E Hënë, 17 Shkurt 2020
Blue Red Green
  • Buletin Informativ i Lëvizjes Europiane në Shqipëri
Joomla!: Position Home - E Hënë, 09 Prill 2012 07:19
Joomla!: Using Joomla! - E Shtunë, 01 Janar 2011 00:00
Joomla!: Upgraders - E Shtunë, 01 Janar 2011 00:00
Joomla!: The Joomla! Project - E Shtunë, 01 Janar 2011 00:00
Joomla!: The Joomla! Community - E Shtunë, 01 Janar 2011 00:00
Joomla!: Sample Sites - E Shtunë, 01 Janar 2011 00:00
Joomla!: Professionals - E Shtunë, 01 Janar 2011 00:00
Joomla!: Parameters - E Shtunë, 01 Janar 2011 00:00
Joomla!: Joomla! - E Shtunë, 01 Janar 2011 00:00
Joomla!: Getting Started - E Shtunë, 01 Janar 2011 00:00
Joomla!: Getting Help - E Shtunë, 01 Janar 2011 00:00
Joomla!: Beginners - E Shtunë, 01 Janar 2011 00:00

Dështimi i hapjes së negociatave dhe pakënaqësia e të gjithëve ndaj JO-së së Francës

Zgjerimi 17.10.2019Hapja e negociatave për aderim në BE mbeti sërish një ëndërr e pamundur për popullin shqiptar. Këshilli Europian vendosi mosçeljen e negociatave për anëtarësimin e Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut në BE, raporton faqja zyrtare e Parlamentit Europian.

Më 17-18 tetor të 2019, Këshilli i shteteve anëtare duhet të kishte vlerësuar bazuar në raportin e Komisionit Europian, plotësimin e kushteve dhe rekomandimeve të listuara në qershor të 2019 për Shqipërinë në zbatimin e Reformës në Drejtësi, luftës kundër korrupsionit, krimit të organizuar, të drejtave të njeriut dhe ligji për administratën publike, por duket sikur vendimi ishte më shumë “personal” sesa në interes të unionit.

Si u pozicionuan vendet anëtare?:

Kundërshtarët:

Ashtu siç ishte parashikuar Franca vazhdoi deri në fund të ishte skeptike kundrejt zgjerimit dhe aderimit të vendeve të Ballkanit Perëndimor duke u bërë kështu një mur i pakalueshëm për dritën jeshile. Macron i thotë JO - Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut duke mos pasur parasysh rekomandimin pozitiv të disa ditëve më parë të Komisionit Europian. Presidenti francez Emmanuel Macron e kundërshtoi me forcë zgjerimin e BE-së aq sa përfundimisht mbizotëroi ndaj liderëve të tjerë, përfshirë këtu edhe ndaj Presidentit të Këshillit Europian Donald Tusk dhe Kancelares gjermane Angela Merkel, të cilët ishin në favor. Franca ka parashtruar arsyet procedurale për bllokimin e aderimit për të dy vendet, duke argumentuar se i gjithë sistemi i pranimit të shteteve të reja në BE ka nevojë për një rregullim. Gjithashtu Parisi është i mendimit se Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria nuk janë ende të gatshme të fillojnë procesin e anëtarësimit në BE.

Hezituesit dhe skeptikët, por jo të gatshëm të vendosnin veton:

Holanda ishte e paqartë në arsyen e vetos së saj. Pak ditë më parë ajo deklaroi se nuk do të jetë e vetme për ti thënë jo anëtarësimit të Shqipërisë dhe Maqedonisë se Veriut në momentin e votimit. Duket qartë që guximi i erdhi nga qëndrimi i Francës. Gjithashtu Kryeministri Holandez Mark Rutte e mbështeti kompromisin e mundshëm që do të lejonte që të fillonin bisedimet me Maqedoninë e Veriut dhe do të detyronin Shqipërinë të priste, por në fund udhëheqësit e shteteve anëtare nuk mund të binin dakord për ndarjen e ofertave duke i parë të dy shtetet si një procedurë e përbashkët.

Danimarka dhe Spanja ishin gjithashtu të mendimit se Shqipëria nuk i ka plotësuar kushtet dhe reformat, pasi ato kanë qenë të pamjaftueshme, duke dashur kështu shkëputjen e saj në këtë proces për ti dhënë mundësi Maqedonisë së Veriut e cila arriti këtë vit marrëveshjen historike me Greqinë, të marri prej tyre dritën jeshile.

Mbështetësit:

Përkrahësit e hapjes së negociatave të Ballkanit drejt rrugës së anëtarësimit argumentuan se të dy shtetet kanë përmbushur kriteret e përcaktuara nga BE dhe se rrezikohet besueshmëria e unionit në mbajtjen e premtimeve të dhëna.

Gjermania vazhdon të jetë e gatshme ta mbështesë Shqipërinë në reformat e saj brenda vendit dhe marrëdhëniet në arenën ndërkombëtare, por kjo nuk ka mjaftuar.

Italia dëshiron ti jap një mundësi tjetër po këtë vit Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut. Sipas faqes së Politico , kryeministri i Italisë Giuseppe Conte deklaroi se vendi i tij është i gatshëm të ulet përsëri në tavolinën e liderëve për të gjetur një kompromis të përbashkët midis shteteve për hapjen e negociatave.

Vendet e Vishegradit (Hungaria, Polonia, Çekia, Sllovakia) deklaruan para pak ditëve se duke i mundësuar hapjen e negociatave Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë, BE- ja do të riafirmonte angazhimin e saj për stabilitetin, sigurinë, demokracinë dhe prosperitetin e rajonit. Në një letër publike firmosur nga katër ministrat e jashtëm të këtyre vendeve, këto vende janë shprehur se vetëm përmes integrimit të Ballkanit Perëndimor, BE mund të ishte e plotë dhe interesat e saj afatgjata të mbroheshin siç duhet.

Rumania e mbështeti zgjerimin e BE-së duke marrë parasysh situatën aktuale dhe të mirën që do të sillte zgjerimi për unionin. Ministri i jashtëm rumun, në deklaratat e tij për shtyp ka deklaruar që ‘ shpresonte që zgjerimi të mos kishte vdekur’

Pavarësisht kësaj në Mbledhjen e liderëve në datat 17-18 tetor 2019, nuk u arrit dot një votë unanime për të dyja vendet për hapjen e negociatave. Franca ishte vendi i vetëm që kundërshtoi hapjen e negociatave për të dyja shtetet, ndërkohë që për Shqipërinë hapjen e negociatave e kundërshtuan dhe Danimarka dhe Holanda.

Reagimet e Institucioneve të BE-së pas vendimit: 

Gjatë konferencave për shtyp të dhënë nga Presidentët e institucioneve të BE-së Donald Tusk , Jean-Claude Juncker  si dhe Ursula von der Leyen, konkluzioni ishte i njëjtë, askush nuk ishte dakord për vendimin e Këshillit Europian dhe të gjithë ishin të mendimit që vendimi i krerëve të Europës ishte një gabim me pasoja të rënda për Bashkimin Europian.

Komisioneri Europian për Zgjerimin, Johannes Hahn, e komentoi vendimin e liderëve të BE-së si një dështim historik dhe humbje të madhe për të ardhmen e Bashkimit Europian, duke shtuar se është përgjegjësi e shteteve të unionit për të qëndruar sa më afër popullit të zhgënjyer të Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë dhe për ti kthyer atyre besimin e humbur nga ky vendim.

Vlerësimi i Komisionit Europian bazuar në Raportin e 2019 për Shqipërinë – 5 kushtet e Shqipërisë

Presidenti i Komisionit Europian Jean-Claude Juncker, gjatë konferencës për shtyp në datën 15 tetor, e mbështeti zgjerimin e BE duke komentuar se reformat e ndërmarra nga Shqipëria u nënvlerësuan shumë nga shtetet anëtare kur faktet dhe raportet tregonin ndërmarrjen e masave konkrete dhe përmirësimin në fusha të ndryshme.

Raporti i Komisionit Europian në maj të vitit 2019 ishte shumë pozitiv për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. Në lidhje me 5 kushtet e vendosura për Shqipërinë, raporti shprehte qartë 1. se zbatimi i reformës në drejtësi ka qenë i vazhdueshëm dhe rezultati i dukshëm duke hedhur themelet për fuqizimin e këtij sektori në pavarësinë, paanshmërinë dhe përgjegjësinë që ai mbart. Rezultate të dukshme vijnë edhe nga procesi i Vettingut për të gjithë gjykatësit dhe prokurorët e korruptuar.

2. Në përpjekjet dhe Luftën kundër korrupsionit dhe 3. krimit të organizuar, Komisioni shprehu opinionin e tij mbi përpjekjet e vazhdueshme të Shqipërisë në luftën kundër kultivimit dhe trafikimit të lëndëve narkotike, duke nënvizuar operacionet anti-drogë për zhdukjen e kanabisit.

4. Për më tepër sipas Komisionit reforma në administratën publike ka çuar në rritjen e transparencës dhe profesionalizmit në dhënien e shërbimit publik.

5. Masat që duhet të ndërmerrte Shqipëria në mbrojtjen e të drejtave të njeriut, përfshirë të drejtat e pakicave dhe komunitetit rom, politikat kundër diskriminimit janë ndjekur hap pas hapi.

Por kjo nuk ishte e mjaftueshme!

Nëse bëjmë mbrapa në kohë, aderimi në Bashkimin Europian ishte një procedurë më e thjeshtë dhe mjaftonte dëshira e mirë për të qenë pjesë e tij. Me kalimin e kohës, kjo gjë ndryshoi. Nëse në fillimet e veta të aderoje në Bashkimin Europian shihej si një mundësi për të luftuar krimin e organizuar, korrupsionin, për të rregulluar sistemin gjyqësor dhe për të pasur një dorë të fuqishme në përmirësimin e legjislacionit për të drejtat e njeriut, sot shtetet duhet të garantojnë paraprakisht se janë në proces përmirësimi dhe të tregojnë rezultate konkrete në këto fusha përpara aderimit në union.

Si përfundim vendimi i Këshillit Europian nuk duhet të na demoralizojë, përkundrazi duhet ta shikojmë si një pasqyrë reflektimi për të na bërë të kuptojmë se Shqipëria ka shumë punë për të bërë në arenën e saj kombëtare.

Gjithashtu duhet të shtojmë se Këshilli Europian njoftoi në përfundimet e tij dhe gjatë konferencës për shtyp se do t'i kthehet çështjes së hapjes së negociatave për pranimin e Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë përpara samitit BE - Ballkan Perëndimor, në Zagreb në maj 2020, kjo duhet të na jap shpresë se drita jeshile është ende aty në fund të tunelit.


Stafi i EuroSpeak, tetor 2019

  Kërko

  Axhenda

Shkurt 2020

10 - 13 shkurt - Mbahet Sesioni Plenar i Parlamentit Europian, ku do të diskutohet rreth propozimeve të Komisionit Europian për metodologjinë e zgjerimit; mbi krijimin e një partneriteti me Mbretërinë e Bashkuar dhe Irlandën e Veriut
11 shkurt –
Mblidhet Kolegji i Komisionerëve i Komisionit Europian
11- 13 shkurt –
Zhvillohet Seanca Plenare e Komiteti të Rajoneve e cila do të jetë seanca e parë e mandatit të ri
13 shkurt –
Këshilli i Shëndetit dhe Mbrojtjes së Konsumatorit i Këshillit të BE mblidhet për të miratuar konkluzione në lidhje me Coronavirus

  FJALOR

Rrjeti i Studentëve Erasmus (ESN)

ESN është një organizatë ndërkombëtare jo-fitimprurëse për studentët. Misioni i saj është të përfaqësojë studentët ndërkombëtarë, duke u siguruar këtyre të fundit mundësi për të zhvilluar veten e tyre profesionalisht dhe për të patur një botëkuptim sa më të gjerë kulturor, nën parimin “Studentët ndihmojnë Studentët”. Momentalisht ekzistojnë 530 shoqata lokale që mbështesin studentët ndërkombëtarë në shkëmbimin mes 41 vendeve në Europë së bashku me Shqipërinë. ESN mbulon mbi 1 000 Institucione të Arsimit të Lartë, shumica e të cilave janë të lidhura ngushtësisht me Zyrat e Marrëdhënieve Ndërkombëtare. Në total, pothuajse 15 000 vullnetarë ofrojnë shërbime për rreth 350 000 studentë ndërkombëtarë, duke organizuar një sërë aktivitetesh për integrimin e atyre të rinjve në vendet e tyre pritëse dhe përmirësimin e cilësisë së lëvizshmërisë së studentëve.

  Na ndiqni ne:

facebook gplus twitter youtube1