Në dhjetor të vitit 2015 papunësia ishte në nivelin 15% ndërsa një vit më vonë ajo zbriti në 11.4%. E përkthyer në shifra, nga 281,000, numri i të papunëve zbriti në 206,000. Byroja Kroate e Statistikave paralajmëroi duke thënë që pavarësisht faktit që papunësia ka rënë, numri i punëtorëve ka rënë gjithashtu. Ajo vijoi më tej duke shpjeguar që Eurostat-i në dhënien e këtyre statistikave është bazuar në sondazhe si dhe në statistikat e papunësisë të nxjerra nga Byroja Kroate e Punësimit.
Shumë ekspertë janë të mendimit që kjo rënie e papunësisë vjen si pasojë e emigrimit të Kroatëve në vendet e tjera të Unionit si në Gjermani apo Austri. Ndërsa vitet e fundit vihet re dhe migrimi drejt Irlandës. Matematicieni çek Jakub Marian duke përdorur statisktikat e Kombeve të Bashkuara mbi migracionin, ka skicuar një hartë të Europës duke dhënë përqindjen e emigrimit të çdo shteti në kontinention europian. Në rastin e Kroacisë kjo hartë tregon që sot 20.4% e popullsisë Kroate jeton jashtë territori kroat, shifër kjo e dyta përsa i përket vendeve anëtare të Unionit, pas Portugalisë e cila udhëheq me 22.3%.
Ndërsa pjesa tjetër e vendeve të Ballkanit që nuk janë anëtare të BE-së kanë shifra akoma më të larta. Mali i Zi me 22.1%, Maqedonia 24.8%, Shqipëria 38.8% dhe udhëheq Bosnja me një shifër kolosale prej 43.3%.
Veç emigrimit, një faktor tjetër që ka ndikuar në uljen e papunësisë është dhe plakja e saj. Sipas statistikave, nga 4.2 milion që është popullsia aktuale, mbi 1.2 milion kanë dalë në pension. Kjo përfaqëson një shifër alarmante e shqetësuese si për autoritetet kroate po ashtu dhe vetë Bashkimin Europian, pasi kjo situatë mund të ndikojë në ekonominë e vendit më të ri të Unionit.
BalkanInsight, shkurt 2017