E Shtunë, 28 Nëntor 2020
Blue Red Green
  • Buletin Informativ i Lëvizjes Europiane në Shqipëri (ISSN 2708 - 1656)
Joomla!: Position Home - E Hënë, 09 Prill 2012 07:19
Joomla!: Using Joomla! - E Shtunë, 01 Janar 2011 00:00
Joomla!: Upgraders - E Shtunë, 01 Janar 2011 00:00
Joomla!: The Joomla! Project - E Shtunë, 01 Janar 2011 00:00
Joomla!: The Joomla! Community - E Shtunë, 01 Janar 2011 00:00
Joomla!: Sample Sites - E Shtunë, 01 Janar 2011 00:00
Joomla!: Professionals - E Shtunë, 01 Janar 2011 00:00
Joomla!: Parameters - E Shtunë, 01 Janar 2011 00:00
Joomla!: Joomla! - E Shtunë, 01 Janar 2011 00:00
Joomla!: Getting Started - E Shtunë, 01 Janar 2011 00:00
Joomla!: Getting Help - E Shtunë, 01 Janar 2011 00:00
Joomla!: Beginners - E Shtunë, 01 Janar 2011 00:00

Covid-19, një zile zgjimi për të pasur një sistem arsimor me standarde europiane

aida magjistariPandemia e COVID-19, solli shumë ndryshime në jetën tonë sociale dhe ekonomike. Ndryshoi shumë koncepte të së përditshmes, duke na familjarizuar edhe me situata, si: puna nga shtëpia apo shkolla nga shtëpia. Për sistemin tonë arsimor COVID-19 ishte një goditje e rrufeshme dhe e tillë duhej të ishte edhe përgjigjja në nivel institucional dhe familjar.

Por ne nuk humbëm nga kjo përvojë, përkundrazi, edhe pse në mënyrë të sforcuar, u ndërgjegjësuam për nevojën e përditësimit të metodologjisë së mësimdhënies, gjë që pritet të ndikojë në mënyrë të pashmangshme në zhvillimin e mëtejshëm të kurrikulës sonë arsimore me standarde të reja, evropiane dhe më tej. Në kohët që jetojmë shkolla nuk mund të vazhdojë të jetë e programuar vetëm si mësim (ballë për ballë) në klasë. Teknologjia është hallka më e rëndësishme e arsimit në ditët e sotme dhe, me sa duket, mësimi në distancë do të jetë pjesë e pandarë e jetës sonë. Duke qenë se shumë nga këto koncepte njihen vetëm në teori, teksa praktika është relativisht e panjohur për shkollat tona, le të shohim se çfarë mund të bëjmë, nisur edhe nga përvoja e vende të zhvilluara.

***

Në Shqipëri është vërejtur gjithmonë një rezistencë, madje edhe refuzim për njohjen dhe vlerësimin e shkollës në distancë të zhvilluar online nga institucionet apo nga individët që përfaqësojnë institucionet. Deri para karantinës që solli pandemia e COVID-19 në mars të këtij viti shkolla online nuk konsiderohej si shkollë e mirëfilltë, pasi mësimi nuk zhvillohet njësoj si në klasë dhe rezultatet nuk janë të vërteta.

Shumica e këtyre miteve me siguri tashmë kanë rënë, pasi u pa qartë sa e vështirë është të shkollohesh në distancë, sa punë përgatitore dhe autodisplinë kërkon ky proces, sa shumë formim përtej lëndës duhet të ketë mësuesi, por edhe se sa shumë mekanizma ofron teknologjia për të pasur një sistem vlerësimi më se të saktë. Sigurisht që, përtej seriozitetit të situatës, impakti social, kryesisht te fëmijët dhe te prindërit, të cilëve u duhej të merreshin edhe më shumë me detyrat e fëmijëve të tyre ishte i fortë dhe jo i lehtë për t'u përballuar, por ky ishte një problem mbarëbotëror.

Në të gjithë shtypin e huaj: anglez, spanjoll, francez, italian e amerikan, botoheshin çdo ditë artikuj kushtuar pakënaqësive të prindërve, nevojës për kthimin e fëmijëve në shkollë pasi shkolla nga shtëpia nuk ishte e plotë, analiza se si shumë fëmijë që u përkisnin lagjeve më të varfëra nuk kishin akses te mësimet, sa pak të paguar dhe të papërgatitur për të tillë situatë ishin mësuesit, etj. Madje edhe tani, në vigjilje të vitit të ri shkollor, mediat evropiane vazhdojnë të publikojnë kundërshtitë mes qeverive dhe institucioneve arsimore për protokollet që do të ndiqen për hapjen e shkollave. Ka vende ku qeveritë kanë vendosur që mësimi të fillojë, por kanë hasur në rezistencën e prindërve apo të sindikatave. Pra, nuk ishim dhe nuk jemi të vetmit që po përballemi me ndryshime sociale, administrative dhe pedagogjike të sistemit tonë arsimor si pasojë e Covid-19. Neve si një vend në zhvillim na mbetet të vlerësojmë këto ndryshime, të krijojmë mekanizma të rinj didaktikë që lidhen me mësimdhënien dixhitale, të ofrojmë një rrjet të mirë interneti, si edhe mundësinë që të gjithë nxënësit të kenë akses te shkollimi.

Mësimdhënia në distancë e zhvilluar online nuk është një risi apo pasojë e Covid-19 në botë. Shumë institucione të rëndësishme të arsimit në vendet e zhvilluara, prej më shumë se një dekade ofrojnë programe formimi në distancë në nivel kursesh apo edhe programe të plota studimi. Komisioni Evropian në janar te vitit 2018 shpalli Planin e Veprimit për Edukimin Dixhital brenda territorit të BE-së (EU Commision, 2019). Mësimdhënia me korrespondencë është ajo që i ka paraprirë mësimdhënies në distancë, e cila, me zhvillimin teknologjik dhe atë të internetit, u kthye në mësimdhënie që zhvillohet online, për të qenë e arritshme nga të gjithë pa qenë nevoja të zhvendosemi fizikisht. Sipas Eurostatit (Eurostat, 2020), gjatë vitit 2019 brenda Bashkimit Evropian 8% e popullsisë nga mosha 16 deri në 74 vjeç ndoqën kurse online, ndërkohë që në 2017-n kjo shifër ka qenë në vlerën 7%, ndërsa në vitin 2010 vetëm 4% (Eurostat, 2019).

Ndërkohë, universitete si “Harvard”-i, “Yale”-i, “Sorbonne”-a, “Oxford”-i etj., ofrojnë mundësinë e formimit online nëpërmjet kurseve MOOC (Massive Open Online Courses) (EU Commision, 2016). Ndërsa programet e plota universitare, institucionet lider nuk kanë vendosur ende t’i ofrojnë online, dhe jo sepse mendojnë se nuk është një metodë e vlefshme, përkundrazi, por sepse duan të përmbushin modelin që njerëzit kanë në kokë për studimet universitare: jetë në kampus, larg nga familja, njohje të reja etj. (The Economist, 2020)

Kurset MOOC përdoren gjerësisht nga institucione arsimore, zyrtare dhe jozyrtare, për atë që quhet të nxënurit e vazhdueshëm gjatë gjithë jetës, siç mund të jenë trajnimet formuese të mësuesve apo formimi për këdo që ka dëshirë të mësojë gjëra të reja ose të thellohet në gjërat që di. Sipas studimeve statistikore të vitit 2019, të paktën gjysma e vendeve të BE-së këshillojnë që kompetenca dixhitale të jetë pjesë e formimit bazë të mësuesve (Witthaus, Childs, Tannhauser, Conole, Nkuyubwatsi, Punie, 2016). Aktualisht ka qëndrime pro dhe kundër MOOC-eve (Forbes, 2019), pasi, pavarësisht nga lehtësirat administrative që krijojnë, duke qenë se bazohen te shkëmbimi i përvojave ndërmjet kursantëve dhe nuk ka një protokoll të mirëfilltë vlerësimi me feedback nga udhëheqës profesionistë, besueshmëria e tyre trajnuese është e ulët. Mirëpo informacioni dhe përmbajtja që këto kurse ofrojnë (rol vendimtar luan institucioni që i ofron), si dhe shkëmbimi i përvojave patjetër që janë shumë të vlefshme. Por tanimë e gjithë vëmendja është përqëndruar te SPOC-et (Small Private Online Courses), që janë e kundërta e MOOC-ve (Euronews, 2016). Një përzierje e të dyjave (lehtësia e regjistrimit në çdo kohë dhe shkëmbimi i përvojave i MOOC-ve dhe ndjekja nga profesionistë, si dhe certifikimi i SPOC-ve) do të ishte një alternativë shumë e mirë trajnuese për stafin arsimor në Shqipëri, duke ofruar njohuri mbi mësimdhënien online nisur nga situata në nivel makro dhe problematikat e secilit mësues në nivel mikro. Një bazë e fortë për të krijuar kurse formimi për mësuesit e tjerë mund të ishin pedagogët dhe mësuesit e gjuhëve të huaja apo studentët në prag diplomimi.

“Khan Academy”-ia është një shembull i mirënjohur që vlen të përmendet për sa u përket platformave private online të mësimdhënies në distancë dhe të asaj autodidakte. Është një platformë që ofron formim kryesisht në shkencat ekzakte, por jo vetëm, dhe themeluesi i saj, Sal Khan-i, e krijoi pasi pa se çdo ditë e më shumë kushërinjtë e tij më të vegjël, që jetonin në shtete të ndryshme, kishin nevojë për ndihmë me mësimet e matematikës. Aktualisht, pas situatës së krijuar nga Covid-19, fokusi i “Khan Academy”-së është edhe formimi i mësuesve për të përballuar sa më mirë mësimin në distancë.

Por, pavarësisht nga avancimet teknologjike dhe investimet në burime njerëzore, ishin të shumta shtetet që u gjendën të papërgatitura për metodologjinë ekskluzivisht online dhe për shtimin e përdoruesve që solli pandemia e COVID-19-s. “EducaMadrid”-i, një platformë zyrtare në shërbim të arsimit në qytetin e Madridit dhe rrethinat e tij, e krijuar rreth vitit 2010, deri javën e dytë të marsit të këtij viti kishte 748 000 vizitorë. Të nesërmen e ditës që u shpall karantina kjo shifër shkoi në 2 428 000 dhe sigurisht që platforma u bllokua dhe u desh shumë punë (që kryesisht bëhej në fundjavë, për të mos penguar vazhdimin e mësimit) për rritjen e kapacitetit, si dhe për shtimin e përmbajtjes që ajo ofronte.

Le të kthehemi te kurrikula shqiptare dhe te përpjekjet që u bënë, pa përgatitje paraprake, për ta kthyer në kurrikul distance apo digjitale. Sistemit tonë arsimor i mungonte kjo infrastrukturë, pasi arsimi në Shqipëri është programuar, në të gjitha elementet e tij, të zhvillohet në klasë (ballë për ballë) dhe në gjithë morinë e investimeve të kryera nuk ishin parashikuar situata si tërmeti i nëntorit të vitit të shkuar apo si paralizimi i plotë i jetës institucionale dhe sociale që solli Covid-19. Kanali televiziv shtetëror arriti të ofrojë input didaktik në distancë. Por, a pati mësimdhënie online?

Fillimisht duhet thënë se mësimdhënia online duhet të jetë element i rëndësishëm i klasës ballë për ballë. Në të paktën 9 vende të BE-së teknologjia dixhitale përdoret për të kryer provimet shtetërore në rang kombëtar (Eurydice, 2019), që do të thotë se kompetenca digjitale është pjese e pandarë e kurrikulës mësimore. Elementi digjital e bën mësimdhënien interaktive, me nxënësin si protagonist kryesor. Teknologjia është një mjet shumë i mirë për të lehtësuar mësimdhënien në distancë (përdorimi i Whatsapp-it, grupet e punës në Facebook, Google Classroom-i, Zoom-i etj.), madje është edhe një aleate shumë e mirë në rastet kur mësimi nuk mund të zhvillohet në shkollë apo kur jo të gjithë nxënësit mund të jenë në klasë (mësim hibrid), por mësimdhënia online nuk është kjo (Stauffer, 2020). Mësimdhënia online, mësimdhënia dixhitale, duhet të jetë pjesë e pandarë e kurrikulës në klasë në të gjitha elementet e saj didaktike: në prezantimin e përmbajtjes, në zhvillimin e ushtrimeve, në plotësimin e dijeve dhe në sistemin e vlerësimit), dhe ndërkohë mund të transferohet edhe te mësimi në distancë. Por, nëse përdoret thjesht për qëllime të thjeshta (p.sh.: shfrytëzimi i internetit për nxjerrje informacioni nga Google-i për plotësimin e një detyre shtëpie), ajo nuk e plotëson misionin e vet dhe shkolla do të vazhdojë të nxjerrë nxënës dhe profesionistë që nuk e gjejnë veten në tregun e punës.

Duke e bërë online-in pjesë të kurrikulës, do të shkojmë drejt shkollës që synojnë të gjitha vendet me arsim të konsoliduar: “shkollës së përzier”, e njohur me termin anglisht: blended learning (Edutopia, 2014). Hapi i parë për përfshirjen e kësaj metodologjie mësimdhënieje në kurrikul do të ishte formimi i mësuesve dhe ngritja e laboratorëve të mësimdhënies online në shkolla, të cilët mund të funksionojnë në kombinim me një platformë private në rang shkolle, rrethi ose vendi.

Konceptimi dhe hartimi i kurrikulës duhet marrë nga modeli i duhur europian dhe duhet përshtatur nga specialistë të didaktikës dhe të pedagogjisë. Formimi i mësuesve duhet të jetë serioz dhe i vazhdueshëm për sistemet e menaxhimit të mësimdhënies dixhitale, sistemet bazë të ndërtuara për të punuar nga telefoni, sistemet që funksionojnë offline, MOOC-et, SPOC-et, përmbajtjen e mësimdhënies autodidakte, mjetet në dispozicion të tyre për të krijuar përmbajtje për mësimdhënien digjitale etj. (Unesco, 2020), si edhe bazën materiale. Në shumicën e vendeve të BE-së tashmë ka plane dhe investime konkrete për shtrirjen e mësimdhënies dixhitale në arsimin parauniversitar (Eurydice, 2019).

Një tjetër element thelbësor që duhet mbajtur parasysh është privatësia dhe mbrojtja e nxënësve nga ekspozimi në internet. Përveçse duhet të jenë të pajisura me të gjitha elementet e sigurisë për të mbrojtur përdoruesit nga informacione të papërshtatshme për moshën, pjekurinë etj., platformat gjithashtu duhet të sigurojnë ruajtjen e të dhënave të secilit përdorues në mënyrë që informacione konfidenciale, si tezat e provimeve apo notat e secilit nxënës të mos dalin pa miratim paraprak nga ana e personave përgjegjës. Mësuesit, prindërit dhe vetë nxënësit duhet të trajnohen për një përdorim të sigurt të internetit. Për këtë qëllim, në prill të këtij viti zyra e UNICEF-it në Shqipëri publikoi një udhëzues për platformat e mësimdhënies private dhe shtetërore (Unicef Albania, 2020).

Pra, nuk ndodhemi përpara një situate hipotetike dhe kemi pak kohë në dispozicion për t’iu përshtatur realitetit të ri. Mësuesit që japin mësim në distancë dhe gjithçka që thamë më sipër mund të nevojiten sot. Edhe nëse do të ktheheshim në shkolla normalisht, do të na duhet të përballemi me nxënës që thuajse një vit shkollor e kanë kryer online. Pra, hapat duhen hedhur me kujdes, nuk duhet të ngatërrohen konceptet dhe, për pasojë, infrastruktura të ngrihet gabim apo, akoma më keq, e gjithë kjo përvojë të konvertohet në një bibliotekë videosh që do të përdoren në situatën e emergjencës së radhës dhe të pretendojmë që mësimdhënien online e kemi në xhep.

Nga duhet t’ia fillojmë nëse do të na duhet t’i rikthehemi mësimit në distancë? Së pari, duhet thënë që edhe mosha e nxënësve ka një rol në këtë proces. Të gjithë e pranojmë se për më të vegjëlit apo ata që ulen për herë të parë në banka është më e vështirë, sepse e tillë është dinamika e klasës. Do të duhet të vazhdohet me fokusin te lëndët kyç: matematikë, lexim, gjuhë. Do të nevojitet të mblidhet sa më shumë feedback nga përvoja e mësuesve dhe nxënësve gjatë muajve të kaluar dhe mbi këtë bazë mund të bëhen përmirësime të vogla, por thelbësore. Së dyti, do të duhet të rishikohen sistemet e vlerësimit dhe të stimulohet puna në grupe, në mënyrë që të ketë ndërveprim midis nxënësve. Mund (duhet) të jepen pak detyra, por shumë feedback (Sancho,2020).

Gjatë gjithë kohës do të duhet të ketë mbledhje, diskutime, pra mësim online edhe për mësuesit, të cilat mund të zhvillohen sipas lëndës, brenda të njëjtit rreth administrativ apo edhe të shkartisen në momente të caktuara, për të shkëmbyer përvojë (Universitat Oberta de Catalunya, 2020). Për këtë do të nevojitej krijimi i menjëhershëm i një platforme që ofron MOOC-e (ose SPOC-e) dhe webinar-e formuese e shteruese. Nëse mësuesit do të preferonin të ishin anonimë, pjesëmarrja në grupet e forumeve mund të bëhej pa emër, me anë të një kodi identifikues. Nëpërmjet platformës ata do të mund të shkëmbenin ide apo materiale të improvizuara nga ata vetë, që mund t’iu shërbenin edhe të tjerëve. Nuk duhet harruar se nëse arrijmë t’i përgatitim mësuesit të krijojnë material mësimor dixhital dhe sisteme vlerësimi duke përdorur teknologjinë (edhe pse kjo nuk duhet të jetë në asnjë mënyrë detyra bazë e tyre) (NYTimes, 2020), do të mund të themi se kemi filluar të përgatitemi për mësimdhënie online dhe pse jo, të synojmë shkollën e së ardhmes: flipped classroom, “klasa e përmbysur” (University of Washington, 2020).  

Së fundi, të gjitha çfarë parashtruam më sipër duhen realizuar duke u bazuar në sisteme referimi të standardizuara dhe të kolauduara. Organizmat ndërkombëtarë që punojnë në Shqipëri, BE-ja, UNICEF-i janë një mbështetje e shkëlqyer, por peshën kryesore duhet ta mbajnë profesionistët e fushave përkatëse. Detyrat e secilit duhet të jenë të qarta e konkrete, mësuesit do të duhet të mësojnë të punojnë në grup dhe pika më e fortë do të duhet të jetë sistemi i ngritur brenda parametrave të duhur, me një kontroll cilësie të vazhdueshëm dhe gati-gati të automatizuar. Arsimi, sidomos ai dizhital, është një proces pa mbarim, që, për më tepër evoluon me shpejtësinë e dritës, prandaj me të njëjtin ritëm duhet të reagojmë kur punojmë për të. Pavarësisht problemeve që shkaktoi, Covid-19 shërbeu si shtysë për të na hapur sytë se dixhitalizimi është rruga e vetme drejt një sistemi arsimor bashkëkohor.

Dr. Aida Magjistari (Myrto), shtator 2020

*Dr. Aida Magjistari (Myrto) mban titullin Doktore e Shkencave në programin “Gjuhë moderne, Përkthim dhe Didaktikë” nga Universiteti “Pablo de Olavide”, Sevilie, Spanjë. Pas përfundimit të doktoraturës në vitin 2016 dhe në vazhdim, nisur nga interesi për mësimdhënien online, ka marrë pjesë në disa kurse formimi dhe specializimi, si edhe në dhjetëra seminare dhe webinar-e dhe është eksperte didaktike e mësimdhënies online e certifikuar nga institucionet: Universiteti Kombëtar i Edukimit në Distancë, Madrid, Spanjë, Universiteti “Antonio de Nebrija”, Madrid, Spanjë dhe Universiteti i Salamanca-s, Salamanca, Spanjë, Instituti “Cervantes”, Madrid, Spanjë. Aktualisht është konsulente e pavarur e mësimdhënies dixhitale.

***

Referenca:

https://op.europa.eu/en/publication-detail/-/publication/d7834ad0-ddac-11e9-9c4e-01aa75ed71a1/language-es/format-PDF

https://ec.europa.eu/eurostat/web/products-eurostat-news/-/EDN-20200517-1

https://ec.europa.eu/jrc/en/open-education/mooc

https://op.europa.eu/en/publication-detail/-/publication/d7834ad0-ddac-11e9-9c4e-01aa75ed71a1/language-es/format-PDF

https://www.forbes.com/sites/mattsymonds/2019/12/07/moocs-make-way-for-spocs-in-the-global-education-of-tomorrow/#287b12b343da

https://www.euronews.com/2016/02/26/mooc-cooc-and-spoc-different-online-courses-different-needs

https://op.europa.eu/en/publication-detail/-/publication/d7834ad0-ddac-11e9-9c4e-01aa75ed71a1/language-es/format-PDF

https://www.aeseducation.com/blog/online-learning-vs-distance-learning

https://www.edutopia.org/practice/blended-learning-making-it-work-your-classroom

https://www.hanoverresearch.com/media/Strategies-for-Virtual-Learning-Implementation

https://en.unesco.org/covid19/educationresponse/solutions

https://op.europa.eu/en/publication-detail/-/publication/d7834ad0-ddac-11e9-9c4e-01aa75ed71a1/language-es/format-PDF (Grafiku 4.4)

http://informatica.blogs.uoc.edu/2020/06/09/matematicas-online/

http://symposium.uoc.edu/50461/detail/la-colaboracion-en-red-para-docentes-y-para-estudiantes.html

https://www.nytimes.com/2020/08/13/opinion/coronavirus-school-digital.html

https://www.washington.edu/teaching/topics/engaging-students-in-learning/flipping-the-classroom/

  Kërko

  Axhenda

26 nëntor 2020 - Seancë plenare e Parlamentit Europian ku eurodeputetët pritet të kenë një mendim zyrtar mbi vendimin e Tribunalit Kushtetues Polak mbi të drejtat e abortit në vend.

********************

25 nëntor 2020  - Dita Ndërkombëtare për Eliminimin e Dhunës ndaj Grave

********************

24 nëntor 2020 - Takimi i kolegjit - Komisioni pritet të miratojë planin e veprimit të BE për barazinë gjinore dhe fuqizimin e grave në marrëdhëniet e jashtme për 2021-2025; planin e veprimit për integrimin dhe përfshirjen  dhe planin e veprimit mbi pronësinë intelektuale

********************

  FJALOR

wordoftheday

Seksion dedikuar shpjegimit të termave të BE-së.

  Na ndiqni ne:

facebook gplus twitter youtube1