Rritja e radikalizmit të djathtë – ndikimi në zgjedhjet parlamentare në BE dhe stabilitetin politik të unionit

Rritja e radikalizmit të djathtë – ndikimi në zgjedhjet parlamentare në BE dhe stabilitetin politik të unionit

Kryesimi në sondazhe

Në sondazhet e këtij viti (2024), radikalizmi i djathtë ka fituar  një mbështetje të madhe në mesin e qytetarëve europianë, mbështetje e cila pritet të sigurojë sukses të konsiderueshëm në zgjedhjet e ardhshme europiane (VOA, 2024; Telegrafi, 2024), që zhvillohen mes datave 6 dhe 9 qershor. Parashikohet se e radikalizmi i djathtë mund të marrë gati një të katërtën e vendeve në Parlamentin Europian  (Politico, 2024).

Kjo mbështetet dhe nga studimi i kryer së fundmi nga Këshilli Europian për Punë të Jashtme, i cili shpreh se në zgjedhjet parlamentare do të kemi një zhvendosje të madhe në të djathtë, me partitë e djathta radikale populiste që do të fitojnë vota dhe vende në të gjithë BE-në (ECFR, 2024). Numri i votuesve është rritur këtë vit pasi në disa shtete do të mund të votojnë edhe të rinjtë deri në moshën 16 vjeç (DW, 2024).

Populistët anti-europianë kryesojnë sondazhet në nëntë shtete (Austri, Belgjikë, Çeki, Francë, Hungari, Itali, Holandë, Poloni dhe Sllovaki) dhe janë të dytët dhe të tretët në renditje në nëntë vende të tjera (Bullgaria, Estonia, Finlanda, Gjermania, Letonia, Portugalia, Rumania, Spanja dhe Suedia). Sipas këtij parashikimi pothuajse gjysma e vendeve do të mbahen nga eurodeputetë jashtë grupit të qendrës pro-europiane (ECFR, 2024).

Ndër partitë kryesore në PE përmendim: Partinë Popullore Europiane, socialdemokratët, liberalët, të gjelbërit, bashkësia e të cilëve njihen si grupi i qendrës pro-europiane. Anëtarët e këtyre partive për momentin kanë shumicën e mjaftueshme për të caktuar axhendën dhe për t'i kaluar vendimet në institucionin e parlamentit (REL, 2024)

Madje kanë mundur të bllokojnë anëtarët e ekstremit të djathtë nga mbajtja e ndonjë posti me ndikim në parlament, si kryesimi i komisioneve, përfshirja në negociata apo ulja në zyrën kryesore të PE-së që merret me punët e brendshme të institucionit dhe buxhetin vjetor të tij (Politico, 2024).

Diplomatët në BE janë të mendimit se është herët të parashihet për ndikimet që do të kenë ndryshimet në PE në zhvillimet e unionit, pasi koalicionet mes grupimeve politike në institucionin e parlamentit dallojnë prej atyre në nivele nacionale dhe nuk kanë një model të caktuar (REL, 2024).

Pse po zhvendoset Europa tek e djathta ekstreme?

Rritja e kësaj mbështetjeje besohet se është nxitur nga problematikat me të cilat po përballet Europa sot:

Emigracioni - Qytetarët europianë janë duke i fuqizuar partitë e ekstremit të djathtë, të cilat premtojnë kufizim të migrimit,dhe në disa raste kufizim të lirive demokratike, fetare, të shprehjes dhe të drejtës për të protestuar, në shtete si Franca, Italia, Holanda dhe Austria (REL, 2024). Kriza e emigracionit ka shtuar tensionet politike dhe shoqërore, duke shkaktuar frikë dhe refuzim ndaj pranimit të refugjatëve. Një tjetër faktor lidhet me reagimin kundër globalizmit, multikulturalizmit dhe besimit islam, i përdorur nga radikalët si proces që kërcënon identitetin kombëtar dhe kulturën tradicionale (DW, 2024).

Faktorët ekonomikë - Drejtimi i vëmendjes nga partitë kryesore tek ato të ekstremit të djathtë lidhet me përpjekjet joefikase të BE-së për të frenuar krizat e shumta financiare, rritjen e kostove të jetesës dhe çmimit drastik të energjisë elektrike në mes të një lufte të stanjuar (Politico, 2024).

Përdorimi i frikës dhe zhgënjimit për të fituar besimin në mesin e qytetarëve - është një veçori e të djathtës ekstreme. Pasiguria e qytetarëve europianë ka sjellë suksesin e radikalëve në zgjedhje duke ndikuar në politikën vendase dhe europiane. Krizat me të cilat përballet shoqëria europiane përbëjnë një terren pjellor për rritjen e saj. Humbja e besimit tek elita politika tradicionale e BE-së ka krijuar hapësirë për partitë radikale të djathta që ofrojnë një alternativë për qytetarët e zhgënjyer. Një tjetër metodë e përdorur nga radikalët për të tërhequr votuesit e rinj janë rrjetet sociale, kryesisht Tik-Tok. (DW, 2024).

Për Federico Fubinin (2024)ndryshimet gjeopolitike të kohëve të fundit si: lufta në Ukrainë, konfliktet në lindjen e mesme, perspektiva e rikthimit të Donald Trump në Shtëpinë e Bardhë, janë duke dobësuar shtyllat në të cilat mbështetet stabiliteti i Europës. Këto trazime kanë gërryer legjitimitetin e perceptuar të sistemit dhe kanë shtyrë votuesit të kthehen te partitë të cilat ata nuk i identifikojnë me sistemin ekzitues. Pasiguria gjeopolitike është arsyeja kryesore e zhvendosjes drejt të dajthtës ekstreme të Europës, duhet të pranohet se siguria dhe sovraniteti kërkojnë një integrim politik edhe më të madh (Fubini, 2024).

Cilat mund të jenë disa nga ndikimet si pasojë e rritjes së radikalizmit të djathtë?

Qëndrimi ndaj Bashkimit Europian - Partitë më ekstemiste janë kundër ekzistencës së BE-së, deri në atë masë saqë mendojnë se nuk do të duhej të ekzistonte fare. Por ka parti (jashtë grupit pro-BE), që mbështesin fuqishëm po ashtu zgjerimin e mëtejshëm të unionit, me kushtin që ky zgjerim të mos rezultojë me rritjen e kompetencave për institucionet e unionit. Ka të ngjarë që ky grup të kundërshtojë propozimet për të zbatuar rregulla të përbashkëta duke kërkuar më pak ndërhyrje nga Brukseli në çështjet kombëtare si liritë civile, drejtësia, politikat ekonomike, fiskale dhe rregullatore (ECFR, 2024).

Gjithashtu implikime do të ketë në përpjekjet e BE-së për të garantuar funksionimin e demokracisë, sundimit të ligjit dhe lirive të individit në shtetet anëtare që priren të ndjekin drejtimin e kundërt me atë të BE-së. Kjo do të kthehej në një sfidë për stabilitetin politik të rajonit, duke sjellë polarizim politik, tensione ndëretnike dhe rritje të diskursit të urrejtjes.

Opinioni mbi Rusinë - Disa parti radikale të djathta në Europë shfaqin mbështetje ndaj Rusisë, si në Francë, Austri dhe Gjermani, por ekzistojnë dhe kritike, si në Poloni dhe Itali. Duhet përmendur fakti se shumica e partive të djathta ekstremiste, pavarësisht nëse janë proruse apo jo, filluan të forcohen dukshëm në sondazhe pasi, Vladimir Putin urdhëroi pushtimin e Ukrainës. Kjo mund të ketë shkaktuar reagim duke ushqyer ndjesinë e pasigurisë tek europianët, tek të cilët u zgjuan makthet e rrëzimit  të rendit politik të kohës së pasluftës së ftohtë (Fubini, 2024).  

Rritja e mbështetjes dhe ndikimit për të djathtën ekstreme, e cila mbështet Putinin paraqet rrezik të madh sigurie për kontinentin. Sipas tyre, Rusia nuk paraqet një rrezik akut të sigurisë, gjë që do të sjellë një mungesë koordinimi me NATO-n për politikën e sigurisë dhe të mbrojtjes. Në periudhën afatshkurtër dhe afatmesme, kjo do ta bëjë BE-në të paaftë për të koordinuar mbështetjen thelbësore për Ukrainën. Ndërsa në afat të gjatë do t’i kthejë vendet europiane të prekshme ndaj ndërhyrjeve të huaja armiqësore, në të gjitha aspektet e jetës, duke minuar përfundimisht parimet e demokracisë (Telegrafi, 2024).

Pjesa dërrmuese e tyre nuk shfaqin një mbështetje ndaj Rusisë dhe veprimeve të saj në politikën e jashtme. Ngjitja në pushtet e kryeministres italiane Giorgia Melonit në vitin 2022, politikane nga radhët e konservatorëve të djathtë, shkaktoi shqetësime në BE, pasi ishte në koalicion me disa aleatë të Putinit. Por karrigia e pushtetit jo vetëm e zbuti qëndrimin e saj radikal, por shprehu qëndrimin e saj pro-perëndimor dhe mbështetjen ndaj Ukrainës. Të paktën për momentin.

Ndikimi në procesin e zgjerimit të unionit dhe në drejtimin gjeostrategjik të tij - Radikalët e djathtë do të kenë mundësi për të ndikuar në politikën e Europës duke kërcënuar vlerat e BE-së për sundimin e ligjit dhe të drejtat e njeriut, apo të sjellë përmbysje dhe bllokimin e një sërë nismash ligjore (Politico, 2024). Krijimi i një koalicioni të djathtë populist i kristian-demokratëve, konservatorëve dhe deputetëve të së djathës ekstreme mund të dalë shumicë për herë të parë në historinë e BE-së.

Parlamenti i ardhshëm Europian mund të bllokojë legjislacionin e nevojshëm për zbatimin e disa politikave të BE-së nga ndryshimet klimaterike deri te migracioni, zgjerimi dhe ndihma për Ukrainën (ECFR, 2024). Parlamenti Europian nuk është institucioni më i rëndësishëm i BE-së kur bëhet fjalë për politikën e jashtme, por mënyra se si grupet politike rreshtohen pas zgjedhjeve, dhe ndikimi që kanë në debatet kombëtare në shtetet anëtare, krijon implikime dhe vështirësi në aftësinë e Komisionit Europian dhe Këshillit për të bërë zgjedhje të politikës së jashtme (ECFR, 2024).  Një sfidë më serioze do të jetë suksesi eventual i partive radikale në nivel kombëtar dhe ardhja e tyre në pushtet. Në këtë rast, ato do të kenë fuqi edhe në Këshillin Europian kur ekziston dhe mundësia e vetos (REL, 2024).

Radikalët e djathtë kanë maskuar disi axhendat e tyre raciste. Liderët nacionalistë duken sikur bëhen më të moderuar sapo ngjiten në pushtet. Por në vend që të përqafojnë vlerat e sistemit, ato mund t’i ndryshojnë ato në mënyrë delikate, në funksion të forcimit të pushtetit të tyre (Fubini, 2024). Liderët e të djathtës ekstreme në Europë po kujdesen më shumë për të mos kundërshtuar angazhimet e tyre ndërkombëtare. Pra, janë të kënaqur me zbatimin e politikave radikale brenda vendit, duke mbetur partnerë të besueshëm jashtë vendit (CNN, 2023).

Këshilli Europian përbëhet nga krerët e qeverive të unionit dhe përcakton vijën politike të ndjekur prej BE-së. Gjithashtu, së bashku me Komisionin Europian propozojnë ligje të reja. Rreth tryezës së Këshillit janë 3 radikalë, kryeministrja italiane Meloni, kryeministri Orban i Hungarisë dhe Robert Fico i Sllovakisë (Politico, 2024). Pozicioni i tyre nuk përbën shqetësim serioz deri tani, por kjo duhet parë në një periudhë kohore më të vonshme, se si radikalët do të veprojnë nëse fuqizohen politikisht në institucionet e BE-së.

Përfundime dhe rekomandime

Radikalizmi i djathtë përbën një sfidë të rëndësishme për stabilitetin politik të BE-së dhe rajonit. Ne nuk mund të parashikojmë me saktësi se çfarë do të bëjnë radikalët nëse forcojnë pozitat e tyre politike në PE, por duke njohur karakterin dhe synimet e lëvizjes radikale të djathtë ne mund të përcaktojmë ato aspekte që ndikohen prej tyre. Problemet me të cilat përballet unioni sot janë arsyeja kryesore e mbështetjes së fituar nga radikalët e djathtë. Për të adresuar këtë sfidë, liderët dhe institucionet e BE-së duhet të marrin masat e nevojshme për të parandaluar kthimin e unionit në një organizatë joefikase:

-       Bashkimi Europian duhet të kujdeset për të mbrojtur vlerat demokratike dhe principet e bashkëveprimit. Duke luftuar diskriminimin dhe promovuar dialogun ndërkulturor e bashkëpunimin ndërmjet shteteve anëtare, duhet të punojë për të adresuar arsyet kryesore të pakënaqësisë dhe shqetësimeve të qytetarëve, me qëllim që të parandalojë polarizimin dhe konfliktet shoqërore.

-       Edukimi të përdoret si mjet efektiv për të ndikuar në njohjen e anëve negative të radikalizmit, në mënyrë që të krijohet një brez qytetarësh të informuar dhe të përgjegjshëm. Edukimi dhe ndërgjegjësimi për diversitetin kulturor, të drejtat e njeriut mundëson ndërtimin e urave të bashkëpunimit mes komuniteteve të ndryshme.

-  Të monitorohet gjuha e urrejtjes e përdorur në Parlamentin Europian dhe të merren masa për ndëshkimin e parlamentarëve në rastet e përdorimit të saj. Vëmendje duhet t’i kushtohet edhe rrjeteve sociale, të cilat shërbejnë rëndom për promovimin e urrejtjes ndaj emigrantëve, multikulturalizmit dhe poltikave demokratike europiane. Identifikimi dhe ndëshkimi me ligj i përhapjes së ideologjive të urrejtjes në nivel vendas dhe europian është thelbësore për parandalimin e rritjes së radikalizmit.

-     Bashkëpuninimi ndërmjet Bashkimit Europian dhe partnerëve ndërkombëtarë përbën mjetin më efikas për parandalimin e përhapjes së radikalizmit. Hartimi i politikave të përbashkëta, shkëmbimi i informacionit dhe praktikave të mira kundër ekstremizmit, mund të përforcojë përpjekjet për parandalimin e përhapjes së radikalizmit të djathtë në union.


Igli Domi, Fitues i Konkursit për Ditën e Europës 2024 - "Vibrant Voices", maj 2024


*Igli Domi ka përfunduar studimet e larta Bachelor dhe Master në Histori pranë Universitetit "Aleksandër Moisiu" Durrës. Ka marrë pjesë në aktivitete dhe trajnime të ndryshme shkencore në fokusin e të cilave kanë qenë edukimi, historia dhe politika. Nëpërmjet këtyre aktiviteteve, ai  mundohet që të ndikojë tek të rinjtë, dhe këtë e shpreh në kontributin e tij akademik të realizuar deri tani.

 

Referenca:

 

CNN. (2023). Why are far-right parties on the march across Europe? Retrieved from https://edition.cnn.com/2023/07/22/europe/europe-populism-far-right-extreme-intl-cmd/index.html

Deutsche Welle. (2024). AfD eyes young voters in Germany for EU election boost. Retrieved from  https://www.dw.com/en/eu-elections-will-young-german-voters-boost-far-right-afd/a-68411584

Deutsche Welle. (2024). EU braces for right-wing boost in Parliament. Retrieved from https://www.dw.com/en/right-wing-parties-expected-to-gain-ground-in-eu-election/a-68456233

ECFR. (2024). A sharp right turn: A forecast for the 2024 European Parliament elections. Retrieved from European Council on Foreign Relations: https://ecfr.eu/publication/a-sharp-right-turn-a-forecast-for-the-2024-european-parliament-elections/

Fubini, F. (2024). Why Is Europe Moving Rightward? Retrieved from Project Syndicate: https://www.project-syndicate.org/commentary/europe-right-wing-nationalist-parties-fears-of-decaying-political-order-by-federico-fubini-2024-03

Politico. (2024). This time, the far-right threat is real. Retrieved from https://www.politico.eu/article/brussels-braces-for-far-right-wave-as-eu-election-looms/

Radio Evropa e Lirë. (2024). Rritja e pritur e së djathtës në PE mund të ndikojë në zgjerim. Retrieved from https://www.evropaelire.org/a/ekstremi-i-djathte-rritje-parlamenti-evropian-/32793479.html.

Radio Evropa e Lirë. (2024). Si u rrit sërish e djathta ekstreme në Gjermani? Retrieved from https://www.evropaelire.org/a/gjermani-rritje-djathta-ekstreme-/32866269.html

Telegrafi. (2024). E djathta ekstreme pro-Putin, po marshon në të gjithë Europën. (The Guardian) Retrieved 4 2024, from https://telegrafi.com/e-djathta-ekstreme-pro-putin-po-marshon-ne-te-gjithe-evropen/

Voice of America. (2024). Right-Wing Nationalists Rising-and Divided-as EU Vote. (By Agence France-Presse) Retrieved 5 2024, from Voice of America: https://www.voanews.com/a/right-wing-nationalists-rising----and-divided----as-eu-vote-looms-/7521367.html

 

1085Ndjekës
6323Ndjekës
1989Ndjekës
23Abonues

Youtube Videos

European Movement International
European Movement International
Ambassade_Niva2_Engelsk