Ballkani Perëndimor më në fund pjesë e Unionit

Ballkani Perëndimor më në fund pjesë e Unionit


Bashkimi Europian nisi vënien në jetë 60 vjet më parë, në Parisin e themelimit ku nisi dhe Komuniteti Europian i Qymyrit dhe Çelikut e më pas me Konventën e Romës më 1957, ku u themelua Komuniteti Ekonomik Europian. Pati nismëtarë 6 shtete e arriti ta zgjerojë pushtetin e tij fillimisht ekonomik e më pas të arrijë në unifikim të mendimeve politiko-sociale.

Duke përmirësuar e përforcuar dekadë pas dekade legjislacionin bazë të ekzistencës së Unionit përmes traktateve si ai i Mastrihtit, Nicës dhe së fundmi i Lisbonës, ky bashkim i shteteve gjeografikisht pjesë e të njëjtit kontinent arriti të bëhet një fuqi e përbashkët ekonomike, politike, sociale duke pakësuar ndryshimet kulturore, historike e shpesh konfliktuale mes shteteve. Duke pranuar në periudha të ndryshme shtete të shumta europiane, arriti ta fuqizojë rëndësinë e Unionit duke arritur në krijimin e "zonës së lëvizjes së lirë" ose zona Shengen e deri te monedha e përbashkët Euro që përdoret përtej BE-së zyrtare.

Nga ana tjetër është gjendur gjithmonë Ballkani, me përshtypjen e krijuar si më e keqja pjesë e Europës, i paaftë për të siguruar paqe afatgjatë e mundësinë e krijimit të kushteve për t'u pranuar në Komunitetin e madh të Europës.

Dhe tashmë Ballkani Perëndimor me shtete si Shqipëria, Mali i Zi, Serbia, Maqedonia B&H, dhe Kosova i ka tejkaluar të gjitha pengesat historike, luftarake dhe problematike mes vetes dhe ka arritur në shkallën më të lartë të qëllimeve kryesore të ekzistencës: bërja pjesë e një prej organizmave më të fuqishëm të karakterit ndërkombëtar.

Ballkani ka vendosur që ta drejtojë vështrimin drejt Perëndimit e jo më drejt Lindjes. Ka zgjedhur të luftojë varfërinë, papunësinë duke ndërmarrë hapa konkretë për t'i pakësuar të gjitha pengesat që e mbanin prej dekadash larg "Kontinentit të vjetër". Shoqëria ballkanase ka zgjedhur t'i largohet klasave politike të papërgjegjshme e pseudo-europiane dhe ka përqafuar sigurinë që ofron fryma europianiste e erës së drejtimit të shtetit bazuar te e mira e sovranit dhe jo te e mira personale e klasave politike.

Ballkani Perëndimor ka vendosur të bëhet pjesë e tregut prej më shumë se 600 milion konsumatorësh potencialë duke reklamuar produktet kombëtare tepër cilësore dhe duke i mundësuar fermerëve vendas rritje të të ardhurave e më pas shtim të numrit të të punësuarve e duke kontribuar më shumë për rritjen ekonomike të vendeve. Ka arritur në përfundimin se thirrja e popujve të tyre për t'i ngjarë Europës është mjeti më i sigurt drejt rrugës së demokratizimit të shtetit dhe shoqërive të vendeve përkatëse.

Me gjithë vështirësitë dhe rrugëtimin plot pengesa, Bashkimi Europian e ka gjetur shtegun e saj drejt të qenurit një dhe i bashkuar rreth idesë së lëvizjes Pan-europiane. Një Europë e unifikuar, një organizëm i fuqishëm ndërkombëtar e bën globin më paqedashës, më shumë miqësor me njeriun duke u përpjekur për t'ia lehtësuar jetën. Bashkangjitur me Europën, qëndron Ballkani, i fortë, i sigurt në rrugën e demokracisë, lirisë dhe paqes që ta ofron vetëm Bashkimi i fortë Europian.


Punoi: Gjyljana Bakalli
Konkursi i Artikullit: Si do të jetë BE në 2025?
EU Day 2017

 

1085Ndjekës
6323Ndjekës
1989Ndjekës
23Abonues

Youtube Videos

European Movement International
European Movement International
Ambassade_Niva2_Engelsk