Sot, me besë po përpiqem të kuptoj Evropën. Kam objektivat e mia në leter dhe buxhetin e limituar. Por, do tja dal mbanë. Une gjithmone ia dal. Duhet të mbaroj kursin e gjuhës gjermane, dhe spanjolle. Do të punoj fort, edhe në dy pune, po qe nevoja.
Sot, me besë po përpiqem të mbaroj shkollën e lartë. Kam nota të mira, pasiguri në vetvete dhe ëndrra të shumta. Mamaja ime është shumë krenare për mua. Ajo ështe forca ime. Sa diell që ka në jetën time!
Sivjet nuk do të shkoj me pushime të gjata në Dhërmi. Do të punoj këtë vere, dhe do të bëj zhytje në detin e kriposur të jugut, falas, gjireve dhe skutave që veç une i di. Sirtari qenka mbushur me libra lidershipi. Kam edhe dy për të mbaruar dhe do te rikthehem të lexoj Pushkinin. Ai seç më jep nje jastëk idealizmi që më mbërthen të gjithën.
Sot, me besë po përpiqem të kuptoj vetveten. Nga vij, ku shkoj. Rrënjet e mia në fshatin e fëmijërisë së prindërve të mi. Lumi i fëmijërisë se tyre, vërtitet ëndrrave të mia si një peshkatar i marrë. Thuhet që energjia nuk humbet, ajo vetëm shndërrohet. Ndoshta atje ata kanë thurur ëndrrat e tyre. Këmbëzbathur ata, këmbëzbuluar unë, kembëshpejtë fëmijet tanë. Miqtë janë shtuar, koha eshte pakësuar por bisedat janë gjallëruar. Kjo rini nuk do të më trokasë përsëri.
Sot e nëser dua të jem Evropë. Po punoj fort për ta merituar. Kam shumë rrugë përpara, duhet të lë kafenetë e Tiranës. Duhet të lë kripën e detit në trupin tim, për të rigjetur veten. Dua që femijet e mi të jenë këmbëshpejtë, të kenë dritë në sytë dhe në dallgët e shpirtit të tyre të më rigjejnë mua, këmbëzbuluarin e jugut. Çfarë do të lë për ta ?
Do ta gjej një rrugë për tek ty, Evropa ime, Evropa jonë, por sot me besë po përpiqem të kuptoj meritën.
Suela Hoxhaj, inxhiniere elektronike