Fondi për Rimëkëmbjen dhe Qëndrueshmërinë i i BE-së (Recovery and Resilience Facility - RRF) është komponenti më i madh i paketës së rimëkëmbjes së BE-së, i krijuar për të ndihmuar rinisjen ekonomike pas COVID-19. Me një shumë prej 723 miliardë eurosh, ai ofron 338 miliardë euro grante dhe 385 miliardë euro huadhënie, duke i mundësuar shteteve anëtare një mundësi të jashtëzakonshme për të realizuar reforma që forcojnë qëndrueshmërinë afatgjatë. Ky financim, i pari i këtij lloji, lejon BE-në të marrë kredi në masë të madhe, duke shënuar një nivel të paimagjinueshëm të solidaritetit financiar brenda Unionit.
Por si mund ta aplikojnë dhe përdorin shtetet anëtare këtë fond?
Për të aksesuar financimin e RRF-së, çdo shtet anëtar i BE-së paraqet një Plan Kombëtar të Rimëkëmbjes dhe Qëndrueshmërisë (Recovery and Resilience Plan - RRP) pranë Komisionit Europian. Këto plane duhet të përshkruajnë etapa të veçanta, investime dhe reforma që kontribuojnë në disa prioritete të BE-së:
1. Kalimi në një ekonomi të gjelbër (të paktën 37% e investimeve) dhe dixhitalizimi (të paktën 20% e investimeve).
2. Rritja ekonomike, për të nxitur rritjen e qëndrueshme dhe përfshirëse në fushat e konkurrueshmërisë dhe inovacionit.
3. Shëndeti dhe kohezioni social dhe territorial, për të maksimizuar kapacitetet e reagimit ndaj krizave dhe gatishmërinë, si dhe për forcimin e bashkëpunimit mes shteteve anëtare.
4. Fuqizimi i rinisë, veçanërisht në fushat e arsimit dhe aftësive.
Komisioni Europian vlerëson secilin plan për të siguruar se ai është në përputhje me objektivat strategjikë të BE-së dhe miraton shpërndarjen e fondeve në bazë të rezultateve të prekshme, e jo të kostove të realizuara, duke promovuar efikasitetin. Pasi plani miratohet nga Komisioni dhe Këshilli, fondet përfshihen në buxhetet kombëtare, duke u dhënë shteteve anëtare përgjegjësinë kryesore për të siguruar përputhshmërinë me ligjet kombëtare dhe ato të BE-së. Pagesat mund t’u bëhen shteteve anëtare deri dy herë në vit dhe deri tani është paguar një shumë prej 113 miliardë euro.