Artikulli Dita e Europës 2016: Kriza e refugjatëve dhe disa pikëpyetje mbi BE-në!

Artikulli Dita e Europës 2016: Kriza e refugjatëve dhe disa pikëpyetje mbi BE-në!

Prandaj autoritetet dhe shoqëria europiane u kap e papërgatitur për zgjidhjen e problemeve humanitare, adresimin e problemeve procedurale dhe zgjidhjes së ardhmërisë së tyre në hapësirën europiane apo kthimin në vendet e origjinës. Moskoordinimi dhe mosndarja e peshës mes anëtarëve të BE-së, e shndërroi këtë lëvizje të madhe popullate në një krizë të mprehtë e me shumë të panjohura për të gjitha palët.

E panjohura e parë, ekzistenciale, ishte për vetë refugjatët: Do të qëndronin në parajsën e kërkuar apo do të ktheheshin në tokën e djegur?
E panjohura e dytë, ishte për vetë Europën politike dhe shoqërore. Çfarë qëndrimi duhet mbajtur ndaj kësaj krize?

Në peshore janë siguria dhe vlerat perëndimore nga njëra anë, jeta njerëzore dhe bashkërendimi politik i BE-së nga ana tjetër.

Fillimisht, duhet theksuar se emëruesi i përbashkët i këtyre njerëzve që po derdhen në dyert e Europës, është besimi i tyre islam dhe origjina e tyre lindore ( nga Lindja e Mesme kryesisht, e cila është e destabilizuar politikisht).

Është pikërisht ky emërues që ka tkurrur aftësinë dhe kapacitetet politike, ekonomike dhe sociale të BE-së në qasjen ndaj refugjatëve. Europa e bashkuar është themeluar mbi vlera të përbashkëta, si demokracia, tregu i lirë, liritë dhe të drejtat themelore të njeriut, si dhe krishterimi. Dhe ka jo pak zëra që çirren se këto vlera janë nën kërcënim nga dyndja e refugjatëve, të cilët mishërojnë vlera dhe mënyrë jetese krejt të ndryshme nga ato perëndimore.

Si për t’i fryrë kësaj borie përçarëse, brenda një viti kanë ndodhur dy sulme terroriste mu në zemër të Europës: Sulmi terrorist në Paris, dhe i fundit në Bruksel. Të dy këto sulme janë kryer nga shtetas që e identifikojnë veten me fenë islame. Eventualisht, lidhja e tyre me islamin, nuk e ka ndihmuar aspak klimën ndaj krizës së refugjatëve, kur dihet se propaganda ngjit më shpejt sesa e vërteta.

Për pasojë, kur kanë kaluar 26 vite nga momenti i rënies së murit të Berlinit, murit të fundit ndarës në Europë, në portat e Europës postmoderne po ngrihen mure të reja ndarëse. Hungaria ngriti një mur bllokues ndaj refugjatëve të rraskapitur për jetë. Po të njëjtën masë mori dhe Austria në kufi me Italinë. Ndërkohë në Greqi, si porta hyrëse jugore janë bllokuar qindra mijëra refugjatë. E gjithë kjo tablo ka nxjerrë në dritë disa pikëpyetje:

Së pari, duhen hapur dyert për këta njerëz që ikin nga lufta. A duhet dhe a mund të integrohen në hapësirën europiane?

Së dyti, a rrezikohet siguria e BE-së nga integrimi i një mase kaq të madhe njerëzish me besim, kulturë dhe tradita të ndryshme në gjirin e saj?

Për sa i përket çështjes së parë, BE si njësi politike duket se nuk po arrin dot të gjejë kohezionin e kërkuar. Dakordësia për trajtimin e krizës brenda BE-së ishte larg. Me sa duket në këtë fazë ka triumfuar linja “jashtë refugjatët”. Në këtë vazhdë u kërkua një zgjidhje me anë të një marrëveshjeje me Turqinë, për trajtimin e refugjatëve që aty dhe kësisoj ndalimin e lëvizjes së tyre për në perëndim. Ndërsa, sa i përket integrimit të tyre, Europa duket se nuk do të bëjë një hap të tillë pas disa eksperiencave të këqija në këtë fushë. Sulmet terroriste ishin pikërisht dështim i sistemit thithës në vlerat perëndimore të joeuropianëve.

Ndërsa sa i përket çështjes së dytë, në të ngërthehen një varg faktorësh:

BE-ja, nuk është më në zenitin e vet. Përkundrazi, po kalon një fazë tejet të vështirë. Kriza ekonomike dhe financiare ka goditur pjesën më të madhe të anëtarëve. Bashkimi ekonomik, qëllimi primar nga i cili doli Bashkimi Europian, është një ingranazh në ngecje përderisa anëtarë të saj nuk po dalin dot nga tuneli i gjatë i problemeve ekonomike. Kjo ka sjellë edhe përçarje politike brenda radhëve të BE-së. Për qytetarët e vendeve kryesore si Gjermania, Franca dhe Britania (kjo e fundit parashikon të zhvillojë një referendum në qershor në lidhje me qëndrimin ose jo në Union), ruajtja e unitetit edhe me vendet pa standarde (Greqia, Bullgaria, Rumania) është bërë jopopullore. Kjo ka bërë që vende kontribuese madhore në Union si Britania të mendojnë për një BreExit. Për shumë qytetarë europian, vendet e tyre kanë mjaftueshëm emigrantë që marrin vende pune dhe ulin standardin e pagesës. Në kohë krize dhe pasigurie fryma antimigrante është rritur mjaft. Kjo vihet re në rritjen elektorale të partive radikale që propozojnë shoqëri europiane homogjene dhe duan të largojnë të huajt.

Siguria? Frika nga terrorizmi është një element tjetër që duhet marrë në konsideratë. Duket se pas sulmeve terroriste në Paris dhe Bruksel, Europa nuk do të jetë më e njëjtë ndaj të huajve (joeuropianëve). Ardhja edhe e më shumë se një milion të huajsh vetëm brenda 1 viti, nga vende të destabilizuara dhe probabël burimesh terrorizmi nuk e ndihmon problemin në favor të refugjatëve. Nga gjiri i njerëzve të ndershëm dhe në nevojë jete mund të filtrojnë edhe njerëz të indoktrinuar me ideologjinë e terrorizmit.

Kështu, BE po bëhet gjithnjë e më e mbyllur dhe e vetëmjaftueshme. Problemet e brendshme e kanë kthyer BE-në nga një strukturë ndërkombëtare fanar prosperiteti dhe frymëzuese, në një konglomerat kombesh që nuk shkojnë më tej se një treg i përbashkët. Parrulla “bashkë në diversitet”, në ditët e sotme duket e ndryshkur. Frika është një tërheqje e BE-së në guaskën e vet. Kriza e refugjatëve nxori në krye të ujit dallimet brenda bashkimit, frikën ndaj tjetrit dhe një BE më egocentrike. Nervi për një SHBE (Shtetet e Bashkuara të Europës), për momentin pulson shumë dobët. Dhe ky është një lajm shumë i keq…

                                                                                                                             Përgatiti: Altin Gjeta

                                                                    Artikulli Fitues i Konkursit në Kuadër të Ditës së Europës 2016

 

1085Ndjekës
6323Ndjekës
1989Ndjekës
23Abonues

Youtube Videos

European Movement International
European Movement International
Ambassade_Niva2_Engelsk