Ekonomia e Bashkimit Europian përballë krizës së COVID-19

Ekonomia e Bashkimit Europian përballë krizës së COVID-19

Ndër iniciativat më të rëndësishme pjesë e kësaj analize janë paketat dhe skemat financiare të planifikuara nga BE si dhe propozimi për një plan Marshall për të ndihmuar dhe shmangur katastrofën ekonomike të krijuar. Rezultatet tregojnë se solidariteti i shprehur në një sërë masash të qëndrueshme për të mbështetur ekonomitë e vendeve të Unionit, të cilat janë më të prekura dhe në prag recensioni, si dhe nga ana tjetër investimi i shteteve anëtare për buxhetin e Unionit, çojnë në zgjidhjen e kërkuar  të problemit.

***

1. Hyrje

Sipas Qendrës Europiane për Parandalimin dhe Kontrollin e Sëmundjeve, në fund të dhjetorit 2019, autoritetet kineze të shëndetit publik raportuan disa raste të sindromës akute të frymëmarrjes në qytetin Wuhan, provincën Hubei, Kinë. Shkencëtarët kinezë identifikuan një koronavirus të ri si agjentin kryesor shkaktar.

Pandemia e COVID-19 u shoqërua me një tronditje të madhe për ekonominë globale dhe europiane. Shumica e vendeve europiane morën masa të guximshme si karantina dhe mbyllja e shumë aktiviteteve ekonomike e sociale për të parandaluar një shpërthim më të madh të epidemisë që do të çonte në rritjen e numrit të vdekjeve, si dhe rënien e sistemeve të kujdesit shëndetësor. Masat që kufizuan ndërveprimin social u pasuan nga efekte të rënda ekonomike. Fillimisht, tronditja për ekonominë europiane rezultoi nga ndërprerjet e zinxhirit të furnizimit me Kinën. Me përhapjen e virusit, u miratuan masa të mëtejshme të bllokimit veçanërisht nga Italia. Fillimisht më tepër u prek  turizmi dhe sektorët e transportit por me masat gjithëpërfshirëse efektet u bënë të ndjeshme në pothuajse çdo fushë të ekonomisë.( Demertzis, Sapir, Tagliapietra dhe Wolff, 2020).

Teksa udhëtarët anuluan fluturimet, bizneset u kërkuan punëtorëve të qëndrojnë në shtëpi, kriza globale shëndetësore e koronavirusit u shndërrua shumë shpejt dhe në një krizë globale ekonomike. Në çdo krizë shëndetësore, shqetësimi i parë është (dhe duhet të jetë) shëndeti i të prekurve, por për fat të keq, ndikimet ekonomike gjithashtu kanë efekte dramatike në mirëqenien e familjeve, komuniteteve dhe politikave shtetërore. (Evans dhe Over, 2020)

2. Instrumentet e përbashkëta ekonomike dhe divergjencat për zgjidhjen e krizës

Bashkimi Europian në gjithë historinë e funksionimit të tij është përballur me sfida nga më të ndryshmet të cilat pavarësisht kontradiktave për rrugën dhe mënyrën e zgjidhjes mes shteteve anëtare, ka arritur të qëndrojë i bashkuar dhe ti adresojë ato. Kriza e koronavirusit po shoqërohet me pasoja të rënda dhe nga ana tjetër dhe zgjidhjet e ofruara për tejkalimin e saj ende mbeten jo plotësisht të qarta.

Gjatë krizës financiare të vitit 2008, shumë studiues parashikuan rrëzimin e projektit të valutës europiane. Kriza e koronavirusit për BE-në mbetet edhe një sfidë fiskale dhe jo thjesht monetare. Në vitin 2008, sektori bankar ishte epiqendra e krizës. Banka Qendrore Europiane (ECB) mundi të luftojë duke siguruar likuiditet në tregjet financiare dhe duke mbështetur bankat. Pasoja ekonomike e COVID-19 godet të gjithë anëtarët e bllokut të monedhës. Por në këtë rast nuk ekziston asnjë mekanizëm që lejon qeveritë e eurozonës të përgjigjen së bashku ndaj një tronditjeje të tillë. Rezultati është se reagimet e politikës ndaj pandemisë theksojnë më shumë ndryshimet sesa e bashkojnë Europën në një kohë krize (Tooze dhe Schularick, 2020)

Sipas Njësisë së Inteligjencës Ekonomike(2020), ekonomia globale do të tkurret me 2.5% në vitin 2020 si rezultat i pandemisë. Në Europë, efektet mund të jenë edhe më të rënda - një parashikim i një rënie të PBB-së së Eurozonës deri në 7%.

Për zgjidhjen e një krize të tillë brenda shteteve anëtare dy janë opsionet kryesore më të diskutuara:

Opsioni i parë është propozuar nga nëntë krerë qeverie, të Belgjikës, Francës, Greqisë, Irlandës, Italisë, Luksemburgut, Portugalisë, Sllovenisë dhe Spanjës, të cilët kanë bërë thirrje për krijimin e "një instrumenti të borxhit të përbashkët" - për të mbledhur fonde për të luftuar pandeminë. ( Fleming, 2020). Mbështetur nga Franca, Spanja dhe shtatë vendet e tjera të eurozonës, Italia propozon një "coronabond" - domethënë, borxh i mbështetur nga BE për të ndihmuar vendet anëtare nga një recesion dhe për të rritur shpenzimet për kujdesin shëndetësor. Por ideja e borxhit të përbashkët kundërshtohet nga Gjermania, Austria , dhe Holanda, të cilat shmangën konceptin e ngjashëm të "eurobondeve" gjatë krizës së eurozonës disa vjet më parë. ( Rankin, 2020) Gjermania është e mendimit se financat janë përgjegjësi e vet shteteve dhe secili shtet anëtar i BE-së duhet të kontrollojë financat e tij. Natyrisht që ky opsion ka dhe avantazhet dhe disavantazhet e tij kryesore të cilat qëndrojnë dhe në thelb të kundërshtive midis shteteve.

Një nga avantazhet e “coronabond” është se shtetet mund të marrin ndihmë ekonomike pa zgjeruar borxhin e tyre kombëtar.  Disavantazhi kryesor  i saj është se kjo iniciativë do të ndihmonte vetëm faljen e borxhit në të ardhmen, duke mos  bërë dallimin midis borxhit të lidhur me koronavirusin dhe borxhit të trashëguar të vendeve anëtare. Zbatimi i saj  mund të zgjasë shumë kohë ku, nga ana tjetër, vonesa nuk është një zgjidhje ideale për vendet që kërkojnë të përfitojnë menjëherë nga fondet. (halofinancial 2020)

Tooze dhe Schularick (2020), theksojnë se dallimet ekzistuese në gjendjen fiskale të secilit shtet po shkaktojnë një divergjencë të mprehtë dhe sa më gjatë të zgjasë kriza, aq më të dukshme priten të bëhen këto ndryshime. Jo të gjitha vendet janë në gjendje të krijojnë mbështetje për ekonomitë e tyre në të njëjtën shkallë. Me kalimin e kohës, kjo mund të shkaktojë një dinamikë politike që mund të vendosë përsëri eurozonën në rrezik.

Pavarësisht divergjencave, liderët e BE kanë ndërmarrë shumë iniciativa dhe miratuar instrumente financiare të përbashkëta për të përballuar krizën. Vëmendja është drejtuar për të forcuar sektorin e kujdesit shëndetësor dhe mekanizmat e mbrojtjes civile dhe për të mbështetur punëtorët dhe sektorët ekonomikë më të prekur. Për më tepër, Shtetet Anëtare janë angazhuar të ofrojnë mbështetje të likuiditetit për sektorët dhe kompanitë që përballen me mungesë e tij. Më 23 mars, Ministrat e Financave ranë dakord për të ofruar fleksibilitetin e nevojshëm për buxhetet kombëtare për të mbështetur ekonominë dhe për t'iu përgjigjur në mënyrë të koordinuar ndikimit të pandemisë. (Këshilli Europian, 2020).

Propozimi nga Komisioni Europian për një Iniciativë të Investimeve si Përgjigje ndaj Koronavirusit u miratua nga Parlamenti Europian dhe Këshilli dhe është në fuqi që nga 1 prilli. Kjo lejon përdorimin e 37 miliardë € nën politikën e kohezionit për të adresuar pasojat e krizës si dhe për të mbështetur sistemet e kujdesit shëndetësor, ndërmarrjet e vogla dhe të mesme dhe tregjet e punës në BE. Për më tepër, fushëveprimi i Fondit të Solidaritetit është  zgjeruar dhe duke filluar nga 1 prilli, kjo lejon që Shtetet Anëtare të goditura më shumë të kenë mundësinë e përdorimit të mbështetjes financiare deri në 800 milion € në vitin 2020. BE gjithashtu ka riaktivizuar Instrumentin e Ndihmës Urgjente. Ky instrument në këtë fazë mund të sigurojë mbështetje prej 2.7 miliardë € nga burimet e buxhetit të BE-së. Fuqia e tij mund të shtohet përmes kontributeve shtesë vullnetare nga Shtetet Anëtare. (Këshilli Europian, 2020)

Vendet e BE-së kanë rënë dakord për të krijuar, për kohëzgjatjen e emergjencës, një instrument të përkohshëm të bazuar në hua për ndihmë financiare, sipas nenit 122 të Traktatit mbi Funksionimin e Bashkimit Europian. Ky instrument do të ofronte ndihmë financiare gjatë kohës së krizës, në formën e huave të dhëna me kushte të favorshme nga BE për shtetet anëtare, deri në 100 miliardë €në total. Për këtë, shtetet anëtare duhet të japin garanci në buxhetin e BE-së. Instrumenti mund të mbështesë kryesisht përpjekjet për të mbrojtur punëtorët dhe vendet e punës, duke respektuar kompetencat kombëtare në fushën e sistemeve të sigurimeve shoqërore dhe disa masa që lidhen me mbrojtjen e shëndetit. Në përputhje me bazën e tij ligjore, qasja në instrument do të ndërpritet pasi të ketë kaluar emergjenca e COVID-19. ( European Council 2020)

Një nga idetë më të diskutuara për të rimëkëmbur ekonominë europiane nga pasojat e COVID-19 është ajo e krijimit të një Plani Marshall për Europën, duke ndjekur modelin e planit të pas Luftës së Dytë Botërore. Në zemër të kësaj iniciative, ashtu siç është shprehur dhe Presidentja e Komisionit Europian Ursula Von der Leyen, duhet të qëndrojë një buxhet i ri i fuqishëm i BE-së. Ajo, dhe të tjerët që janë dakord me të, besojnë se buxheti i BE-së mund të veprojë si një "instrument solidariteti dhe modernizimi" për të ndihmuar ato vende që kanë më shumë nevojë - të tilla si Italia dhe Spanja, ku numri i të vdekurve dhe rënia ekonomike ka qenë më e rëndë. Sipas saj kjo është arsyeja pse paratë në buxhetin e ardhshëm të BE-së duhet të investohen në një mënyrë të zgjuar dhe të qëndrueshme për ruajtjen dhe rinovimin e ndjenjës së përkatësisë midis kombeve të Europës. Por kjo strategji ka kritikat e saj brenda unionit. Ekonomistë të disa prej vendeve më të pasura të Europës, të tilla si Gjermania dhe Holanda, kanë shprehur shqetësime për idenë. Frika qëndron se kjo ide mund të minojë politikat fiskale kombëtare dhe madje të dekurajojë planifikimin e shëndoshë ekonomik në disa vende.(Fleming, 2020)

Mendoj se një krizë e cila nuk njeh kufij,  më e madhja që nga Lufta e Dytë Botërore,  nuk mund të zgjidhet individualisht apo nëpërmjet barrierave mes shteteve. Lufta e Dytë Botërore i  bashkoi vendet europiane dhe Plani Marshall ndihmoi për të rimëkëmbur ekonominë e shkatërruar europiane. Përballja me COVID-19 po e vendos Bashkimin Europian përballë sfidës më të madhe që nga krijimi. Kjo krizë ka vënë në pikëpyetje  disa nga parimet  thelbësore  rreth të cilave qëndrojnë të lidhura shtetet e tij dhe aftësinë që do të ketë Unioni për të qenë i bashkuar në kapërcimin e saj.

3. Konkluzione

Pandemia e COVID-19 tashmë përbën një sfidë me pasoja shumë të rënda socio-ekonomike për të gjithë botën dhe Bashkimin Europian. Ndikimi i virusit dhe implikimet ekonomike të lidhura me të po ndjehen në të gjithë Europën. Një përgjigje e përbashkët ndaj një tronditjeje të tillë është e nevojshme për të rritur besimin e ndërsjellë për të ndarë barrën brenda familjes europiane. (Demertzis et al, 2020) Rimëkëmbja e shpejtë dhe konvergjenca, duke u siguruar se askush nuk do të lihet pas, do të forcojnë përfitimet e tregut të brendshëm në avantazhin e të gjithë Unionit, ndërsa divergjencat e mëdha do të jenë të dëmshme. Një Europë ekonomikisht më e qëndrueshme do të mbetet e rëndësishme edhe në skenën globale dhe do të luajë rolin gjeopolitik të ciln e aspiron. Ajo gjithashtu  do të jetë më mirë e përgatitur për t'u përballur me konkurrencën globale, e cila mund të bëhet edhe më e ashpër pas krizës së COVID-19. (Massari, 2020)

Dr. Dhurata Milori, qershor 2020

*Dr. Dhurata Milori është pedagoge me kohë të plotë në Departamentin e Shkencave Politike, Fakulteti i Shkencave Sociale, Universiteti i Tiranës, nga Nëntori i vitit 2015. Prej vitit 2017 është pjesë e stafit të modulit Jean Monnet të financuar nga Komisioni Europian "Resilience and European Integration for the Western Balkans". Ka Përfunduar studimet e Doktoraturës në Shtator 2015 në "Legjislacion dhe Institucionet e Bashkimit Europian" nga Instituti i Studimeve Europiane, Universiteti i Tiranës. Ajo gjithashtu ka përfunduar studimet në fushën e drejtësisë në Fakultetin e Drejtësisë të Universitetit të Tiranës. 

 

***

BIBLIOGRAFIA:

 Demertzis. M, Sapir. A, Tagliapietra.S dhe Wolff. G. B,(2020) An effective economic response to the coronavirus in Europe, Policy Contribution Issue n ̊6 ,Bruegel , f 1-8

Evans. D, Over. M , (2020), The Economic Impact of COVID-19 in Low- and Middle-Income Countries, Center For Global Development në https://www.cgdev.org/blog/economic-impact-covid-19-low-and-middle-income-countries 

 

European Centre for Disease Prevention and Control, COVID-19, (2020)

https://www.ecdc.europa.eu/en/novel-coronavirus-china , aksesuar në Prill 2020

European Council, (2020), Report on the comprehensive economic policy response to the COVID-19 pandemic , në: https://www.consilium.europa.eu/en/press/press-releases/2020/04/09/report-on-the-comprehensive-economic-policy-response-to-the-covid-19-pandemic/ 

Fleming.S, (2020), Do we need a new Marshall Plan to rebuild Europe after COVID-19?, World Economic Forum, në https://www.weforum.org/agenda/2020/04/marshall-plan-spain-europe-coronavirus/

Massari.M (2020), An “EU-owned’ New Deal for the post-COVID world, Euractiv, në https://www.euractiv.com/section/coronavirus/opinion/an-eu-owned-new-deal-for-the-post-covid-world/

Rankin.J, (2020),  EU leaders clash over economic response to coronavirus crisis, The Guardian, në

https://www.theguardian.com/world/2020/mar/26/eu-leaders-clash-over-economic-response-to-coronavirus-crisis 

Tooze.A, Schularick.M, (2020), The shock of coronavirus could split Europe – unless nations share the burden, The Guardian në https://www.theguardian.com/commentisfree/2020/mar/25/shock-coronavirus-split-europe-nations-share-burden 

https://www.halofinancial.com/eurozone/euro-coronabonds

1085Ndjekës
6323Ndjekës
1989Ndjekës
23Abonues

Youtube Videos

European Movement International
European Movement International
Ambassade_Niva2_Engelsk