Nisma Qytetare Europiane u prezantua në Traktatin e Lisbonës në vitin 2009. Kjo iniciativë i jep mundësinë qytetarëve të BE-së t’i kërkojnë Komisionit Europian të paraqesë një propozim legjislativ. Nisma Qytetare Europiane është një mjet i rëndësishëm i demokracisë pjesëmarrëse, i cili lejon qytetarët europianë të kenë një ndikim më të madh në formimin e politikave të BE-së. E bazuar në Nenin 11 të Traktatit të Bashkimit Europian dhe Nenin 24 të Traktatit për Funksionimin e Bashkimit Europian, qëllimi i Nismës Qytetare Europiane është të sjellë procesin e vendimmarrjes më afër qytetarëve.

Ka disa hapa për të filluar një nismë të re:
1. Së pari, duhet të krijohet një grup qytetarësh organizatorë. Është e kërkuar që grupi të përbëhet nga të paktën shtatë qytetarë nga shtatë shtete anëtare të BE-së, të cilët mund të votojnë në zgjedhjet parlamentare europiane në vendet e tyre.
2. Pasi krijohet grupi, duhet të dërgohet një kërkesë për regjistrim në Komision. Para se të regjistrohet nisma e propozuar, Komisioni do të verifikojë që propozimi bie brenda një fushe ku ai ka kompetencë për të vepruar.
3. Pasi të regjistrohet nisma, duhen mbledhur një milion firma brenda një viti. Duhet të ketë të paktën shtatë vende të BE-së, duke përfshirë një numër minimal firmash nga secili.
4. Nëse iniciativa përmbush të gjitha kushtet, Komisioni e verifikon atë.
5. Pas një muaji, mbahet një takim me zyrtarët e BE-së.
6. Pas tre muajve, mbahet një dëgjim publik në Parlamentin Europian, ku shpjegohet nisma.
7. Brenda gjashtë muajve, Komisioni Europian jep një përgjigje formale, duke shpjeguar pse do të propozojë ose jo një ligj të ri në bazë të nismës. Në përfundim të procedurës, Komisioni nuk është i detyruar të propozojë legjislacion.
Deri tani Komisioni Europian i është përgjigjur vetëm 10 nismave, nga 116 që janë regjistruar me sukses. Nismat më të fundit prekin një gamë të larmishme fushash, nga të drejtat riprodhuese dhe kërkimi i abortit të sigurt dhe të aksesueshëm në të gjithë Europën, deri te të drejtat e kafshëve me propozimin për ndalimin e therrjes së kuajve, si dhe ruajtjen dhe zhvillimin e kulturës Ukrainase në shtetet anëtare të BE-së, etj.