Shteti i së drejtës si kushtëzim i BE-së dhe progresi i Shqipërisë në përmbushjen e detyrimeve të Kapitullit 23

Shteti i së drejtës si kushtëzim i BE-së dhe progresi i Shqipërisë në përmbushjen e detyrimeve të Kapitullit 23

 

***

Shteti i së drejtës apo sundimi i ligjit parashikohet në Nenin 2 të Traktatit për Bashkimin Europian si një nga vlerat e përbashkëta për të gjitha shtetet anëtare. Nën sundimin e ligjit, të gjitha kompetencat publike veprojnë gjithmonë brenda kufizimeve të përcaktuara me ligj, në përputhje me vlerat e demokracisë dhe të drejtave themelore, dhe nën kontrollin e gjykatave të pavarura dhe të paanshme. Sundimi i ligjit përfshin parime të tilla si ligjshmëria, që nënkuptojnë një proces transparent, të përgjegjshëm, demokratik dhe pluralist për miratimin e ligjeve; siguria juridike; ndalimin e ushtrimit arbitrar të pushtetit ekzekutiv; mbrojtje efektive gjyqësore nga gjykata të pavarura dhe të paanshme, rishikim gjyqësor efektiv përfshirë respektimin e të drejtave themelore; ndarja e pushteteve; dhe barazia para ligjit.

Elitat politike dhe kontrolli i tyre mbi pushtetin janë forca kryesore lëvizëse pas kapjes së shtetit në Ballkanin Perëndimor dhe Turqi, pohon një raport i ri i Transparency International. Raporti, "Ekzaminimi i kapjes së shtetit" vë në dukje "dy faktorë kryesorë që mundësojnë kapjen e shtetit në Ballkanin Perëndimor dhe Turqi: mosndëshkimi për korrupsionin e nivelit të lartë dhe ligjet e bëra me porosi (Transparency International, 2020). Përpjekjet për të vendosur sundimin e ligjit në rajon kanë prodhuar disa rezultate pozitive në kapacitetet e sistemeve gjyqësore kombëtare, por jo domosdoshmërisht një përmirësim në cilësinë e tyre.Për shembull, mund të ketë më shumë ligje, por nuk i kushtohet vëmendje mjaftueshem mënyrës se si hartohen apo zbatohen ligjet.

Nxitja më e madhe e aderimit në BE vjen nga një serë përfitimesh si: aksesi në tregun e brendshëm të BE-së prej 448 milion konsumatorësh, subvencione të mëdha rajonale prej të cilave vendet e Ballkanit Perendimor do të ishin përfituese neto dhe një vend në tryezë në institucionet e BE-së. Krerët aktualë të qeverive, tek të cilët vullneti politik ekziston dhe është i nevojshëm për reformën, mund përfundojnë në burg, ose të mbesin jashtë pushtetit, ose të dyja, nëse ato zbatojnë reformat e kërkuara nga BE-ja. Për shembull, ish-presidenti i Kroacisë, Ivo Sanader, i cili ndikoi në përmirësimin dhe funksionimin e institucioneve të drejtësisë u dënua me dhjetë vjet burg për korrupsion nga të njëjtat institucione.

Bashkimi Europian hartoi metodologjinë e re për Ballkanin Perëndimor në shkurt të 2020 për ta shndërruar procesin e anëtarësimit në një proces më të besueshëm: Procesi i anëtarësimit duhet të ndërtohet mbi besimin e ndërsjellë dhe në angazhimin e qartë te Bashkimit Europian dhe Ballkanit Perëndimor. Kredibiliteti duhet të përforcohet përmes një përqendrimi edhe më të fortë në reformat themelore, duke filluar me shtetin e së drejtës, funksionimin e institucioneve demokratike dhe administrates publike si dhe në forcimin e ekonomisë së vëndeve kandidate. Kur vendet partnere plotësojnë kriteret objektive, shtetet anëtare do të bien dakord për të ecur përpara në fazën tjetër të procesit duke u bazuar në merita (European Commission, 2020). Pasojat në rast të mosrespektimit të shtetit të së drejtës nga vendet kandidate përfshijnë që nga negociatat që mund të mbahen në pritje, ose në rastet më serioze, të pezullohen, kapitujt e përgjithshëm dhe tashmë të mbyllur mund të hapen përsëri; përfitimet e integrimit më të afërt, si aksesi në programet e BE-së mund të ndërpriten ose të tërhiqen si dhe intensiteti i fondeve të BE-së mund të reduktohet.

Mjeti i vetëm i përdorur deri më tani nga Bashkimi Europian është sistemi i kapitujve duke filluar që nga viti 2004 me anëtarësimin e vendeve të ish-bllokut komunist, duke vazhduar me anëtarësimin e Rumanisë dhe Bullgarisë në 2007 dhe përfunduar me anëtarësimin e Kroacisë në 2013. Vlerësimi i demokracisë dhe kriteret e sundimit të ligjit gjatë këtyre periudhave te zgjerimit ishte me të vërtetë jo i plotë, i qëndrueshëm dhe i paanshëm, dhe pragu për të përmbushur kriteret ishte shumë i ulët. Si rezultat, Komisioni Europian nuk arriti të vendoste një lidhje midis fazës aktuale të reformave në vendet kandidate dhe faktit të pranimit se kriteret politike të Kopenhagenit ishin përmbushur. Ndodhi vetëm gjatë pranimit të Kroacisë kur Komisioni Europian sugjeroi rregulla të ndryshme për proceduren e negociatave. Jo vetëm që kërkesat apo kushtet nuk u morën seriozisht, por edhe zbatimi i tyre gjithashtu mungonte pas pranimit. E vetmja herë që BE-ja shprehu disa dyshime dhe zgjati vlefshmërine e vlerave të para-anëtarësimit ishte i ashtuquajturi Mekanizmi i Bashkëpunimit dhe Verifikimit i zbatueshëm për Bullgarinë dhe Rumaninë, i cili mbeti në fuqi edhe pasi ato u bënë anëtare me të drejta të plota.

Në 7 vitet e fundit demokracia në shtetet anëtare si Hungaria dhe Polonia është përkeqësuar. Disa nga organizatat ndërkombëtare si Transparency International apo Freedom House i kanë cilësuar këto shtete si regjime hibride apo demokraci iliberale për shkak të mosrespektimit të shtetit të së drejtës. Pavarësisht se të dyja këto shtete kanë mbështetur anëtarësimin e vendeve të Ballkanit Perëndimor në BE, ato kanë arritur gjithashtu të rrisin skepticizmin tek shtetet e tjera anëtare si Gjermania, Hollanda apo vendet nordike në lidhje me zgjerimin. Vetoja e Hungarisë dhe Polonisë për buxhetin e BE-së për periudhën 2021-2027 të 1.8 trilionë eurove që lidhej me vendosjen e mekanizmit të shtetit të së drejtës (në rast se një shtet anëtar dhunon parimet dhe standardet demokratike atëherë një përqindje e lartë e fondeve të alokuara do të pezullohet) ishte fakti i fundit që vërtetoi se anëtarësimi i shteteve të reja do të mbetet një sfidë e vështirë në të ardhmen.

Rasti i Shqipërisë

Shtetet anëtare të Bashkimit Europian në 25 mars 2020 vendosën pozitivisht për hapjen e negociatave të anëtarësimit me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. Raporti i progresit i Komisionit Europian për vitin 2020 vlerësoi pozitivisht arritjet e Shqipërisë në fushën e gjyqësorit dhe të drejtave themelore (Kapitulli 23). Nga 286 dosjet e shqyrtuara nga Komisioni i Vetingut, 181 gjyqtarë dhe prokurorë janë shkarkuar për fshehje pasurie ose kanë dhënë dorëheqjen. Megjithatë, asnjë magjistrat nuk është në ndjekje penale ose i dënuar (European Commission, 2020). Më tepër se 4 vite kanë kaluar që nga votimi unanim në parlament i reformës në drejtësi, por ende asnjë zyrtar i lartë nuk është dënuar. Vendet e reja vakante të hapura si pasojë e vetingut më tepër kanë krijuar anomali duke paralizuar funksionimin e sistemit të drejtësisë. Gjykata Kushtetuese arriti kuorumin e nevojshëm prej 7 anëtarësh për të funksionuar vetëm gjatë muajit dhjetor, ndërkohë që vendet vakante në Gjykatën e Lartë ende nuk janë plotësuar. Institucionet e reja të drejtësisë të krijuara për të luftuar korrupsionin dhe krimin e organizuar si SPAK kanë dështuar në përmbushjen e objektivave të shumëpritura. Natyrisht, në të gjithë këtë proces nuk ka pasur vetëm manipulime dhe kapje politike nga pushteti, vështirësia ka ardhur edhe prej faktit që Shqipëria nuk ka pasur kapacitete dhe profesionistë për standardin që u vu për reformën në drejtësi.Pavarësisht manipulimeve të Ardian Dvoranit, përpjekjeve për të bërë betimet e gjykatësit tek noteri dhe jo tek presidenti, makinacioneve të gjithë aparatit qeveritar për të tjetërsuar procedurat, pra përveç këtyre ‘mëkateve’ të përkohëshme po rezulton se arkitektura e krejt reformës, sa herë vihet në provë, shkërmoqet. Ambasadorët e akredituar në Tiranë e konsiderojnë pozitivisht progresin e arritur nga reforma në drejtësi, por askush nga Brukseli zyrtar nuk e proklamon atë si një histori suksesi që duhet ndjekur nga fqinjët tanë, gjithashtu vende aspirante. Një reformë eksperimentale, e miratuar me shpejtësi nën trysninë dhe presionin ndërkombetar nga 140 deputetë, nga ku 1/5 prej tyre me precedent penal, po tregon se nuk e përballon dot realitetin. Eksperienca shqiptare me veting-un në drejtësi dhe problemet që ajo shfaqi kanë detyruar BE-ne të pezullojë aplikimin e të njëjtës reformë në shtetin fqinj, Maqedoninë e Veriut. Kryeministri Zoran Zaev pranon se ishte Brukseli që e frenoi në nisjen e këtij procesi me pretendimin se Maqedonia e Veriut nuk kishte kapacitetet e duhura për të mbushur vendet vakante.

Për të justifikuar dështimet e veta, qeveria nxit euroskepticizmin midis shqiptarëve duke fajësuar politikën e brendshme të shteteve anëtare të BE-se dhe shtypin europian gjoja antishqiptar, duke ndjekur kështu shembullin e liderëve të tjerë populistë në rajon. Ka më shumë se 6 vjet e gjysmë që kur Shqipërisë iu dha statusi i vendit kandidatit në Bashkimin Europian. Vonesa e mos-hapjes së negociatave të pranimit ka ardhur nga dështimet e qeverisë dhe jo nga problemet e brendshme të BE-së. Shqipëria duhet të plotësojë 14 kriteret e mbetura për të hapur Konferencën e Parë Ndërqeveritare që me shumë mundësi do të ndodhë gjatë gjysmës së dytë të 2021 kur Bashkimi Europian do të drejtohet nga Presidenca Sllovene. Dhe nëse BE-ja do të vendosë të mbajë Konferencën e Parë Ndërqeveritare në gjysmën e dytë të vitit 2021 do të jetë për shkak të arsyeve gjeopolitike dhe jo bazuar në merita.

Arlind Puka, janar 2021

*Arlind Puka punon si Asistent Administrativ në Parlamentin Europian që nga qershori 2016 dhe si Këshilltar i Jashtëm i Zëvëndës-Presidentit të Parlamentit Europian për rajonin e Ballkanit Perëndimor. Eksperiencat e mëparshme të tij përfshijnë një sërë praktikash pune në departmanetin e Punëve të Jashtme në Parlamentin Europian, në RACVIAC – Qëndra Rajonale për Siguri dhe Bashkëpunim, në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Shqipërisë. Arlindi ka gjithashtu eksperiencë dhe si përkthyes për Qëndrën e Refugjatëve të Anglisë së Veriut. Pjesëmarrës në shumë trajnime të zhvilluara nga Këshilli i Europës. Ai zotëron një diplomë masteri nga Universiteti i Sandërlendit në Mbretërinë e Bashkuar në të drejtën penale dhe procedurë penale dhe diplome bachelor në drejtësi nga Universiteti i Shkodrës ‘Luigj Gurakuqi’. Arlindi zotëron 5 gjuhë të huaja (anglisht, frëngjisht, italisht, spanjisht dhe suedisht).

Referenca:

Transparency International, ‘Examining State Capture: Undue Influence on Law-Making and the Judiciary in the Western Balkans and Turkey’, Dhjetor 2020, https://images.transparencycdn.org/images/2020_Report_ExaminingStateCapture_English.pdf

‘A more credible, dynamic, predictable and political EU accession process - Commission lays out its European Commission proposals’, Revised methodology, 5 shkurt 2020.

European Commission, Albania 2020 Report, 6 tetor 2020, https://ec.europa.eu/neighbourhood-enlargement/sites/near/files/albania_report_2020.pdf

1085Ndjekës
6323Ndjekës
1989Ndjekës
23Abonues

Youtube Videos

European Movement International
European Movement International
Ambassade_Niva2_Engelsk