"Ne do të mbajmë tregje të hapura duke vënë në dukje rëndësinë e kornizave reciproke dhe të dobishme të tregtisë dhe investimeve, parimin e mosdiskriminimit dhe të vazhdojmë të luftojmë kundër proteksionizmit, duke përfshirë të gjitha praktikat e padrejta tregtare dhe të njohim rolin e instrumenteve legjitime të mbrojtjes tregtare në këtë drejtim". Por ky premtim nuk ishte i mjaftueshëm për Merkelin që të pengonte një raund të ri tarifash nga Presidenti i SHBA, Donald Trump. Ai po konsideron të kalojë masa të reja ndëshkuese kundër importeve të ndryshme në ditët në vijim, duke përfshirë edhe produktet gjermane, si një përgjigje ndaj hedhjes së çelikut në tregun amerikan. "Nuk mund të parashikoj se çfarë do të ndodhë nesër, ose një ditë më pas", -u shpreh Merkel. Për të shmangur një luftë tregtare, vendet e G20 ranë dakord të japin informacion deri në gusht rreth kapacitetit të tepërt të çelikut, në mënyrë që OECD të mund të përgatitë një raport deri në nëntor me zgjidhjet e mundshme.
"Ne kemi një plan mjaft ambicioz", pohoi Merkel.
Merkel arriti të mbajë formulën e anti-proteksionizmit, që samiti i G7 e miratoi majin e kaluar, por ajo nuk arriti në një qëndrim të përbashkët nga të gjithë udhëheqësit e G20, përfshirë Trump, mbi klimën dhe energjinë. Një qëndrim i përbashkët mbi këtë temë ishte një prioritet për Presidencën Gjermane të G20. Pas vendimit të Trump për t'u tërhequr nga marrëveshja e Parisit, Berlini dëshironte një deklaratë të përbashkët duke iu referuar nevojës për të kufizuar emetimet e CO2 dhe një plan veprimi për ta zbatuar atë. Por pas bisedimeve rraskapitëse, negociatorët më në fund pranuan se SHBA nuk do të mbështesin tekstin e përbashkët.
Si rezultat, në deklaratën e përbashkët të G20 u përfshi një paragraf, i cili shpreh se "kjo deklaratë e përbashkët, pa asnjë dyshim, tregon se çfarë duan SHBA dhe çfarë duan vendet e tjera", siç tha Merkel. "Shtetet e Bashkuara të Amerikës deklarojnë se do të përpiqen të punojnë bashkarisht me vende të tjera për t'i ndihmuar ata të hyjnë dhe të përdorin lëndët djegëse fosile më të pastër dhe efikase dhe të ndihmojnë në vendosjen e burimeve të rinovueshme dhe të tjera të pastra të energjisë, duke pasur parasysh rëndësinë e aksesit dhe sigurinë në energji në kontributet e tyre të përcaktuara në nivel kombëtar". Ndërkohë, vendet e tjera ritheksuan se marrëveshja e Parisit është "e pakthyeshme".
Rezultatet e kufizuara të arritura nga G20 për të larguar rrezikun nga një luftë tregtare ose për t'i kthyer SHBA-ve një konsensus minimal për të luftuar kundër ndryshimit të klimës provuan vështirësitë e tyre për të shërbyer si një forum i qeverisjes globale.
Euractiv, korrik 2017