Praktika e ngrënies së insekteve nga njerëzit (entomofagia) zë një vend të rëndësishëm në shumë kultura dhe shpesh nxit kuriozitetin e atyre që nuk i konsumojnë. Insektet janë grupi më i larmishëm i organizmave dhe mbi 1 000 specie të ndryshme hahen rregullisht në Afrikë, Azi dhe Amerikën Qendrore dhe Jugore. Rreth 500 ton ushqim me bazë insektesh prodhohet çdo vit. Por, Europa ka qenë gjithmonë vendi ku kjo praktikë nuk njihet e në shumë raste njerëzit kanë një qasje negative ndaj ushqyerjes me insekte.
Por së fundmi, Autoriteti Europian i Sigurisë së Ushqimit (EFSA) ka nxjerrë një rregullore që ka premisa për lejimin e përdorimit të insekteve si burim ushqimor për njerëzit edhe në BE. Kështu që realiteti që shumë shpejt europianët mund të kenë në tavolinat e tyre dhe vakte me insekte nuk është dhe aq i largët.
Por çfarë strategjish dhe politikash ka konkretisht BE për këtë lloj ‘ushqimi’?
Legjislacioni europian ka mangësi pasi nuk ka ligje specifike për përdorimin e insekteve si produkte ushqimore, dhe konsumimi i insekteve trajtohet si pjesë e Rregullores për Ushqimet e Reja. Kjo rregullore është miratuar në 1997 dhe konsideron risi çdo përbërës ose produkt ushqimor që nuk është konsumuar nga qytetarët europianë para miratimit të saj. Ky dokument ka lënë hapësirë për hamendësime dhe zbatime subjektive nga shtetet pasi nuk ka pasur sanksione ose vendime specifike për insektet. Vendet e BE-së e kanë aplikuar në mënyra të volitshme duke lëshuar autorizime të posaçme për shitjen e insekteve në treg.
Në 2015 kjo rregullore u përditësua duke zgjeruar përcaktimin për ushqimet e reja me insektet dhe pjesët e tyre. Rregullorja për Ushqimet e Reja 2015/2283 ka filluar të zbatohet që nga 1 janari i 2018. Kjo periudhë tranzicioni deri në daljen e një aprovimi final ose një Rregulloreje të re, lejon grupet e interesit të aplikojnë për autorizim në mënyrë që të tregtojnë produktet e tyre. Që nga 2015 listës i janë shtuar disa lloje larvash, bulkthi i shtëpisë (archeta domesticus) dhe krimbat (tenebrio molitor). Të interesuarit shpesh zgjedhin rrugën më të lehtë për të marrë autorizimin për konsum duke përdorur nenin 14 dhe 20 të Rregullores për Ushqimet e Reja që i konsideron si ushqime tradicionale të vendeve të tjera dhe të sigurta për tu ngrënë.
Në Europë, historikisht ka ekzistuar një lloj paragjykimi për futjen e insekteve në regjimin ushqimor duke i parë si burim primitiv jetese. Kjo lloj mendësie mund të tejkalohet duke rritur ndërgjegjësimin për anët pozitive të kësaj praktike jo vetëm te njerëzit por edhe te planeti. Për më tepër, skepticizmi mund të zbehet nëse individët kanë siguri që baza e ushqimit që konsumojnë është siguruar sa i përket kushteve higjienike dhe nuk shkakton dëme në shëndetin e tyre. E gjithë kjo fobi bazohet në idenë që njerëzit mund të hasin vështirësi në përtypjen e pjesëve të trupit të një insekti, reaksione alergjike ose gjatë tretjes disa prej tyre mund të çlirojnë toksina.
Nga ana tjetër mbarështimi i kafshëve për konsum masiv harxhon shumë energji, ujë dhe burime të tjera natyrore. Bujqësia është përgjegjëse për 10.3% të çlirimit të gazeve serë në BE, 70% prej të cilave vijnë nga prodhimi i kafshëve, një sektor i cili zë 68% të përdorimit të tokës bujqësore në BE. Studime të ndryshme kanë treguar se rritja e popullsisë do të çojë në mungesë të tokës bujqësore dhe si pasojë në krizë ushqimore. Për këtë arsye Europa po shkon çdo ditë e më shumë drejt një sektori bujqësor të qëndrueshëm dhe insektet po konsiderohen si ushqimi i së ardhmes. Kjo pasi përdorin më pak rezerva ekologjike dhe në të njëjtën kohë kanë të njëjtat vlera ushqyese si kafshët e përdorura deri tani për konsum ushqimor. Insektet janë të pasura me proteina që i përmbajnë të nëntë amino-acidet e nevojshme. Gjithashtu disa kanë kalcium, vitamina dhe fibra që lënë vend për tu përdorur si burim alternativ ushqimi ose kundër kequshqyerjes. Insektet e ngrënshme rriten në ferma të posaçme dhe kalojnë nëpër disa hapa deri sa përfundojnë të gatshme për konsum ose të përpunuara si bazë për produkte të tjera. Këto lloj fermash i shtojnë insektet për kërkime shkencore, ushqim për kafshët dhe së fundmi janë përqendruar te rritja e tyre në sasi të mëdha për tregun ushqimor të njerëzve.
Duke marrë parasysh potencialin e kësaj industrie dhe riskun e patogjenëve të ndryshëm që mund të krijojnë insektet marrja e kohës së duhur përpara autorizimit final është në të mirën e të gjitha palëve.
Stafi i EuroSpeak, Endrita Shehu, prill 2021
Referenca:
https://www.europarl.europa.eu/RegData/etudes/ATAG/2020/641551/EPRS_ATA(2020)641551_EN.pdf
https://ec.europa.eu/info/law/better-regulation/have-your-say/initiatives/2079-Specific-hygiene-rules-for-insects-intended-for-human-consumption
https://www.theguardian.com/environment/2020/apr/03/insects-likely-approved-human-consumption-by-eu
https://ipiff.org/insects-novel-food-eu-legislation/#question1