Natyra juridike e Bashkimit Europian është e një kategorie sui generis, lidhur kjo edhe me arsyen që funksionon politikisht ndryshe nga shtetet sovrane dhe nga organizatat e tjera që operojnë në rang rajonal apo global. Nga ky parashtrim ka lindur edhe teoria e supranacionalitetit apo e mbikombësisë, për shkak të veçantisë që paraqet ky entitet në aspektin institucional, e raportit të krijuar midis vetë këtyre institucioneve dhe shtetasve të Bashkimit Europian, e procedurave vendimarrëse, e mënyrës së zbatimit të parimit të delegimit të kompetencave dhe të shumë elementëve të tjerë, pjesë integrale të tij. Ashtu sikurse është cilësuar më herët nga Gjykata e Drejtësisë së Bashkimit Europian[1] rendi komunitar përbën “një rend juridik të një lloji të ri në fushën e së drejtës ndërkombëtare”.
Natyrshëm lind pyetja se çfarë vendi zënë të drejtat e konsumatorit në të drejtën parësore dhe dytësore të BE-së. Duhet nënvizuar që ka qenë Traktati i Mastrihtit që ka parashikuar për herë të parë një rregullim konkret për mbrojtjen e konsumatorëve, veçanërisht në nenet 3(s) dhe 129(a) të tij.[2] Duke vijuar më pas me Traktatin e Amstërdamit 1997, që përcillte një qasje pozitive në lidhje me mbrojtjen e të drejtave të konsumatorëve, ku neni 153 (që ndryshoi nenin 129/a) ishte formuluar në këtë mënyrë: “Me qëllim mbrojtjen e interesave të konsumatorëve dhe garantimin e një niveli më të lartë të mbrojtjes së konsumatorëve, Komuniteti duhet të kontribuojë në mbrojtjen e shëndetit, sigurisë dhe interesave ekonomikë të konsumatorëve, duke promovuar gjithashtu të drejtën e tyre për informim, edukim dhe të drejtën për të organizuar me synimin e mbrojtjes së interesave të tyre.”
Ndërkohë, që në Traktatin e Lisbonës, i vlerësuar si një instrument i rëndësishëm i konsolidimit të mëtejshëm të vlerave të përbashkëta dhe i dhënies së një personaliteti juridik Bashkimit Europian, parashikohet qartë dhe shprehimisht në nenet 4(2)(f), 12, 114(3) dhe 169 të TFBE se mbrojtja e konsumatorit është në vetvete një prioritet. Po kështu, në nenin 38 të Kartës së të Drejtave Themelore të Bashkimit Europian, përcaktohet se politikat e BE-së duhet të garantojnë një nivel të lartë të mbrojtjes së konsumatorit. Një iniciativë tjetër e ndërmarrë është miratimi i një agjende të re të konsumatorit, në nëntor të vitit 2020, e titulluar “Forcimi i qëndrueshmërisë së konsumatorit për rimëkëmbje të qëndrueshme.”[3]
Për më tepër, kemi dy sisteme të krijuara, ku përmendim RAPEX (për produktet jo-ushqimore) dhe RASFF (për produktet ushqimore), si dy mekanizma mbrojtës për produktet e pasigurta që hidhen në tregun konsumator dhe që mund të jetë dëmtuese në shëndetin, jetën e konsumatorit. E rëndësishme është të kuptojmë se kur ne konsiderohemi konsumator dhe kur nuk konsiderohemi si të tillë. Konsumator do të quhet çdo person fizik i cili blen, përdor mallra, shërbime për plotësimin e nevojave vetjake, pra që nuk lidhen me veprimtarinë tregtare apo që nga ana tjetër lehtësojnë ushtrimin e profesionit. Ndërsa, marrëdhënia juridike konsumatore është një marrëdhënie e dyanshme, që pasohet me lindjen e të drejtave dhe detyrimeve reciproke të subjekteve konsumator-tregtar.
Cilat janë disa nga të drejtat themelore të konsumatorëve?
E drejta e marrjes së informacionit në lidhje me produktet ushqimore/jo-ushqimore/shërbimet/kushtet e kontratave të cilësuara si kontrata konsumatore;
E drejta e mbrojtjes së shëndetit, jetës;
E drejta e mbrojtjes së interesave ekonomike;
E drejta e ankimit;
E drejta për t’u mbrojtur nga reklamat mashtruese;
E drejta për edukim.
E drejta për dëmshpërblim etj.
Po ku konsiston kontributi i Gjykatës së Drejtësisë së Bashkimit Europian në kuadër të mbrojtjes të së drejtave të konsumatorëve?
Gjykata ka luajtur një rol të rëndësishëm në qartësimin e shumë çështjeve që lidhen me konsumatorin, tregtarin dhe vetë marrëdhënien juridike konsumatore në tërësi. Sikurse e cituam më sipër, të drejtat konsumatore gëzojnë një mbrojtje në nivel legjislacioni komunitar, ku me ndryshimet që sjell Traktati i Lisbonës, neni 6 të TBE-së, Karta bëhet e detyrueshme, pavarësisht se ky modifikim nuk e ka bërë pjesë të Traktatit. Që në fillimet e saj, GJDBE-ja ka pohuar se të drejtat e njeriut përfshihen në parimet e përgjithshme të së drejtës komunitare, për të cilat Gjykata siguron vëzhgimin.[4] Ajo ka mbajtur qëndrimin se konsumator është vetëm personi fizik[5] dhe se nuk mund të jetë një shoqëri tregtare[6] apo një tregtar që lidh një kontratë reklamimi për qëllime tregtare[7]. Gjithashtu, ajo është shprehur se vetëm në rastet kur kontratat lidhen me qëllimin për të plotësuar nevojat për konsum individual, individi, palë kontraktuese do të përfitojë një mbrojtje të veçantë si palë më e dobët.[8] Në një tjetër vendim të saj, GJDBE-ja i qëndron strikte dhe besnike qëndrimeve të saj të mëparshme, ku ndër të tjerash pasqyrohet se, si ndërmjetësi dhe tregtari kryesor mund të klasifikohen të dy si tregtarë, pa u shtruar nevoja e vërtetimit të ekzistencës së një ofrimi të dyfishtë shërbimesh.[9]
Duket shumë qartë sesi Gjykata i ka kryer dhe vazhdon t’i kryejë me dinjitet dhe rigorizitet përgjegjësitë e saj, si një institucion që nëpërmjet ushtrimit të funksionit të tij juridiksional, siguron, mbron dhe ruan të drejtën komunitare, në interpretimin që ajo i bën zbatimit të traktateve dhe akteve normative që derivojnë prej tyre. Në lidhje me kredinë konsuamtore, Gjykata ka arritur në përfundimin se nuk përjashtohet mundësia që legjislacioni kombëtar të parashikojë se, e drejta e konsumatorit për një reduktim të kostos totale të kredisë në rast të ripagimit të parakohshëm të asaj kredie, të përfshijë vetëm interesat dhe kostot të cilat varen nga kohëzgjatja e kontratës. Pra, nëse debitori shlyen kredinë para mbarimit të afatit të përcaktuar në kontratë, ka të drejtë të kërkojë reduktimin e interesave dhe kostove që lidhen me kohëzgjatjen e kontratës nga shuma totale e kredisë. Për sa i përket kushteve të padrejta konsumatore, në vendimin e datës 8 dhjetor 2022, Gjykata ka arritur në përfundimin se Neni 3(1) dhe 4 i Direktivës 93/13/EEC duhen interpretuar si pengesë për palët kontraktuese të një kontrate kredie (përjashtimisht kur neni 4(2) i Direktivës aplikohet), të përfshijnë kushte të cilat haptazi lejojnë nisjen e një procedure të përshpejtuar, automatikisht, kur ka një vonesë në shlyerje, kjo pas kalimit të një afati të caktuar dhe mbi të gjitha kur ky kusht nuk është negociuar individualisht. Një situatë e tillë prodhon një mosbalancim ndërmjet palëve në të drejtat dhe detyrimet kontraktuale, duke e vendosur konsumatorin në një situatë të pafavorshme.
Në vendimin C-405/21, e datës 30 Qershor 2021, GJDBE-ja është shprehur se sipas nenit 3(1) të Direktivës 93/13, një kusht në një kontratë të lidhur midis një konsumatori dhe një shitësi ose furnizuesi, i cili nuk është negociuar individualisht, duhet konsideruar si i padrejtë nëse në kundërshtim me parimin e mirëbesimit, shkakton një disbalancim të rëndësishëm në të drejtat dhe detyrimet e palëve që rrjedhin nga ajo kontratë, në dëm të konsumatorit. Në këtë vendim Gjykata është kujdesur të bëjë një interpretim të termave “mirëbesim” dhe “ekuilibër” në raportin të drejta kontraktuale-detyrime kontraktuale”, në interpretim të Direktivës 93/13. Në kuadër të profesioneve të lira, duke marrë në konsideratë që klienti shihet si konsumator, GJDBE-ja është shprehur që avokatët, para lidhjes së kontratës për ofrimin e shërbimeve juridike, kanë detyrimin t’i prezantojnë klientit të tyre në një gjuhë të thjeshtë dhe të kuptueshme të gjithë informacionin e nevojshëm për pasojat ekonomike që ka sjell klauzola kontraktore për përcaktimin e shpërblimit mbi bazën e një norme për orë.[10] Përfundimisht, themi se Gjykata e Drejtësisë e Bashkimit Europian ka luajtur një rol aktiv në përforcimin e indetitetit të konsumatorit europian, ku jurisprudenca e saj është e larmishme, për çdo fushë ku konsumatori paraqitet si subjekt, duke përmendur por pa u kufizuar në kreditë konsumatore, në aksesin me infrastrukturën publike, blerjen e produkteve ushqimore, etj.
Hygerta Istrefi, qershor 2024
*Hygerta Istrefi ka përfunduar studimet pranë Fakultetit të Drejtësisë, Universiteti i Tiranës, cikli Bachelor (2018-2021) dhe cikli i dytë i studimeve në Master i Shkencave në “E Drejtë Civile” (2021-2023). Është e punësuar si juriste pranë zyrës ligjore “Petani Law Firm”. Aktualisht është anëtare e LDA Europe dhe e Akademisë Pivot-Youth Promoting Informed Vote, pranë People in Focus. Ka kryer një trajnim 5 javor pranë ISSAT, Tiranë në lidhje me prokurimet, si dhe ka mbaruar praktikën 3 mujore pranë Komisionit të Prokurimit Publik. Gjithashtu, ka qenë e angazhuar në internship-in Court Reporter, pranë Halimi Foundation Institute. Kërkimi shkencor është një prioritet i dytë dhe ka marr pjesë në Konkursin e Punimeve Kërkimore 3 dhe 4 nga CleanScore; si dhe në Konferencën e Parë Shkencore Studentore, Universiteti Mesdhetar.
Referenca
Canaj. E, Bana.S, “E drejta e Bashkimit Europian”, Onufri SHPK, Tiranë, 2020.
Teliti. Ersida, “Manual, Sfidat e konsumatorit shqiptar në procesin e integrimit europian”, Friedrich-Ebert-Stiftung Tiranë, dhjetor, 2023.
Rasti C-29/69, Stauder ndaj Qytetit të Ulm-it, GJDBE, 12 nëntor 1969
Rasti C-541/99, Cape Snc ndaj Idealservice Srl, GJDBE, 22 nëntor 2001.
Rasti C-542/99, Idealservice MN RE Sas ndaj OMAI Sr, GJDBE, 22 nëntor 2001.
Rasti C-361/89, Di Pinto, GJDBE, 14 mars 1991.
Rasti C-269/95, Francesco Benincasa ndaj Dentalkit Srl, GJDBE, 3 korrik 1997.
Rasti C-536/20, Tiketa' ndaj M. Š, GJDBE, 24 shkurt 2022.
Rasti C-395/21, D.V. ndaj M.A, GJDBE, 12 janar 2023.
[1]Canaj. E, Bana. S, “E drejta e Bashkimit Europian”, Onufri SHPK, Tiranë, 2020, faqe, 65.
[2]Traktati i Mastrihtit njihet si Traktati i Bashkimit Europian (TBE), është firmosur në Mastriht, më 7 shkurt 1992 dhe ka hyrë në fuqi më 1 nëntor 1993, ku tre janë shtyllat bazë të tij: 1. Dimensioni komunitar (mbikombësia), shtylla e parë. 2. Bashkëpunimi në fushën e një politike të përbashkët të jashtme dhe të sigurisë, që përbën shtyllën e dytë. 3. Bashkëpunimi në fushën e drejtësisë dhe të punëve të brendshme. Aksesuar nga: https://eur-lex.europa.eu/legal-ontent/EN/TXT/PDF/?uri=CELEX:11992M/TXT
[3]Teliti. Ersida, “Manual, Sfidat e konsumatorit shqiptar në procesin e integrimit europian”, Friedrich-Ebert-Stiftung Tiranë, dhjetor, 2023, faqe 6
[4]Rasti C-29/69, Stauder ndaj Qytetit të Ulm-it, GJDBE, 12 nëntor 1969
[5]Rasti C-541/99, Cape Snc ndaj Idealservice Srl, GJDBE, 22 nëntor 2001
[6]Rasti C-542/99, Idealservice MN RE Sas ndaj OMAI Sr, GJDBE, 22 nëntor 2001
[7]Rasti C-361/89, Di Pinto, GJDBE, 14 mars 1991
[8]Rasti C-269/95, Francesco Benincasa ndaj Dentalkit Srl, GJDBE, 3 korrik 1997
[9]Rasti C-536/20, Tiketa' ndaj M. Š, GJDBE, 24 shkurt 2022
[10]Rasti C-395/21, D.V. ndaj M.A, GJDBE, 12 janar 2023