Berlini kërkonte medoemos të shmangte diskutimin e problemeve të Deutsche Bank. E megjithëse Lagarde ishte në dijeni të kësaj, ajo përsëri dha disa këshilla shumë të ashpra për bankën më të madhe në Gjermani. Ajo tha se kjo bankë duhet të ndryshojë modelin e biznesit. Po ashtu, i bëri presion për të pranuar me shpejtësi kushtet e rregullatorëve amerikanë për gjobën kolosale prej 14 miliardë dollarësh që Departamenti Amerikan i Drejtësisë i ka vendosur këtij huadhënësi.
Jeroen Dijsselbloem, Ministri holandez i Financave dhe President i këshillit të ministrave të financës së zonës euro, mbështeti gjermanët në përplasjen e tyre me amerikanët. Ai u shpreh se gjoba prej 14 miliardë dollarësh që Departamenti Amerikan i Drejtësisë i ka ngarkuar Deutsche Bank jo vetëm që është shumë e madhe, por përbën rrezik për qëndrueshmërinë financiare globale.
Duke parë se çfarë u thanë nga liderët financiarë europianë dhe amerikanë, shkohet në përfundimin se në horizontin global po shfaqen kërcënime të reja dhe më serioze. Amerikanët i vënë gishtin kapitalizimit të papërshtatshtëm të bankave europiane dhe atij më të mirit gjerman. Po ashtu, vërejnë se Greqia përbën rrezik për qëndrueshmërinë e standardeve dhe kërkojnë që europianët ta zgjidhin këtë rrëmujë. Ndërsa europianët fajësojnë Shtetet e Bashkuara, pasi janë ata që kërcënojnë me gjobë huadhënësin më të madh gjerman, që nëse do të paguhet plotësisht, do të shkaktojë një Armagedon financiar të ri.
Edhe pse çështja e Deutsche Bank e ndan kryekëput perëndimin, liderët ekonomik të Amerikës dhe Europës u shfaqën të bashkuar kundër rritjes së pakënaqësisë ndaj globalizimit dhe integrimit ekonomik. Platforma të ngjashme politike si në Europë e në SH.B.A., ata i quajtën shkurtimisht si “populiste”. Ata u zotuan të ndërmarrin hapa për të siguruar se integrimi i tregtisë dhe ekonomisë do t’u sjellë përfitime më shumë njerëzve, të cilët momentalisht janë lënë pas. Por ata nuk premtuan të ruanin globalizimin ekonomik dhe financiar, sepse natyrisht, preferojnë ta bëjnë këtë heshturazi.
Brexit po ashtu ka ndryshuar mënyrat se si mendohen dhe politizohen gjërat tashmë. Mjafton të shohim si po ftohen marrëveshjet e tregtisë së lirë mes Kanadasë e BE-së apo SH.B.A.-ve e BE-së. Edhe Marrëveshja e Amerikës së Veriut për Tregtinë e Lirë është në rrezik, pasi vihet në dyshim si nga kandidati republikan Trump, ashtu edhe nga demokratja Clinton.
Gjermanët janë ndër politikanët perëndimorë më të alarmuar nga mundësia për më shumë proteksionizëm, më shumë barriera tregatre dhe më pak globalizim. E me të drejtë, pasi mirëqenia e Gjermanisë varet së tepërmi nga eksportet, si asnjë vend tjetër në botë. Gjysma e GDP-së së saj vjen nga shitjet jashtë shtetit.
Si përfundim, takimi i këtij viti mes FMN-s- dhe Bankës Botërore thjesht konstatoi se çdo ditë bota po bëhet një vend i rrezikshëm. Me sa duket, udhëheqësit financiar nuk patën për të ofruar asnjë zgjidhje, por vetëm sa shkëmbyen kërcënime dhe vërejtje të hidhura. Të gjithë duket se po presin për rezultatet e zgjedhjeve në SHBA këtë nëntor dhe në Francë e Gjermani në vitin 2017. Vitin që vjen, takimi i FMN-së me Bankën Botërore pritet të jetë edhe më polemik e paradoksal.
European Sting, tetor 2016