Të dhënat e nxjerra nga Anketimi i Paneleve Britanike dhe Anketës Gjinore të Familjes në Mbretërinë e Bashkuar mbi kënaqësinë për jetën realizuar u krahasuan nga kërkuesit shkencor të Universitetit të Yorkut me të dhëna të detajuara të cilësisë së ajrit nga Departamenti për Mjedisin, Ushqimin dhe Çështjet Rurale duke nxjerrë një lidhje interesante mes ndotjes dhe mirëqenies.
Ndotja nga oksidet e azotit është përgjegjëse për dhjetëra mijëra vdekje të parakohshme në të gjithë Europën, kryesisht në Britani që ka një numër veçanërisht të lartë. Pjesa më e madhe e ndotjes prodhohet nga makinat me naftë, të cilat lëshojnë rreth gjashtë herë më shumë se sa lejohet në testet zyrtare laboratorike. Nivelet më të larta të dioksidit të azotit paraqiten në Londër, dhe nivelet më të ulëta në pjesët e Anglisë jug-perëndimore. Kryeqyteti është shtëpia e pikave më problematike të NO2 në Europë, si për shembull rruga Marylebone, e cila regjistroi nivelet më të larta vjetore të ndotësve, më shumë se dyfishi i kufirit ligjor të BE-së.
Agjencia Europiane e Mjedisit ka deklaruar se Britania e Madhe kishte 11 940 vdekje të parakohshme në vitin 2013 nga dioksidi i azotit. Numri ishte më pak se 14 000 vitin e kaluar, por ishte ende i dyti më i keq në Europë pas Italisë. Makinat moderne me naftë prodhojnë 10 herë më shumë ndotje toksike sipas të dhënave europiane të publikuara në janar. Pas kësaj, Komisioni Europian filloi të marrë veprime dhe masa ligjore në fund të vitit të kaluar kundër Britanisë së Madhe dhe gjashtë anëtarëve të tjerë të BE-së për mosveprim kundër mashtrimit të çlirimit të gazrave nga makinat në prag të skandalit të Volkswagen. Për shkak të të dhënave alarmante OJQ-të mjedisore si ClientEarth, Greenpeace UK, Byroja Europiane e Mjedisit (EEB), janë mbledhur së bashku, duke i bërë thirrje qeverisë britanike të votojë në mbështetje të rregullave të reja të BE-së për ndotjen industriale që mund të shpëtojnë mijëra jetë çdo vit pasi synojnë të kufizojnë sasinë e ndotësve toksikë të mëdhenj që mund të lëshohen në Europë"Dokumenti tashmë është vonuar për tre vjet. Nëse nuk aprovohet më 28 prill, procesi do të shtyhet edhe më tej, duke lënë Europën të vazhdojë të mbajë kufizime të vjetruara dhe të paefektshme të ndotjes që nga viti 2006 duke vënë shëndetin e njerëzve në rrezik, "-raporton ClientEarth.
Kjo nuk është hera e parë që Mbretëria e Bashkuar është gjetur në vështirësi për dështimin e saj për të siguruar cilësi të mirë të ajrit për qytetarët e saj. Nëntorin e kaluar, qeveria britanike u mposht në një rast në Gjykatën së Lartë për shkak të dështimit të saj për të ndaluar ndotjen e paligjshme të ajrit në të gjithë vendin. Në shkurt të këtij viti, Komisioni Europian ndoqi procedurat e shkeljes kundër pesë vendeve të BE-së (Francë, Gjermani, Itali, Spanjë dhe Mbretëri e Bashkuar), të cilat rrezikojnë ndëshkime dhe sanksione nga Komisioni Europian, pasi kanë shkelur në mënyrë të përsëritur limitet për ndotjen e ajrit duke rrezikuar kështu jetën dhe shëndetin e qytetarëve. Çdo vit rreth 430 mijë vdekje shkaktohen në Europë nga ndotja e ajrit,për këtë Komisioni Europian mbikëqyr ligjet mbi ndotjen mjedisore dhe progresin e vendeve të BE-së mbi zbatimin dhe respektimin e tyre.
Bazuar në këto vlerësime, Komisioni ka paralajmëruar për herë të fundit këto 5 vende anëtare pasi kanë thyer kufijtë e vendosur për nivelin e dioksidit të azotit (NO2), që është shkaktar për sëmundjet e mushkërisë dhe ato të zemrës. Kështu nëse këto vende nuk marrin masa dhe nuk raportojnë për progres brenda dy muajve, atëherë mund të merren ndëshkime financiare dhe gjoba ndaj tyre, duke e çuar çështjen në Gjykatën Europiane të Drejtësisë.
Për ndotjen e ajrit Komisioni ka sugjeruar disa masa që mund të ndërmerren si: 1) ulja e trafikut të automjeteve 2) zvogëlim i përdorimit të lëndëve djegëse si nafta apo benzina 3) zëvendësimi me makinat elektrike si dhe 4) ndryshimi i sjelljes ndaj makinave. Nëse këto masa do të merreshin nga vendet anëtare, atëherë rreth 78 mijë jetë njerëzish do të shpëtoheshin.
Vetëm një fabrikë qymyri në Britani është e pajisur për të përmbushur standardet e reja, sipas ClientEarth. OJQ-ja shtoi se ekspertët e politikave mjedisore janë skeptikë rreth qëllimeve të saj për të mbështetur rregulloret, pavarësisht planit të qeverisë për të çrrënjosur qymyrin deri më 2025. EEB filloi një peticion për çështjen, e cila tani ka gati 64,000 nënshkrime.
"Ndotja nuk respekton kufijtë dhe ne kemi nevojë për standarde industriale të forta dhe moderne, të bazuara në teknologjinë e provuar dhe të testuar, për të mbrojtur shëndetin tonë dhe shëndetin e fqinjëve tanë europianë". Fakti që Mbretëria e Bashkuar po përgatitet të divorcohet nga BE, mbetet për tu parë nëse do të përpiqet të respektojë standardet e vendosura nga Unioni.
EurActiv, maj 2017