E Shtunë, 28 Nëntor 2020
Blue Red Green
  • Buletin Informativ i Lëvizjes Europiane në Shqipëri (ISSN 2708 - 1656)
Joomla!: Position Home - E Hënë, 09 Prill 2012 07:19
Joomla!: Using Joomla! - E Shtunë, 01 Janar 2011 00:00
Joomla!: Upgraders - E Shtunë, 01 Janar 2011 00:00
Joomla!: The Joomla! Project - E Shtunë, 01 Janar 2011 00:00
Joomla!: The Joomla! Community - E Shtunë, 01 Janar 2011 00:00
Joomla!: Sample Sites - E Shtunë, 01 Janar 2011 00:00
Joomla!: Professionals - E Shtunë, 01 Janar 2011 00:00
Joomla!: Parameters - E Shtunë, 01 Janar 2011 00:00
Joomla!: Joomla! - E Shtunë, 01 Janar 2011 00:00
Joomla!: Getting Started - E Shtunë, 01 Janar 2011 00:00
Joomla!: Getting Help - E Shtunë, 01 Janar 2011 00:00
Joomla!: Beginners - E Shtunë, 01 Janar 2011 00:00

Presidenca e Këshillit të BE nga Gjermania - çfarë do të sjellë për zgjerimin në Ballkan?

balkan1

Kalimi i Presidencës së Këshillit të Bashkimit Europian në Berlin ishte për shtetet e Ballkanit Perëndimor vazhdimësi e vëmendjes intensive që i ishte kushtuar rajonit të paktën që nga janari i 2018-ës. Në gjashtë presidencat e fundit të BE-së, ku përfshihet edhe Gjermania, pesë prej tyre e kanë pasur zgjerimin dhe Ballkanin Perëndimor në fokus kryesor. Presidenca gjermane luan një rol të rëndësishëm sa simbolik dhe konkret pasi fuqia më e madhe brenda Bashkimit Europian ka treguar vitet e fundit vëmendje të shtuar për rajonin, si iniciatore edhe e Procesit të Berlinit. Në Shqipëri dhe Maqedoninë e Veriut kjo Presidencë është pritur me optimizëm, pasi të dyja vendet janë në kërkim të vendimit për thirrjen e konferencës së parë ndërqeveritare, e cila zyrtarizon çeljen e negociatave të pranimit.

Gjermania ka shprehur më shumë se një herë gatishmërinë për uljen në tryezë me kandidatët nga Ballkani Perëndimor, por rezistenca ka ardhur nga fqinjët e saj, themelues gjithashtu të Bashkimit Europian.

Me metodologjinë e re, procesi i zgjerimit është bërë më i ndërlikuar, më llogaridhënës për shtetet kandidate, ndërsa shteteve anëtare i jep më shumë fuqi për të pezulluar procesin.

Kjo formulë e re lëkund pritshmëritë sa i përket rolit që mund të luajë një kancelari e caktuar në momentin kur merr presidencën e radhës, pasi zgjerimi përcaktohet në disa pole brenda Bashkimit Europian. Por kur Presidenca shkon në duart e gjermanëve, në Ballkan dyshimet priren të prapësohen dhe rritet optimizmi.

Mali i Zi

Pas 8 vitesh negociata, Mali i Zi hapi më 1 korrik kapitullin e fundit, duke konfirmuar shtetin e vogël si lider në Ballkanin Perëndimor në procesin për anëtarësim në Bashkimin Europian. Rasti i Malit të Zi është shembulli tipik që tregon se roli i presidencës së BE-së është sa simbolik, aq edhe konkret.

Në tre vitet e fundit, Podgorica ka shfrytëzuar fokusin mbi rajonin dhe ka punuar me shpejtësi në hapjen e kapitujve. Tashmë që negociohet kapitulli i fundit për mbrojtjen e konkurrencës dhe ndihmën shtetërore, malazezët janë më të fokusuar në përpjekjet për të marrë datën e anëtarësimit në BE. Fakti që Presidenca drejtohet nga Gjermania, deri në dhjetor të 2020-ës, ecuria e diskutimeve për kapitullin e fundit pritet të jetë me ritme të larta.

Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut

Edhe pse procesi i negociatave është individual dhe jo në grup, Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut janë trajtuar vitet e fundit së bashku në këtë çështje, ku pakënaqësitë nuk kanë munguar. Por Presidenca Gjermane duket se do të qartësojë gjërat.

Drejtoresha për Ballkanin Perëndimor në Ministrinë e Jashtme të Gjermanisë, Susanne Schutz*, deklaroi për BIRN se Berlini synon thirrjen e tryezës së parë ndërqeveritare me dy shtetet ballkanike. Por nëse për Shqipërinë do kërkohen më shumë rezultate nga shtetet anëtare, për Maqedoninë e Veriut kjo tryezë do të thirret brenda presidencës gjermane.

Ky qëndrim gjerman e kalon Shkupin në të njëjtin pozicion me Serbinë dhe Malin e Zi në raport me BE-në, ndonëse ecuria është e ndryshme për secilin shtet.

Për maqedonasit, presidenca gjermane është e duhura për të arritur rezultatet e dëshiruara prej kohësh. Vendi ballkanik ka bërë përpjekje jo të vogla për t’u orientuar drejt Brukselit, ndërsa kërkon tani shpërblimin e premtuar.

Ndërsa për shqiptarët rezistenca që vjen nga qeveri të ndryshme europiane, duket se nuk do të shuhet pavarësisht dëshirës gjermane për të bërë përparime në raportet Shqipëri-BE.

Kosova dhe Serbia

Serbia prej vitesh diskuton kapitujt me Bashkimin Europian, por ndryshe nga Mali i Zi, përparimi është i vogël. Pengesa kryesore për Beogradin është refuzimi për të pranuar realitetin e Kosovës së pavarur.

E sa i përket pozicionit të Gjermanisë për çështjen Kosovë-Serbi, presidenca gjermane duket se nuk favorizon Beogradin. Këtij të fundit i është bërë e qartë, edhe nga Berlini, se anëtarësimi në BE nuk mund të kryhet pa normalizimin e plotë të marrëdhënieve me Republikën e Kosovës.

Ndryshe nga shtetet e tjera në rajon, Kosova, së bashku me Bosnje-Hercegovinën, ka mbetur mbrapa në procesin e integrimit. Shteti më i ri i Ballkanit mbetet i vetmi në Europë që nuk i lejohet lëvizja e lirë në hapësirën Shengen, duke krijuar një diskriminim të paprecedent.

Zyrtarë të Parlamentit Europian e kanë bërë të qartë se nuk është Brukseli që bllokon liberalizimin e vizave, por janë shtete të caktuara që po ndërmarrin hapa cënuese mbi Kosovën.

Në Prishtinë ka një prirje të besohet se Presidenca Gjermane do të lehtësojë rezistencën te shtetet e tjera anëtare, por në kushtet edhe të pandemisë globale, diskutimet për lëvizjen e lirë duket se nuk janë në krye të axhendës.

Presidenca gjermane, treni i fundit

Në janar të 2018-ës, Bullgaria do të merrte Presidencën e BE-së dhe fokus kryesor vendosi Ballkanin Perëndimor. Arritjet e presidencës bullgare ishin pozitive, ndërsa vëmendja për rajonin mbeti e lartë edhe në presidencat e radhës të drejtuara nga Austria, Rumania dhe Kroacia.

Presidenca gjermane ka rëndësinë e saj të veçantë jo vetëm për faktin se kryesohet nga shteti më i fuqishëm në BE, por edhe për shkak se presidencat e radhës do të kalojnë në shtete që nuk kanë afërsi sa duhet me Ballkanin Perëndimor. Këshilli i BE-së ka përcaktuar për 10-vjeçarin e ardhshëm renditjen e shteteve që do të marrin Presidencën dhe, në unionin me 27 anëtarë, interesat janë të shumta dhe të ndryshme për secilin vend.

Gjermania do ia kalojë Presidencën, në janar të 2021-shit, Portugalisë. Shteti iberik ka pak kontakte me Ballkanin Perëndimor, ndaj procesi i zgjerimit pritet të dalë nga fokusi të paktën për gjashtë muaj, kur Presidenca të rikthehet sërish në rajonin tonë, me Slloveninë kryesuese. Pas Sllovenisë, presidenca i kalon Francës, motorit tjetër të BE-së, por sot nuk mund të bëhen parashikime nëse Parisi do të zgjedhë ose jo të mbajë në fokus zgjerimin me shtetet e Ballkanit Perëndimor.

Lista e shteteve që janë në pritje të marrjes së Presidencës e bën edhe më të qartë rëndësinë që ka presidenca aktuale gjermane për Ballkanin. Kjo Presidencë do të merret nga një fqinj i Ballkanit Perëndimor vetëm në korrik të 2024-ës, nga Hungaria, për t’u larguar sërish në rajone të tjera të BE-së, kryesisht në veri, ndërsa në Ballkan e rikthen Greqia në korrik të 2027-ës.

Ky largim i Presidencës së Këshillit të BE-së në shtete që nuk kanë interesa të ngushta me Ballkanin Perëndimor paralajmëron se, fokusi mbi rajonin dhe zgjerimin nuk do të ketë të njëjtin ritëm si në tre vitet e fundit. Ndaj, shtetet e rajonit po mundohen të kapin Presidencën gjermane si trenin e fundit për në BE, për të mos pritur vite të tjera derisa ky tren të rikthehet sërish në stacion.

Shkupi po bën çdo përpjekje për të thirrur tryezën e parë ndërqeveritare, Serbia i është rikthyer dialogut me Kosovën, ndërsa Mali i Zi po përmbyll kapitullin e fundit të negociatave. Ndërkohë, lëvizjet e Tiranës duken të ngadalta, a thua se e ka kuptuar se orarin e nisjes së këtij treni nuk e arrin dot.

Kevin Sinani, gusht 2020

*Kevin Sinani është redaktor lajmesh me një eksperiencë 6-vjeçare në media, përfshirë median e shkruar, online dhe televizione. Kevin është diplomuar në degën Marrëdhënie Ndërkombëtare-Diplomaci. Është aktivizuar në nisma të ndryshme si Digital Kosovo, e cila ka për qëllim përfshirjen e Republikës së Kosovës në platformat në internet të kompanive më të rëndësishme ndërkombëtare. Po ashtu ka zhvilluar praktika në organizata dhe në institucione të ndryshme përfshirë Ministrinë për Evropën dhe Punët e Jashtme të Shqipërisë.

  Kërko

  Axhenda

26 nëntor 2020 - Seancë plenare e Parlamentit Europian ku eurodeputetët pritet të kenë një mendim zyrtar mbi vendimin e Tribunalit Kushtetues Polak mbi të drejtat e abortit në vend.

********************

25 nëntor 2020  - Dita Ndërkombëtare për Eliminimin e Dhunës ndaj Grave

********************

24 nëntor 2020 - Takimi i kolegjit - Komisioni pritet të miratojë planin e veprimit të BE për barazinë gjinore dhe fuqizimin e grave në marrëdhëniet e jashtme për 2021-2025; planin e veprimit për integrimin dhe përfshirjen  dhe planin e veprimit mbi pronësinë intelektuale

********************

  FJALOR

wordoftheday

Seksion dedikuar shpjegimit të termave të BE-së.

  Na ndiqni ne:

facebook gplus twitter youtube1