***
Në çdo vend të botës në themel qëndron garantim i jetës së njeriut, veçanërisht në situatat e emergjencës, por tashmë qeveritë gjenden të sfiduara nga protestat e qytetarëve duke kërkuar mbrojtjen e të drejtave të njeriut, demokracisë dhe sundimit të ligjit, të cilat janë vlerat themelore të Europës. Madje edhe të drejtat e medias për informacion shpeshherë janë vënë në pikëpyetje duke shkaktuar revoltë tek gazetarët, të cilët duket se kanë hasur vështirësi për informimin e publikut.
Përmes intervistave të shkurtra realizuar me z. Arjan Dyrmishi, Drejtor Ekzekutiv dhe Themeluesi i Qendrës për Studimin e Demokracisë dhe Qeverisjes, z. Etjen Xhafaj, Zëvendësministër për Evropën dhe Punët e Jashtme, z. Muhamet Veliu, gazetar në Top Channel, si dhe përmes mbledhjes së të dhënave, analizës së parimeve bazë të demokracisë dhe shembullit të reagimit të qeverisë Suedeze do të krijoj një pasqyrë të qartë të efekteve që pandemia shkaktoi mbi parimet dekmokratike.
Demokracia është një sistem politik, ose një sistem i vendimmarrjes brenda një institucioni, ose një organizate, ose një vendi, në të cilin të gjithë anëtarët kanë një pjesë të barabartë të pushtetit. Kur flitet për demokracinë i referohemi përpjekjeve të Grekëve dhe Romakëve të Lashtë, të cilët janë themeluesit e parimeve të hershme demokratike, duke i kthyer kështu në një shabllon të ri, të unifikuar, për organizimin politik.
Demokracia dhe respekti për të drejtat e njeriut kanë qenë prej kohësh komponentë qendrorë të politikës së jashtme të shumë vendeve në botë. Mbështetja e demokracisë jo vetëm që promovon vlerat themelore si liria fetare dhe të drejtat e punëtorëve, gjithashtu ndihmon në krijimin e një arene globale më të sigurtë, të qëndrueshme dhe të begatë në të cilën qeveritë mund të avancojnë interesat e tyre kombëtare. Përveç kësaj, demokracia është interes kombëtar që ndihmon për të siguruar dhe garantuar jetën dhe të drejtat themelorë të të gjithë të tjerëve, përfshi këtu edhe emigrantët.
Për sa më sipër, veçanërisht për vendet me demokraci të konsoliduar, me qytetarët apo institucionet që nuk abuzojnë me parimet e demokracisë e kanë fare të qartë se, ky një sistem në të cilin askush nuk mund të zgjedhë vetveten, askush nuk mund të investojë me fuqinë për të sunduar dhe, prandaj, askush nuk mund t'i shfuqizojë vetes pushtetin e pakushtëzuar dhe të pakufizuar.
Abraham Linkoln e përcaktonte demokracinë si: "Government of the people, by the people, for the people", pra qeverisja e njerëzve, nga njerëzit për njerëzit. Ndërsa nga ana tjetër Çërçill e përcaktonte demokracinë si e keqja më e vogël krahasuar me të gjitha format e tjera të qeverisjes.
Shumë studiues kanë dhënë një sërë përcaktimesh për konceptin e demokracisë, por ende nuk ka një përkufizim që të jëtë i unifikuar në të tërë botën, ndaj duke përmbledhur një sërë mendimesh dhe përkufizimesh themi se: demokracia është është një sistem i sundimit nga ligjet, jo nga individët. Në një demokraci sundimi i ligjit mbron të drejtat e qytetarëve, mban rendin dhe kufizon fuqinë e qeverisë. Të gjithë qytetarët janë të barabartë përpara ligjit.
Përsa i përket të drejtave të njeriut, botërisht janë të cilësuara si të drejta të natyrshme për të gjitha qeniet njerëzore, pavarësisht racës, gjinisë, kombësisë, përkatësisë etnike, gjuhës, fesë ose ndonjë statusi tjetër. Të drejtat e njeriut përfshijnë të drejtën për jetën dhe lirinë, lirinë nga skllavëria dhe torturat, lirinë e mendimit dhe të të shprehurit, të drejtën për punë dhe arsimim.
Parime të konsolidura, ligje të forta, konveta të ratifikuara, por askush nuk e kishte mendur se një pandemi me emrin COVID-19 do të vinte në pikëpytje jo vetëm parimet e demokracisë, por edhe të drejtat e njeriut. Nga ana tjetër do të thellonte një dilemë shumë të madhe duke vendosur në një peshore jetën e njerëzve dhe mirëqënien ekonomike.
Por, sikundër është theksuar nga Magjistrati Besnik Maho, shumica e të drejtave të njeriut nuk janë absolute dhe mund të kufizohen, gjithmonë në proporcion me situatën që ka diktuar një gjendje të tillë dhe pa cenuar thelbin e këtyre të drejtave (njësoj si neni 17/2 i Kushtetutës të vendit tonë). Pra, sipas tij kufizimet e lirive dhe të drejtave me karakter jo-absolut duhet të përcaktohen me ligj, në përputhje me një qëllim të ligjshëm, kur një kufizim i tillë është i nevojshëm në një shoqëri demokratike dhe duhet të jenë në përpjesëtim me qëllimin legjitim që ato synojnë të realizojnë.
Distancimi social u cilësua si një mënyrat më efektive të parandalimit të pandemisë COVID-19. Për këtë arsye shumë shtete kufizuan lëvizjen e lirë të qytetarëve në mënyrë radikale, shkollat dhe kopshtet u mbyllën menjëherë. Supermarketet, dyqanet, kinematë, stadiumet restorantet dhe baret, po ashtu u mbyllën menjëherë. Gjithashtu në shumë shtete u vendosën sanksione për shkelje të masave kufizuese, si dhe shtuan një sërë gjobash dhe dënimesh burgimi për të ndëshkuar shkeljet e kufizimeve të reja. Madje, kujtojmë këtu rastin e Italisë, e cila hartoi një politikë të ashpër të kontrolleve, gjobave dhe dënimeve.
Qytetarët i'u përgjigjën menjëherë nismës së qeverisë për distancim social dhe të gjitha masave të marra për të ndaluar përhapjen e virusit, vetëm Suedia nuk ndoqi këto masa radikale. Por, pas dy muajsh izolimi dhe pas mbylljes së bizneseve në disa shtete si Spanja, Polonia, Gjermania, Franca u dëgjuan thirrjet e protestave të para anti-karantinë ku protestuesit kërkonin rikthimin e jetës nomale, duke akuzuar kështu qeveritë se kishin dhunuar të drejtat e tyre, si dhe kishin cënuar parimet demokratike. Mediat po trasmetonin revoltën e tyre duke theksuar se pandemia Covid-19 nxorri në pah dobësimin e detyrimit të shtetit për të garantuar parimet themelore të demokracisë.
Por, sa i përket supozimit nëse pandemia nxorri në pah dobësimin e detyrimit të shtetit për të garantuar parimet themelore të demokracisë, z. Arjan Dyrmishi, Drejtor Ekzekutiv dhe Themeluesi i Qendrës për Studimin e Demokracisë dhe Qeverisjes bën me dije se reagimi i vendeve ndaj Covid-19 nuk ka qenë uniform. Kjo për shkak edhe të surprizës dhe pasigurisë së krijuar nga mospatja e një qëndrimi dhe protokolli të dakordësuar nga OBSH. Në përgjithësi, në vendet ku demokracia ka shfaqur probleme në aspekte dhe dimensione të ndryshme përpara COVID, kriza shëndetësore bëri të mundur që problemet të bëhen me evidente, tha ai. Izolimi dhe masat e distancimit social kontriubuan në bërjen më opake - më pak transparente - të veprimtarive shtetërore, në reduktimin e rolit të mediave dhe në zvogëlimin e ndikimit të legjislaturave në vendimmarrje, theksoi z. Dyrmishi.
Ndërsa lidhur me faktin nëse protestat që po zhvilllohen në mbarë Evropën janë të nevojshme për të orientuar vemendjen e qeverive tek parimet demokratike dhe të drejtat e njeriut, z. Dyrmishi thotë se reagimi publik i qytetarëve është një ndër kanalet më të rëndësishme të shprehjes së mospëlqimit me politikat e ndërmarra apo me zbatimin jo të duhur të tyre. Sipas tij, e drejta e fjalës dhe e protestave janë ndër të drejtat kryesore, themelore të garantuara nga konventat ndërkombëtare dhe kushtetutat e pothuajse të gjitha vendeve që kanë vendosur konkurencën politike për të zgjedhur qeverisjen, dhe demokracinë si sistem politik.
Për shkak të pandemisë, pjesmarrja qytetare u reduktua ndjeshëm duke ndikuar negativisht në procese, sidomos në ato vende ku ishin parashikuar edhe procese zgjedhore, tha ai. Po ashtu, z. Arjan Dyrmishi shton se në shumë vende të Europës si Franca, Britania, Gjermania, Spanja, Polonia, Italia, por edhe në SHBA qytetarët kanë manifestuar, protestuar kundër aspekteve të ndryshme të masave të marra.
Siç thamë edhe më sipër, Suedia ishte shteti i vetëm anëtar i BE-së që nuk vendosi kufizime duke besuar në kulturën e qytetarëve. Suedia ishte një nga vendet e vetme që pati një përqasje tjetër në këtë krizë. Qytetarët suedezë morën përgjegjësi personale, individuale përsa i përket distancimit social. Bizneset qëndruan të hapura, supermarketet, baret, restorantet funksiononin normalisht, sistemi i transportit po ashtu. I vetmi hap i ndërmarrë nga qeveria ishte mbyllja e shkollave të mesme dhe universiteteve, si dhe ndalimi i tubimeve me më shumë se 50 njerëz. Deri më tani qytetarët duket kanë reaguar me përgjegjësi duke praktikuar distancën sociale, ku të moshuarit janë izoluar, ndërsa qytetarët e moshave të tjera qëndrojnë kryesisht në shtëpi. Po ashtu në Suedi ka një numër të konsiderueshëm të personave të prekur me COVID-19, por suedezët gjykojnë se qasja e vendit të tyre është e drejtë.
Suedezët i dhanë një mesazh të madh qytetarie dhe demokracie botës duke kosoliduar më shumë se kurrë demokracinë, shpëtuar ekonominë, rritur përgjegjësinë sociale, si dhe forcuar parimet themelore për të drejtat dhe liritë e njeriut.
Duke pasur parasysh situatën e jashtëzakonshme, mënyrën e përhapjes së virusit, mosnjohjen e tij nga shkenca, si dhe për të garantuar me prioritet jetën e qytetarëve, qeveritë nuk patën asnjë zgjidhje tjetër përveç të miratojnë masa të jashtëzakonshme. Të gjitha masat e marra për të parandaluar transmetimin e virusit, kufizojnë me domosdoshmëri lirinë e lëvizjes dhe lirinë për të shijuar shumë të drejta të tjera të njeriut. Masat e tilla duket se pa dashur ndikuan në jetesën dhe sigurinë e njerëzve, aksesin e tyre në kujdesin shëndetësor (jo vetëm për COVID-19), ushqimin, punën, arsimin, si dhe lëvizjen e lirë.
Nisur nga shumë polemika, lider të ndryshëm botëror hartuan politika dhe manuale reagimi ndaj virusit, me qëllim përpjekjen e përbashkët për të reaguar me efiçencë dhe efektivitet ndaj kësaj pandemie. Dua të ndalem tek deklarata e Sekretares së Përgjithshme të Këshillit të Europës, znj. Marija Pejčinović Burić, e cila përmes thirrjeve për t'ju përgjigjur krizës në mënyrë efektive, kërkoi të garantohen dhe mbrohen vlerat themelore të Evropës për të drejtat e njeriut, demokracinë dhe sundimin e ligjit. Gjithashtu, ajo lëshoi një udhëzues mjetesh për qeveritë në të gjithë Europën për respektimin e të drejtave të njeriut, demokracisë dhe sundimit të ligjit gjatë krizës COVID-19.
Lidhur me efektet pozitive që pritet të sjellë udhëzuesi për qeveritë në të gjithë Evropën mbi respektimin e të drejtave të njeriut, demokracisë dhe sundimit të ligjit gjatë krizës COVID-19 na përgjigjet z. Etjen Xhafaj, Zëvendësministër për Evropën dhe Punët e Jashtme, i cili fillimisht thekson se në kuader të situatës së emergjencës kombëtare për shkak të pandemisë se Covid-19, prioriteti absolut për të gjithë vendet, si ato anëtare të BE, ashtu edhe vendet kandidate, ka qenë shpëtimi i jetëve dhe evitimi i perhapjës së virusit. Z. Xhafaj na njeh me faktin se Shqipëria ka qenë një ndër vendet e para që ka limituar kontaktet mes njerëzve duke evituar kështu edhe infektimin në masë, dhe duke menaxhuar situatën shendetësore që lidhet me Covid-19, nëpërmjet reagimit të të gjithë strukturave të vijës së parë, nga mjekët dhe sistemi shëndetësor, e deri tek organet e implementimit të ligjit. Sipas tij, kjo ka sjellë një kufizim të numrit të të sëmurëve dhe të viktimave, duke shënuar një ndër raportet me të ulëta në Europe.
Ka patur një fokus të veçantë ndaj efekteve ekonomike të distancimit social, dhe për këtë janë mundësuar disa paketa ndihmëse për punonjësit, sipërmarrësit e sektorët në vështirësi, thotë z. Xhafaj. Kjo ka sjellë një qasje proaktive të të gjithë aktorëve sidomos në javët e vështira të fillimit, kur i gjithë vendi ishte i ekspozuar ndaj një rreziku të madh, duke konsideruar edhe eksperiencat e fqinjëve tanë.
Megjithatë Zëvendësministri shprehet se përgjigja ndaj pandemive është një përgjigje kolektive, e të gjithë vendeve së bashku. Në këtë drejtim udhëzuesi i prezantuar nga Sekretarja e Pëgjithshme e KiE luan një rol të rëndësishëm në vendosjen e një standardi për reagimin dhe sigurisht për adresimin e problematikave që vijnë nga imponimi i domosdoshëm i distancimit social. Ne jemi të gjithë koshientë që të gjitha strukturat e emergjencës kanë qenë në krye të detyrës gjatë muajve të fundit, duke qenë një mbështetje për qytetarët dhe strukturat shendetesore, tha ai.
Zëvendësministri Xhafaj bën me dije se nuk ka qenë e lehtë për asnjë të funksionojë normalisht në kushtet e kufizimit të lëvizjes dhe aktiviteteve normale, por nga ana tjetër të gjithë rastet që kanë lidhje me të drejtat themelore të njeriut, janë trajtuar duke kuptuar edhe veshtiresitë për qytetaret. Kemi patur disa raste, tha z. Xhafaj, kur ka patur organizim të shkeljeve të rregullave, apo shtyrje për shkeljen e rregullave të imponuara nga situata, por në të gjithë këto raste strukturat shtetërore kanë respektuar të drejtat e qytetarëve, pa abuzuar me fuqitë që gjendja e jashtëzakonshme ju vishte këtyre strukturave.
Më tej ai tha se lufta për të drejtat e njeriut e për mbështetjen e shtresave në nevojë është një përpjekje e vazhdueshme në çdo demokraci, në çdo moment, e sigurisht edhe me shumë në kohë të vështira si këto, kur pandemia dhe rreziku për jetën imponojnë disa shtrëngesa të nevojshme. Për këtë është e rëndësishme edhe të bashkëpunojmë në trajtimin e situatës, e te kemi një trajtim uniform, nisur nga bazat e të drejtave dhe lirive të njeriut. Në këtë drejtim, shtoi z.Xhafaj udhëzuesi është një ndihmë për të gjithë qëveritë e strukturat, e veçanërisht edhe për bashkëpunimin mes vendeve, për të vendosur një standard mbi të cilin të mund të adresojmë problematikat e ndajmë zgjidhjet funksionale për problemet që sjell situata.
Pandemisë Covid-19 nuk i shpëtoi as sektori i medias, i cili u prek në një kohë kur ajo luan një rol vendimtar, veçanërisht në përcjelljen e informacionit për publikun, si dhe një zë i fortë i transmetimit të mesazheve sensibilizuese veçanërisht në kohë krize. Për shkak të masave të marra për parandalimin e përhapjes së virusit shumë emisione ndërprenë transmetimin, disa të tjera operuan duke bërë të mundur intervistimin përmes telefonatave me video. Në disa vende, sikundër edhe në Shqipëri, shtypi i shkruar ndërpreu prodhimin e gazetave, pasi kriza preku menjëherë buxhetin e tyre. Gazetarët nuk u lejuan të merrnin pjesë në sallat e konferencës ku jepeshin deklaratat për shtyp lidhur me situatën. Shumë media patën rënie ekonomike, pasi disa biznese ndërprenë transmetimin e reklamave. Por, pavarësisht peripecive dhe vështirësive gazetarët bënë një punë shumë të mirë duke raportuar në kohë reale nga terreni dhe duke përcjellë mesazhe të forta sensibilizimi.
Në disa shtete gazetarët ngritën zërin, pasi u ndjenë të kushtëzuar për transmetimin e lajmit duke cënuar kështu lirinë e medias. Po në vendin tonë si paraqitej situata mediatike? Sa e vështirë ishtë marrja e informacionit në periudhë pandemie? Lidhur me këto çështje, z. Muhamet Veliu, gazetar në Top Channel sqaron se në fillim i gjithë informacioni, dhënia e tij u përqëndrua tek Kryeministri Edi Rama përmes statuseve në Facebook dhe videomesazheve. Pra, i gjithë informacioni vinte nga një burim i vetëm, më pas kjo ndryshoi me daljet e përditshme nga Ministria e Shëndetësisë, tha z.Veliu. Më tej, ai theksoi se Top Channel duke marrë në konsideratë sa sensitive ishte kjo situatë i'u referua vetëm burimeve zyrtare të informacionit. Sipas gazetarit Veliu informacioni ishte i mjaftueshëm, pasi edhe vetë mjekët në vijën e parë të luftës me Covid-19 nisën të postonin në rrjetet e tyre sociale atë që ndodhte në spitalin infektiv, të cilin gazetarët nuk kishin mundësi ta shikonin dhe raportonin.
Përsa i përket një rasti konkret të cënimit të lirisë së medias gjatë emergjencës botërore, dhe si është menaxhuar mediatikisht, z. Muhamet Veliu nuk beson se është cënuar liria e medias në vendet europiane apo Amerikë. Ai bën me dije se në Kinë ka patur raportime për një informacion tejet të kontrolluar nga regjimi atje. Ndërsa në Shqipëri duke marrë shkas nga raportimet e tij, non - stop, në 9 javë të pandemisë, z. Veliu shton se nuk ka hasur asnjë pengesë, por kujdesi ka qenë shumë herë më i madh në raportim për mos të ngjallur panik tek njerëzit.
Së fundmi, dua të ndalem tek lidhja e parimeve të demokracisë, të drejtave të njeriut dhe gjendjes së emergjencës. Gadishmëria dhe përfshirja e sa më shumë qytetarëve në planifikimin e katastrofave, situatave emergjente ushqen demokracinë. Të drejtat e njeriut vazhdojnë të zbatohen, edhe kur një shtet shpall një gjendje të jashtëzakonshme, pra masat e marra nga qeveritë në përgjigje të COVID-19 duhet të mbrojnë të drejtat e të gjithë njerëzve dhe nuk mund të diskriminojnë. Përsa i përket grupeve më vulnerabël, të moshuarit, personat që jetojnë në azile, njerëzit që janë në kushte të vëshira ekonomike etj. duhet me patjetër të jenë prioritet në një situatë emergjente apo pandemie. Gjatë situatës së pandemisë vumë re një përpjekje të qeverive për të ndihmuar pikërisht këtë kategori njerëzish me ndihma në veshje, paketa ushqimore, si dhe medikamente. U ngritën grupe vullnetare të rinjsh për menaxhimin e kësaj situate për këtë kategori personash. Diskutimi publik, vendimmarrja e organeve qeveritare u krye kryesisht online, por jo në çdo vend rezultoi e suksesshme, pasi të gjithë vendet siç e thamë edhe më sipër nuk reaguan njësoj për shkak se nuk pati një direktivë të unifikuar, madje disa shtete u përgjigjën me vonesë.
Situata aktuale gjithashtu nxjerr në dritë nevojën për shtimin dhe forcimin e përpjekjeve për kujdesin afatgjatë të personave të moshuar, apo kategorive vulnerabël jo vetëm nën kërcënimin e pandemisë, por edhe në një situatë normale. Madje, u kuptua qartë se edhe nëse nuk do të ishim në një situatë emergjence botërore duhen forcuar kapacitetet e kontrollit dhe ndalimit të shkeljeve të drejtave të njeriut, keqtrajtimin, abuzimin dhe veçanërisht ofrimin e kujdesit shendetësor afatgjatë për këtë kategori personash duke vënë në pah nevojën e reformave të vonuara të kujdesit shoqëror. Po ashtu, shpejtësia me të cilën virusi sulmoi botën i detyroi qeveritë të merrnin masa drastike përmendim këtu vendosjen e gjobave të majme, lirinë fetare, ashpërsimin e Kodit Penal, dhe ndonëse në dukje kishte konsensus për marrjen e këtyre masave, ekspertët shihnin dobësimin e demokracisë dhe kufizime të të drejtave të njeriut.
Sikundër e përmendëm u pa një mosmarrëveshje politike mes shteteve të unionit, po ashtu në fillim të pandemisë seancat parlamentare u ndaluan, pasi lider të ndryshëm botëror u diagnostikuan me Covid-19. Madje në Poloni zgjedhjet e planifikuara në datën 10 Maj nuk u mbajtën për shkak të pandemisë. Pikërisht kjo situatë emergjente solli shumë polemika mbi parimin e të drejtës së zgjedhjes në një shoqëri demokratike, duke krijuar tensione dhe debate të ashpra në një situatë emergjence.
Krizat gjithnjë testojnë sistemet politike, kjo krizë duket se do të zgjasë, e në fund me shumë mundësi disa shtete mund të bëjnë ndryshime themelore në sistemin e tyre të qeverisjes, politikëbërjes e vendimmarrjes. Kemi ende shumë sfida me të cilat duhet të përballemi...
Valeria Bardhaj, Ndër artikujt më të mirë të konkursit "Together for Democracy", qershor 2020
*Valeria Bardhaj aktualisht punon në Kabinetin e Ministres së Drejtësisë. Ajo është angazhuar si pedagoge e jashtme në Fakultetin e Hetimit të Krimit, pranë Akademisë së Sigurisë. Ajo ka kryer një sërë trajnimesh brenda dhe jashtë vendit për çështjet e sigurisë, medias dhe menaxhimit politik dhe është autore e disa publikimeve.