Integrimi i Shqipërisë në Bashkimin Europian dhe efektet në ekonominë bujqësore vendase

Integrimi i Shqipërisë në Bashkimin Europian dhe efektet në ekonominë bujqësore vendase

Shqipëria gjatë gjithë historisë së saj ka qenë një vend bujqësor. Zhvillimet e pas viteve 90' ku vendi ka si përparësi anëtarësimin në BE, tregojnë se në axhendën shqiptare bujqësia mbetet sektor shumë i rëndësishëm. Bazuar në nenet e MSA-së për fushën e prodhimit bujqësor, objektivi kryesor është përafrimi gradual i legjislacionit shqiptar me atë të BE-së, si edhe zhvillimi i strategjive për përdorimin e tokës, tregun e tokës, zhvillimin rural, diversifikimin e aktiviteteve fermere dhe rritjen e konkurueshmërisë në bujqësi. Duhet theksuar fakti se edhe për BE-në bujqësia është një nga sektorët më të rëndësishëm, prandaj edhe kapitulli për Bujqësinë gjatë hapjes së negociatave është një nga më kryesorët dhe për këtë arsye BE-ja jep ndihma të vazhdueshme për rimëkëmbjen e saj.

Ekonomia shqiptare ka përfituar nga fondet e BE-së në disa drejtime kryesore, të tilla si transferimet buxhetore nëpërmjet programeve të granteve, të cilat i kanë përfituar edhe vende të tjera të rajonit siç janë PHARE, SAPARD, ISPA, Instrumenti i Para Aderimit (IPA), TEMPUS, dhe së fundmi programi IPARD-like (Preci, Z. 2012 ). Pavarësisht përpjekjeve për të mbështetur sektorin bujqësor, nga pikëpamja e zhvillimit ekonomik sektori i bujqësisë nuk është aty ku duhet të jetë.

Kontributi i bujqësisë në prodhimin e brendshëm bruto

Shqipëria mbetet vendi me peshën më të lartë të bujqësisë në raport me Prodhimin e Brendshëm Bruto (PBB) në Europë dhe gati sa dyfishi i rajonit. Në Maqedoni, bujqësia zë 10.2% të peshës në totalin e PBB-së; në Bosnjë, vetëm 7.8% të PBB-së; në Serbi zë 9.7%. Në vendet e zhvilluara të BE, bujqësia zë rreth 2% të PBB-së(Monitor.al, 2017).

Sipas të dhënave të INSTAT mbi tregtinë e jashtme, eksportet e frutave dhe perimeve u rritën me 10% në vitin 2019, por pavarësisht kësaj, tregtia e produkteve bujqësore në tërësinë e saj rezulton me defiçit tregtar, vendi vijon të importojë produkte ushqimore 4.7 herë më shumë se sa eksporton. Megjithatë vihet re se nga viti  2014 eksportet e prodhimeve bujqësore kanë pësuar rritje duke e zvogëluar bilancin negativ tregtar të sektorit bujqësor krahasuar me vitet e kaluara. Shkak për këtë janë shtrirja në tregje të reja nga rritja e kontratave me jashtë por edhe politikat lehtësuese nxitëse.Eksportet shqiptare drejt Bashkimit Europian kanë njohur rritje pothuajse çdo vit që nga hyrja në fuqi e pjesës tregtare të MSA-së. Importuesit kryesorë të prodhimeve bujqësore shqiptare janë vende anëtare të BE, kryesisht Italia, Greqia dhe Gjermania, Suedia, Çekia, Anglia, Polonia, Kroacia.

Kontributi i bujqësisë në punësim

Në një vend si Shqipëria, bujqësia ka qenë burimi kryesor i punësimit. Megjithatë, nga viti 2000 deri në vitin 2019, shkalla e punësimit në sektorin privat bujqësor është përgjysmuar, ndërsa ajo e sektorit privat jo-bujqësor gati është katërfishuar (IPPM, 2017). Të dhënat e anketimeve të ndryshme tregojnë se në Shqipëri aftësitë e fuqisë punëtore në bujqësi janë reduktuar si pasojë e plakjes, emigrimit dhe mungesës së mundësive të të punësuarëve rishtas për tu arsimuar apo trajnuar. Megjithatë, bujqësia vijon të dominojë ekonominë shqiptare për nga numri i të punësuarëve me 40 % të totalit ne vitin 2019.

Analiza e faktoreve për situaten dhe perspektivat

Reforma e nisur në bujqësi përmbledh një sërë politikash të domosdoshme, përfundimi me sukses i të cilave do të krijonte kushtet e duhura për perspektivën e bujqësisë shqiptare në BE. Disa nga faktorët kryesorë janë: financimi, informaliteti, kultura e të bërit biznesit, njohja e tregjeve europiane, transporti dhe praktikat doganore, mekanizimi i proceseve, dhe marketimi i produktit.                      

Financimi i sektorit bujqësor

Skema e Grantit IPARD-like është bashkë-financuar nga BE (75%) dhe Qeveria Shqiptare (25%). Nga zbatimi i IPARD-like janë disbursuar 5.3 mln euro për investime në fermë dhe agropërpunim nga të cilat kanë përfituar 85 subjekte (MBZHR). Në terma praktikë zbatimi i granteve “IPARD-like” të BE nënkupton futjen e teknologjisë dhe teknikave moderne me prodhuesit dhe përpunuesit bujqësorë. Aplikantet që paraqesin projekte që përmbushin kërkesat dhe i sjellin më shumë vlerë të shtuar sektorit, rrisin konkurrencën brenda sektorit dhe nxisin përpunimin bujqësor.

Pavarësisht hartimit të këtij programi dhe faktit që bujqësia po vijon të japë një kontribut të rëndësishëm në buxhetin e shtetit, vendi vazhdon të mbetet importues masiv i produkteve bujqësore. Megjithatë, vitet e fundit është shënuar një progres i ndjeshëm në bujqësi. Programi i subvencioneve të drejtpërdrejta nga buxheti i shtetit i iniciuar në vitin 2008 dhe në vazhdim, ka dhënë frytet e tij duke dyfishuar prodhimin vendas dhe ulur ndjeshëm defiçitin tregtar. Kjo ka ndikuar në rritjen e sipërfaqeve të mbjella dhe përfitimin nga subvencionet e rreth mesatarisht 7,000 fermerëve në vit.

Por, theksi më i madh duhet t’i jepet mbështetjes financiare për investime në vend të pagesave të drejtpërdrejta. Institucionet financiare duhet të kuptojnë më mirë specifikat e bujqësisë në mënyrë që të mbështesin sipërmarrës të të gjithë sektorëve përfshirë prodhimin, bujqësinë, blegtorinë dhe tregtinë, duke zhvilluar një portofol kredie të diversifikuar (Pilku I., 2018)

Informaliteti: Ekonomia rurale ka një informalitet relativisht të lartë që konsiderohet i papranueshem prej kritereve që kërkohen per tu integruar në tregun bujqësor europian. Në një studim të realizuar nga Foreign Investors Association in Albania dhe Albanian Savings and Credit Union, ka rezultuar se  88% e fermerëve të intervistuar nuk kanë NIPT dhe vetëm 32% e tyre janë të regjistruar në Drejtorinë e Bujqësisë.

Infrastruktura: është një nga faktorët më të rëndësishëm për rritjen rurale. Ajo ndikon në kushtet e prodhimit, qasjen në treg dhe tërheqjen e investimeve. Ekonomia bujqësore shqiptare është e përqendruar në zonat rurale. Infrastruktura logjistike e pazhvilluar si ajo e infrastrukturës rrugore, kanaleve ujitëse, mungesa e energjisë dhe vështirësia e aksesimit të tregjeve nga bujku i zonave rurale janë faktorët kryesorë që pengojnë zhvillimin bujqësor.

Sfidat dhe përfitimet ekonomike të sektorit bujqësor

Studime të ndryshme si dhe përvoja e vendeve që tashmë janë anëtarë të BE-së tregojnë se përfitimi kryesor i pritshëm i anëtarësimit është pjesëmarrja e eksporteve shqiptare në tregjet e huaja, nxitja e strukturave konkuruese dhe përmirësimet që lidhen me eficiencën, që në një periudhë afatgjatë do të çojnë në forcimin e ekonomisë shqiptare. Ndërsa kostot e vlerësuara të këtij procesi lidhen kryesisht me ndryshimin që sjell ndryshimi nga një “ekonomi e mbrojtur” në një ekonomi të hapur dhe konkuruese.

Sigurisht që integrimi në BE do të sjellë sfida të forta në periudhë afatshkurtër dhe zhvillim ekonomik të qëndrueshëm në periudhë afatgjatë (Preci Z., 2012).                                                                              

Në aspektin afatshkurtër, hapet një treg i madh në të cilin prodhuesit shqiptarë mund të eksportojnë produktet e tyre dhe të diversifikojnë tregëtinë. Eliminimi i tarifave dhe barrierave do të sjellë zvogëlimin e kostove tregtare dhe do t’u mundësojë fermerëve shtrirjen në tregje të reja.                                                                                                                                 

Por, nga ana tjetër, prodhuesit shqiptarë do të ekspozohen edhe ndaj një konkurueshmërie të lartë nga mallrat europiane. Por, ky rrezik pritet të kundërbalancohet nga rritja e eksporteve shqiptare si dhe nga hapja e bizneseve të reja me kapital shqiptar apo të huaj që do të shfrytëzojnë mundësitë pozitive që ofron Shqipëria (Preci Z., 2012). Plotësimi i standardeve europiane do të rrisë besueshmërinë në cilësinë e produkteve shqiptare, të denja për tregun europian duke rritur  edhe mundësitë e ndërmarrjeve shqiptare për të eksportuar drejt Bashkimit Europian.                                                                

Konkluzione dhe rekomandime

Performanca ekonomike e sektorit bujqësor është ende e ulët për shkak të mungesës së organizimit të parcelave bujqësore të cilat janë të vogla dhe të fragmentuara dhe nivelit të ulët të teknologjisë e cila sjell një produktivitet më të ulët krahasuar me mesataret e BE-së.

Çështjet prioritare që meritojnë vëmendje për të përmirësuar efikasitetin e politikës bujqësore, për të stimuluar  rritjen e sektorit bujqësor dhe për ta bërë të konkurueshme bujqësinë shqiptare me nivelet e bujqësisë së vendeve fqinje, mund të veçohen:

-Mbështetje financiare me grante për fermat

-Përmirësimi i infrastruktures së zonave rurale, bizneseve bujqësore dhe të agro-përpunimit

-Rishikimi dhe implementimi i reformave të tokës

-Krijimi i organizatave të prodhuesve dhe aplikimi i metodave të marketingut për promovimin e produkteve bujqësore

-Implementimi i sistemeve teknologjike bashkëkohore

-Diversifikimi i aktiviteteve të fermës dhe rritja e cilësisë së prodhimeve.


Politikat që po ndërmerr qeveria për përfshirjen e fermerëve me fonde mbështetëse për bujqësinë njëkohesisht edhe duke e formalizuar atë, do të përmirësojë sigurisht edhe klimen e kreditimit nga institucionet financiare. Formalizimi i sektorit e ndihmon bujkun e patrajnuar shqiptar të mendojë racionalisht në mbarëvajtjen e fermës si një aktivitet i mirëfilltë biznesi. Me integrimin në BE, barrierat për transferimin e teknologjisë do të eliminohen dhe kjo do të sjellë rritjen e aksesit në sferën e inovacionit dhe modernizimin e teknologjisë në fermat shqiptare.

Me lehtësimin e barrierave doganore  do të mundësohet lëvizja e lirë  e mallrave  duke aksesuar tregjet europiane  në afate kohore më të shkurtra. Pozicioni ynë gjeografik na favorizon të servirim prodhimet shqiptare në zemër të tregjeve europiane brenda pak oresh. Kjo do të mundësonte edhe ruajtjen e një cilësie më të lartë për produktet bujqësore të freskëta me origjinë shqiptare.

Është për të ardhur keq që nga partnerët tanë europian vërehet mungesa e plan bizneseve cilësore nga operatorët shqiptarë të sektorit agro-bujqësor, që për pasojë ka vonuar lëvrimin e fondeve që BE i lëvron nëpërmjet projekteve të ngjashme si IPARD etj. Përvoja ka provuar se integrimi europian krijon mundësitë për rritjen e prodhimit vendas, zgjerimin e biznesit privat dhe tërheqjen e investimeve të huaja për shkak se integrimi europian zvogëlon riskun politik të vendit dhe shërben si garanci për investitorët dhe institucionet financiare ndërkombëtare.

Erkinela Nushi, maj 2021

*Erkinela Nushi ka mbaruar studimet Master i Shkencave në Financë, në Universitetin “Ismail Qemali” Vlorë. Prej pesë vitesh ushtron profesionin e Financieres. Njekohesisht, prej dy vitesh është e angazhuar në Universitetin “Ismail Qemali” në rolin e Asistent Lektore, në departamentin e Financës.

 

Referenca:

Instituti i Statistikave (INSTAT), http://www.instat.gov.al/

Foreign Investors Association in Albania – FIAA and Albanian Savings and Credit Union – ASC Union 14 July, 2014 “Albanian agriculture seen from the everyday farming: a survey on Albanian farmers and EU exports”

Strategjia Ndërsektoriale për Zhvillimin Rural dhe Bujqësor në Shqipëri , Burimi:    EUROSTAT, 2013

Ministria e Bujqësisë dhe zhvillimit Rural, “Programi IPARD II (2014-2020)”, https://bujqesia.gov.al/programi-ipard-ii-2014-2020/

Raporti i Tregut të Punës në Shqipëri, Shtator 2017, Instituti për Politika Publike dhe Mirëqeverisje (IPPM)

Preci, Z. (01.02.2012) “Integrimi europian në këndvështrimin ekonomik” https://europaesse.wordpress.com/2012/02/01/integrimi-europian-ne-kendveshtrimin-ekonomik/

https://www.monitor.al/rajoni-konkurron-teknologji-shqiperia-rikthehet-ne-vend-bujqesor/

Ilir Pilku, “Potenciali i bujqesise shqiptare dhe mundesite e financimit”, 2018.

1085Ndjekës
6323Ndjekës
1989Ndjekës
23Abonues

Youtube Videos

European Movement International
European Movement International
Ambassade_Niva2_Engelsk