Rrugëtimi politik i vajzave dhe grave në proceset demokratizuese të shoqërisë shqiptare

Rrugëtimi politik i vajzave dhe grave në proceset demokratizuese të shoqërisë shqiptare

Hyrje

Shqipëria është një vend me përvojë të pakët demokratike dhe po kalon një periudhë të zgjatur tranzicioni. Kjo është tregues që proceset demokratike janë të brishta. Situata kaotike, në të cilën u gjend Shqipëria pas viteve 90' ndikoi edhe në pozitat e gruas në politikë. Megjithatë, çështjet e barazisë gjinore janë të hershme, së paku që nga rendi skllavopronar deri në ditët tona, historia e njerëzimit është histori qytetërimesh të sunduara thuajse tërësisht nga burrat. Me fillimin e rendit modern, pushteti ekonomik e politik vazhdoi të ishte i përqëndruar në duart e burrave, por me përfaqësim më të madh të vajzave dhe grave, kjo për shkak të rritjes së shkallës së mekanizimit dhe të automatizimit të proceseve të punës. Ndërkohë që roli i vajzave dhe grave është rritur shumë në jetën shoqërore, kulturore, ekonomike etj, roli i tyre në strukturat politike vendimarrëse, thuajse në të gjithë botën mbetet në nivel të ulët. Rritja e rolit aktiv të vajzave dhe grave në jetën politike të të gjitha niveleve ka qenë dhe vazhdon të mbetet një nga përparësitë kryesore të rrymave feministe, po ashtu të organizmave ndërkombëtarë që ndërveprojnë në shoqërinë moderne e postmoderne. Nëse çështjen e barazisë gjinore e vendosim në kontekstin e shoqërisë shqiptare, sfidat janë më të mprehta. Fillimi i viteve 90' në Shqipëri shërben si ndarje "epokash": rrëzimi i sistemit socialist totalitar dhe instalimi i atij demokratik. Rrugëtimi politik, institucional i vajzave dhe grave në këtë periudhë është ndeshur me pengesa të karakterit formal por edhe informal, siç janë mentaliteti patriarkal dhe paragjykimet. Çështja e shumë diskutuar e kuotave të përfaqësimit për to, mbetet një kusht i vazhdueshëm nga organizmat nderkombëtarë, për antarësimin e Shqipërisë në strukturat e Bashkimit Evropian.

Vendosja e rendit demokratik dhe barazia gjinore në përfaqësimin politik

Barazia gjinore, në politikë, si edhe në fushat e tjera të veprimtarisë shoqërore është një e drejtë themelore. Në arritjen dhe respektimin e barazisë gjinore qëndrojnë potencialet më të mëdha të shoqërisë, kjo arritje, numerikisht përkon edhe me gjysmën e popullsisë botërore, në mos më tepër. Studime të shumta me karakter socia e vënë theksin te nevoja e ngutshme që barazia gjinore në politikë të bëhet një realitet i prekshëm. Studiuesi dhe sociologu Zyhdi Dervishi në botimin e tij "Gratë në turbulencat e mendësive dhe realiteti politik" thekson se kalimi i vendeve ish-socialiste nga autoritarizmi politik komunist në organizimin politik demokratik u shoqërua me ristrukturimin rrënjësor të gjithë sistemit të marrëdhënieve ndërmjet shtetit dhe qytetarëve. Në këtë proces gjithnjë e më shumë vajza dhe gra kanë arritur statuse të rëndësishme në strukturat ekonomike, arsimore, po ashtu pritet që të rritet roli i tyre edhe në jetën politike. Në vendet ish-socialiste burrat kanë në duart e tyre majat e hierarkisë të shumicës dërrmuese të partive politike, e përgjithësisht përpiqen t'i reduktojnë problemet më të rëndësishme që shqetësojnë vajzat dhe gratë (Dervishi, 2011).


Instalimi i rendit demokratik në Shqipëri ndodhi në një mënyrë jo pak të dhimbshme. Shoqëria shqiptare ishte në tranzicion dhe nxorri në pah gjithë problemet socio-ekonomike që e mundonin. Të gjendura në një trysni të tillë "lufte për mbijetesë", vajzat dhe gratë e patën më të vështirë të integroheshin në strukturat politike. Deri në vitin 2005 pesha specifike e përfaqësimit të vajzave dhe grave në Kuvendin e Republikës së Shqipërisë ka qenë 4.86 herë më e ulët se ajo e viteve 1970-1991 (Dervishi, 2011).

Denduria e paragjykimeve- pengesë për angazhim politik

Kuotat gjinore elektorale po prezantohen sot në vendet ku gratë janë përjashtuar pothuajse plotësisht nga politika, si dhe në shtetet me një histori të gjatë të përfshirjes së grave në tregun e punës dhe në jetën politike, siç janë vendet skandinave. Futja e sistemeve efektive të kuotave paraqet një zhvendosje në qasje, nga "mundësi e barabartë" në "barazi të rezultateve". Sidoqoftë, pasi që shumica e sistemeve të kuotave specifikojnë numrin e grave dhe burrave që duhet t'u paraqiten votuesve në listat zgjedhore, dhe jo shpërndarjen gjinore pas zgjedhjeve, dikush mund të preferojë të shohë kuotat gjinore elektorale më shumë si një shembull të "mundësisë së barabartë reale".

Prandaj, disa i konsiderojnë kuotat si një formë diskriminimi dhe shkelje të parimit të drejtësisë, ndërsa të tjerët i konsiderojnë ato si kompensim për barrierat strukturore që parandalojnë konkurrencën e ndershme. Kuotat ndonjëherë konsiderohen shkelje të parimeve të tjera si drejtësia, kompetenca dhe individualizmi.
Nëse marrim përjashtimin aktual të grave si pikënisje, d.m.th nëse pranojmë se ekzistojnë shumë barriera që i pengojnë gratë të hyjnë në fushën e politikës, atëherë kuotat nuk shihen si diskriminuese (ndaj burrave), por përkundrazi, si kompensim për të gjitha pengesat që gratë kanë kundër (Dahlerup, 2005).

Përveç kuotave, shoqëria shqiptare ka forma të tjera të paragjykimi që bëhen pengesë për barazinë gjinore në politikë. Duke qenë një shoqëri patriarkale, figura mashkullore vazhdon të jetë dominuese karshi asaj femërore. Vajzat dhe gratë, përveç detyrimeve të tjera familjare e shoqërore kanë detyrime, si të thuash, të karakterit moral. Ato nuk duhet të bëhen "viktima" të situatave që prekin moralin e tyre. Arena politike në opinionin e gjerë perceptohet si arenë e egër, rrjedhimisht arenë burrash.

Simone de Beauvoir trajton gjerësisht nënrenditjen femërore në bilanc me atë mashkullore në veprën e saj "Seksi i dytë". Ajo flet për gruan e pavarur e cila është e ndarë midis interesave profesionale dhe shqetësimeve të prirjes së saj seksuale; ajo e ka të mundimshme të gjejë baraspeshën e saj; nëse e siguron atë, e siguron me çmimin e lëshimeve, sakrificave, akrobacive që kërkojnë prej saj një tension të vazhdueshëm (De Beauvoir, 2002).

Mjedisi përreth vajzave dhe grave karakterizohet nga një mjegull e dendur paragjykimesh. Etiketime të tilla si: "gra të pamoralshme"; "gra që shkatërrojnë familjen"; "gra që nëpërmjet favoreve seksuale përfitojnë pozita të larta në hierarkinë politike" shpeshherë bëhen pengesë për angazhimin politik të tyre. Në shoqërinë shqiptare është përhapur gjerësisht mendësia se femrat duhet të përgatiten për profesione rutinë, të cilat mund të ushtrohen pa shumë sforcim krijues. Në një klimë të tillë psikologjike, politika si një profesion që kërkon shumë energji krijuese konsiderohet e papërshtatshme.

Fuqizimi politik i grave- Tregues i zhvillimit demokratik

Studiuesit kanë propozuar shpjegime që përqëndrohen në qëndrimet tradicionale të qytetarëve kundrejt roleve gjinore dhe klimës së përgjithshme ndaj barazisë gjinore në një vend të caktuar (Paxton; Kunovich 2002). Mungesa e grave në poste partiake është pa diskutim problematike për nocionin e demokracisë (Galligan, 2009). Konkretisht, koncepti i demokracisë përfaqësuese specifikon se një "organ përfaqësues duhet të pasqyrojë/reflektoje diversitetin e elektoratit dhe deputetët zgjidhen nga "zgjedhësit e tyre dhe janë përgjegjës ndaj tyre". Kështu, një legjislaturë e dominuar nga meshkujt natyrisht nuk pasqyron përbërjen gjinore të shoqërisë në përgjithësi.

Arsyet kryesore pse gjithmonë vendoset theksi mbi pjesmarrjen e femrave në politikë, e mbi të gjitha në parlament janë të shumta. Së pari, mundësia e barabartë për pjesmarrje është e drejtë e gjithsecilit. Përvec kësaj, studimet tregojnë se shtetet ku më pak se 30% të vendeve në parlament mbahen nga femrat janë më pak demokratike dhe më shumë diskriminuese (Open Data Albania, 2017).


Shqipëria përfaqësimin më të lartë të grave në parlament e ka arritur në zgjedhjet e 2009, Presion të vazhdueshëm kanë bërë edhe organizmat ndërkombëtarë që ndërveprojnë në vend, si një kusht për antarësim në strukturat e Bashkimit Evropian (Top-channel, 2012).

Edhe pse ka një progres të ngritjes femërore në shoqëri, gjithnjë e më shumë vajzat dhe gratë janë të suksesshme në karrierë, fusha politike mbetet e vështirë dhe me rrisk të madh. Zhvillimi demokratik në Shqipëri është i brishtë, grupe të ndryshme të shoqërisë civile lobojnë që nuk ka demokraci të mirfilltë. Tranzicioni i stërzgjatur po i lodh qytetarët dhe duket sikur s'do përfundojë kurrë, besimi tek institucionet gjithnjë në rënie, mbetet si alternativë fuqizimi i të rinjve dhe grave.

Ekziston një lidhje e dobët ndërmjet shtetit dhe shoqërisë civile, duke e bërë zbatimin e ligjeve në praktikë më të vështirë. Duhet theksuar kësisoj se faktori bazë për ngritjen e infrastrukturës ligjore dhe asaj praktike mbetet vullneti politik.

Për të arritur ëndrrën e kahershme të shqiptarëve, antarësimin në Bashkimin Europian, krahas luftës për korrupsionin dhe krimin e organizuar, duhet ti jepet rëndësi edhe politikave konkrete për fuqizimin e vajzave dhe grave. Në këtë mënyrë diferencat e mëdha gjinore do të zbuteshin, marrëdhëniet familjare do të ishin më të qëndrushme, rrjedhimisht marrëdhëniet shoqërore do të ishin më të stabilizuara.

Përfundime

Përfundimi kryesor në këtë artikull lidhet me përvojën e pakët demokratike dhe tranzicionin e zgjatur. Fillimi i viteve 90' është konsideruar si vendimtar për shoqërinë shqiptare në aspektin ekonomik, kulturor, politik etj. Tranzicioni dha efektet e veta edhe në politikat e institucioneve në nivel vendor dhe qëndror. Këto politika mospërfshirëse prekën edhe vajzat e gratë. Të dhënat tregojnë që deri në vitin 2005, përfaqësimi i vajzave dhe grave në Kuvendin e Republikës së Shqipërisë ishte më i ulët se sa gjatë sistemit socialist totalitar. Në vitet pasardhëse pati një përmirësim të kuadrit ligjor edhe si pasojë e presionit të faktorit ndërkombëtar që vepron në Shqipëri. Megjithatë, ka nevojë për zbatim kronkret të kuadrit ligjor ekzistues, lidhur me barazinë gjinore në Shqipëri.

Sugjerime

Ky artikull kishte në fokus paraqitjen e një tabloje të gjendjes reale me sfidat e shoqërisë shqiptare përsa i përket barazisë gjinore në vendimarrjen politike. Në këtë kontekst sugjerojmë kryerjen e një studimi empirik me përmasa kombëtare dhe gjithëpërfshirëse, i cili mund të identifikojë në thellësi problemin, e rrjedhimisht çon në praktika për zgjidhje.

Bazuar në studime të tjera, kuadri ligjor në Shqipëri është i plotësuar përsa i përket përfaqësimit të vajzave dhe grave në politikë, por mungon zbatimi real i kuadrit ligjor. Sugjerojmë përgjegjshmëri më të madhe të institucioneve në nivel vendor dhe qëndror, në zbatimin ligjor të barazisë gjinore. Demokracia do të ishte e pa plotë nëse nuk ka përfaqësim të gjithanshëm, në baza gjinore, raciale, etnike etj. Kështu, duke parë treguesit e përfaqësimeve gjithëpërfshirëse në Shqipëri e kemi të lehtë të përcaktojmë nivelin e demokracisë.

Besjana Lazja, Ndër artikujt më të mirë të konkursit "Together for Democracy", qershor 2020

*Besjana Lazja ka mbaruar studimet bachelor dhe master shkencor ne Sociologji, Universiteti i Tiranës. Aktualisht ajo është e angazhuar në organizatën jo-qeveritare "Vish Këpucët e mia".

Bibliografia:

1. Beauvoir, S. d. (2002). Seksi i dytë. Tiranë: Cabej.

2. Dahlerup, D. (2005). Strategies to Enhance Women's Political Representation in Different Electoral Systems. Sweden

3. Dervishi, Z. (2011). Gratë në turbulencat e mendësive dhe realiteti politik. Tiranë: Emal.

4.https://www.gadc.org.al/media/files/upload/Barazia_gjinore_kusht_per_integrimin_europian.pdf

5. Top-channel. tv 23/04/2013

6. Galligan, Y., Clavero, S., & Calloni, M. (2007). Gender Politics and Democracy in post-socialist Europe. Farmington Hills, MI: Barbara Budrich Publishers.

7. Paxton, P., and Kunovich, S. (2003). Women's Political Representation: The Importance of Ideology. Social Forces, 82(1), 87-113; Ruedin, D. (2012).

8. Open Data Albania. http://open.data.al/sq/lajme/lajm/lang/en/id/223/Pjesemarrja-e-femrave- ne-politike-1990-2010, vizituar së fundi më dt. 18.05.2020.

1085Ndjekës
6323Ndjekës
1989Ndjekës
23Abonues

Youtube Videos

European Movement International
European Movement International
Ambassade_Niva2_Engelsk