Komuniteti Politik Europian, propozuar nga Presidenti francez Emmanuel Macron në vitin 2022, ka për qëllim nxitjen e dialogut dhe bashkëpunimit në të gjithë Europën. Kjo platformë për koordinim politik nuk zëvendëson asnjë organizatë, strukturë apo proces ekzistues dhe as nuk synon të krijojë një të re në fazën aktuale. Ky Komunitet u krijua në një periudhë kur, sipas liderëve europianë, stabiliteti dhe siguria e Europës ishte nën kërcënim dhe nevoja për dialog, dëgjim dhe mirëkuptim të ndërsjellë ishte më e nevojshme se kurrë. Kjo ishte pikërisht ajo çka u arrit në takimin e parë të Komunitetit Politik Europian, i cili mblodhi së bashku liderë nga i gjithë kontinenti në një frymë uniteti më 6 tetor 2022 në Pragë, përpara takimit jozyrtar të krerëve të shteteve ose qeverive të BE-së. Udhëheqësit europianë u mblodhën në takimin e katërt të Komunitetit Politik Europian (EPC) më 18 korrik 2024, në Pallatin Blenheim, Oxfordshire, për të trajtuar çështje kritike, duke përfshirë Ukrainën, sigurinë energjetike dhe migracionin. Takimet e mëparshme të mbajtura në Kishinau, Moldavi (qershor 2023) dhe Granada, Spanjë (tetor 2023) u siguruan të trajtonin tema si inteligjenca artificiale, migrimit i parregullt dhe siguria energjitike, ndërsa takimi i fundit vuri theksin mbi mbrojtjen e demokracisë, me pjesëmarrjen e NATO-s, OSBE-së dhe përfaqësues të Këshillit të Europës. Organizuar nga kryeministri i Mbretërisë së Bashkuar, Keir Starmer, ky takim mblodhi së bashku 47 krerë shtetesh dhe qeverish, duke përfshirë dhe të gjitha shtetet e Ballkanit Perëndimor. Platforma EPC vazhdon të luajë një rol vendimtar në rritjen e sigurisë, stabilitetit dhe prosperitetit në të gjithë kontinentin europian. Deri më tani janë mbajtur gjithsej 5 samite, ndërsa më i fundit u zhvillua më 7 nëntor 2024 në Budapest, Hungari. Në këtë samit, fushat kryesore të diskutimit ishin sfidat e sigurisë në Europë, përshkallëzimi i vazhdueshëm i agresionit ushtarak në Lindjen e Mesme, migracioni i parregullt dhe çështje që lidhen me sigurinë ekonomike, si dhe zgjedhjet e fundit në SHBA dhe ndikimet e tyre për Europën.