Brukseli është kryeqyteti i Flamandëve, siç dhe njihet kryeqyteti i Belgjikës. Por në sytë e shumë të rinjve nga të katërta anët e kontinentit, ai është mbi të gjitha kryeqyteti i Europës, duke e konsideruar atë si një destinacion mjaft tërheqës. Sipas të famshmes ‘Le Figaro’ Brukseli është qyteti i dytë në botë me numrin më të lartë të banorëve të huaj të lindur aty, pas Dubait.
A e dini se çdo vit, qindra të rinj mblidhen në Bruksel për të përfituar një përvojë pune në institucionet e larta të BE-së apo në firmat e lobimit politik. Por sa shtetas të huaj të rinj ka në Bruksel? Cilat profesione janë më të shpeshta për ta? Nga vijnë këta të rinj më së shumti dhe si është jeta e tyre në këtë qytet?
Disa fakte interesante nga “kryeqyteti i Europës”nxjerrin në pah se në Bruksel:
• Gjenden rreth 400.000 shtetas të huaj
• Është kthyer në domosdoshmëri të njohurit e të paktën tri gjuhëve të ndryshme
• Ekzistojnë mundësi të shumta për praktika pune për një periudhë kohore deri në18 muaj apo dhe më shumë
Me shtetas të huaj, artikulli i referohet si europianëve ashtu dhe jo-europianëve, të cilët kanë lënë vendin e tyre të origjinës për të shkuar në kryeqytetin belg. Ky, në fakt mbetet një përkufizim i gjerë që përfshin një grup njerëzish me qëllime të ndryshme dhe që përfaqëson rreth një të tretën e popullsisë në Bruksel, përkatësisht rreth 400.000 njerëzve, sipas Institutit të Brukselit për Analiza Statistikore (IBSA). Ndërsa në radhët e europianëve, duket se qytetarët francezë kryesojnë me më shumë se 60,000 shtetas, duke lënë pas Italinë, Rumaninë dhe Spanjën.
Sipas studimit, në këtë grup, shumica janë të rinj, të cilët vijnë në Bruksel për dy arsye: për të studiuar (kryesisht për programet Master) ose për të gjetur punë. Brukseli shihet si një lloj udhëkryqi për karrierën e mijëra të rinjve, të cilët mblidhen në kërkimin e një të ardhmeje më të mirë e më të sigurt.
Përtej institucioneve të BE-së, në Bruksel gjendet dhe selia e NATO-s. Gjithashtu, Kombet e Bashkuara dhe Organizata Botërore e Shëndetësisë kanë degë të tyre atje, pa marrë parasysh këtu edhe shumë organizata të të drejtave të njeriut, agjencitë për mbrojtjen e mjedisit dhe të degëve për bizneset ndërkombëtare që gjenden në kryeqytetin europian. Ndaj në fakt dhe fushat kryesore të punësimit në kryeqytetin belg duket të jenë më së shumti në profil shoqëror të tilla si në politikë, lobim, ekonomi, administratë etj.
Diversiteti gjuhësor është një nga shtyllat themelore të jetës në Bruksel, pasi një nga elementet më të rëndësishme në tregun e punës është aftësia për të folur gjuhë të ndryshme. Kjo nuk është aspak befasuese, pasi duket se në kryeqytetin europian fliten të paktën 104 gjuhë.
Por a mjafton kjo për të depërtuar në tregun e punës në kryeqytetin belg?
Edhe pse shumë të rinj mund të jenë të kualifikuar mjaftueshëm dhe mundësitë janë të shumta, sërish ekziston një konkurrencë tepër e fortë për t’u punësuar në ndonjë sektor të caktuar apo dhe thjesht për t’u bërë pjesë e praktikave të ndryshme profesionale.
Praktikat në fakt janë një kusht për të filluar një karrierë profesionale në Bruksel, pasi është shumë e rëndësishme fitimi i një përvoje të mjaftueshme për të aplikuar për një vend pune. Por shpesh herë këto praktika zgjaten më shumë nga sa shumë të rinj mund të përballojnë të punojnë pa pagesë, ndaj në këtë situatë, shumë prej tyre kthehen në vendin e origjinës duke iu drejtuar një profili apo një sektori tjetër.
Sigurisht që ka dhe nga ata që nuk heqin dorë aq shpejt, por vazhdojnë të luftojnë për të pasur punën e ëndrrave të tyre, dhe duket se në disa raste këmbëngulja e tyre ka rezultuar tepër efektive pasi nuk mungojnë rastet e suksesshme të punësimit të të rinjve në institucione, organizata apo kompanitë më të rëndësishme në Bruksel.
Pra, përtej popullaritetit që Brukseli gëzon, për shkak të diversitetit kulturor dhe mjedisit të tij ndërkombëtar, kryeqyteti belg ende nuk mund të konsiderohet tamam një ‘El Dorado’ pavarësisht mundësive që ofron jo të gjithë të rinjtë mund të plotësojnë ëndrrat dhe pritshmëritë e tyre në këtë qytet.
Cafebabel, nëntor 2016