Konferenca e Parë Ndërqeveritare e mbajtur më 19 korrik 2022 në Bruksel mes Shqipërisë dhe BE-së, shënoi një moment historik në rrugëtimin e integrimit europian të Shqipërisë dhe duke e sjellë një hap më afër realizimin e aspiratës sonë për të qënë pjesë e familjes europiane. Shqipëria hyri në një fazë të re të procesit të integrimit të Shqipërisë në BE, atë të fillimit të çeljes së negociatave të anëtarësimit.
Në konferencën e përbashkët me Kryeministrin e Shqipërisë z. Edi Rama; Kryeminsitrin e Maqedonisë së Veriut z. Dimitar Kovacevski; si dhe Kryeministrin çek z. Petr Fiala, vend që në atë kohë mbante Presidencën e radhës së Këshillit të Bashkimit Europian; Presidentja e Komisionit Europian, znj. Ursula von der Leyen do të theksonte se qeveritë e Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut kanë zbatuar reformat e nevojshme jo vetëm për anëtarësimin në BE, por edhe për të mirën e të dy popujve dhe për të rritur cilësinë e jetesës në këto vende.
Negociatat vijuan, në përputhje me metodologjinë e re të zgjerimit, me miratimin e kuadrit të negociatave përgatitur nga Komisioni Europian, procesin e shqyrtimit të përputhshmërisë, i njohur si “screening” i cili zgjati për 14 muaj. Që prej vitit 2022, u zhvilluan 300 takime shpjeguese dhe dypalëshe për shqyrtimin e acquis, për të gjithë kapitujt.
Faza e mëtejshme e integrimit, çka nënkuptonte përshpejtimin e procesit të anëtarësimit të Shqipërisë në BE ishte mbajtja e Konferencës së dytë Ndërqeveritare për Anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Europiannë 15 tetor 2024. .
Në këtë Konferencë, Ministri i Punëve të Jashtme dhe Tregtisë, Péter Szijjártó, në emër të Presidencës hungareze të Këshillit të Bashkimit Europian, deklaroi se “Shqipëria po ecën mirë në procesin e anëtarësimit dhe me hapjen e kapitujve të parë, “Themeloret” në negociatat e anëtarësimit në BE, vendi ka arritur një tjetër moment historik të rëndësishëm në përpjekjet e tij për zgjerim. Një nga prioritetet kryesore të Presidencës hungareze është avancimi i zgjerimit të BE-së, pasi Bashkimi Europian kërkon një vrull të rinovuar, energji të re dhe perspektiva të reja, të cilat Ballkani Perëndimor mund t'i ofrojë. Mezi pres përparimin e vazhdueshëm të Shqipërisë në rrugën e saj drejt anëtarësimit në BE”.
Kjo Konferencë shënoi hapjen zyrtare të negociatave me Shqipërinë për Grupkapitullin 1 dhe ku u prezantua Qëndrimi i Përbashkët i Bashkimit Europianpër këtë grupkapitull ose ndryshe “Themeloret”. Kjo ndarje, mbështetet në metodologjinë e rishikuar të vitit 2020, ku kapitujt e negociatave ndahen në gjashtë grupime tematike dhe në rastin e Grupkapitullit 1: kriteri ekonomik, funksionimi i institucioneve demokratike dhe reforma në administratën publike si edhe plotësimi i acquis përmes rezultateve në Kapitullin 23: Gjyqësori dhe të drejtat themelore; Kapitullin 24: Drejtësia, Liria dhe Siguria; Kapitulli 5: Prokurimi publik; Kapitulli 18: Statistikat; Kapitulli 32: Kontrolli financiar.
Në këtë Dokument, BE-ja inkurajon Shqipërinë të vijojë procesin e përafrimit me acquis-në e BE-së si dhe zbatimin në mënyrë efektive të këtij legjislacioni, si dhe të hartojë përpara anëtarësimit politika dhe instrumente sa më të përputhshme me atë të BE-së.
BE-ja vlerëson Shqipërinë për pranimin e acquis-në e BE-së të këtij Grupimi dhe vullnetin për ta zbatuar atë që prej datës së anëtarësimit në Bashkimin Europian.
Metodologjia e re e zgjerimit e konsideron këtë grup si “themelin” e negociatave pasi ai hapet i pari dhe mbyllet i fundit. Nga ana tjetër, progresi në këtë grup do të përcaktojë ritmin e përgjithshëm të negociatave. Në këtë kuptim është e qartë dhe e dukshme se përmirësimi dhe funksionimi i demokracisë dhe shtetit të së drejtës, përfshirë aspektet ekonomike dhe standardet teknike në fushave të caktuara, konsiderohen si parakushte themelore për hapjen e grupkapitujve të tjerë.
Në dokument vlerësohet përparimi i bërë në fushat përkatëse si dhe adresohen piketat e ndërmjetme për kapitujt e acquis.
Specifikisht për Kapitullin 24 “Drejtësia, Liria dhe Siguria”, si pjesë e rëndësishme e grupimit “Themeloret” në luftën kundër krimit të organizuar, vlerësohet kuadri ligjor dhe institucional në fuqi, bashkëpunimi i Shqipërisë me CEPOL-in, Europol-in, Eurojust-in dhe EMPACT-in. Raporti vlerëson angazhimin e palës shqiptare për të rritur sekuestrimin dhe konfiskimin e pasurive, dhe për të nxitur ripërdorimin social të tyre.
Vlerësohet fakti që Shqipëria është hequr nga lista e juridiksioneve në monitorim të shtuar nga Task Forca e Veprimit Financiar (FATF). Në dokument vihet në dukje që Shqipëria ka një plan për kriminalizimin e të gjitha formave të abuzimit seksual të fëmijëve, në luftën kundër krimit kibernetik. Dokumenti vlerëson planin e Shqipërisë për ndërgjegjësimin, informimin dhe edukimin mbi rreziqet dhe risqet lidhur me keqpërdorimin, mbajtjen e paligjshme dhe trafikimin e armëve të zjarrit/AVL-ve si dhe nivelin e mirë të bashkëpunimit të Shqipërisë me homologët e saj në fushën e luftës kundër drogës.
Në luftën kundër terrorizmit, BE-ja vë në dukje përpjekjet e bëra në Parandalimin dhe Luftën kundër Ekstremizmit të Dhunshëm (LEDH), në veçanti me konsolidimin e Qendrës së Koordinimit kundër Ekstremizmit të Dhunshëm.
Për sa i takon fushës së bashkëpunimit gjyqësor në çështjet penale, civile dhe tregtare, vlerësohet plani i Shqipërisë për të ratifikuar Konventën e Hagës për Marrëveshjet për Zgjedhjen e Gjykatës, etj,.
Dokumenti vlerëson planin e Shqipërisë për të miratuar ndryshimet e nevojshme në fushën e migracionit të ligjshëm për ta përafruar atë me dispozitat e caktuara për bashkimin familjar, me lejen e vetme dhe me ndryshimet e fundit në kartën blu të BE-së, rikthimin e kompetencave hetimore në Departamentin e Kufirit dhe Migracionit, bashkëpunimin e Shqipërisë me Shtetet Anëtare dhe Frontex-in për operacionet e ripranimit dhe kthimit, bashkëpunimi me Agjencinë e Bashkimit Europian për Azilin lidhur me forcimin e sistemit kombëtar për azilin dhe bashkëpunimi operacional me Frontex-in për mbikëqyrjen e kufirit.
Evidentohet si shumë i mirë dhe vlerësohet plani i Shqipërisë për të vijuar shkëmbimet e informacionit me Bankën Qendrore Europiane, sipas marrëveshjeve të bashkëpunimit për mbrojtjen e monedhës Euro nga falsifikimi.
Referuar gjendjes aktuale të përgatitjeve të Shqipërisë, BE-ja thekson se “për të kuptuar që Shqipëria ka vazhduar të bëjë progres në përafrimin dhe zbatimin e acquis së BE-së dhe standardeve evropiane përkatëse të përfshira në Grupimin e I-rë, duhet të përmbushen piketat e ndërmjetme...”
BE-ja vendosi gjithashtu standarde të përkohshme, si në nivelin horizontal për grupin, ashtu edhe për kapitujt 23 dhe 24 (kapitujt e sundimit të ligjit) që duhet të përmbushen përpara se të ndërmerren hapat e ardhshëm në procesin e negociatave të këtij grupi. Në dokument citohet se “Shqipëria siguron monitorim nga afër dhe të përhershëm të zbatimit të qëndrueshëm të Udhërrëfyesve për “Shtetin e së Drejtës”, “Reformës në Administratën Publike” dhe “Funksionimit të Institucioneve Demokratike” nëpërmjet një mekanizmi të qëndrueshëm dhe shumëdisiplinor, duke i kushtuar vëmendje të veçantë mjaftueshmërisë së burimeve njerëzore, respektimit të afateve kohore dhe dialogut aktiv me shoqërinë civile”.
Për kapitullin 24, Dokumenti përcakton 10 piketa te ndara për tre nënfusha kryesore 1.lufta kundër krimit të organizuar ku adresohen 5 piketa që lidhen me: përafrimin më tej të acquis të BE-së për luftën kundër krimit të organizuar; një historik të qëndrueshëm hetimesh, ndjekjesh penale dhe dënimesh të formës së prerë në të gjitha fushat e krimit të organizuar; një praktikë të besueshme dhe të qëndrueshme të nisjes së hetimeve financiare paralele që kanë të bëjnë me krimin e organizuar dhe pastrimin e parave; një historik të qëndrueshëm në sekuestrimin dhe konfiskimin përfundimtar të aseteve dhe me një zyrë të rikuperimit të aseteve plotësisht funksionale; progres të konsiderueshëm në goditjen e rrjeteve të trafikimit të qenieve njerëzore, me fokus te gratë dhe vajzat, etj.
Në fushën e drogave,janë përcaktuar 2 piketa kalimtare që lidhen me -krijimin e Sistemin Kombëtar të Paralajmërimit të Hershëm dhe Observatorin Kombëtar të Drogave, funksional dhe me burime të mjaftueshme; përafrimin e legjislacionit me acquis të BE-së për drogat dhe prekursorët e drogave; një progres të prekshëm për një historik të qëndrueshëm të sekuestrimit dhe shkatërrimit të drogave dhe konfiskimit të pasurive përkatëse, duke garantuar zbatimin e rreptë të masave ndëshkuese kundër kultivimit të ligjshëm të kanabisit.
Lidhur me migracionin te ligjshëmdhe të parregullt, azilit, për çështjet e lidhura me acquis të Shengenit dhe kufijve të jashtëm, në përputhje me Planin e Veprimit të BE-së për Ballkanin Perëndimor, 3 piketat lidhen me: sigurimin e kapaciteteve të mjaftueshme për menaxhimin e kufijve dhe staf të mjaftueshëm për të menaxhuar flukset e përziera të migracionit, kapacitete të mjaftueshme për pranimin, mjete efikase realizimin e kthimeve, plane për menaxhimin e flukseve të shtuara, si dhe përafrimin me politikën e vizave në bazë të një plani konkret; progres të konsiderueshëm në luftën kundër kontrabandës së migrantëve; një procedure azili funksionale sipas acquis të BE-së dhe standardeve europiane, ku shteti ofron shërbimet e nevojshme për azilkërkuesit.
Përfundime
Qëndrimi i Përbashkët i çon në një nivel të ri negociatat për Grupkapitullin e parë “Themelorët”. Kjo fazë e re, përcakton dhe detyrimet kryesore me te cilat përballet Shqipëria. Sfida kryesore është përmbushja e piketave të ndërmjetme për këtë Grupkapitull, si treguesi kryesor që do masin progresin në zbatimin e reformave dhe përmbushjen e angazhimeve të ndërmarra dhe hapi vendimtar për vijimin e negociatave me BE-në.
Por nga ana tjetër, realizimi i piketave të ndërmjetme është parakusht për mbylljen e kapitujve të tjerë dhe sjell mbështetje financiare të konsiderueshme për Shqipërinë. Nëse arrijmë të përmbyllim reformat e ndërmarra deri në vitin 2025, buxheti i shtetit do të përfitojë 87 milionë euro. Nga zbatimi i masave të përcaktuara, Shqipëria do të përfitojë gjithsej 172 milionë euro.
Garantimi i adresimit të piketave të ndërmjetme, sipas kapitujve respektivë,kërkon një qasje proaktive në raportime dhe bashkëpunim të shpejtë ndërmjet institucioneve shtetërore dhe atyre të pavarura, duke nisur nga janari 2025 (me Kapitullin 23) të cilat do jenë periodike. Ndaj realizimi i këtij objektivi, kërkon angazhim të përbashkët për të çuar përpara reformat dhe për të përmbushur të gjitha detyrimet e këtij kapitulli kaq të rëndësishëm për integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian.
Gentiana Bektashi, prill 2025
*Gentiana Bektashi mban pozicionin e përgjegjëses së Drejtorisë së Integrimit, Koordiminit, Marrëveshjeve dhe Asistencës pranë Ministrisë së Brendshme. Bektashi ka një eksperiencë 17 vjeçare pune pranë Ministrisë së Brendshme, e përfshirë në procesin e integrimit europian të vendit dhe më konkretisht rreth Kapitulli 24. Ajo mban Gradën Doktor i Shkencave në Studime Europiane.
Referenca
https://www.kryeministria.al/procesi-screening/
https://data.consilium.europa.eu/doc/document/AD-18-2024-INIT/en/pdf