Roli i teknologjisë dhe novacionit në procesin e integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian

Roli i teknologjisë dhe novacionit në procesin e integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian

Procesi i integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian është një sfidë e komplekse, që kërkon realizimin e një sërë kriteresh dhe standardesh, të cilat janë të lidhura me forcimin e demokracisë, sundimin e ligjit dhe një administratë publike efikase. Teknologjia dhe transformimi digjital kanë luajtur një rol kyç në përmbushjen e këtyre kërkesave. Falë avancimit të infrastrukturës digjitale dhe dixhitalizimit të shërbimeve publike, Shqipëria ka mundësuar krijimin e një administrate më efikase, të përgjegjshme dhe transparente, duke hapur një rrugë të rëndësishme për plotësimin e kushteve të anëtarësimit në Bashkimin Europian.

Kapitulli që mbulon ketë çështje është Kapitulli 10 "Shoqëria e Informacionit dhe Mediat", që përfshin komunikimet elektronike, shërbimet e shoqërisë së informacionit, e-tregtinë, platformat online dhe shërbimet audiovizive. Shqipëria ka bërë hapa të rëndësishëm në përafrimin e kuadrit ligjor dhe rregullativ me acquis-in e BE-së, veçanërisht në komunikimet elektronike dhe mediat audiovizive. Dokumentet kyçe përfshijnë Planin Kombëtar për Zhvillimin e Qëndrueshëm të Infrastrukturës Digjitale Broadband dhe Strategjisë Ndërsektoriale “Agjenda Digjitale E Shqipërisë” 2022–2026 të cilat fokusohen në zhvillimin infrastrukturës digjitale dhe integrimin në BE.

Agjenda Digjitale përfshin katër qëllime kryesore; zhvillimin e politikave digjitale dhe platformave të sigurta për administratën publike, lehtësimin e shërbimeve të aksesueshme dhe proaktive për bizneset, sigurimin e privatësisë, transparencës dhe shërbimeve më të mira për qytetarët dhe transformimin e mësimdhënies dhe mësimit përmes mjeteve digjitale.

Transformimi Digjital është një prioritet kyç për Shqipërinë, me qëllim nxitjen e rritjes ekonomike, përdorimin më të mirë të burimeve dhe afrimin e njerëzve me njëri-tjetrin. Shqipëria është aktualisht lider në Ballkanin Perëndimor për digjitalizimin e shërbimeve publike, duke ofruar më shumë se 95% të shërbimeve publike online. Agjenda Digjitale e Shqipërisë për periudhën 2022–2026 fokusohet në nxitjen e investimeve në teknologjitë digjitale, si inteligjenca artificiale (IA), siguria kibernetike dhe aftësitë digjitale.

Korniza ligjore e Shqipërisë për transformimin digjital përfshin miratimin e disa ligjeve në fusha si nënshkrimi elektronik, tregtia elektronike, siguria kibernetike dhe të dhënat e hapura, duke u përshtatur me direktivat e BE-së. Korniza Kombëtare e Ndërveprimit u miratua në vitin 2023, me fokus në inteligjencën artificiale, zhvillimin digjital dhe sigurimin e aksesueshmërisë. Për më tepër, Shqipëria planifikon të hartojë një Strategji Kombëtare për Inteligjencën Artificiale për të forcuar infrastrukturën e saj digjitale dhe për t'u përshtatur me objektivat e BE-së si Digital Compass 2030.


Shqipëria gjithashtu miratoi ligjin për të dhënat e hapura dhe ripërdorimin e informacionit të sektorit publik (Ligji Nr. 33/2022), duke synuar përshtatjen e plotë me BE-në deri në vitin 2026, ndërkohë që po punon për përmirësimin e kuadrit të sigurisë kibernetike përmes Strategjisë Kombëtare të Sigurisë Kibernetike. Kjo përfshin krijimin e institucioneve si Qendra Operacionale Kombëtare e Sigurisë Kibernetike (SOC) dhe zgjerimin e bashkëpunimit me organizata ndërkombëtare, si Qendra Europiane e Ekselencës kundër Kërcënimeve Hibride.

Fokusi i Shqipërisë është përmirësimi i kapaciteteve të saj digjitale dhe kibernetike përmes legjislacionit, zhvillimit të infrastrukturës dhe trajnimeve të vazhdueshme, duke siguruar përshtatjen me objektivat e BE-së për një të ardhme digjitale të sigurt, inovative dhe konkurruese.

Kuadri ligjor i Shqipërisë për komunikimet elektronike bazohet kryesisht në Ligjin Nr. 9918/2008, i cili është në përputhje me direktivat e BE-së për komunikimet elektronike të vitit 2002/2009. Në vitin 2024, Parlamenti Shqiptar miratoi një ligj të ri, nr. 54/2024, i cili përmirëson kuadrin rregullativ dhe mbështet investimet në rrjetet me kapacitet të lartë.

Po ashtu, vendi ka bërë përparime të mëdha në menaxhimin e spektrit dhe alokimin e frekuencave, duke u përshtatur me standardet e BE-së dhe duke krijuar një Plan Kombëtar të Frekuencave. Sektori i broadband-it, një prioritet i SKZHIE 2030, fokusohet në ndërtimin e një infrastrukture digjitale me shpejtësi të lartë dhe në mbylljen e hendekut digjital. Në përgjithësi, Shqipëria është në rrugën e duhur për të përmbushur standardet digjitale dhe rregullative të BE-së, duke siguruar zhvillimin e një ekonomie digjitale konkurruese, gjithëpërfshirëse dhe të qëndrueshme.


Ndërsa Shqipëria ka bërë hapa të rëndësishëm përpara në fushën e transformimit digjital dhe integrimit në Bashkimin Europian, disa sfida dhe problematika ende mbeten për t'u adresuar. Transformimi digjital dhe zhvillimi i teknologjisë ofrojnë mundësi të mëdha për zhvillimin e vendit, por po ashtu sjellin disa vështirësi dhe rreziqe që duhet të menaxhohen me kujdes.


Një nga problematikat kryesore që Shqipëria mund të përballet në kuadër të transformimit digjital është mungesa e infrastrukturës të nevojshme dhe aksesueshmëria e teknologjisë. Disa zona të Shqipërisë, veçanërisht ato rurale, ende kanë barrierat e tyre për të pasur akses të plotë në internet dhe shërbime digjitale.

Një tjetër problematikë është mungesa e aftësive digjitaledheedukimi i nevojshëm për qytetarët dhe punonjësit e administratës publike. Për të tejkaluar këtë problem, është e rëndësishme që Shqipëria të investojë në trajnime dhe kurse edukimi për qytetarët dhe punonjësit, për të rritur kapacitetin e tyre digjital dhe për të siguruar që të gjithë mund të përfitojnë nga mundësitë që ofron transformimi digjital.


Një tjetër sfidë e rëndësishme është siguria kibernetike dhe mbrojtja e të dhënave personale dhe publike. Me rritjen e përdorimit të shërbimeve digjitale dhe rritjen e mbledhjes së të dhënave, rritet edhe rreziku i sulmeve kibernetike dhe i keqpërdorimit të informacionit. Shqipëria ka bërë përparime në fushën e sigurisë kibernetike, por kjo është një fushë që kërkon investime të vazhdueshme dhe përmirësime për të mbrojtur të dhënat e qytetarëve dhe për të siguruar që shërbimet e administratës publike të mbeten të sigurta dhe të besueshme. Mungesa e sistemeve të avancuara dhe të qëndrueshme të sigurisë kibernetike mund të sjellë rreziqe për shërbimet digjitale dhe mund të dëmtojë besimin e qytetarëve dhe bizneseve në administratën publike dhe në shërbimet që ajo ofron.

Gjithsesi një hap i rëndësishëm është ai i miratimit në dhjetor 2024 të ligjit të ri “Për Mbrojtjen e të Dhënave Personale”, i përafruar plotësisht me legjislacionin e BE-së, i cili ka për qëllim forcimin e mbrojtjes së të dhënave personale dhe rritjen e transparencës në përpunimin e tyre, duke u përafruar me standardet e Bashkimit Europian, si në rastin e GDPR. Ky ligj sjell risitë e nevojshme për t'u përballur me zhvillimet e shpejta teknologjike dhe digjitalizimin, duke përfshirë të drejtat e reja për subjektet e të dhënave, si pëlqimi i informuar, e drejta për t’u harruar dhe transferueshmëria e të dhënave. Sanksionet për shkeljet e këtij ligji janë të rënda, duke shkuar deri në 10 milionë euro ose deri në 4% të xhiros vjetore globale të një kompanie për shkelje të rëndësishme, si moszbatimi i parimeve themelore të përpunimit të të dhënave dhe shkelja e të drejtave të subjekteve. Ligji ka si qëllim rritjen e kapaciteteve administrative dhe mbikëqyrëse, duke forcuar pavarësinë e institucioneve përgjegjëse dhe duke siguruar një mbrojtje më të fortë të privatësisë së individëve.


Një shembull i suksesshëm i transformimit digjital në një vend të Bashkimit Europian është Estonia. Ky shtet ka qenë një lider në implementimin e teknologjisë dhe digjitalizimit të shërbimeve publike dhe administratës. Estonisë i ka mundësuar që të krijojë një mjedis të zhvilluar digjital, ku qytetarët mund të kryejnë shumë shërbime online, përfshirë regjistrimin e kompanive, votimin elektronik, dorëzimin e deklaratave tatimore dhe shumë shërbime të tjera. Rreth 99% e shërbimeve të administratës së Estonisë janë të digjitalizuara, duke e bërë shtetin një model për vendet që kërkojnë të përmirësojnë shërbimet publike përmes teknologjisë.

Ndryshe nga Shqipëria, Estonia ka investuar shumë herët në infrastrukturën digjitale. Që në fillim të viteve 2000, Estonia ka zhvilluar një rrjet të fuqishëm të internetit dhe ka krijuar mundësi për të ofruar shërbime digjitale për të gjithë qytetarët e saj. Ky vend ka ndërtuar një sistem digjital kombëtar të njohur si X-Road, i cili mundëson që të dhënat të transferohen sigurt ndërmjet institucioneve të ndryshme dhe qytetarëve. Një aspekt kyç që e ka ndihmuar Estoninë të arrijë suksesin në digjitalizimin e administratës është edukimi dhe aftësitë digjitale të qytetarëve dhe punonjësve të administratës. Që nga fillimi i procesit të transformimit, Estonia ka investuar në edukimin e qytetarëve të saj dhe ka krijuar platforma për t'i mësuar ata të përdorin shërbimet digjitale, duke e bërë këtë pjesë të arsimit të detyrueshëm.


Estonia ka ndërtuar një sistem të avancuar të sigurisë kibernetike që mbështetet në përdorimin e teknologjisë blockchain dhe kriptografisë për të mbrojtur të dhënat e qytetarëve. Në vitin 2007, Estonia u përball me një sulm të madh kibernetik, por ky sulm e bëri vendin të rishikonte dhe të përmirësonte sistemet e tij të sigurisë kibernetike, duke krijuar një model që është përdorur si shembull nga shumë shtete të tjera.

Estonia ka qenë një model për sa i përket përshtatjes me legjislacionin dhe politikat europiane, pasi është një vend i BE-së që ka zbatuar standardet e BE-së në mënyrë efikase. Ajo ka krijuar ligje dhe politika që përputhen me rregulloret e Bashkimit Europian, si dhe ka përfshirë shërbime të avancuara për qytetarët si shërbimet e-government, dhe shërbime të tjera të mundësuara nga teknologjia.


Një shembull tjetër i suksesshëm nga Estonia është nxitja e pjesëmarrjes aktive të qytetarëve në shërbimet digjitale, siç është mundësia për të votuar online dhe për të nënshkruar dokumente digjitale. Estonianët kanë një shkallë të lartë besimi në sistemin digjital dhe janë të gatshëm të përdorin shërbimet online për të kryer transaksione dhe aktivitete të tjera të administratës.


Procesi i integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian kërkon përmbushjen e një sërë kërkesash, ku transformimi digjital është një element kyç. Teknologjia dhe inovacioni jo vetëm që kontribuojnë në përmirësimin e administratës publike dhe shërbimeve për qytetarët, por gjithashtu janë të domosdoshme për forcimin e konkurrencës dhe zhvillimin e qëndrueshëm të ekonomisë. Rritja e kapaciteteve digjitale, implementimi i politikave të transparencës dhe ofrimi i mundësive për zhvillim të sektorëve ekonomikë janë hapa të rëndësishëm në këtë drejtim.


Një nga aspektet më të rëndësishme është digjitalizimi i shërbimeve publike, i cili lehtëson qasjen në informacion dhe ndihmon në rritjen e transparencës, duke mundësuar një administratë më efikase dhe më pak të ekspozuar ndaj korrupsionit. Teknologjia gjithashtu luan një rol të rëndësishëm në modernizimin e infrastrukturës dhe ofrimin e shërbimeve inovative që nxisin zhvillimin ekonomik dhe përmirësojnë cilësinë e jetës për qytetarët. Pavarësisht përparimeve të bëra, ende ka sfida për t’u kapërcyer, përfshirë mungesën e mjaftueshme të burimeve dhe nevojën për reforma të thella në disa fusha.


Në këtë kuadër, krahasimi me Estoninë, një shtet që ka arritur nivele të larta të digjitalizimit dhe inovacionit, ofron mësime të vlefshme. Estonia është bërë një model për përdorimin e teknologjisë në administratën publike dhe ka treguar se investimi në edukimin digjital, siguria kibernetike dhe një infrastruktura moderne janë thelbësore për një transformim të suksesshëm. Shqipëria mund të përfitojë nga përvojat e Estonisë, duke adoptuar praktika të ngjashme për të përshpejtuar procesin e integrimit dhe për të përmirësuar ofrimin e shërbimeve për qytetarët.


Në përfundim, procesi i integrimit të Shqipërisë në BE kërkon një angazhim të qëndrueshëm për të shfrytëzuar mundësitë që teknologjia dhe inovacioni ofrojnë. Përdorimi i teknologjisë si një mjet për përmirësimin e administratës publike, rritjen e konkurrencës dhe nxitjen e zhvillimit të qëndrueshëm është një hap i rëndësishëm për të arritur një integrim të plotë dhe për të kontribuar në një të ardhme të qëndrueshme dhe të prosperuar për Shqipërinë. Ky proces do të kërkojë bashkëpunim të ngushtë midis sektorëve publik dhe privat dhe një përkushtim të vazhdueshëm për të adresuar sfidat që lindin gjatë rrugës.

 


 

MSc. Anxhela Kenaj & MSc. Kristel Çifligu, mars 2025 

     

*Anxhela Kenaj ka një rrugë profesionale të pasur dhe të diversifikuar, e cila reflekton angazhimin e saj të thellë në fushën e integrimit dhe politikave europiane. Pas përfundimit të studimeve për Shkenca Politike dhe Masterin Shkencor për Studime Rajonale Politike në Fakultetin e Shkencave Sociale në  Universitetin e Tiranës, ajo ka filluar karrierën e saj në Ministrinë e Kulturës, ku ka punuar si specialiste për Integrimin, marrëveshjet dhe projektet IPA. Në vitet e fundit, Anxhela ka vijuar karrierën e saj si specialiste në Drejtorinë e Integrimit dhe Negociatave në Ministrinë e Drejtësisë. Anxhela ka qenë pjesë e grupeve negociuese të cilat kanë përfaqësuar Shqipërinë në takimet bilaterale me Komisionin Europian, duke kontribuar drejtpërdrejt në avancimin e procesit të integrimit të Shqipërisë në BE. Ajo ka treguar një angazhim të thellë në përgatitjen e dokumenteve të rëndësishme për procesin e integrimit europian dhe ka luajtur një rol aktiv në zhvillimin e politikave që mbështesin forcimin e shtetit të së drejtës dhe zhvillimin e institucioneve demokratike në Shqipëri.

 

*Kristel Ҫifligu ka mbaruar studimet e larta në degën Drejtësi Fakulteti i Drejtësisë, Universiteti i Tiranës dhe ciklin e dytë të studimeve në programin “Master i Shkencave në e Drejtë Penale”. Pas përfundimit te studimeve ka nisur punën pranë Ministrisë së Drejtësisë, si pjesë e Thirrjes së VIII të Programit Kombëtar të Praktikave të Punës. Tashmë prej 2 viteve, ajo angazhohet si specialiste në Sektorin e Mbështetjes dhe Asistencës në Procesin e Negocimit, në Drejtorinë e Integrimit dhe Negociatave, në Drejtorinë e Përgjithshme e Politikave dhe Projekteve në fushën e Drejtësisë, Integrimit dhe Negociatave, në Ministrinë e Drejtësisë. Gjatë këtyre dy viteve ka fituar përvojë të gjerë në fushën e administratës publike dhe integrimit europian. Përgjegjës për koordinimin e më shumë se 60 institucioneve që lidhen me gjyqësorin, antikorrupsionin dhe funksionimin e institucioneve demokratike, ka kontribuar në krijimin dhe zbatimin e politikave që mbështesin shtetin e së drejtës dhe forcimin e demokracisë në Shqipëri. Një nga arritjet kryesore ka qenë finalizimi i dy Udhërrëfyesve, për Shtetin e së Drejtës dhe Kriterit Politik “Funksionimi i Institucioneve Demokratike”. Ka qenë gjithashtu pjesë e procesit negociues me BE-në për çështjet që lidhen me shtetin e së drejtës, duke përgatitur qëndrimin negociator të shtetit shqiptar.


 

Referenca

1.     Ligji Nr. 9880, datë 25.02.2008: "Për nënshkrimin elektronik", siç është ndryshuar, i përshtatur nga Direktiva 1999/93/EC e Bashkimit Europian.

2.     Ligji Nr. 10128, datë 11.05.2009: "Për tregtinë elektronike", siç është ndryshuar, i përshtatur nga Direktiva 2000/31/EC e Bashkimit Europian.

3.     Ligji Nr. 107/2015, datë 01.10.2015: "Për identifikimin elektronik dhe shërbimet e besueshmërisë", i përshtatur nga Rregullorja e BE-së nr. 910/2014.

4.     Ligji Nr. 33/2022: "Për të dhënat e hapura dhe ripërdorimin e informacionit të sektorit publik", i përshtatur nga Direktiva (EU) 2019/1024.

5.     Ligji Nr. 25/2024: "Për sigurinë kibernetike", i përshtatur nga Direktiva NIS2 (2022/2555/EU) e Bashkimit Europian.

6.     Ligji Nr. 43/2023: "Për Qeverisjen Elektronike".

7.     Komisioni Evropian (2021). Digital Compass 2030: The European Way for the Digital Decade. COM(2021)118 final.

8.     Komisioni Evropian (2021). Coordinated Plan on Artificial Intelligence. COM(2021)205 final.

9.     Agjenda Digjitale e Shqipërisë 2022-2026. Miratuar me Vendimin Nr. 370 i Këshillit të Ministrave, datë 01.06.2022.

10.  Vendimi Nr. 1084, datë 24.12.2020: "Për miratimin e Strategjisë Kombëtare për Sigurinë Kibernetike dhe Planin e Veprimit 2020–2025".

11.  Korniza e Ndërveprueshmërisë Kombëtare. Instruksioni Nr. 2 i Drejtorit të Përgjithshëm të Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit, datë 30.10.2023.

12.  Komisioni Evropian (2022). Regulation (EU) 2021/1173 on High Performance Computing. COM(2022)137 final.

13.  Korniza për Identifikimin Elektronik dhe Shërbimet e Besueshmërisë (eIDAS 2.0). Rregullore (EU) 2024/1183.

14.  Deklarata e Ministrisë së Brendshme të Shqipërisë (2024). Rishikimi dhe përforcimi i kapaciteteve të sigurisë kibernetike.

15.  Komisioni i Pavarur i Informacionit dhe Mbrojtjes së të Dhënave Personale të Shqipërisë. Raporte dhe aktivitetet për zbatimin e Ligjit Nr. 33/2022.

16.  Raportet e Qeverisë së Shqipërisë për Implementimin e Legjislacionit të Sigurisë Kibernetike dhe të të Dhënave të Hapura.

17.e-Estonia (website). (n.d.). The official e-government platform of Estonia. Retrieved from https://e-estonia.com/

18.Digital Agenda for Estonia 2020. (2014). Estonian Ministry of Economic Affairs and Communications. Retrieved from https://www.mkm.ee/en/objectives-activities/information-society

19.Teraoka, A. (2017). Estonia's e-Government: Transforming Public Services through Digitalization. Journal of International Business and Economics, 5(3), 45-58.

20.Riigikogu (Parliament of Estonia). (2019). E-Residency: Empowering Global Entrepreneurs. Retrieved from https://e-resident.gov.ee/

21.Rregullorja e Sigurisë Kibernetike të Estonisë (Cyber Security Strategy 2020-2024). (2020). Estonian Ministry of Economic Affairs and Communications.

22.European Commission (2017). European Interoperability Framework (EIF). COM(2017)134 final.

23.Häberli, S. (2019). The Rise of Estonia's E-Government: From Digital Society to E-Governance. Public Administration Review, 79(6), 827-839.

24.McKinsey & Company (2018). How Estonia Became One of the World’s Most Digital Societies. Retrieved from https://www.mckinsey.com/

25.OECD (2020). Digital Government Review of Estonia: Towards Digital Transformation. OECD Publishing.

26.Estonian Information System Authority (2023). Cyber Security in Estonia. Retrieved from https://www.ria.ee/en.html


1





1085Ndjekës
6323Ndjekës
1989Ndjekës
23Abonues

Youtube Videos

European Movement International
European Movement International
Ambassade_Niva2_Engelsk