Demokracia është :
a) shtysë e përligjur drejt vetvetes , që të dënon pa mbërritur kurrë në kufinjtë e saj;
b) topfjala në listën e shpeshtësisë së leksikut , hasur në ekstreme të thella subjektive dhe objektive; Në emër të saj hartohet botëqeverisja e sërish në po të njëjtin emër nëna thuajse shekullore përpiqet t’i legjitimoje brumosjes së saj fanatike “ minifundin e kohëve të sotme “ .
c) virtyt , kur buron po s’del me shpirtin ;
ç) ves mbi vese , kur shtrydhet nga zori e pa rezultat që te mbulojë të keqen e aktit dhe të faktit;
d) rrezik , kur e brëndshmja është në kundërshti që nuk heshtet me të pretenduarën jashtë , rrotull , sipër dhe larg ;
dh) larg sistemit ideal , thuajse sa larg sistemeve që e kanë materializuar të shkuarën në histori të frikshme .
Demokracia përbën një sistem , i cili bashkë me shëtitjen në kohë , është transformuar në një ngrehinë e cila teorikisht mbahet në disa shtylla të ndryshueshme ndërsa praktikisht shpesh edhe fort lëkundet . Shqipërimi liberal i termit “ demokraci “ është “ qeverisja në duart e popullit “ . Një përcaktim i tillë e tkurr popullin duke e njëvlerësuar me mazhorancën ndërsa “ duart “ kanë kuptimin e pjesëmarrjes në vendimmarrje , karakteristikë e cila e bën element ekzistencial të demokracisë lidhjen e qeverisë me subjektet prej nga dhe në funksion të të cilëve ka buruar.
Demokracia është një sistem kompleks , e cila bazohet kryesisht në tre shtylla :
1. Sovraniteti popullor përbën tagrin kryesor i cili i mundëson shumicës së subjekteve , nën petkun e shtetësisë , të jenë në anën vendimmarrëse të kontratës sociale . Ky element është gjithashtu e kundërta e arrogancës mazhoritare , ai garanton njëkohësisht edhe kohë e hapsirë publike për të shpalosur plan-programin politik që do të konkurojë të tashmin në zgjedhjet e ardhshme .
2. Shteti ligjor është një koncept kompleks pasi shkon shumë përtej sanksionimit normativ e zezë mbi të bardhë . Ky element përbën shtyllë të demokracisë për sa është mendësi , është rutinë , është e zakonshmja e gjithëpranuar në përditshmërinë funksionale te aparatit shtetëror . Shteti ligjor është një bashkësi detyrimesh pozitive për pushtetin shtetëror për të garantuar praktikë të drejtë ligjzbatuese , demokraci në funksionimin e mekanizmave institucionalë , të drejtat dhe liritë themelore të individit , kontrollin dhe balancën midis pushteteve dhe gjyqësi të pavarur dhe të paanshme.
3. Zgjedhjet e lira janë tharmi demokratik , janë tulla mbas tulle e vendosur praktikisht çdo dy vjet në muret pa mbarim të sistemit demokratik . Zgjedhjet janë privilegji i të pasurit alternativa , i cili është dëshiruar se ka munguar . Ky definim lidhet ngusht me një sërë elementesh realizimi i të cilave i konkludon ato . Demokracia është fija e artë që shkëput individin me ofiçin , mandaton pushtetin duke lënë rradhë konkurence , ripërtëritje mendësie , hapsira të reduktuara për të abuzuar . Ky sistem është mjeti që ka garantuar përgjegjësinë politike . Përmes demokracisë kemi tagrat e kontrollit ndaj Administratorit , mundësinë për të parapëlqyer një tjetër model nga ofertat e pluralizmit .
Lindja dhe lulëzimi i demokracisë nuk bëri inekzistente në tërësi therrat botërore që e sfidojnë në vazhdimësi . Në kontekstin europian disa nga kryeqytetet e kontinentit në zë janë përfshirë nga valë protestash . Demokracifilët i konsiderojnë protestat shteg drejt përmirësimit ndërsa demokracifobët i konsiderojnë po të njëjtat oportunitet popullor për të luftuar me vetveten e rrjedhimisht për ta dobësuar atë . Brënda të njëjtit kuadër Bashkimi Europian është përherë e më shumë i detyruar të derogojë nga rregullimet e tij fuqi europiane duke thërrmuar tutelën bashkëpunuese midis shteteve .
Për shtete në zhvillim si Shqipëria , Bashkimi Europian është ende ëndërr e cila ka të ngjarë të preket me përmbushjen e Reformes në Drejtësi , asaj Zgjedhore , luftës kundër korrupsionit dhe kriminalitetit . Shqipëria rënkon ende prej tranzicionit të tejzgjatur , i cili duket se s’gjen prehje pa cekjen ndërkombëtare dhe pa integrim në hapsirën e privilegjeve europiane . Demokracia i atribuohet , në të shumtën e rasteve , potencialit të aparateve të komplikuara shtetërore për të plotësuar një listë kriteresh të matshme duke u parë me referencën “ mbi “ .
Në opinionin tim demokracia është “ në “ madje edhe “ nën “. Sfida më e madhe e shpërndarjes dhe ridimensionimit me përmirësim të saj është mendësia e individualizuar në përditshmëri . Demokracia ka sfidë besimin në ata me të cilët së paku bashkëndan gjuhën dhe përkohësisht kanë forcën e firmës . Ky sistem ka sfidë vëllanë që s’kërkon të mira për vete mjaft të mos i gëzoje ato vëllai tjetër . Demokracia është secili prej nesh, celulë që mban mbi supe peshën e institucioneve mbi të cilat valvitet flamuri kombëtar . Ajo s’është nocion abstrakt , demokracia mishërohet në nënvetëdijen tonë sa herë frenojmë instiktet dhe shfrenojmë solidaritet, mirëkuptim dhe dashuri për shtetin dhe bashkështetasit tanë.
Juela Merdhoqi, Finaliste e Konkursit "Democracy Alive" 2019