Pakti i ri i Migracionit dhe Azilit, një zgjidhje për krizën e emigrantëve?

Pakti i ri i Migracionit dhe Azilit, një zgjidhje për krizën e emigrantëve?

Migrimi është një fenomen që ka kontribuar në formësimin e historisë së njerëzimit. Kohët e fundit është rritur ndjeshëm shqetësimi i publikut evropian ndaj migracionit. Emigrantët dhe refugjatët që vijnë në Europë nga Afrika, Lindja e Mesme dhe Azia Jugore përbëjnë një nga sfidat më të mëdha për institucionet dhe politikanët europianë (Kosho, 2016). E ashtuquajtura kriza e refugjatëve e vitit 2015, e gjeti të papërgatitur BE-në dhe Shtetet Anëtare që pritën refugjatët në brigjet e tyre (si p.sh. Italia dhe Greqia), duke krijuar një shqetësim të madh tek opinionit publik europian dhe më gjerë. Kjo krizë humanitare, institucionale dhe politike, shkaktoi mosmarrëveshje midis Shteteve Anëtare, një shtrëngim të politikave për refugjatët, rivendosjen e kontrolleve kufitare në vende të ndryshme të zonës Shengen, si dhe krijoi pakënaqësi të përhershme midis vendeve jugore të BE-së për shkak të asaj që ata mendonin se ishte shpërndarja e pabarabartë e barrës së migrimit të parregullt. Valët e migrimit që sollën në dyert e BE-së mbi 1.6 milionë refugjatë nga vitet 2015-2024, (Këshilli i BE-së, 2024), kryesisht nga Siria, nxorën në dritë mangësi dhe papërshtatshmëri në politikat e Bashkimit Europian për azilin, duke nxitur nevojën për një qasje të unifikuar të BE-së ndaj migracionit. Me nevojat humanitare në nivele rekord, institucionet e BE-së filluan përpjekjet që në vitin 2020, për të ndërtuar një set të përmirësuar rregullash, me qëllim krijimin e një qasje të sigurt, të shpejtë dhe të drejtë ndaj azilit dhe migrimit.

 

1. Çfarë të reje sjell Pakti i Migracionit dhe Azilit?

 

Pakti i ri për Migracionin dhe Azilin i prezantuar nga Komisioni Europian më 23 shtator 2020, synon të përfaqësojë një fillim të ri në lidhje me tërësinë e çështjeve që lidhen me menaxhimin e sfidave të paraqitura nga emigrantët, refugjatët dhe azilkërkuesit që mbërrijnë në Bashkimin Europian. Më 10 prill 2024, Parlamenti Europian votoi në favor të rregullave të reja për migracionin, ndjekur nga miratimi zyrtar i tyre nga Këshilli i BE-së, më 14 maj 2024, duke i lejuar Unionit të trajtojë çështje komplekse me një ritëm të ri. Kjo mendohet se do të garantojë sigurinë e kufijve të jashtëm të BE-së, garantimin e të drejtave të njeriut dhe që asnjë vend i BE-së të mos mbetet i vetëm nën presion (Komisioni Europian, 2024). Pakti për Migracionin dhe Azilin është një grup rregullash të reja që menaxhojnë migracionin dhe vendosin një sistem të përbashkët azili në nivel komunitar, qasje që synon forcimin dhe integrimin e politikave kyçe të BE-së për migracionin, azilin, menaxhimin e kufijve dhe integrimin. Kjo ka rritur pritshmëritë që reforma të adresojë me efektivitet çështjet urgjente të agjendës politike në shumë vende europiane. Ky pakt ka krijuar gjithashtu dhe debate kontroversiale.

 

 

Figura 1: Skema e Paktit të Migracionit dhe Azilit; burimi: Komisioni Europian, 2024

 

Një nga rregullat e migracionit dhe azilit në BE, ka qenë dhe mbetet fakti se, shteti i parë që përballet me flukset e emigrantëve në kufijtë e jashtëm të BE-së (si psh., Italia apo Greqia) është përgjegjës për proçesimin e pjesës më të madhe të aplikimeve për azil. Dhe Pakti i Migracionit dhe Azilit, nuk e ndryshon këtë rregull. E megjithatë, disa nga të rejat e këtij pakti, që vlejnë të përmenden janë këto:  

(1) Proçesi i shqyrtimit, apo i monitorimit të kufirit, sipas së cilit, personat që paraqesin rrezik për sigurinë, që mashtrojnë autoritetet duke dhënë informacion të rremë ose fshehin informacion, ose që vijnë nga vende me shkallë të ulët njohjeje, do t'i nënshtrohen një 'proçedure skanimi'. Gjatë kohës së shqyrtimit të kërkesës së tyre, ata nuk do lejohen të lëvizin të lirë, por do jenë të detyruar të qëndrojnë në objekte të veçanta ose pranë kufirit, për një periudhë maksimale prej 12 javësh deri në marrjen e vendimit nëse ata do të kalojnë në proçedurën e azilit 'brenda territorit', në proçedurën normale të azilit, apo do të dëbohen (Scazzieri, 2024).

 (2) Referenca për "vendin e tretë të sigurt" tek i cili Shtetet Anëtare mund të kthejnë ose deportojnë azilkërkuesit, me kusht që ata të kenë një lidhje me vendin në fjalë. Për shembull, një azilkërkues që arrin në një vend të BE-së pasi ka kaluar kohë në një shtet tjetër (të ndryshëm nga ai i origjinës), si psh., në Serbi ose Marok, duke krijuar lidhje me atë vend, mund të kthehet atje me arsyetimin se ky shtet konsiderohet si një "vend i tretë i sigurt" (Enríques, 2024).

(3) Sistemi EURODAC ka të bëjë me bazën e të dhënave të gjurmëve të gishtërinjve që BE-ja përdor për të monitoruar azilkërkuesit brenda zonës Shengen dhe për të parandaluar "pazarin e azilit" (praktika e kërkesës së azilit në Shtetet Anëtare të mëvonshme pasi janë refuzuar në shtetin hyrës), si dhe për të monitoruar "lëvizjet dytësore" të azilkërkuesve që lëvizin në shtetet e tjera anëtare. 

(4) Pakti prezanton një sërë masash solidariteti, një ndihmë kjo për vendet përgjatë kufijve të jashtëm të BE-së që mund të mbingarkohen nga numri i madh i aplikimeve. Gjatë rritjeve të papritura të fluksit të emigrantëve, azilkërkuesit mund të zhvendosen në një shtet tjetër të BE-së. Çdo vit, Komisioni do të propozojë një grup kontributesh solidariteti për zhvendosjen e azilkërkuesve nga Shtetet Anëtare nën “presion migrator”, si dhe kontribute financiare për to. Ndërsa solidariteti mbetet i detyrueshëm, ai është fleksibël në mënyrën se si ai hyn në fuqi: një shtet anëtar ose mund të marrë kuotën e tij vjetore të azilkërkuesve, ose të paguajë 20.000 euro për çdo azilkërkues të papranuar, ose të shpenzojë të njëjtën shumë në projekte të lidhura me emigracionin në vendet e origjinës.

 

2. Pikëpyetjet mbi Paktin e Migracionit dhe Azilit

 

Me gjithë përpjekjet e institucioneve të BE-së për të ndërtuar një qasje të unifikuar dhe efikase për të zgjidhur krizën e migrantëve dhe azilkërkuesve, ky pakt ka sjellë pakënaqësi në qarqe të ndryshme politike, institucionale dhe në lëmin e organizatave civile. Sipas analistes së migracionit në Institutin Elcano Royal, Carmen González Enríquez,[1] qëllimi i paktit nuk ka qenë asnjëherë lehtësimi i proçedurës së azilit për refugjatët, por harmonizimi i saj, për ta bërë menaxhimin e problemit të azilit më të parashikueshëm, me qëllim shmangien e konflikteve apo fërkimeve mes Shteteve Anëtare. Sipas analizës së Enríquez, qëllimi kryesor i paktit është i brendshëm: të vendosë proçedura dhe standarde të ngjashme në të gjithë Shtetet Anëtare, të përcaktojë përgjegjësitë dhe solidaritetin, në mënyrë që kjo çështje – menaxhimi i atyre që vijnë në mënyrë të parregullt dhe kërkojnë azil – të pushojë së qeni një shkak i vazhdueshëm konflikti midis vendet që i përkasin Sistemit të Përbashkët Evropian të Azilit (CEAS) dhe/ose zonës Shengen.

Për analistin e politikave të jashtme të BE-së dhe migracionit, Luigi Scazzieri, Pakti ka disa mangësi të dukshme. Krahasuar me barrën shtesë që Pakti u vendos Shteteve Anëtare kufitare, masat e solidaritetit duken jo efektive, pasi duket e mundshme që shumica e vendeve të tjera do të zgjedhin solidaritetin financiar në vend të pranimit të azilkërkuesve në territorin e tyre. Sipas Scazzierit, një mangësi e tjetër e paktit është dimensioni i tij i jashtëm. Edhe nëse BE-ja ka arritur të krijojë një sistem për të përpunuar më shpejt kërkesat për azil, kthimet e emigrantëve do të përbëjnë sërish një sfidë. Kthimet nuk janë vetëm çështje e autoriteteve të BE-së, pasi nuk është e mundur të kthehet një individ në një vend të caktuar pa bashkëpunimin e autoriteteve të atij vendi. Përpunimi më i shpejtë i aplikacioneve do të çojë vetëm në një grumbullim individësh të mbërthyer në harresë. E meta e tretë e Paktit është se ai rrezikon të dështojë për ta bërë më njerëzor sistemin e migracionit të BE-së. Barra shtesë që Pakti u vendos vendeve kufitare, e kombinuar me mungesën e solidaritetit dhe vështirësinë në zbatimin e kthimeve, do të thotë që Shtetet Anëtare kufitare do të vazhdojnë të përpiqen për t’i mbajtur të mbyllura kufijtë e tyre, duke i penguar njerëzit të bëjnë aplikime për azil (Scazzieri, 2024).

Organizatat për mbrojtjen e të drejtave të njeriut ngrenë alarmin mbi pasojat që ky Pakt mund të ketë tek migrantët dhe azilkërkuesit. Komiteti Ndërkombëtar i Shpëtimit (IRC) u bën thirrje liderëve të BE-së të garantojnë se ky legjislacion i ri do të mbrojë, në vend që të zhbëjë, të drejtat dhe mbrojtjet themelore për njerëzit që kërkojnë siguri në Europë. Koalicioni #ProtectNotSurveil, ngre shqetësimin se pakti "do të normalizojë përdorimin arbitrar të izolimit, duke përfshirë fëmijë dhe familje, rritjen e profilit racor, përdorimin e proçedurave të 'krizës' për të mundësuar shtyrjen dhe kthimin e individëve në të ashtuquajturat 'vende të treta të sigurta' ku ata rrezikojnë dhunën, torturën apo dhe burgosjen arbitrare”. Sipas koalicionit të organizatave civile, Pakti sjell një epokë të re të rrezikshme të mbikëqyrjes dixhitale, duke zgjeruar infrastrukturën dixhitale për një regjim kufitar europian të bazuar në kriminalizimin dhe ndëshkimin e migrantëve (#ProtectNotSurveil, 2024). Në këtë kontekst, drejtoresha e zyrës europiane të Amnesty International, Eve Geddie, ka shprehur shqetësimin e thellë se “Pakti do të bëjë që më shumë njerëz të mbahen de fakto në izolim në kufijtë e BE-së, duke përfshirë familjet me fëmijë dhe njerëzit që ndodhen në vështirësi. Masat mbrojtëse për njerëzit që kërkojnë azil në BE do të reduktohen, me më shumë njerëz të kanalizuar përmes proçedurave nën standard të azilit në kufi, në vend që të marrin një vlerësim të drejtë dhe të plotë të kërkesave të tyre për azil”. (Amnesty International, 2023).

Peisazhi politik në Europë ka pësuar ndryshime për shkak të rritjes së rëndësisë së partive të djathta dhe të ekstremit të djathtë në pothuajse të gjitha vendet e Unionit. Qëndrimet e tyre kundër valëve migratore, si dhe prirjet nacionaliste nuk janë më të margjinalizuara. Parlamenti i ri dalë nga zgjedhjet e qershorit 2024, pritet të jetë më i ashpër ndaj emigrantëve dhe një pakt mbi emigracionin nuk duket se do jetë në fokus të vëmendjes së tyre. Gjithashtu dhe drejtimi i Këshillit të BE-së për dy mandatet e ardhshme do të bëhet nga shtete (Hungaria, e më pas Polonia) që nuk kanë qasje miqësore ndaj migracionit. Kjo e bën akoma më të vështirë implementimin e Paktit. Dhe opinioni publik europian nuk është në favor të flukseve të emigrantëve. Sondazhet e opinionit publik në vitin 2023[2] tregojnë se shumica e popullsisë në vendet e BE-së beson se ka shumë të huaj dhe se politikanët nuk po bëjnë mjaftueshëm për të frenuar një rritje të mëtejshme të numrit të tyre. Sipas Christopher Hein, profesor i shkencave politike në universitetin Luiss Gardo Carli, Romë, pakti dështon të motivojë Shtetet Anëtare të tregohen solidare me vendet që përballen të parat me flukset migratore, duke “e paguar shpëtimin e tyre”. Sipas Hein (mars 2024), ky pakt është një grumbull rregullash kundër refugjatëve, në vend që të ishte një mbrojtës i tyre.

 

3. Përfundime

 

Pakti i Migracionit dhe Azilit vjen si përpjekja disavjeçare e Komisionit Europian për t’i dhënë zgjidhje më të shpejtë dhe efikase krizës së refugjatëve dhe pakënaqësive të Shteteve Anëtare në kufijtë e jashtëm të BE-së. Në kompleksitetin e tij (me një tekst që përbëhet nga më shumë se 2000 faqe), Pakti përmirëson proçedurën e mbledhjes së të dhënave në kufi, forcon sistemin e monitorimit të të gjithë emigrantëve dhe refugjatëve që vijnë në dyert e BE-së, si dhe ndërton një skemë solidariteti duke ndarë përgjegjësinë e menaxhimit të flukseve migratore mes Shteteve Anëtare. Me gjithë vullnetin e mirë të institucioneve të BE-së, ky Pakt ka disa mangësi. Ai ka në fokus vetëm emigrantët e paligjshëm që kërkojnë azil në vendet e BE-së dhe nuk trajton aspak qasjen e BE-së apo Shteteve Anëtare ndaj migracionit në përgjithësi, lëvizjes së fuqisë së shumëkërkuar punëtore, në vendet e Unionit me plakje popullsie. Rregullat e reja rrezikojnë ta bëjnë menaxhimin e flukseve migratore më të vështirë për refugjatët, të cilit do mbyllen në vende të izoluara për tre muaj (përfshirë familjet me fëmijë), ndërsa kërkesat e tyre të shqyrtohen; do të monitorohen dhe survejohen, dhe nëse kërkesa e tyre nuk do të aprovohet mund të dërgohen në një “vend të tretë të sigurt”, aty ku do ta shohin të arsyeshme autoritetet e BE-së, duke alarmuar organizatat e të drejtave të njeriut. Vështrimi mbi të rejat që Pakti i shton sistemit të rregullave mbi migracionin dhe azilin, duket sikur institucionet e BE-së më shumë kërkojnë të shuajnë pakënaqësinë e vendeve skeptike ndaj migracionit, sesa vërtet t’i japin fund krizës së refugjatëve. Që pakti i Migracionit dhe Azilit të funksionojë, institucionet e BE-së dhe Shtetet Anëtare duhet të kenë një qasje më humane ndaj migracionit, duke e parë atë më shumë si një mundësi, sesa një rrezik. Bashkimi Europian duhet të ketë prioritet bashkëpunimin me vendet e origjinës, duke i dhënë prioritet politikës së jashtme, pa harruar harmonizimin e kërkesave/ankesave të Shteteve Anëtare. Duket se Pakti i Migracionit dhe Azilit do të ketë përpara një rrugë të vështirë.

 

Joana Kosho, tetor 2024

 

*Joana Kosho është pedagoge e komunikimit dhe medias në Universitetet “A. Xhuvani” dhe “A. Moisiu”. Ajo është Doktore Shkencash për Studime Europiane dhe Integrim Europian. Joana ka botuar dy monografi në fushën e politikës së jashtme dhe integrimit europian, disa libra universitarë mbi gazetarinë dhe median, si dhe një numër të konsiderueshëm studimesh në revista shkencore vendore dhe të huaja.

 

 

Referencat

 

Amnesty International, (2023). EU: Migration Pact agreement will lead to a “surge in suffering”; https://www.amnesty.org/en/latest/news/2023/12/eu-migration-pact-agreement-will-lead-to-a-surge-in-suffering/

Enríques, C.G. (2024). The EU Pact on Migration and Asylum: context, challenges and limitations. Real Instituto Elcano; 28 May 2024. https://www.realinstitutoelcano.org/en/analyses/the-eu-pact-on-migration-and-asylum-context-challenges-and-limitations/

European Commission, (2024). Pact on Migration and Asylum. A common EU system to manage migration; https://home-affairs.ec.europa.eu/policies/migration-and-asylum/pact-migration-and-asylum_en

Hein, C. (2024). Pact with the devil, or a big fresh start? Controversial views on the EU’s New Pact on Migration and Asylum, Heinrich-Böll-Stiftung |Greece; https://gr.boell.org/en/2024/03/28/pact-devil-or-big-fresh-start-controversial-views-eus-new-pact-migration-and-asylum

International Rescue Committee, (2024). What is the EU Pact on Migration and Asylum?; https://www.rescue.org/eu/article/what-eu-pact-migration-and-asylum

Kosho J. (2016). Media influence on public opinion attitudes toward the migration crisis. International Journal of Scientific and Technology Research, 5(5), 86–91.

Platform for International Cooperation on Undocumented Migrants, (April, 2024). The EU Migration Pact: a dangerous regime of migrant surveillance.#ProtectNotSurveil coalition; https://picum.org/blog/the-eu-migration-pact-a-dangerous-regime-of-migrant-surveillance/

Scazzieri, L. (2024). The new migration and asylum pact: Smoke and mirrors? Centre for European Reform, Insight; https://www.cer.eu/insights/new-migration-and-asylum-pact-smoke-and-mirrors

The Council of the European Union, Migration flows: Eastern, Central and Western routes, Yearly irregular arrivals (2015-2024); https://www.consilium.europa.eu/en/infographics/migration-flows-to-europe/

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 



[1]Enríquez, Carmen González. The EU Pact on Migration and Asylum: context, challenges and limitations. Real Instituto Elcano. 28 May 2024.https://www.realinstitutoelcano.org/en/analyses/the-eu-pact-on-migration-and-asylum-context-challenges-and-limitations/

[2]Monitorimi i gazetave: Në Itali, “Sole 24 Ore ", 21/3/2023: sipas anketës së Institutit Noto, 55% e të pyeturve mendojnë se në vendin e tyre ka “më shumë seç duhet” emigrantë. Në Gjermani, “Zeit Online”, 29/9/2023: sipas pyetësorit të realizuar nga Infratest dimap, 64% e pjesëmarrëve duan që të pranohen më pak emigrantë nga vendi i tyre.  Në Francë, “Le Monde”, 31/8/2023: sipas anketës të realizuar nga Kantar, 45% e të pyeturve mendojnë se në vendin e tyre ka shumë emigrantë; sipas një pyetësori të drejtuar nga Figaro, 24/5/2023, 74% e pjesëmarrësve mendojnë kështu. Burimi: Christofer Hein, 2024.

1085Ndjekës
6323Ndjekës
1989Ndjekës
23Abonues

Youtube Videos

European Movement International
European Movement International
Ambassade_Niva2_Engelsk