Sfidat e multikuturalizmit

Sfidat e multikuturalizmit

Në vjeshtën e 2019 gjendesha në Londër, si studente në degën  “Marrëdhënie Ndërkombëtare dhe Siguri”. Isha duke ndjekur një leksion mbi sesi shtetet garantojnë sigurinë e tyre, kur dëgjuam lajmin për një sulm te dyshuar terrorist, në qendër të Londrës. Sulmuesi ishte një shtetas britanik, por me origjine pakistaneze, i cili sapo kishte mbaruar një dënim për një sulm terrorist të mbetur në tentativë. Viktimat ishin kalimtarë të rastësishëm. Papritur, qyteti ku unë isha ndjerë e sigurt për aq kohë, nuk dukej më aq i sigurt. Ngjarja nxiti diskutimet në klasë në lidhje me integrimin e grupeve të ndryshme etnike në shoqërinë britanike dhe mbi akuzat se multikulturalizmi cënonte tashmë sigurinë e një vendi. Nuk e kisha menduar asnjëherë multikulturalizmin si diçka të rrezikshme. Përkundrazi, isha partizane e idesë se kultura të ndryshme mund të jetojnë së bashku në të njëjtën shoqëri. Për të njëjtën arsye e doja Londrën.

Ashtu si unë, tridhjetë vjet më parë, shumë europianë e konsideruan multikulturalizmin si përqafimin e një shoqërie gjithëpërfshirëse, të larmishme. Sot, një numër në rritje e konsiderojnë atë si shkaktar të problemeve sociale në Europë. Ky perceptim ka bërë që shumë politikanë, përfshirë ish-kryeministrin britanik David Cameron dhe kancelaren gjermane Angela Merkel, të denoncojnë publikisht multikulturalizmin dhe të flasin kundër rreziqeve të tij. Kjo e fundit u shpreh se “Multikulturalizmi ka dështuar” (BBC, 2010) duke theksuar se emigrantët duhet të integrohen më mirë në shoqëritë e tyre pritëse. Kjo ndjenjë në rritje kundër multikulturalizmit dhe emigrantëve ka nxitur suksesin e partive të ekstremit të djathtë dhe politikanëve populistë në të gjithë Europën, nga Partia për Liri në Holandë te Fronti Kombëtar në Francë (Kenan Malik, 2015). Dhe në rastet më ekstreme, ajo ka frymëzuar akte dhune, të tilla si ai i Breivik në ishullin Norvegjez të Utoya në korrik 2011.

Si ndodhi ky transformim? Sipas kritikëve të multikulturalizmit, Europa ka lejuar imigrim të tepruar pa kërkuar integrim të mjaftueshëm që ka sjellë prishje të kohezionit shoqëror dhe ulur besimin e publikut. Nga ana tjetër, mbështetësit e multikulturalizmit kundërshtojnë se problemet e sotme janë trashëguar nga politikat e ndërmarra nga shtetet ndër vite. Multikulturalizmi në vetvete nuk synon ndarjen, por më tepër krijimin e kushteve më të drejta të përfshirjes për pakicat fetare dhe kulturore në shoqërinë kryesore.

Përfshirja në debatin për multikulturalizmin kërkon të kuptuarit e vetë konceptit. Në letërsinë bashkëkohore, multikulturalizmi në përgjithësi është një celebrim i larmisë etno-kulturore dhe inkurajon qytetarët të njohin dhe të përqafojnë zakonet, traditat, muzikën që ekziston në një shoqëri multi-etnike (Kymlicka, 2012). Megjithatë, ai është më shumë se kaq. Multikulturalizmi mund të jetë një fakt demografik, një politikë institucionale dhe qeveritare, ose një grup idesh filozofike. Në përshkrimin e tij demografik, multikulturalizmi pasqyron pluralizmin aktual të pranishëm në shoqëri, si bashkëjetesa e grupeve të pakicave që kanë kohë që flasin gjuhë të ndryshme (Eriksen dhe Stjernfelt, 2012), siç janë komunitetet brenda Belgjikës, Kanadasë dhe Zvicrës. Megjithëse duhet të vërejmë këtu se debati bashkëkohor rreth multikulturalizmit ka të bëjë më shumë me imigrantët dhe pasardhësit e tyre sesa me grupet e pakicave. Kjo e ka bërë multikulturalizmin sinonim të ndryshimeve demografike dhe sociale që rrjedhin nga migrimi, duke rezultuar në ndërthurjen e multikulturalizmit me politikën e imigracionit.

Si një mjet politik, multikulturalizmi ka funksionuar si një përgjigje ndaj diversitetit, por edhe si një mjet për ta kufizuar atë, gjë që e bën paradoksale. Politikat multikulturore e pranojnë si të dhënë që shoqëritë janë të larmishme, megjithatë ato kërkojnë të institucionalizojnë diversitetin duke i futur njerëzit në “kutitë” etnike dhe kulturore - në një komunitet unik, homogjen musliman, për shembull - dhe duke përcaktuar nevojat dhe të drejtat e tyre në përputhje me rrethanat. Me fjalë të tjera, politika të tilla kanë ndihmuar në krijimin e vetë ndarjeve që duhej të menaxhonin (Kenan Malik, 2015).

Gjatë tre dekadave të fundit, shumë vende europiane kanë miratuar politika multikulturore, secili  në mënyra të ndryshme. Me interes për tu analizuar janë rastet e Mbretërisë së Bashkuar, Francës dhe Gjermanisë, si vendet më multikulturore në Europë. Duket se politikat e para të multikulturalizmit kanë lindur në këto vende të cilat fillimisht, në mungesë të fuqisë punëtore, pritën emigrantë nga ish kolonitë e tyre e më pas u përballën me problematikat e integrimit të këtyre punëtorëve.

Valët e para të emigrantëve në Mbretërinë e Bashkuar në fund të viteve 1940 dhe 1950 ishin nga Karaibet, India dhe Pakistani. Ata sollën me vete traditat dhe zakonet nga vendlindjet e tyre për të cilat ata ishin shpesh krenarë. Kultura nuk njihej si çështje politike asokohe dhe shqetësimi i tyre, nuk ishte ruajtja e dallimeve të tyre kulturore por fakti se prej këtyre ndryshimeve, ata po trajtoheshin ndryshe. Racizmi dhe pabarazia, jo feja dhe etnia, përbënin shqetësimet e tyre kryesore (Kenan Malik, 2015). Në dekadat vijuese, një brez i ri i aktivistëve zezakë dhe aziatikë, formuan grupe e lëvizje që organizonin greva dhe protesta duke sfiduar diskriminimin në vendin e punës, dëbimet dhe brutalitetin e policisë. Të gjendur përballë këtyre lëvizjeve, autoritetet britanike kuptuan se këto pakica duhet të kishin përfaqësimin e tyre në politike, ndryshe tensionet do të vazhdonin. Në këtë kontekst u shfaqën politikat multikulturore, të cilat në Mbretërinë e Bashkuar konsistonin në krijimin e organizatave specifike (Umbrella groups) që përfaqësonin interesat e secilës pakicë. Konfliktet që pasuar mes grupeve çuan në dështimin e këtyre politikave. Sipas një studimi akademik rreth politikave lokale në qytetin e Birmingham, modeli i organizimit nëpërmjet këtyre grupeve ombrellë rezultoi në konkurrencën e këtyre grupeve me njëri-tjetrin për të maksimizuar përfitimet e tyre (Smith, Stemphson, 2005). Politikat lokale në Birmingham, me fjalë të tjera, jo vetëm që i lidhën njerëzit më afër me identitete të veçanta por gjithashtu i çuan ata në luftë me grupet e tjera.

Rruga e Gjermanisë drejt multikulturalizmit ishte e ndryshme nga ajo e Mbretërisë së Bashkuar, megjithëse pikënisja ishte e njëjta. Gjermanisë i nevojitej forcë punëtore në vitet pas Luftës së Dytë Botërore. Punëtorët erdhën jo si emigrantë, akoma më pak si qytetarë të mundshëm, por si të ashtuquajtur Gastarbeiter (punëtorë mysafirë), të cilët pritej të ktheheshin në vendet e tyre të origjinës kur ekonomisë gjermane nuk i  nevojiteshin më shërbimet e tyre. Me kalimin e kohës, megjithatë, këta mysafirë, shumica e tyre turq, kaluan nga të qenit një nevojë e përkohshme në një prani të përhershme. Por shteti gjerman vazhdoi t'i trajtojë ata si të huaj dhe t'u refuzojë atyre shtetësinë. Në vend që emigrantët të trajtoheshin si të barabartë, politikanët gjermanë u morën me të ashtuquajturin problem turk përmes një politike të multikulturalizmit. Duke filluar nga vitet 1980, qeveria inkurajoi emigrantët turq të ruajnë kulturën, gjuhën dhe mënyrën e tyre të jetesës. Kjo politikë në emër të multikulturalizmit ishte në fakt një mjet i përshtatshëm për të shmangur çështjen e krijimit të një kulture të përbashkët gjithëpërfshirëse. Dhe pasoja kryesore e saj ishte shfaqja e bashkësive paralele. Në të njëjtën kohë, politikat multikulturore të Gjermanisë kanë inkurajuar Turqit t'i qasen shoqërisë gjermane me indiferencë, dhe që Gjermanët të shohin kulturën turke me antagonizëm në rritje.

Politika e asimilimit të Francës përgjithësisht konsiderohet si e kundërta e multikulturalizmit, të cilën politikanët francezë e kanë refuzuar me krenari. Ndryshe nga pjesa tjetër e Europës, ata këmbëngulin se Franca e trajton çdo individ si një qytetar sesa si një anëtar i një grupi të veçantë racor, etnik ose kulturor. Në realitet, megjithatë, Franca është e ndarë shoqërisht si Gjermania ose Mbretëria e Bashkuar, dhe në një mënyrë krejt të ngjashme. Në vend që të pranojë Afrikanët e Veriut si qytetarë të plotë, politika franceze ka tentuar të injorojë racizmin dhe diskriminimin me të cilat këta qytetarë janë përballur. Pasojat e këtyre politikave dhe ndarjet shoqërore të vendit, u vunë shumë në vëmendje edhe njëherë me ngjarjet e fundit të ndodhura në tetor 2020.

Ashtu si në Mbretërinë e Bashkuar, në Francë, gjenerata e parë e emigrantëve pas Luftës së Dytë Botërore u përball me racizëm të konsiderueshëm dhe brezi i dytë ishte shumë më pak i gatshëm të pranonte diskriminimin shoqëror, papunësinë dhe brutalitetin e policisë. Ata u organizuan, kryesisht përmes organizatave laike, dhe dolën në rrugë, shpesh në protesta të dhunshme.

Secila prej këtyre lëvizjeve, pra, kontribuoi në një proces të "qytetërimit" demokratik - që do të thotë se marrëdhëniet u kthyen nga hierarkike në më liberale dhe demokratike, si në marrëdhënien midis anëtarëve të pakicave dhe shtetit, ashtu edhe në marrëdhëniet ndërmjet anëtarëve të grupeve të ndryshme. Çelësi i qytetërimit nuk është që ky diversitet të shtypet, por që të filtrohet përmes gjuhës së të drejtave të njeriut, lirive civile dhe përgjegjësisë demokratike. Kjo është ajo që kanë synuar të bëjnë lëvizjet multi-kulturore. Vitin e kaluar, lëvizja “Black life matters” ishte ndër më të mëdhatë ndonjëherë dhe është shprehje e qartë e demokracisë që multikulturalizmi do të arrijë.

Kur mendojmë për multikulturalizmin, ne priremi të mendojmë për emigrantët. Por është shumë më tepër se kaq. Janë kryesisht 3 modele të multikulturalizmit që janë shfaqur në demokracitë perëndimore. Së pari, janë format e reja të fuqizimit të popujve indigjienë siç janë maori në Zelandën e Re, aborigjenët në Kanada dhe Australi dhe indianët amerikanë. Së dyti, ne shohim grupet nacionale të nën-shteteve që po marrin më shumë autonomi si baskët dhe katalanasit në Spanjë, flamandët dhe wallonët në Belgjikë, skocezët dhe uellsët në Britani, etj. Së fundmi, shohim forma të reja të qytetarisë multikulturore për grupet e imigrantëve. Ndërsa ka ndryshime të rëndësishme midis këtyre tre mënyrave të multikulturalizmit, secila prej tyre ka ndihmuar për të ndryshuar sistemet e vjetra dhe krijimin e një shoqërie demokratike më gjithëpërfshirëse. Pra multikulturalizmi është më tepër sesa thjesht festimi i kulturave të ndryshme. Multikulturalizmi ka të bëjë para së gjithash me zhvillimin e modeleve të reja të qytetarisë demokratike, bazuar në idealet e të drejtave të njeriut, për të zëvendësuar marrëdhëniet jodemokratike të hierarkisë dhe përjashtimit. Kësisoj nuk mendoj se përbën një rrezik për demokracinë.

Multikulturalizmi imigrant ka hasur në vështirësi kur është perceptuar si mbartës i praktikave jo liberale si martesat e detyrueshme apo krimet në emër të nderit, që janë praktika të papranueshme në demokracitë perëndimore. Ato i janë atribuar multikuturalizmit duke e kritikuar se injoron rëndësinë e të drejtave universale të njeriut (Kymlicka, 2012). Përkundrazi, siç e përmenda dhe më sipër, multikulturalizmi synon të sfidojë hierarkitë racore dhe është një lëvizje e bazuar në të drejtat e njeriut. Kudo që janë miratuar politikat publike multikulturaliste, ato kanë qenë të lidhura konceptualisht dhe institucionalisht me norma më të mëdha të të drejtave të njeriut. Asnjë nga demokracitë perëndimore nuk ka toleruar praktikat e minoriteteve apo emigrantëve që janë në shkelje të të drejtave të njeriut. Kësisoj, edhe në këtë aspekt, multikulturalizmi nuk përbën rrezik për demokracinë. Unë mendoj se në planin afatgjatë, e vetmja përgjigje e vlefshme për praninë e një numri të madh imigrantësh është sërisht multikulturalizmi.

Sara Zekaj, maj 2021

*Sara Zekaj ka mbaruar studimet në Fakultetin e Drejtësisë (UT) në programin Master i Shkencave në të Drejtë Publike. Eshtë specializuar në Marrëdhënie Ndërkombëtare dhe Siguri në Universitetin e Westminster në Londër, Mbretëri e Bashkuar. Ka një eksperincë pune disa vjecare në profilin juridik dhe asistimin e projekteve në Studion Ligjore Legal and Professional Albania Ltd dhe Zyrën e Këshillit të Europës në Shqipëri. Në vitin 2017 iu bashkua Kabinetit të Ministrit në Ministrinë e Brendshme si Asistente Ekzekutive. Gjatë karrierës së saj, Sara ka fituar përvoja ndërdisiplinore në çështjet politike, kërkimin shkencor, politikat e sigurise, menaxhimin e projekteve dhe aktivitetet e shoqërisë civile. Fushat e interesit janë politikat e sigurisë, qeverisjes së mire dhe domokracisë, pët të cilat është trajnuar edhe nga Komisioni Europian.

 

Referenca

 

BBC (2010)” Merkel says German multicultural society has failed”. Available at: https://www.bbc.com/news/world-europe-11559451 (Accessed: 15 December 2020)

Beckett, C., & Macey, M. (2001). Race, Gender and Sexuality: The Oppression of Multiculturalism. Women´s Studies International Forum, 24, 309-319.

Boffey, D. (2020). “Violent extremism linked to failure of migrants to integrate; EU says.” The Guardian. Available at: https://www.theguardian.com/world/2020/nov/13/violent-extremism-migrants-failure-to-integrate-eu  (Accessed: 15 December 2020)

Michael A. Ledeen (2012) The Democratic Contradictions of Multiculturalism by Jens-Martin Eriksen and Frederik Stjernfelt, American Foreign Policy Interests, 34:6, 342-344, DOI: 10.1080/10803920.2012.744252

European Council (2020) Press Realease. Available at: https://www.consilium.europa.eu/en/press/press-releases/2020/11/13/joint-statement-by-the-eu-home-affairs-ministers-on-the-recent-terrorist-attacks-in-europe/ (Accessed: 15 December 2020)

Kymlicka, Will. (2012). “Multiculturalism: Success, Failure, and the Future”. Available at: https://www.migrationpolicy.org/research/tcm-multiculturalism-success-failure  (Accessed: 21 December 2020)

 Malik, K (2015). "The Failure of Multiculturalism". Pandemonium. Available at : https://kenanmalik.com/2015/02/17/the-failure-of-multiculturalism/?curator=MediaREDEF(Accessed: 20 January 2020)

Smith, G. and Stephenson, S. (2005), The Theory and Practice of Group Representation: Reflections on the Governance of Race Equality in Birmingham. Public Administration, 83: 323-343. https://doi.org/10.1111/j.0033-3298.2005.00452.x

Verkuyten, M. (2004).” Everyday Ways of Thinking About Multiculturalism.” Ethnicities, 4 (53), 53-74.

 

1085Ndjekës
6323Ndjekës
1989Ndjekës
23Abonues

Youtube Videos

European Movement International
European Movement International
Ambassade_Niva2_Engelsk