Gjykatat elektronike si mjet për të përshpejtuar bashkëpunimin gjyqësor midis Shqipërisë dhe Bashkimit Europian

Gjykatat elektronike si mjet për të përshpejtuar bashkëpunimin gjyqësor midis Shqipërisë dhe Bashkimit Europian

Pandemia e Covid-19 nuk ishte ajo që prisnim, por ndoshta ishte ajo që duhej, veçanërisht kur bëhet fjalë për të nxitur përdorimin e teknologjive të informacionit në shumë fusha të ofrimit të shërbimeve qeveritare, duke përfshirë edhe sistemin gjyqësor. Prej vitesh në rang global ka nisur një fushatë reformimi dhe përshtatje drejt përdorimit të teknologjive të informacionit me qëllim lehtësimin e procedurave gjyqësore. Tashmë është bërë e qartë që dixhitalizimi i proceseve gjyqësore, një proces i përshpejtuar për shkak të pandemisë, është një proces i pakthyeshëm dhe se epidemia shërbeu vetëm për ta përshpejtuar.

Bashkëpunimi gjyqësor në kuadër të Bashkimit Europian synon të krijojë një bashkëpunim të ngushtë ndërmjet shteteve anëtare, por jo vetëm, me qëllim shmangien e çdo pengese ndërmjet sistemeve juridike kombëtare. Me qëllim rritjen e bashkëpunimit gjyqësor për shtetet anëtare, BE ka krijuar portalin e-justice si një pikë unike aksesi në regjistrat kombëtar në fushën e drejtësisë. Shqipëria ka pasur një rritje të kërkesave për bashkëpunim në fushën gjyqësore në nivel europian, megjithëse ka ende punë për të bërë për të harmonizuar legjislacionin kombëtar me acquis e BE. Nëse përpunimi i këtyre kërkesave do të kryhej duke u bërë pjesë e portalit e-justice, do të kishte një ulje të kohës së shqyrtimit të tyre, por kjo nuk mund të realizohet pa një reformim të punës së përditshme të gjykatave në vend.

 

Bashkëpunimi gjyqësor në fushën civile dhe penale midis Shqipërisë dhe Bashkimit Europian

Diversiteti i juridiksioneve të vendeve anëtare të Bashkimit Europian, ka evidentuar nevojën për gjetjen e një emëruesi të  përbashkët, me qëllim lehtësimin e ndërveprimit ndërmjet këtyre sistemeve juridike. Në një treg të përbashkët siç është ai i Bashkimit Europian, ku njerëzit, mallrat, shërbimet dhe kapitalet lëvizin lirisht, 27 sisteme juridike të ndryshme përbëjnë pengesë reale në shumë prej aspekteve të lidhura drejtpërdrejtë me lëvizjen e lirë. Ka qenë pikërisht kjo premisë, që ka sjell zhvillimin e politikave në fushën e bashkëpunimit gjyqësor.

Bashkëpunimi gjyqësor si një mundësi për të eleminuar pengesat ndërmjet Shteteve Anëtare të Bashkimit Europian, që lindin si rezultat i mospërputhjeve ndërmjet sistemeve të ndryshme ligjore, nuk ka qenë pjesë e traktateve themeluese. Për herë të parë do të jetë Traktati i Mastrihtit, i cili do ta përfshinte në kuadër të “çështjeve me interes të përbashkët” (Neni 51, Titulli VI, Traktati i Mastrihtit, 1992). Traktati i Amsterdamit do e vendoste bashkëpunimin gjyqësor në fushën civile dhe penale në nivel komunitar, duke e lidhur atë me lëvizjen e lirë të personave (Titulli VI, Traktati i Amsterdamit, 1997).

Traktati i Lisbonës jep mundësi të reja për bashkëpunimin gjyqësor në çështje civile dhe penale dhe ngarkon Bashkimin Europian, me detyrën e lehtësimit të aksesit në drejtësi në mbarë BE-në, duke bërë një rregullim të plotë të këtij aspekti të rëndësishëm të integrimit, në nenet 81 dhe 82 të tij (Përmbledhje e Traktateve të BE dhe TFBE). Në vija të përgjithshme bashkëpunimi gjyqësor në fushën penale dhe civile konsiston kryesisht në: njohjen e ndërsjellë të aktgjykimeve si dhe vendimeve në çështjet jashtëgjyqësore ndërmjet juridiksioneve të ndryshme; marrjen e provave; njoftimin e palëve pjesëmarrëse në proces; përafrimin e procedurave dhe përputhshmërinë e rregullave; respektimin e të drejtave të individit në procedurën penale, etj..

Republika e Shqipërisë në kuadër të proceseve integruese në Bashkimin Europian dhe veçanërisht në zbatim të kapitujve të MSA-së, ka filluar prej kohësh të hedhë hapa konkretë në këtë drejtim. Për sa i përket bashkëpunimit gjyqësor, njohja dhe zbatimi i vendimeve gjyqësore të huaja është përfshirë në të dy Kodet që rregullojnë Procedurat Civile dhe ato Penale në vend. Në Republikën e Shqipërisë institucioni përgjegjës për realizimin e politikave konkrete në fushën e bashkëpunimit gjyqësor është Ministria e Drejtësisë, e cila ndër të tjera ka si mision: bashkëpunimin ndërkombëtar në fushën civile dhe penale (Ligji Nr.8678, neni 5, 2001).

Prej disa vitesh Shqipëria është pjesë e programeve të drejtësisë së BE-së, nëpërmjet miratimit të Memorandumeve të Mirëkuptimit për pjesëmarrjen e Republikës së Shqipërisë në programin e drejtësisë së BE-së. I fundit është ai i ratifikuar me me ligjin nr. Nr. 82/2018. Ky memorandum ka të bëjë konkretisht me anëtarësimin e Shqipërisë në Programin e Drejtësisë së BE-së, i krijuar me Rregulloren 1382/2013 të Parlamentit Europian dhe Këshillit. Kjo rregullore, e cila rezulton të jetë ende në fuqi parashikon mundësinë që pjesë e programit të bashkëpunimit me Bashkimin Europian të bëhen edhe shtetet e treta (neni 7/1,c; EUR-Lex).

 

Dixhitalizimi i procedurave gjyqësore në Bashkimin Europian

Teknologjia e informacionit është padyshim një ndër faktorët thelbësor në ndryshimin e botës në të cilën jetojmë. Në një kohë kur kjo teknologji po bëhet pjesë e pandashme dhe e domosdoshme e të gjitha sferave të veprimtarisë njerëzore, nga tregtia, tek komunikimi, apo edhe mjekësia, nuk mund të rrinte jashtë këtij ndikimi gjyqësori, dhe zhvillimi i procedurave gjyqësore në tërësi. Shtetet janë vazhdimisht në kërkim të mënyrave të reja për të rritur eficiencën e gjykatave dhe për të shmangur vonesat e tejzgjatura të proceseve. Vonesa e proceseve gjyqësore në fakt është një ndër ankesat më të shpeshta që shoqëron këtë fushë të veprimtarisë publike (Reiling, 2009; CEPEJ, 2005). Në një botë të re, ku asnjë shtet nuk mund t’i shmanget zhvillimeve të vrullshme globale në fushën e teknologjisë së informacionit, është e natyrshme që shtetet ta shohin këtë të fundit, si një mundësi për të gjetur një zgjidhje për vonesat në gjyqësor. (Reiling, 2009) Studimet tregojnë se përdorimi i teknologjisë së informacionit për zhvillimin e procedurave gjyqësore rrit transparencën dhe efektivitetin e sistemit gjyqësor (Thornburg, 2001; CEPEJ, 2016; Council Action Plan on European e-Justice 2009-2013).

Teknologjitë e komunikimit të informacionit mund të përdoren për të përmirësuar administrimin e sistemit të drejtësisë (Cerrilo, Fabra, 2008). Teknologjia e informacionit jep mundësinë për automatizimin e një sërë procedurash gjyqësore, duke ulur kohën e kryerjes së procedurës, koston e saj dhe si rezultat sjellin rritje të efektivitetit. Interneti nga ana tjetër, ofron mundësinë për të siguruar një akses të shpejtë dhe efikas të publikut në gjyqësor, duke i dhënë mundësinë për të pasur informacion të përgjithshëm, apo specifik në kohë të shkurtër dhe pa pasur nevojë për të qenë fizikisht në ambientet e gjykatës. Në analizë të fundit kjo nuk bën gjë tjetër veçse rrit legjitimitetin e gjyqësorit (Velicogna, 2007).

Vendet anëtare të Bashkimit Europian, edhe pse me hapa të ndryshëm, kanë ecur në drejtim të përfshirjes së teknologjisë në fushën e dhënies së drejtësisë, në të gjithë aspektet e saj. Nevoja për të lehtësuar bashkëpunimin gjyqësor ndërkufitar, solli ndryshimin edhe të procedurave që kryheshin në kuadër të BE. Pikërisht për të arritur objektiva konkret në këtë drejtim, në nëntor të vitit 2008, u krijua portali e-justice, i menaxhuar nga Komisioni Europian, me objektivin për të përmirësuar aksesin në drejtësi dhe ofrimin e drejtësisë, duke krijuar një “one-stop-shop”- shërbim me një ndalesë (IUJO), për aksesin në drejtësi në të gjithë BE-në.

Portali lehtëson punën e përditshme të praktikuesve të së drejtës dhe autoriteteve ligjzbatuese. Referuar strukturës së ofrimit të shërbimeve nga portali, ai adreson këto kategori specifike përfituesish të shërbimeve të tij: qytetarët; shoqëritë tregtare; praktikuesit e të drejtës; gjyqësorin. Secila prej këtyre kategorive, në përputhje me interesat dhe nevojat e veta ka mundësinë të marrë informacion të detajuar për secilin prej sistemeve juridike të 27 shteteve anëtare të BE-së. Informacioni ofrohet në 22 gjuhët zyrtare të Bashkimit Europian. Në shumicën e rasteve informacioni shoqërohet edhe me linkun përkatës, në faqen zyrtare të institucionit kombëtar përkatës. Veçoria kryesore e këtij portali është unifikimi, pra i gjithë informacioni i vënë në dispozicion, është i aksesueshëm drejtpërdrejtë në këtë portal. Në portal është e mundur të aksesohet një numër i konsiderueshëm aktesh juridike të vendeve anëtare; mund të merret informacion i përgjithshëm lidhur me procedurat gjyqësore; paraqitjen e kërkesë padisë, apo të kallëzimit; kontaktet me avokatë, apo profesionistë të tjerë të së drejtës; marrjen e provave me videokonferencë apo forma të tjera; ekzekutimi i vendimeve penale apo civile; ndjekja e procedurave të falimentit, etj.. Plani Europian i Veprimit e-Justice 2019-2023 (2019/C 96/05), që bën reformimin e fundit të portalit, parashikon një sërë reformash në fushën e komunikimit elektronik dhe dixhital ndërmjet vendeve anëtare të BE-së, (2019-2023 Action Plan European e-Justice) me synimin për ta thelluar bashkëpunimin ndëmjet  aktorëve të përfshirë. Referuar këtij dokumenti, ky plan do të punojë që të arrijë:

  • Përmirësimin e aksesit në informacion në fushën e drejtësisë
  • Përmirësimin e dixhitalizimit të procedurave gjyqësore dhe jashtëgjyqësore
  • Arritjen e zbatimit dhe manaxhimit teknik të sistemeve kombëtare të e-justice me synim për të lehtësuar ndërveprimin dhe ndërlidhjen ndërmjet sistemeve të shteteve anëtare.

Përmbledhja e plotë e gjithë seksioneve që janë të përfshira në këtë portal, është e pamundur të kryhet për efekt të këtij artikulli. Ajo që mund të thuhet është që ky portal synon të jetë gjithëpërfshirës, për të gjitha kategoritë e marrëdhënieve juridike apo gjyqësore me element ndërkufitar.

 

Procedurat elektronike në rritjen e bashkëpunimit gjyqësor midis Shqipërisë dhe BE-së

Bashkëpunimi gjyqësor në fushën civile dhe penale ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Bashkimit Europian, është i konsoliduar. Nëse shohim shifrat e tre viteve të fundit është e qartë se ato janë në vlera të rëndësishme si nga pikëpamja sasiore dhe cilësore. Gjatë tre viteve të fundit Shqipëria për çështjet civile ka marrë mesatarisht 280 kërkesa për bashkëpunim nga vendet anëtare të Bashkimit Europian dhe ka dërguar mesatarisht 140 të tilla. Ndërkohë për çështjet penale, numri i kërkesave për bashkëpunim të përcjella është  mesatarisht 1230 kërkesa, dhe i atyre të marra është 1130. Analiza e Progres Raporteve të Komisionit Europian, për tre vitet e fundit, krahas konstatimit të hedhjes së hapave pozitivë në drejtim të forcimit të bashkëpunimit, arrin në përfundimin se Shqipëria duhet të përmirësojë më tej bashkëpunimin ndërkombëtar, zbatimin në kohë të instrumenteve shumëpalëshe dhe kapacitetet institucionale. Nevojiten përpjekje të mëtejshme për të harmonizuar legjislacionin me acquis të BE dhe për të promovuar shkëmbimin e praktikave më të mira në bashkëpunimin gjyqësor (KE, 2018, 2019, 2020).

Shqipëria prej vitesh ka në fokus të saj rritjen e përdorimit të teknologjive të informacionit në gjyqësor (Strategjia ndërsektoriale e drejtësisë 2015-2020). Megjithatë nëse analizohen ndryshimet në praktikë, është e qartë se hapat e hedhur nuk janë të konsiderueshëm krahasuar me objektivat dhe nevojën për progres. Të gjitha gjykatat në vend janë përfshirë në sistemin elektronik të menaxhimit të çështjeve, por ky sistem vazhdon të jetë problematik, për arsye se nuk është unik për të gjitha fazat e procedurave gjyqësore dhe për të gjitha gjykatat në vend. Menaxhimi elektronik i çështjeve fillon në momentin e shortimit elektronik, pas paraqitjes së kërkesës apo kërkesë padisë nga ana e palëve. Padia iu caktohet gjyqtarëve me short (Kodi i Procedurës Civile, Neni 154/a). Më tej kryhet planifikimi elektronik i seancave gjyqësore, regjistrimi i zhvillimit të seancave gjyqësore, deri në mbylljen dhe depozitimin elektronik të çështjeve të përfunduara. Në gjykatat shqiptare është instaluar sistemi i regjistrimit audio të seancave gjyqësore, i cili përdoret në pjesën më të madhe të seancave (Raporti KLGJ, 2019). Fazat e mësipërme nuk administrohen nga i njëjti sistem elektronik, duke vështirësuar komunikimin me publikun dhe duke e bërë të pamundur komunikimin elektronik ndërmjet vetë gjykatave. Centralizimi i databazës së të dhënave të sistemit gjyqësor, do të sillte mundësinë për të pasur regjistra online të të dhënave të ndryshme gjyqësore, të cilat edhe pse janë të lokalizuara, të pavarura dhe të mëvetësishme në secilën gjykatë, do të menaxhoheshin nga i njëjti sistem. Në këtë mënyrë, subjektet e përfshira në një proces gjyqësor, e veçanërisht profesionistët do të komunikonin në mënyrë eficiente e reale mes tyre. Pa u arritur që sistemi të mundësojë publikim të informacionit për proceset gjyqësore në kohë reale dhe të përditësuar për publikun shqiptar, do të jetë e pamundur që sistemi të integrohet në portalin e-justice të Bashkimit Europian.

 

Përfundime

Bashkëpunimi gjyqësor në çështjet civile është një proces në zhvillim në Bashkimin Europian. Për të rritur efektivitetin e këtij bashkëpunimi që është thelbësor në rritjen e ndërveprimit midis Shqipërisë dhe BE-së, është e nevojshme që të ketë koordinim midis politikave kombëtare në këtë fushë, me politikat e Bashkimit Europian, të cilat në fakt dëshmojnë për një zgjerim të vazhdueshëm të tij. Zgjerimi i këtij bashkëpunimi në vendet anëtare të BE-së, po ecën paralelisht me dixhitalizimin e procedurave gjyqësore, duke qenë se këto procese në fakt e lehtësojnë njëri-tjetrin, pasi rritja e përdorimit të teknologjisë së informacionit, vetëm rrit më shumë mundësitë për bashkëpunim ndërmjet sistemeve të ndryshme juridike.

Në kushtet aktuale, edhe pse nuk paraqitet asnjë pengesë në kuadër të legjislacionit që rregullon marrëdhëniet ndërmjet Shqipërisë dhe Bashkimit Europian, mund të themi se përfshirja e sistemit të drejtësisë shqiptare, në portalin e BE-së është ende  e largët. Përpara se Shqipëria të ketë mundësi të pretendojë për të qenë pjesë e këtij portali, duhet që më së pari të garantojë brenda vendit një unifikim të sistemeve elektronike në gjyqësor dhe një zhvillim të tyre, duke mundësuar transferimin e një numri të konsiderueshëm procedurash në format elektronik. Në kushtet kur pandemia e Covid-19, dëshmoi se sa e nevojshme është për sistemin gjyqësor që të jetë në gjendje të funksionojë edhe jashtë godinave të gjykatave, për Shqipërinë, ambicia për t'u bërë pjesë e sistemit të drejtësisë elektronike të BE, është një shtysë më shumë, për të ndërmarrë reforma të rëndësishme në drejtim të drejtësisë elektronike. Në kuadër të shkëmbimit të praktikave të mira lidhur me bashkëpunimin gjyqësor në fushën civile dhe penale, eksperienca e Bashkimit Europian mund të shërbejë si një udhërrëfyes për ndërmarrjen e reformave efikase në këtë fushë.

Dorina Ndreka Asllanaj, mars 2021

 

*Dr. Dorina Ndreka Asllanaj është diplomuar për Drejtësi, pranë Universitetit të Tiranës. Ka përfunduar studimet Master për Studime Europiane, dhe ka mban gradën shkencore “Doktore e Shkencave”. Që prej vitit 2005 është anëtare e Dhomës Kombëtare të Avokatisë dhe ushtron profesionin e avokatisë, si profesioniste e lirë. Prej vitit 2009, është lektore me kohë të plotë në fushën e drejtësisë, pranë Universitetit “Aleksandër Moisiu” Durrës. Është autore e shumë artikujve shkencorë të botuar në revista shkencore në fushën e të drejtës ndërkombëtare dhe europiane. Është autore e librit “E drejtë ndërkombëtare publike” dhe ka njohuri shumë të mira të gjuhës angleze, italiane dhe spanjolle.

 

 

Referenca

Augusti Cerrilo, Pere Fabra, “E-Justice.Using Information Communication Technologies in the Court System”;

Dory Reiling, “Technology for Justice. How Information Technology can support Judicial Reform”, Ledien University Press 2009;

Elizabeth Thornburg, “Observing Online Courts: Lessons from the Pandemic”,

SMU Dedman School of Law Legal Studies Research Paper No. 486, Shtator 2021;

Komisioni Europian për Efiçencën në Drejtësi, (European Commission for the Efficiency of Justice), Studim i CEPEJ, “Guidelines on how to drive change towards cyber justice, Stock-taking of tools deployed and summary of good practices”, 2016;

Komisioni Europian për Efiçencën në Drejtësi, (European Commission for the Efficiency of Justice), Studim i CEPEJ Nr. 24, “European judicial systems Efficiency and quality of justice. Thematic report: Use of information technology in European courts”, 2016;

Ligji Nr.8678, datë 14.05.2001 (i ndryshuar), “Për organizimin dhe funksionimin e Ministrisë së Drejtësisë”;

Raport mbi Veprimtarinë e Këshillit të Lartë Gjyqësor, 2019

http://klgj.al/wp-content/uploads/2020/09/RAPORTI-VJETOR-2019-pdf.pdf.

Strategjia ndërsektoriale e drejtësisë 2015-2020, aksesi elektronik në: http://www.euralius.eu/

Velicogna, M., “Justice Systems and ICT What can be learned from Europe?”,Utrecht Law Review, http://www.utrechtlawreview.org/ Volume 3, Issue 1 (June) 2007.

http://integrimi-ne-be.punetejashtme.gov.al/wp-content/uploads/2020/04/9-Versioni-i-Konsoliduar-i-Traktateve-te-BE-se.pdf

https://uihj.com/archive-uihj/en/launch-of-the-european-e-justice-portal_1019665.html

https://eur-lex.europa.eu/legal-content/EN/TXT/PDF/?uri=CELEX:52019XG0313(02)&rid=6

1085Ndjekës
6323Ndjekës
1989Ndjekës
23Abonues

Youtube Videos

European Movement International
European Movement International
Ambassade_Niva2_Engelsk