Siguria dhe lëvizja e lirë e qytetarëve nga një shtet në një tjetër janë padyshim dy fusha të cilat nuk mund të analizohen të ndara nga njëra tjetra. Kjo ndërvarësi bëhet akoma më e theksuar sidomos në periudha të tilla kur levizjet migratore njohin një fluks të shtuar, kur ka një shtim të akteve terroriste apo në rastet e pandemive si kjo që po jetojmë aktualisht.
Çfarë është, pse dhe kur filloi të ideohet ETIAS?
Bashkimi Europian ndërsa ishte ende duke u përballur me krizën migratore të vitit 2015, përjetoi dhe aktet terroriste që tronditën së pari Parisin në nëntor 2015 dhe më pas Brukselin në mars 2016. Ndodhur përballë këtyre kërcënimeve, problemet e sigurisë më së shumti iu adresuan kontrolleve dhe forcimit të kufijve të jashtëm të BE-së, duke venë në pikëpyetje lëvizjen pa regjim vizash të shtetasve të vendeve të treta në vendet e BE dhe/ose Shengen.
Ndodhur në këtë situatë Komisioni Europian në komunikimin e tij më 6 Prill 2016, “Sisteme Informacioni më të Forta dhe më të “Zgjuara” për Kufijtë dhe Sigurinë”, përshkruante nevojën që Bashkimi Europian kishte për të forcuar dhe përmirësuar sistemet e tij të IT-së, arkitekturën e të dhënave dhe shkëmbimin e informacionit në fushën e menaxhimit të kufijve, zbatimin e ligjit dhe kundër terrorizmit (EUMonitor, 2018). Në të theksohej nevoja për të përmirësuar ndërveprimin e sistemeve të informacionit, si dhe jepeshin disa opsione se si mund të maksimizoheshin përfitimet nga sistemet ekzistuese të informacionit dhe nëse do të ishte e nevojshme, zhvillimi i sistemeve të reja dhe plotësuese për të adresuar boshllëqet ekzistuese.
Ndër gjithë propozimet, veçohet ai për ngritjen e një Sistemi të BE për Autorizimin e Udhëtimit (ETIAS), duke qenë se lidhet drejtpërdrejtë me lëvizjen e lirë të qytetarëve tanë në zonën Shengen. Nevoja dhe plani i BE për ngritjen e sistemit ETIAS u kristalizua më tej në vjeshtën e vitit 2016 kur vetë Presidenti i Komisionit, Juncker, paralajmëronte më:
- 14 shtator 2016, në adresimin mbi gjëndjen e unionit:
"Ne duhet të dimë kush kalon kufijtë tanë. Deri në nëntor, ne do të propozojmë një sistem të automatizuar për të përcaktuar se kush do të lejohet të udhëtojë në Europë. Në këtë mënyrë ne do të dimë se kush po udhëton në Europë para se të arrijnë këtu."
- 13 tetor 2016, në fjalën e mbajtur me rastin e 20 vjetorit të Qendrës Europiane për Politika (European Policy Center) ai shtoi:
“Ne kemi nevojë për kontrolle të forta në kufijtë e jashtëm dhe shkëmbim më të mirë të informacionit. Më parë këtë vit, Komisioni propozoi se duhet të kemi të dhëna të tipit “ku, pse dhe kur” sa herë që dikush hyn apo del në/nga BE. Ky përmirësim i rëndësishëm duhet të miratohet para përfundimit të këtij viti. Muajin e ardhshëm ne do të shkojmë një hap më tej duke propozuar një Sistem të BE – së për Autorizimin e Udhëtimit. Kjo do të thotë që ne mund të kryejmë kontrolle të thjeshta dhe efikase paraprakisht për udhëtarët të cilët nuk kanë nevojë për vizë për të udhëtuar në Europë”(EC, 2016).
Realisht, pas këtyre deklaratave, më 16 nëntor 2016 Komisioni Europian formalizoi propozimin për ngritjen e sistemit ETIAS. Proces ky që mori dy vjet deri sa hyri në fuqi rregullorja e BE-së 2018/1240 për ETIAS më 9 tetor 2018.
ETIAS parashikon që shtetasit e vendeve të treta të cilët hyjnë pa viza në zonën Shengen pavarësisht këtij fakti duhet të marrin paraprakisht një miratim udhëtimi nëpërmjet regjistrimit elektronik në sistem, kundrejt një pagese të caktuar. Kjo do iu krijojë mundësinë autoriteteve të BE-së të sigurojnë një bazë të dhënash për të kontrolluar hyrje/daljet në kufijtë e jashtëm të BE/Shengen, njëkohësisht do të shërbejë si një burim finaciar.
Çfarë parashikon rregullorja e Bashkimit Europian 2018/1240, për ngritjen e ETIAS?
ETIAS do të jetë një sistem i automatizuar i krijuar për të identifikuar rreziqet që lidhen me shtetas që udhëtojnë pa viza në zonën Shengen. Vende si SHBA, Kanada dhe Australia tashmë përdorin sisteme të ngjashme dhe i konsiderojnë këto si një pjesë thelbësore të kornizave të tyre të sigurisë (EC, 2016).
ETIAS do të zbatohet vetëm për shtetasit e 60 shteteve që gëzojnë të drejtën e udhëtimit pa viza në zonën Shengen. Nëpërmjet këtij sistemi do shqyrtohet paraprakisht çdo udhëtar, për të vlerësuar rreziqet që i kanosen sigurisë së unionit, si rrjedhojë e përfitimit nga e drejta për të udhëtuar pa viza në zonën Shengen. Shtetet anëtare do munden të mos lëshojnë autorizimin për ata udhëtarë që nga shqyrtimi do rezultojnë se përbëjnë kërcënim për sigurinë, rrezik për migracion të parregullt ose për shëndetin publik.
Për të kaluar kufirin e jashtëm të Shengenit, udhëtarët e përjashtuar nga regjimi i vizave, tashmë do të duhet të kenë krahas dokumentit të vlefshëm të udhëtimit edhe një autorizim lëshuar nga ETIAS. Por, autorizimi nuk garanton domosdoshmërisht hyrjen në vendet anëtare. Ky vendim mbetet në dorë të autoriteteve kufitare.
Sistemi ETIAS do të përbëhet nga dy komponentë:
Njësia Qëndrore - Agjencia Europiane e Rojës Kufitare dhe Bregdetare (Frontex) do të jetë përgjegjëse për ngritjen dhe drejtimin e Njësisë Qëndrore ETIAS.
Njësitë Kombëtare, për secilin vend anëtar - ETIAS do të kontrollojë tërësisht të dhënat e identitetit të ofruara nga udhëtarët në aplikimin e tyre në konsultim të një numri bazash të dhënash. Nëse ka ndonjë “shqetësim” në lidhje me një udhëtar të veçantë, aplikacioni do të verifikohet dhe përpunohet më tej manualisht.
Aplikimet do të karakterizohen nga:
- Kosto, çdo aplikim do të shoqërohet me një pagesë të caktuar;
- Aplikuesit do të duhet të japin informacione mbi identitetin e tyre, dokumentin e udhëtimit, nivelin e arsimit dhe punësimin, si dhe të përgjigjen për pyetje të tilla si qëndrimi i mëparshëm në zona konflikti ose dënime penale;
- Sistemi është planifikuar të jetë i thjeshtë dhe i shpejtë;
- Në rrethana të jashtëzakonshme, mund të kërkohen informacione shtesë nga aplikuesit dhe të ndërmerren hapa të mëtejshëm proceduralë sipas nevojës;
- Pasi të jetë lëshuar, autorizimi do të jetë i vlefshëm për tre vjet dhe për një numër të pakufizuar hyrjesh. Megjithatë, autorizimi i udhëtimit mund të revokohet ose anulohet nëse kushtet për lëshimin e saj nuk zbatohen më.
ETIAS pritet të nisë zbatimin në fund të vitit 2022 por nuk do të jetë e detyrueshme deri në vitin 2023. Është planifikuar një periudhë 6-mujore tranzitore për të lejuar udhëtarët të familjarizohen me rregulloren e re (ETIAS, 2021).
Katër vjet pas idesë fillestare për sistemin e autorizimit për udhëtim, tashmë sigurisë së Bashkimit Europian, veç flukseve migratore dhe terrorizmit i është shtuar edhe një kërcënim tjetër prej pandemisë që ka mbërthyer gjithë botën. Ende nuk dihet se kur mund të mbarojë kjo situatë, por nga publikimet e deritanishme të BE mbi ETIAS, vërehet se ky sistem do të mund të përdoret dhe për të identifikuar e kontrolluar të dhënat shëndetësore të qytetarëve të vendeve të treta, që duan të udhëtojnë në zonën Shengen.
Përmes deklarimit të vendit të origjinës ndër të tjera do mund të identifikohet nëse udhëtari vjen nga një shtet në të cilin ka përhapje të ndonjë sëmundjeje të caktuar. Megjithëse sigurimi shëndetësor për vizitorët e huaj nga vende të treta nuk është një kërkesë e detyrueshme për hyrjen në zonën Shengen, së shpejti do të jetë e nevojshme që këta shtetas t’u përgjigjen ndër të tjera edhe pyetjeve për të kontrolluar shëndetin në aplikimin e ETIAS (ETIAS, 2021).
“Për të plotësuar me sukses formularin e aplikimit ETIAS, shtetasve jo-anëtarë të BE-së u kërkohet t'u përgjigjen një serie pyetjesh në lidhje me shëndetin publik. Kushtet ekzistuese mjekësore, sëmundjet parazitare infektive ose ngjitëse duhet të deklarohen me vërtetësi. Kur aplikimi dorëzohet, të dhënat e pasagjerëve konsultohen automatikisht përmes disa bazave të të dhënave. Nëse nuk ka sinjalizim në sistem, kjo do të thotë që aplikanti nuk konsiderohet të jetë në asnjë mënyrë kërcënim për publikun, qoftë në aspektin e shëndetit apo të sigurisë” (ETIAS, 2021).
Efekti që do të ketë zbatimi i ETIAS te qytetarët shqiptarë
Liberalizimi i vizave për qytetarët shqiptarë në dhjetor të vitit 2010 padyshim që ka qenë një arritje e madhe, pas gjithë viteve të izolimit të Shqipërisë së para viteve ’90 dhe përpjekjeve jo rrallë herë të dëshpëruara nëpër dyert e ambasadave pas viteve ’90. Kjo lëvizje e lirë jo pak herë është vënë në pikëpyetje nga Bashkimi Europian vitet e fundit duke sjellë si një nga shkaqet rritjen e numrit të azilkërkuesve shqiptarë. Po ndërsa duket se masat e marra në këtë drejtim kanë dhënë rezultate pozitive, viti 2022 duket se do sjellë një ‘pengesë’ me tjetër natyrë për udhëtimin e lirë të shtetasve shqiptarë drejt zonës Shengen, aplikimin për autorizim udhëtimi përmes ETIAS.
Së pari, vështirësia mund të qëndrojë në aspektin praktik. Nëse konsiderojmë së paku moshat e treta qasja e tyre ndaj aplikimeve në formë elektronike ka gjasa të mos jetë kaq e lehtë. Së dyti, a kanë qasje dhe mundësi të gjithë shtetasit shqiptarë për të kryer pagesa në formë elektronike? Së treti, nëse aplikimi refuzohet si do të procedohet për të apeluar një vendim të tillë, i cili mund të jetë dhënë në mënyrë të padrejtë.
Një aspekt tjetër është edhe pagesa e cila do të duhet të kryhet bashkë me aplikimin, e cila sado modeste të jetë na ve përballë pyetjes, nëse edhe ne si shtet duhet të aplikojmë një pagesë të caktuar për udhëtarët që vijnë nga shtete të zonës Shengen? Në lidhje me këtë në 26 nëntor të vitit 2016, ka pasur një reagim të Ministrit të Jashtëm të Serbisë Ivica Daçiç, në takimin e vendeve të Grupit të Vishegradit me ato të Ballkanit Perëndimor:
“Daçiç vuri në dukje se nëse BE shkon përpara dhe vendos tarifat e regjistrimit për qytetarët serbë që udhëtojnë në BE – përmes të ashtuquajturit sistem ETIAS që synon të forcojë kontrollet e sigurisë për udhëtarët pa viza - Serbia duhet të konsiderojë miratimin e "masave reciproke. Dhe unë do ta bëj atë propozim. Si është e mundur që një hap i tillë të bëhet në mënyrë të njëanshme?" (b92, 2016).
Nëse një vendim i tillë do të merrej në konsideratë nga pala shqiptare, do të duhej një analizë gjithëpërfshirëse e kosto-përfitimeve si në aspektin politik edhe në atë social e ekonomik. Gjithashtu do të nevojitej rregullimi i kuadrit ligjor për hyrjen, qëndrimin dhe trajtimin e shtetasve të huaj në Republikën e Shqipërisë.
Së fundi vlen të kujtohet fakti që Shqipëria nuk është i vetmi vend ndaj të cilit do të aplikohet ETIAS, por është një nga 60 vendet, përfshirë vendet e rajonit tonë, të cilat kanë një regjim pa viza për të hyrë në zonën Shengen. Ky aspekt mund të shërbeje si nxitje për të përdorur instrumentë diplomatikë në koordinim me pesë vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor, për t’i kërkuar BE-së përjashtimin e qytetarëve të tyre nga detyrimi për autorizimin e udhëtimit. Bashkimi i qëndrimit të 6 vendeve të Ballkanit Perëndimor mund të shërbejë si një mesazh për BE-në, se vullneti i përbashkët i tyre mund të kthehet në faktor, për të nxitur ndryshimin e politikave/vendimeve të vetë BE-së.
Blerta Derhemi, qershor 2021
*Blerta Derhemi është diplomate karriere në Ministrinë për Europën dhe Punët e Jashtme, që nga viti 2006. Ka përfunduar studimet master për Marrëdhënie Ndërkombëtare, pranë Universitetit të Tiranës, ku aktualisht është kandidate për gradën Doktor.
Referenca:
https://www.eumonitor.eu/9353000/1/j9vvik7m1c3gyxp/vksb6fdx8kvd#p1
http://europa.eu/rapid/press-release_SPEECH-16-3433_en.htm
https://eur-lex.europa.eu/legal-content/EN/TXT/?uri=CELEX%3A52016PC0731
https://www.etiasvisa.com/etias-news/how-will-the-etias-system-work
https://www.b92.net/eng/news/politics.php?yyyy=2016&mm=11&dd=29&nav_id=99822