advokacie, si dhe gazetare, editore, analiste për shumë media në Shqipëri, Kosovë dhe Francë (Courrier International, Courrier des Balkans, Panorama, Dita, Shekulli, revista Klan etj. Ajo ka eksperiencë dhe është përfshirë në shumë organizata të shoqërisë civile në Shqipëri dhe Europë.

Referencat:

https://oxfamapps.org/media/press_release/covid-19-could-kill-more-people-through-hunger-than-the-disease-itself-warns-oxfam/

http://pubdocs.worldbank.org/en/253301590709924620/RER-note-WeBa-poverty-impacts-Covid19-20May2020-2-ALB.pdf

http://www.instat.gov.al/al/temat/kushtet-sociale/anketa-e-buxhetit-t%C3%AB-familjes/publikimet/2019/anketa-e-buxhetit-t%C3%AB-familjes-2018/

https://www.un.org/en/un-coronavirus-communications-team/un-working-avert-dual-crises-covid-19-hits-hunger-hotspots

https://euronews.al/al/sociale/2020/08/12/pa-ndihme-nga-shteti-dhe-te-papune-te-rinjte-shqiptare-raportojne-problemet-gjate-pandemise

http://shekulli.com.al/te-rinjte-shqiptare-raportojne-problemet-gjate-pandemise-pa-ndihme-nga-shteti-dhe-te-papune/

https://top-channel.tv/2020/04/02/fiks-fare-prodhimet-bujqesore-hidhen-ne-kanale/

https://ata.gov.al/2020/03/31/covid-19-cuci-ne-asnje-urdher-nuk-ka-pengese-per-fermeret-blegtoret-dhe-veterineret-qe-te-vijojne-punen/

http://www.scan-tv.com/te-unifikohet-tvsh-ja-ne-bujqesi-propozimet-e-kash-karburant-dhe-lende-djegese-me-cmim-te-reduktuar/

https://www.kashalbania.org/2020/05/04/kash-kerkon-me-shume-mbeshtetje-dhe-garanci-per-agrobiznesin-ne-situaten-e-covid-19/

https://www.monitor.al/resuli-bujqesia-vuan-mungesen-e-subvencioneve-2020-vit-i-veshtire/

  Kërko

  Axhenda

26 nëntor 2020 - Seancë plenare e Parlamentit Europian ku eurodeputetët pritet të kenë një mendim zyrtar mbi vendimin e Tribunalit Kushtetues Polak mbi të drejtat e abortit në vend.

********************

25 nëntor 2020  - Dita Ndërkombëtare për Eliminimin e Dhunës ndaj Grave

********************

24 nëntor 2020 - Takimi i kolegjit - Komisioni pritet të miratojë planin e veprimit të BE për barazinë gjinore dhe fuqizimin e grave në marrëdhëniet e jashtme për 2021-2025; planin e veprimit për integrimin dhe përfshirjen  dhe planin e veprimit mbi pronësinë intelektuale

********************

  FJALOR

wordoftheday

Seksion dedikuar shpjegimit të termave të BE-së.

  Na ndiqni ne:

facebook gplus twitter youtube1