E Hënë, 17 Shkurt 2020
Blue Red Green
  • Buletin Informativ i Lëvizjes Europiane në Shqipëri
Joomla!: Position Home - E Hënë, 09 Prill 2012 07:19
Joomla!: Using Joomla! - E Shtunë, 01 Janar 2011 00:00
Joomla!: Upgraders - E Shtunë, 01 Janar 2011 00:00
Joomla!: The Joomla! Project - E Shtunë, 01 Janar 2011 00:00
Joomla!: The Joomla! Community - E Shtunë, 01 Janar 2011 00:00
Joomla!: Sample Sites - E Shtunë, 01 Janar 2011 00:00
Joomla!: Professionals - E Shtunë, 01 Janar 2011 00:00
Joomla!: Parameters - E Shtunë, 01 Janar 2011 00:00
Joomla!: Joomla! - E Shtunë, 01 Janar 2011 00:00
Joomla!: Getting Started - E Shtunë, 01 Janar 2011 00:00
Joomla!: Getting Help - E Shtunë, 01 Janar 2011 00:00
Joomla!: Beginners - E Shtunë, 01 Janar 2011 00:00

Atlasi i Migracionit 2019: Situata e migracionit për BE, Shqipërinë e Kosovën

atlas o migrationPara fundit të vitit 2019, Komisioneri Europian Timmermans, i cili në atë kohë mbante postin e zëvendës presidentit, u shpreh se Europa e ka tejkaluar krizën e migrantëve që ndeshi në vitin 2015. Gjatë kësaj periudhe BE i kushtoi vëmendje gjetjes së një zgjidhjeje afatgjate dhe të qëndrueshme Europiane për çështjen e migracionit në rajon. Nevoja për të tejkaluar krizën e migracionit dhe për të patur një fillim të ri është theksuar edhe nga presidentja von der Leyen në udhëzimet  e saj politike për 2019-2024.

Migracioni drejt dhe nga Europa ka ndikuar në formimin e zhvillimeve sociale, politike dhe ekonomike në kontinent. Ky fenomen vazhdon të ndodhë akoma në forma të ndryshme.  Gjatë këtij artikulli do ju paraqesim disa të dhëna për 28 shtetet anëtare të BE për sa i përket çështjes së migrimit dhe gjithashtu rreth Shqipërisë dhe Kosovës bazuar në Atlasin për Migracionin publikuar për herë të parë nga Komisioni Europian në 2019.

Lëvizjet migratore në BE

Gjatë vitit 2018 BE mirëpriti 22.5 milion migrantë nga shtetet jo-anëtare të BE dhe pati lëvizje të 17.6 milion shtetasve të BE drejt shteteve të tjera anëtare të Unionit. Nga statistika vihet re që kryesisht 92% e popullatës së BE janë rezident në shtetin e tyre. Gjithashtu gjatë 2018, 3.2 milion njerëzve i është dhënë leja e qëndrimit për herë të parë për të qëndruar në një shtet anëtar të BE. Shikohet një rritje në lëvizje në krahasim me vitin 2014 në të cilin ky numër ishte 2.3 milion. Po në 2018 dallohet një rënie në numrin e azil- kërkuesve, numër i cili nga 153 000 që ishte në 2008 dhe 1.3 milion në 2015 ka shkuar në 588 000 njerëz. Dallohet që përtej këtyre numrave lëvizja është bërë më së shumti në disa shtete specifike, për shembull pothuajse një e treta (36.5%) e lejeve janë dhënë nga dy shtete anëtare në 2018. Më specifikisht Polonia ( e cila ka dhënë 635 000) dhe Gjermania (543 500). Një ndarje tjetër që vihet re është se Gjermania këto leje qëndrimi kryesisht i ka dhënë për arsye familjare kurse në Poloni vetëm 2% e lejeve janë dhënë për këto arsye.

Nga statistikat në Atlasin e Migracionit 2019 të hartuar nga Komisioni Europian vërehet që shtetet e BE me numrin më të lartë të rezidentëve me shtetësi vendase janë Polonia dhe Rumania. Këto shtete kanë respektivisht 99.4% të popullsisë me nacionalitet vendas. Ndërkohë shteti më numrin më të madh të shtetasve të nacionaliteteve të tjera (të BE ose jo) është Luksemburgu, ku 52.1% e popullsisë është aktualisht me kombësi të huaj.

Vendin e parë për emigracion por gjithashtu dhe për imigrim e zë Gjermania. Gjermania ka pritur 561 mijë migrantë ndër të cilët, 42% nga vendet e tjera anëtare të BE dhe 58% nga vendet e tjera të botës. Në këto shifra një ndikim të madh kanë pasur dhe politikat pranuese të Gjermanisë.

Nëqoftëse krahasojmë përqindjen e emigrimit ose imigrimit në bazë të popullatës vendase statistikat kanë ndryshime interesante. Italia zë vendin e parë si shteti që ka pritur më shumë shtetas jo Europianë, respektivisht 70% të migrantëve të pritur ishin të ardhur nga shtetet e tjera të botës. Gjithsesi numri i të ardhurve në Itali ishte 343 mijë, 574 mijë më pak se Gjermania e cila zë vendin e parë për numër imigrantësh.

Interesant është dhe fakti që Sllovakia është shteti i cili ka 92% të të huajve në vend  me shtetësi të BE, duke zënë vendin e parë në këtë kategori. Edhe pse përqindja për Sllovakinë ishte e lartë numri i personave të huaj në këtë territor mbetet  ulët respektivisht 7 mijë imigrantë. Fakti që në këtë shtet numri i të larguarve si emigrantë ishte 4 mijë persona më pak, se të ardhur ndikon në numrin e lartë të popullatës vendase e cila është 98.7% me shtetësi sllovake.

Franca është  shteti me përqindjen më të lartë të shtetasve të larguar jashtë Bashkimit Europian. Nga 313 mijë shtetas të larguar, 63% kanë zgjedhur të zhvendosen në vende të ndryshme të botës jashtë territorit të BE. Më së shumti shtetasit Francezë zgjedhin të emigrojnë drejt kontinentit të Amerikës Veriore.

91% e emigrantëve rumunë janë larguar drejt vendeve të ndryshme brenda BE. Kjo ka ndikuar që Rumania të zërë vendin e parë si shteti me përqindjen më të madhe të të larguarve drejt BE ku nga 242 mijë të larguar vetëm 9% e tyre kanë emigruar jashtë BE-së.

 

 

Situata e migracionit nga Shqipëria dhe Kosova

Për sa i përket Shqipërisë, gjatë 2015 shihet një rritje në numrin e shqiptarëve të larguar në vendet jo europiane, më saktësisht 192 mijë shqiptarë nga 169 mijë që ishin në 2010. Largimi drejt vendeve të BE është ulur me 13 mijë më pak në 2015, nga 951 mijë që kanë qenë në 2010. Gjithashtu numri i personave të ardhur për të jetuar  në Shqipëri ka pësuar një rënie në 2015 dhe ka shkuar në 52 mijë nga 53 mijë që ishte në 2010.

Gjatë 2019 shihet një përkeqësim në numrin e personave që zgjedhin të largohen nga Shqipëria. Sipas statistikave të INSTAT dhe Komisionit Europian numri i emigrantëve shqiptarë drejt BE në 2019 ka qenë 1 milion, dhe drejt vendeve të tjera të botës 204 mijë. Si pasojë numri i popullatës së larguar për këtë vit ka shkuar përafërsisht në 1 207 000, nga  1 milion e 130 mijë që ka qenë gjatë periudhës së emigracionit të madh në 2015.

Për sa i përket numrit të azilkërkuesve shqiptarë në vendet e Bashkimi Europian përqindja e meshkujve dhe femrave ka mbetur e njëjtë si në 2015 edhe në 2018, specifikisht 61% meshkuj e 39% femra. Numri i përgjithshëm nga 2015 deri në 2019 ka pësuar ulje dhe gjatë  2019 kanë kërkuar azil vetëm 19 580 shtetas shqiptarë nga 66 145 që ka qenë para 4 vitesh. Gjithashtu numri i emigrantëve të gjetur në mënyrë të parregullt në BE është pakësuar duke shkuar në 34 810 në 2019, 15 315 më pak se vitet paraardhëse. Vihet re që mesatarisht 50 mijë shtetas shqiptarë marrin shtetësinë e një shteti të Bashkimit Europian çdo vit.  

Kosova ka pasur gjithashtu një numër të lartë të azilkërkuesve dhe emigrantëve të parregullt. Në vitin 2015 ka pasur 66 885 azilkërkues ndër të cilët 66% meshkuj, dhe 50 000 emigrantë të parregullt drejt BE. Gjatë 2019 këto lëvizje kanë pësuar ulje në  numër duke shkuar në 3 295 azilkërkues dhe 4 795 persona të gjetur në mënyrë të parregullt në territorin e BE. Përqindja e grave të cilat kërkojnë azil është rritur duke shkuar në 43% në krahasim me 34% që ishte në 2015. Mesatarisht numri i qytetarëve të Kosovës që pajisen më pasaportë të një shtet të BE-së është 6000-7000 për çdo vit.

Të ardhurat e dërguara nga emigrantët zënë një pjesë të konsiderueshme të PBB të të ardhurave të Kosovës dhe Shqipërisë. Në 2017 në Shqipëri janë regjistruar të ardhura të konsiderueshme nga diaspora të cilat kanë zënë 10.61% të PBB të Shqipërisë. Këto të ardhura vijnë kryesisht nga emigrantë në BE dhe 13% e të ardhurave nga vende të tjera. Përqindja e PBB që zënë të ardhurat në diasporë është më e lartë në Kosovë duke e çuar numrin në 15.42%, nga këtë 66% vijnë nga emigrantë në vendet e BE.

***

Migracioni mbetet një sfidë si për vendet e zhvilluara të Nashkimit Europian që shpesh përballen me migracionin e parregullt dhe një numër të madh azilkërkuesish apo migrantësh, ashtu dhe për vendet e tjera që konsiderohen si vende origjine, siç janë dhe Kosova dhe Shqipëria. Menaxhimi i këtij procesi, ofrimi i mundësive për tu integruar dhe respektimi i të drejtave mbeten elementet prioritare për BE në mënyrë që migracioni të mos shndërrohet në një barrë dhe sfidë për rajonin, por si një mundësi për zhvillim, shkëmbim dijesh e eksperiencash dhe bashkëpunim më të ngushtë mes vendeve.

Stafi i EuroSpeak, janar 2020

Të dhënat janë marrë nga Atlasi i Migracionit 2019, publikimi i Komisionit Europian

  Kërko

  Axhenda

Shkurt 2020

10 - 13 shkurt - Mbahet Sesioni Plenar i Parlamentit Europian, ku do të diskutohet rreth propozimeve të Komisionit Europian për metodologjinë e zgjerimit; mbi krijimin e një partneriteti me Mbretërinë e Bashkuar dhe Irlandën e Veriut
11 shkurt –
Mblidhet Kolegji i Komisionerëve i Komisionit Europian
11- 13 shkurt –
Zhvillohet Seanca Plenare e Komiteti të Rajoneve e cila do të jetë seanca e parë e mandatit të ri
13 shkurt –
Këshilli i Shëndetit dhe Mbrojtjes së Konsumatorit i Këshillit të BE mblidhet për të miratuar konkluzione në lidhje me Coronavirus

  FJALOR

Rrjeti i Studentëve Erasmus (ESN)

ESN është një organizatë ndërkombëtare jo-fitimprurëse për studentët. Misioni i saj është të përfaqësojë studentët ndërkombëtarë, duke u siguruar këtyre të fundit mundësi për të zhvilluar veten e tyre profesionalisht dhe për të patur një botëkuptim sa më të gjerë kulturor, nën parimin “Studentët ndihmojnë Studentët”. Momentalisht ekzistojnë 530 shoqata lokale që mbështesin studentët ndërkombëtarë në shkëmbimin mes 41 vendeve në Europë së bashku me Shqipërinë. ESN mbulon mbi 1 000 Institucione të Arsimit të Lartë, shumica e të cilave janë të lidhura ngushtësisht me Zyrat e Marrëdhënieve Ndërkombëtare. Në total, pothuajse 15 000 vullnetarë ofrojnë shërbime për rreth 350 000 studentë ndërkombëtarë, duke organizuar një sërë aktivitetesh për integrimin e atyre të rinjve në vendet e tyre pritëse dhe përmirësimin e cilësisë së lëvizshmërisë së studentëve.

  Na ndiqni ne:

facebook gplus twitter youtube1