Liria e medias në Shqipëri, standard i përmbushur drejt Bashkimit Europian?

Liria e medias në Shqipëri, standard i përmbushur drejt Bashkimit Europian?

***

Informimi pa më të voglin dyshim mund të konsiderohet si oksigjen i sistemit demokratik të një vendi. Shumë shpesh liria e një shoqërie përcaktohet nga liria e shtypit dhe e mediave, në përgjithësi kjo për shkakun se mediat kanë një rol qendror i cili është informimi i publikut në mënyrë reale dhe objektive për çështje që ndodhin në shoqëri.

Me liri të medias kuptohet gjithashtu dhe e drejta që i takon medias për të mbikëqyrur punën e qeverisë dhe institucioneve të tjera shtetërore të shoqërisë. Media gjithmonë duhet të jetë e lirë të ketë qasjen e saj kritike ndaj pushtetit, mirëpo e shoqëruar kjo me fakte, dhe pa anime politike. Pasja e një lirie të tillë nga ana e medias arrin të sjellë rezultate para publikut për evidentimin dhe luftimin e tyre, si: krimi i organizuar, korrupsioni dhe afera të ndryshme korruptive, nepotizmin në institucionet publike etj, rezultate që për një demokraci konsiderohen si arritje konkrete.

Por a ka arritur një vend i vogël si Shqipëria, që aderon rrugën drejt integrimit europian të përmbushë një standard të duhur për të garantuar një funksionim të lirë dhe të pavarur të medias në ditët e sotme?

Fazat e zhvillimit të medias në Shqipëri

Zhvillimi i lirisë së medias në Shqipëri ka marrë jetë në vitet kur në vend u vendos sistemi demokratik i qeverisjes. Pa diskutim që ka një ecuri pozitive me të shkuarën e këtij vendi pasi në sistemin e mëparshëm komunist nuk mund të flasim për liri të shprehjes pasi ҫdo gjë karakterizohej nga censura.

Pjesë e tranzicionit të përgjithshëm politiko-shoqëror të vendit tonë ka qenë edhe tranzicioni i mediave drejt mediave të lira dhe të pavarura. Pas vendosjes së pluralizmit politik në vend, në Shqipëri u krijuan mediat e para pluraliste në formën e shtypit të shkruar, që u botuan nga partitë politike. Ishin kryesisht krijimi i gazetave, siҫ mund të përmendim Rilindja Demokratike, apo gazeta Republika që u krijuan vitet e para të Shqipërisë postkomuniste. Pra, parë në këtë këndvështrim ishte politika ajo që solli për herë të parë nocionin e shtypit të lirë në vendin tonë dhe pse ky i fundit vendosej në kornizë politike.

Gjatë viteve të para të tranzicionit, media shqiptare u përpoq të emancipohej, por ajo nuk ia doli dot të transformohej nga një institucion partiak në një institucion të pavarur. Gjithashtu, mungesa e një tradite të ekonomisë së tregut në vend bën që në këtë fazë të parë kërkesa e tregut të ketë një rol minimal në zhvillimin e mediave (Zguri)

Më pas, me kalimin e kohës gazetarët shqiptarë po kuptonin që me sistemin e ri të vendosur në vendin tonë kishte ardhur momenti që gazetaria të mos ishte më nën ndikimin e politikës por të zotërohej nga vetë profesionistët e fushës. Pas vitit 1994 kemi krijimin e gazetave të para të pavarura si Koha Jonë, Gazeta Shqiptare, Albania.

Në të tilla kushte kur media po merrte në dorë pushtetin e saj, pushteti qeverisës i asaj kohe filloi ta shihte median si një kundërshtar pasi nuk po i nënshtrohej më si më parë.

Pas vitit 1998, me krijimin dhe konsolidimin e situatës ekonomike në vend hyn në lojë edhe logjika e tregut. Në fushën e pronësisë së mediave fillojnë të hyjnë biznesmenë të fuqishëm Mediat në këtë periudhë krijohen në përgjigje të kërkesës të tregut, duke tejkaluar apo neglizhuar shpesh edhe funksionin e vet publik dhe duke u vënë në shërbim të interesave ekonomike dhe politike të pronarëve të tyre.

Pra, në mënyrë të përmbledhur, gjatë viteve të tranzicionit në Shqipëri zhvillimi i lirisë së medias kalon në këto faza kryesore: së pari ishte faza e medias ku udhëhiqej nga partitë politike, së dyti kemi median që drejtohet nga gazetarë të pavarur, dhe së treti faza e cila vazhdon dhe në ditët e sotme është media private e krijuar nga pronarë të pavarur.

Faktorët që garantojnë lirinë e medias në Shqipëri

Siç dihet anëtarësimi në Bashkimin Europian nënkupton një harmonizim të legjislacionit vendas me atë të Unionit dhe arritje standardesh me vendet e tjera anëtare. Harmonizimi i legjislacionit në fushën mediatike ka si qëllim mënjanimin e pengesave për një treg shërbimesh të shoqërisë së informacionit, përkrahjen e konkurrencës dhe mbrojtjen e konsumatorit në këtë sektor, si dhe zgjerimin e mundësive për qasjen ndaj shërbimeve më moderne online. Shteti shqiptar, në instrumentet e tij ligjor parashikon garanci për funksionimin e një media të pavarur nga ҫdo pushtet tjetër i jashtëm.

Akti me fuqinë më të lartë në vend, Kushtetuta, ka të parashikuar qartë se liria e shtypit, e radios dhe e televizionit është e garantuar (Kushtetuta e RSH) dhe se censura e mjeteve të komunikimit ndalohet (Kushtetuta e RSH).

Përveҫ kuadrit kushtetues, institucionet ligjvënëse të vendit tonë kanë miratuar gjatë viteve dhe një kuadër të gjerë ligjor i cili ka të bëjë posaҫërisht me mediat, informimin dhe komunikimin masiv. Këtu përmendim ligje si: Ligji për mediat audiovizive (2013); Ligji për të drejtën e informimit, (2014); Ligji për komunikimet elektronike, (2008, me disa ndryshime në vitin 2012); Ligji për mbrojtjen e të dhënave personale (2008, me disa ndryshime në vitet 2012 dhe 2014).

Për të shmangur kontrollin e drejtpërdrejtë të partive politike mbi mediat audiovizive, legjislacioni shqiptar ndalon themelimin e radiove apo televizioneve në pronësi të këtyre partive.

Pavarësisht nga këto zhvillime në kuadrin ligjor, në Shqipëri gjithmonë është evidentuar dëshira e madhe e politikës, e cila ka synuar në ҫdo kohë të shfrytëzojë legjislacionin për të ushtruar një kontroll më të madh tek mediat, në mënyrë që të përcjellë tek qytetarët informacionin që ajo dëshiron të përcjellë dhe jo atë objektiv dhe real siҫ qëndron në të vërtetë.

Situata aktuale me lirinë e medias në vend

Vendit tonë i është dashur të ndërhyjë herë pas here në legjislacion për të bërë ndryshime në mënyrë që të sigurojë nivelin e duhur të lirisë së medias që të plotësojë kriterin e vendosur nga Bashkimi Europian. Përveҫ këtij aspekti Shqipëria duhet të zbatojë krahas lirisë së medias, gjithashtu dhe rregulla të përbashkëta me ato të BE-së për fushën e reklamave, mbrojtjen e fëmijëve, luftën kundër racizmit dhe urrejtjes fetare, si dhe garantimin e pavarësisë së rregullatorëve kombëtarë të mediave. Zbatimi i legjislacionit dhe praktikave evropiane në fushën e shoqërisë së informacionit dhe mediave do t'u mundësojë qytetarëve shqiptarë shërbime më të mira interneti dhe me çmime të favorshme, çmime të ulëta të shërbimeve të telefonit celular në roaming, si dhe përfitime të shumta që vijnë nga zhvillimi i shpejtë i tregjeve elektronike që përfshin qeverinë, shëndetësinë, sistemet inteligjente të transportit dhe tregtinë elektronike (Manual).

Siҫ dihet, transparenca e pronësisë së mediave ka gjithashtu rëndësi jetike për sigurimin e pluralitetit në këtë treg dhe për shmangien e monopoleve dhe të përqendrimit. Burimet dhe origjina e pronësisë kanë një ndikim në shkallën e pavarësisë dhe në integritetin e medias. Në pikëpamje të transparencës së pronësisë së mediave, Shqipëria ka bërë progres dhe aktualisht në regjistrin kombëtar të bizneseve që mund të aksesohet edhe online, gjenden të afishuara edhe emrat e pronarëve të bizneseve mediatike.

Por situata aktuale e lirisë mediatike në Shqipëri, përsëri nuk duket dhe aq e mirë sipas standardeve që kërkohen nga kriteret e vendosura nga Bashkimi Europian.

Shqipëria ka humbur dy vende në Indeksin e Lirisë së Medias në botë të publikuar nga organizata Reporterët pa Kufij për vitin 2019, duke u renditur e 84 nga 180 vende. Ligjet kundër medias online, kufizimi i qasjes së gazetarëve në informacion, arrestimi i gazetarëve dhe aktivistëve dhe mbyllja e mediave kritike me qeverinë, janë vetëm disa nga problemet që sipas organizatës Reporterët pa Kufij (RSF) kanë çuar në përkeqësimin e lirisë së medias në Shqipëri. Në mes të dhjetorit 2019 parlamenti miratoi dy projektligje pjesë të ashtuquajturës ‘paketa anti-shifje’ e cila synon rregullim e përmbajtjes së medias online nga Këshilli i Etikës në Autoritetin e Medias Audiovizive. Projektligjet u rikthyen në parlament nga Presidenti i vendit si jokushtetuese. Asambleja Parlamentare e Këshillit të Europës i kërkoi Komisioni të Venecias vlerësimin e tyre dhe qeveria vendosi të pezullojë miratimin e tyre. Duke kufizuar lirinë e shprehjes, informacionit dhe të medias dhe kundër praktikave me të mira ndërkombëtare, të dy ligjet rrezikojnë ta rrisin censurën ndaj gazetarëve që janë më vulnerabël ndaj presionit qeveritar.(Reporter.al 2020)

Po ashtu duket e pamundur të gjesh pronarë që nuk ushtrojnë ndikim në media në emër të interesave të tyre private. Drejtuesit e medias (botuesit dhe pronarët) në mënyrë të vazhdueshme i përshtasin politikat editoriale dhe përmbajtjen e lajmeve për t’i shërbyer interesave të tyre ekonomike e politike (Baka 2011).

Marrë shkas nga kjo situatë, është e qartë që niveli i lirisë së medias në vendin tonë i cili ka ecur duke u zhvilluar me vitet pas vendosjes së demokracisë, përsëri duket që nuk është në gjendje për tu konsideruar si kusht i përmbushur nga Bashkimi Europian.

Rekomandime dhe sugjerime

Me bindje të plotë, shoqëria e informacionit dhe media është forma më e re e të jetuarit ditët e sotme. Duke pasur parasysh problematikat e sipërpërmendura që ndesh liria e medias në vendin tonë dhe duke marrë në konsideratë aspiratën e madhe që ka populli shqiptar drejt integrimit në Bashkimin Europian, unë rekomandoj të ndodhin disa ndryshime në këto drejtime kryesore:

- Të rritet niveli i transparencës në lidhje me burimet e financimit të mediave në vend, pasi në këtë mënyrë do të shmangeshin interesat klienteliste të cilat bien ndesh me parimet e lirisë së medias.

- Do ishte një tregues i lartë i lirisë së shprehjes lindja e një numri të madh të portaleve të informimit online dhe formave të tjera elektronike të përçimit të informacionit. Në këtë mënyrë do të shkonim drejt rrugës që fuqizon qytetarin dhe zgjeron informacionin në mënyrë koherente dhe të pavarur.

- Të rritet më tej niveli i përfaqësimit të gazetarëve nëpër sindikata duke bërë që këto organizime profesionale të të gazetarëve të kthehen në faktorë përcaktues në zhvillimin e mediave dhe në aleat të fuqishëm në mbrojtje të medias së lirë dhe të pavarur.

- Drejtuesit e mediave duhet të heqin dorë nga ndikimi i tyre në politikën editoriale të medias që kanë në pronësi, për ti dhënë fund njëherë e mirë interesave të tyre ekonomike dhe politike dhe për ti hapur rrugë informimit objektiv të qytetarëve, duke e trajtuar informacionin jo si pasuri private por si një pasuri e dhënë publikisht.

- Duhet shtuar kontrolli rreth implementimit të Kodit të Punës në kontratat e punësimit të gazetarëve në Shqipëri, pasi në këtë mënyrë do të shmangej abuzimi i drejtuesve të mediave në mënyrë arbitrare ndaj profesionistëve me anë të presionit dhe heqjes nga puna, në rastet kur ata janë të pavarur dhe nuk mbajnë njëanshmëri në raportime sipas urdhrave të drejtuesve të tyre.

- Të ulet sasia e kohës që u lihet përmbajtjeve politike në dispozicion në hapësirën mediatike në Shqipëri, pasi ka krijuar një lloj “bombardimi” të publikut me politikë duke transmetuar live për orë të tëra pothuaj të gjitha eventet kryesore politike, madje edhe për ato që mund të mos kenë pasur ndonjë interes të madh publik.

Si përfundim, mbetet ende një punë e gjatë për tu bërë në fushën e lirisë së medias dhe informacionit në vendin tonë si nga instancat shtetërore ashtu dhe nga vetë profesionistët e fushës, në mënyrë që të ketë përparim të dukshëm dhe me rezultate konkrete drejt rritjes së nivelit të demokracisë dhe afrimit më pranë anëtarësimit në Bashkimin Europian.

Herlina Muça, nëntor 2020

*Herlina Muça dhe jam ka kryer studimet universitare dhe master në Drejtësi pranë Fakultetit të Drejtësisë, Universiteti i Tiranës. Gjatë studimeve  por edhe më pas, ajo është përfshirë në një sërë workshopesh dhe trajnimesh me fokus në fushën e drejtësisë, integrimit europian, të drejtave të njeriut dhe aktivizimit social. Aktualisht Herlina është duke kryer një praktikë pune pranë Ministrisë për Europën dhe Punët e Jashtme.

Referenca:

  • Baka, Besnik, Media vs. Politika: Trancizioni drejt (pa)varësisë politike, ISHM, 2011
  • Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë, Neni 22 paragrafi 2 dhe 3
  • Manual për qytetarët : Anëtarësimi i Shqipërisë në Bashkimin Evropian faqe 32
  • Zguri, Rrapo “Marrëdhëniet mes Medias dhe Politikës në Shqipëri” faqe 11

1085Ndjekës
6323Ndjekës
1989Ndjekës
23Abonues

Youtube Videos

European Movement International
European Movement International
Ambassade_Niva2_Engelsk