Pas propozimeve për krijimin e një pakti të ri industrial, të cilin von der Leyen e ka premtuar për t’u realizuar në 100 ditët e para të mandatit të saj të dytë, u publikua më 9 shtator 2024 nga Komisioni Europian një raport gjithëpërfshirës 400 faqësh, titulluar “E Ardhmja e Konkurrueshmërisë Europiane”, i shkruar nga Mario Draghi, ish-kryeministri i Italisë dhe ish-Presidenti i Bankës Qendrore Europiane. Gjetjet e raportit do të kontribuojnë në punën e Komisionit për planin e ri të konkurrueshmërisë dhe prosperitetit të qëndrueshëm të Europës. Raporti strategjik dhe ambicioz i Draghit përmban 170 rekomandime kryesore, të cilat adresojnë tri sfida thelbësore për Bashkimin Europian: uljen e hendekut të inovacionit me SHBA-në; harmonizimin e dekarbonizimit me konkurrueshmërinë dhe zhvillimin e sigurisë ekonomike. Ai përsëriti thirrjet për një financim të përbashkët të BE-së, për të mundësuar konsolidimin e tregut europian. Raporti bën thirrje për rritjen e investimeve me 800 miliardë euro në vit, që përbën 4.4-4.7% të PBB-së së BE-së.