NEET është termi i përdorur për të përshkruar të rinjtë nën moshën 25 vjeç që nuk janë të angazhuar në asnjë lloj forme punësimi, edukimi ose trajnimi. Më të rrezikuar për t’u kthyer në NEET janë: të rinjtë me nivele të ulëta shkollimi, individët me status emigranti dhe personat me aftësi të kufizuara ose probleme shëndetësore. Sipas të dhënave të fundit të Komisionit Europian, 13.7 milion njerëz të moshave 15-24 nuk janë të përfshirë në punë, arsim, ose trajnim në vitin 2015. Gjithashtu, është vërejtur që këta individë nuk janë aktivë në jetën shoqërore ose politike të vendit të tyre. Për tu përballur me këto problematika edhe për të ndihmuar ata të rinj që dëshirojnë të punësohen, arsimohen ose trajnohen, BE-ja, si pjesë e Strategjisë së Punësimit Europian, ka përfshirë programin Youth Guarantee (Garantimi i të Rinjve). Ky program synon të ndihmojë rininë europiane duke i mundësuar atyre një vend pune brenda 4 muajve që nga momenti i përfundimit të ciklit arsimor ose të largimit të tyre nga puna. Youth Guarantee ofron punësim, arsimim ose trajnim sipas nevojave individuale. Për të arritur këtë qëllim bashkëpunimi midis autoriteteve publike, shërbimeve të punësimit, institucioneve të arsimit dhe trajnimit të bizneseve vendase është i nevojshëm.