Konferenca u zhvillua në sajë të 4 paneleve të ndryshme të cilat hodhën dritë mbi një ndër krizat më të mëdha me të cilat Bashkimi Europian po përballet: atë të fluksit të madh të refugjatëve. Diskutimet variuan duke filluar që nga shkaqet kryesore të kësaj krize humanitare dhe arsyet që çuan në rritje dhe mobilizim të ekstremizmit dhe populizmit në BE, cilat janë vështirësitë e një migranti në Europën bashkëkohore, roli i medias si dhe deri tek propozimet ndaj metodave produktive dhe narrative për tu përballur me ekstremizmin dhe disintegrimin e Europës.
Konferenca në fakt kishte për qëllim t’i shmangej paksa zonës së komfortit të konsensusit liberal duke ftuar kështu shkrimtarët dhe filozofët si Slavoj Zizek dhe Didier Eribon; autorja dhe gazetarja Elif Shafak; si dhe fituesja e çmimit Nobel Herta Müller, duke krijuar dhe hapësirë për një debat konstruktiv, për reflektim dhe analizë të thellë. Të gjitha këto përfundime ishin pjesë e Manifestit të përgatitur nga të gjithë ne studentët pjesëmarrës, i cili iu dorëzua anëtarit të Parlamentit Europian dhe Presidentit të Lëvizjes Europiane Ndërkombëtare, Joe Leinnen.
Për mua ishte padyshim një eksperiencë, përveçse e bukur, dhe shumë produktive në të njëjtën kohë, pasi njohja me personalitete të ndyshëm të botës akademike, mediatike dhe asaj politike, së bashku me mendimet dhe diskutimet e kolegëve të mi ( bashkëmoshatarëve të mi) bën që të përfshihesha në një tematikë që jo vetëm është me interes për mua, por në të njëjtën kohë besoj se është dhe e domosdoshme të flitet mbi sfidat tona të përbashkëta. Manifesti i përgatitur nga ne bën thirrje për për një Europë më të organizuar e më të aftë për të adresuar krizat e saj. Ne nuk mund të heqim dorë kaq lehtë nga projekti Europian, ndaj dhe duhet të qëndrojmë të fortë e të sigurt ndaj atyre sfidave me të cilat përballemi vazhdimisht.
Inva Nela, studentja përfaqësuese e Shqipërisë